Bisedë në Venedik

November 6, 2019 13:47

Bisedë në Venedik

Moikom Zeqo

 

(MBI  GJON BUZUKUN )

 

Qyteti i mrekullueshëm dhe monstruoz i Venedikut.  Qytet amfib i tokës dhe ujit, i urave dhe katedraleve.

Viti i Zotit (A. D.) 1554.

Gondola që pluskojnë mbi valët e lehta.

Në një rrugë kalldrëmore taverna Ragguagli di Parnaso.

Në këtë tavernë u takuan dy burra që nuk ishin takuar asnjëherë më parë.

Njëri qe një prift shqiptar dhe quhej Gjon Buzuku.

Tjetri qe një dijetar francez Guillaume Postel.

Nëse Djalli i organizon rastësitë, padyshim që ky takim është punë e planit të tij enigmatik.

Buzuku nuk i kishte mbushur të dyzetat.
` Posteli qe 44 vjeç.

Mbi tryezën prej druri të palatuar ishte një brokë e madhe me verë të kuqe.

Të dy po pinin verë me gota qelqi të Moranos.

Ishin njohur thjesht me një shikim.

Të dy ishin qënie të vetmuara dhe të braktisura.

Por çdo vetmi mund të grishë përherë një bisedë të paparashikueshme.

Nisën të bisedojnë në italishten venedikase, një gjuhë plot ekzotikë por dhe me fjalë orientale, pa mohuar latinizmat dhe greqizmat.

Për shqiptarin Gjon Buzuku takimi me Postelin qe tronditës.

Po kush ishte Posteli?

` Një personazh me famë europiane dhe njëkohësisht i persekutuar.

Një poliglot i frikshëm që admironte mbi të gjitha hebraishten.

Ai kishte qenë këshilltar i mbretit të Francës, Fransua I-rë.

Qe lidhur me personalitetet më të mëdha fetare, politike dheshkencore të Europës.

Kishte bërë shumë udhëtime diplomatike në Lindje ku kishte mësuar arabishten dhe hebraishten.

I talentuar dhe në filologjinë e greqishtes së vjetër, në vitin 1539 qe emëruar mathematicorum et peregrinarum linguarum regius interpres në atë që do të bëhej College de Trois Langues (Kolegji i Tri Gjuhëve) e më pas College de France.

Në këtë kohë kishte botuar në 1538 librin “De originibus seu de Hebraicae linguae et gentis antiquitate (Mbi Prjeardhjen e Gjuhës Hebraike dhe Njerëzve të Lashtësisë)” ku pohon që gjuha hebraike rrjedh nga pasardhësit e Noes dhe prej saj rrjedhin hebraishtja, kaldeishtja, indishtja dhe pjesërisht greqishtja e vjetër.

Ai besonte se hebraishtja qe gjuha e parë e botës, ajo rrjedhimisht do të ishte në të ardhmen gjuha e gjuhëve për bashkimin e popujve dhe të feve.

Ai besonte se nëse ka një botë të vetme, një Zot të vetëm atëherë kuptohet që ka një gjuhë të vetme, gjuha e Njeriut të Parë.

Posteli mendonte se ka një gramatikë universale për të gjitha gjuhët e ndryshme.

Ai ishte i ndikuar nga nocioni i Mendjes të Njehsuar që ishte një ide e filozofit arab Averoe.

Posteli qe një hero filologjik, gjuha për të qe një utopi fetare, ëndrra e tij qe paqja e përbotshme.

Sa kohë qe nën mbrojtjen e mbretit të Francës, u përpoq tia mbushte mendjen atij se duhej të synonte titullin e Mbretit të Botës, sepse dinastia mbretërore franceze rrjedh drejtëpërdrejtë nga Noe, ngaqë Gomeri, i biri i Afetit, ka qenë themelues i racës kelte dhe gaia.  Për një pakuptimshmëri, apo mungesë vëmendjeje, Fransua I-rë e kishte quajtur Postelin të krisur.

Posteli shkoi në Romë dhe kërkoi mbështetje për utopinë e tij nga themeluesi i Urdhrit të Jezuitëve, Injac Loiola, idealii të cilit i dukej i afërt me të vetin (për shumë kohë Posteli i konsideron Jezuitët si mjetin hyjnor për të arritur harmoninë botërore).

Por Injaci dalloi tek Posteli një kontardiktë.

Projekti i Postelit e vinte në dyshin kushtin e bindjes ndaj Papës.  Injaci qe spanjoll dhe idea e mbretit të Francës si Mbret i Botës nuk i pëlqente.

Ekumenizmi hebraik i Postelit i dukej i tepruar.

Pas shumë aventuarve Posteli mbërriti në Venedik në 1547, ku bëhet kapelan i Spitalit të Shenjtëve Gjon dhe Pal (i quajtur Ospedaletto) dhe Censor i librave të botuara në hebraisht në këtë qytet.

Në Venedik Postelit i ndodh diçka e pabesueshme.

