Bizneset e tre shteteve në një regjistër të përbashkët

June 22, 2018 17:58

Bizneset e tre shteteve në një regjistër të përbashkët

 

Bizneset e tre shteteve, Shqipëri, Itali dhe Mali i Zi do të vendosen në një regjistër të vetëm.

Projekti që po udhëhiqet nga Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së tre vendeve është pjesë e programit Interreg, IPA CBC Itali-Shqipëri-Mali i Zi.

Gjatë tryezës “Fuqizimi i Regjistrave të Biznesit” që u mbajt sot në Tiranë, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka u shpreh se “objektivi i përgjithshëm i programit është fuqizimi i ligjit për nxitjen e platformave”.

Regjistri rajonal i biznesit që përfshin tre vendet, synon të mundësojë aksesin në të tre tregjet, ndërsa kompanitë kanë mundësi të informohen lehtësisht rreth partnerëve të tyre të mundshëm.

“Për ne, – vijoi Jaka, – ky projekt do të shërbejë si një nxitje e mëtejshme në drejtim të krijimit të lehtësive për qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve, krijimin e kontakteve me biznese të ndryshme ndërkufitare si dhe në gjetjen e tregjeve të reja për eksport”.

Platforma pritet të jetë një mundësi, në veçanti për bizneset e vogla dhe të mesme të të tre vendeve.

Ekspertët e projektit thonë se, pritet të krijohen kushte për rritjen e konkurrueshmërisë, të ngrihen rrjete dhe organizata për mbështetjen e biznesit, si dhe zhvillim i trajnimeve për rritjen në nivel ndërkombëtar të kapacitetit të bizneseve të vogla dhe të mëdha.

Partnerë të këtij projekti, janë dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Bari, Dhoma e Tregtisë së Malit të Zi, si dhe Qendra Malazeze e Inovacionit, “Tehnopolis”.

Nisma pritet të përmirësojë fillimisht regjistrat e biznesit të çdo vendi.

Italia dhe Mali i Zi, ndryshe nga Shqipëria, e kanë të detyrueshme me ligj, regjistrimin e sipërmarrjeve në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.

a.s/dita

June 22, 2018 17:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*