Biznesi gjerman, besim në përmirësimin e klimës për të investuar në Shqipëri

April 12, 2016 13:22

Biznesi gjerman, besim në përmirësimin e klimës për të investuar në Shqipëri

Në anketimin mbi klimën e biznesit, i cili u plotësua nga anëtarët e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, (DIHA), pjesa më e madhe e të anketuarve nuk e kanë vlerësuar pozitivisht situatën ekonomike aktuale, krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, sa i përket të ardhmes së ekonomisë shqiptare, kompanitë shpresojnë në përmirësimin e situatës veçanërisht brenda sektorit.

Kështu lidhur me situatën aktuale 5 % e të anketuarve e vlerësojnë ‘me mire’ situatën e ekonomisë aktuale, ndërkohë që vitin e kaluar e kishin vlerësuar 19 % e bizneseve. 38 % e vlerësojnë ‘të kënaqshme’ dhe 56 % ‘e keqe’.

Megjithatë, sipas anketimit të DIHA-s, pritshmëritë e kompanive për zhvillimin e sektorëve përkatës janë vlerësuar nga 41 % e të anketuarve me “më mirë”, 41 me “e pandryshuar” dhe 18 % me “më keq”.

Më pozitive vlerësohet situata aktuale e vet bizneseve në krahasim me një vit më parë . 28 % e bizneseve deklarojnë se situata e tyre është përmirësuar, ndërkohë në vitin 2015 kjo shifër ishte 23 % . Për 54 % të të anketuarve situata ka qëndruar e pandryshuar, ndërsa 18 % e tyre shohin si të përkeqësuar.

Për vlerësimin e Shqipërisë si vend për investime, pjesëmarrësit në anketim u pyetën mbi 20 faktorë. Faktorë të vlerësuar si pengesë në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacion investimesh janë “lufta kundër informalitetit dhe korrupsioni”, “transparenca e tenderave publike”, “siguria ligjore”, “parashikueshmëria e politikave ekonomike” dhe “administrata publike”. Vlerësime pozitive në krahasim me një vit më parë kanë marrë “kostoja e punës” dhe “disponueshmëria dhe cilësia e furnitorëve lokalë.

Sipas DIHA-s, këtë vit të anketuarit kanë qenë më kritik ndaj zhvillimeve të vendit dhe më optimist për sa i përket bizneseve të tyre. Kjo vihet re si në rritjen e të ardhurave të pritshme të biznesit edhe në rritjen e numrit të punonjësve. 35 % e të anketuarve mendojnë të rrisin numrin e punonjësve, ndërkohë 55 % e tyre (72% një vit më parë ) nuk planifikojnë ndryshime.

Pyetjes nëse forca e punës në Shqipëri është e përgatitur nëpërmjet sistemit arsimor për kërkesat e kompanive, 10 % e të anketuarve i janë përgjigjur ‘po’ , 63 % me ‘pjesërisht’ dhe 28 % me ‘jo’.

Nga data 1 shkurt deri në 1 mars, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri së bashku me 16 dhoma gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK) në rajonin e Evropës Qendrore e Juglindore realizoi me kompanitë anëtare anketimin vjetor mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri.

Nga të gjitha zyrat AHK të rajonit morën pjesë në këtë anketim 1623 kompani nga të cilat 40 ishin nga Shqipëria. Kjo korrespondon me një pjesëmarrje prej 44 % të kompanive anëtare të DIHA-s. Pjesëmarrësit marrin pjesë në këtë anketim on line dhe përgjigjet realizohen në mënyrë anonime. Tematika dhe gama e pyetjeve për të gjitha vendet është njësoj.

April 12, 2016 13:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*