Ai u njoh me murgeshën Joana, e njohur si Nënë Zuana, një pesëdhjetëvjeçare e trishtuar dhe stoike, themeluese e spitalit e përkushtuar heroikisht ndaj të varfërve.

Posteli pa tek Joana një qënie profetike.

Ai e quajti atë Nëna e Botës, e paracaktuar për të shpëtuar njerëzimin nga mëkati i parë.

Duke rilexuar Zoharin, librin e Kabalës, Posteli u bind dhe e njehsoi Joanën si me Shekinahun, ashtu dhe me Papën Ëngjëllor (Celestini V).

Ai nuk u tut duke u bazuar në disa profeci gnostike, e quajti Joanën Mesia e Dytë.

Për Postelin pjesa femërore e njerëzisë, e dënuar nga mëkati i Evës, nuk ishte shelbuar nga Krishti dhe lipsej një Mesia i Dytë që të shelbonte bijat e Evës.

Kjo gjë u quajt profeci feministe e shpëtimit të botës.

Kudo që shkonte Posteli e lartësonte idenë e tij të së ardhmes.

Por klerikët dhe teologët u çuditën shumë dhe reaguan me mllef.

Në 1550 murgesha Joana vdiq.

Kur mësoi lajmin e vdekjes së saj Posteli u dëshpërua marrëzisht, humbi për ca kohë të folurit dhe të menduarit.  Pastaj shpalli se shpirti i Joanës ishte futur në trupin e tij.

Për këto marrëzira të pafajshme e shpotitën dhe gati e përzunë nga Venediku.

Ai u kthye në Paris ku dha mësim në Universitet dhe shpalli fillimin e  erës së Restaurimit të Shekullit të Artë, nën shenjën e Joanës.

Por dhe nga Parisi e përzunë, duke e përfolur dhe kritikuar pa asnjë mirësjellje.

I varfër dhe i mjerë Posteli u rikthye në Venedik, ku disa murgesha të kultit të Joanës mund ta ndihmonin ende për tu ushqyer, apo për ti dhënë mundësi që në vetmi të shkruante dorëshkrimet e tij.

Në këto rrethana të tmerrshme u takua me Gjon Buzukun.

Biseda midis tyre nuk u regjistrua nga askush.

Buzuku kishte dëgjuar diçka për Postelin.

Njohja me librat e Postelit nga ana e Buzukut qe diçka e turbullt dhe konfuze.

Erudicioni i Postelit qe i papërballueshëm për Buzukun.

Si rastësisht Buzuku i tha se kishte ardhur në Venedik për të gjetur mundësinë për të botuar një libër në shqip, një lloj antologjie të përzgjedhur të Shkrimeve të Shenjta.

Këtu nisi debati.

-Më falni, një libër në gjuhën shqipe?

-Po.  Është gjuha e një populli të vogël por tepër të vjetër.

-Tepër të vjetër?  Kush e thotë këtë?

-Tërë popujt vijnë nga Adami.

-Nuk e mohoj, ashtu si nuk mohoj se pasardhësit janë më shpesh një degradim i Adamit.

Pra ke përkthyer Shkrimet e Shenjta në gjuhën e populit tënd, që është hera e parë që e dëgjoj.

Pse vallë?

-Unë jam nga Shqipëria, një vend me krishtërim të hershëm, por deri më sot pa një libër të lexueshëm nga vendasit të Biblës në gjuhën e njëjtë me ta.

Akti im po bëhet i përhapur në Europë.

-Aha, mos më fol për atë të mallkuarin Martin Luterin.  Ai e ka përkthyer Biblën në gjermanisht.

E pastaj?

Ai është një i çmendur.

Ai kërkon të gjermanizojë krishtërimin.

Ja ambicia e tij.

Por është e pamundur.

-Nuk e di, Bibla është edhe në greqisht dhe në latinisht.  A mund të flitet për greqinizimin apo latinizimin e krishtërimit?

-E dija që do të ma thoje këtë.

Unë njoh vetëm krishtërimin në këtë botë.

Greqishtja dhe latinishtja janë gjuhë konvencionale por dhe të përbotshme.

Të mos harrojmë se Krishti qe një hebre.

Librat e Biblës janë shkruajtur fillimisht në hebraisht.  Hebraishtja është mbi gjithçka.  ajo është gjuha e parë e Zotit dhe e Adamit.

Por dhe gjuha e Jezu Krishtit.

Atëherë pse na duhen gjuhët e dyta, të treta, apo të njëmijta?

-Sepse popujt flasin gjuhë të ndryshme.

-Nuk kanë rëndësi të ndryshmet.  Ka rëndësi e njëjta.  Të ndryshmet përçajnë.  E njëjta bashkon.

Unë jetoj në të tashmen.

Por unë besoj tek e ardhmja.

-Si mundet vallë gjithë popujt t’i kthehen hebraishtes dhe t’i harrojnë gjuhët e tyre?  Pse nuk munden?  Forcat e njeriut janë të pakufishme.  Zoti i vetëm është kështu një gjuhë e vetme.

-Po a mendojnë kështu hebrenjtë?

Hebrenjtë përgjithësisht i besojnë Moisiut, jo Krishtit.  Nuk e njohin Krishtin si Mesia të tyre.  Për hebrenjtë talmudistë dhe kabalistë Mesia ende nuk ka adhur në botë.

-Ndoshta.  Krishti është Mesia i gjithë botës dhe një ditë do të jetë edhe i hebrenjve.

Por edhe Joana, besoj se ke dëgjuar për të, është Mesia e Dytë femër.

Nëse ju tremb shprehja Mesia i     Dytë mund ta shpjegoj se mesianizmi i Krishti, përveç anës mashkullore të shfaqjes së tij në tokë, kishte si një plotësim edhe anën e tij femërore të mëvonshme.

Ja që kështu shprehja Mesia e Dytë nuk mund të keqkuptohet.

-Më lejo që të kem dyshime për këtë gjë.

-Dyshime?  O Zot i madh.  Të gjithë dyshojnë tek unë.  Askush nuk mendon se unë jam i frymëzuar vetëm nga Zoti.  Dituria e Zotit më ka qartësuar.  Duke i thjeshtëzuar të kundërtat kam mbërritur tek idetë e vërteta të zanafillës.  Por keqkuptimet ndaj meje nuk kanë fund.

Është hera e parë që pi me ty o shqiptar dhe dua të të hap zemrën.

Agjentët e Inkuizicionët po më ndjekin.

Librat e mi i sekuestrojnë dhe i djegin.

Nuk e di si do të jetë fati im.

-E vërtetë.  Nuk mund ta dijmë se ç’do të ndodhë me ne në të ardhmen.

Këtu dialogu nuk vazhdon më tej.

Ndoshta në tavernën e çuditshme Postoli dhe Buzuku nuk u morrën vesh me njëri tjetrin, por gjithsesi takimi qe i pashmangshëm dhe historik.

 Ata i përplasën idetë, duke ngulmuar se qenë dy persona krejtësisht të krishterë por dhe heretikë.

 Buzuku nuk e honepste Luterin.  Madje e urrente.  Por të shkruarit në shqip të një libri me Shkrimet e Shenjta qe vetvetiu një akt autentik dhe i njëjtë me Luçiferin e kishës katolike, Martin Luterin.

Por shorti qe hedhur.

Buzuku nuk mund të kthehej dot mbrapsht.

Në vitin 1555 në Venedik u botua Meshari i Gjon Buzukut.

Botimi i librit të parë shqip nuk pati asnjë bujë.  Një heshtje mizore e rrethoi.

Nuk dihet se ç’u bë më tej me Buzukun.

Po me Postolin?

Po në vitin 1555 Inkuizicioni i përshpirtshëm e bëri një seancë të bujshme gjyqësore për Postolin dhe librat e tij.

Postoli qe i shushatur dhe konfuz.

I lodhur dhe i shkretë.

Drejtësia qe shumë e kujdesshme dhe zemërgjerë ndaj tij.

Inkuizitorët, në fund të gjyqit tejet intelektual dhe vetëkuptohet teologjik, e përcaktuan Postolin si “non malus sed amens”(jo fajtor por i marrë), duke i falur jetën, por duke e burgosur së pari në Ravena dhe pastaj në Romë.

Postoli kthehet në Paris në 1564 ku u mbyll në manastirin Saint-Martin-des-Champs, ku vdiq në vitin 1587, mbasi hartoi një shkrim, ku hiqte dorë prej doktrinave të veta heretike si dhe për kultin mesianik të Joanës.

Postoli e ka një varr në këtë manastir.

Buzuku, më enigmatik dhe më i pafat, nuk e ka një varr.(1999)

 

November 6, 2019 13:47
Komento

3 Komente

  1. Morano November 6, 14:39

    E dija se vuante nga semundje tjeter ky, jo nga haluçinacionet.
    Ato xhanat e Moranos pastaj ma mbushem mendjen krejtesisht.
    Po interesant si ata supereruditet e famshem qe ka Moikomi ne familje, se vetem per ta flet, nuk ia kane mesuar emrin e ishullit te famshem. Gabim i rende ky

    Reply to this comment
  2. Ismail November 6, 20:52

    O I MJERI “morano”! Te ngushelloj ne fatkeqesine tende idioteske. Meriton keqardhje, ti qenie inferiore. Patjeter, qe nuk mund te merresh me Moikomin-Kolosin e letrave shqipe, e njerin nder kater-pese shkrimtaret postmoderniste qe Europa ka sot. Por, çfare ke me femijet e tij? DOemos, edhe karshi atyre, ndihesh inferior, e prandaj edhe njehere prit dhe prano ngushellimet e mia te sinqerta, per KTANDISJEN tende!

    Reply to this comment
  3. Anti-Rryma November 8, 15:19

    Kam frig se nuk e kuptojn te gjith Moikomin. Ai shkruan ne kohen e duhur, ne vendin e duhur, por me milet te zhduhur.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*