Biznesi i gjahut mund të jetë një burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë shqiptare

December 3, 2017 15:20

Biznesi i gjahut mund të jetë një burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë shqiptare

Për vite me radhë  është abuzuar me sektorin e gjuetisë, duke sjellë dëme të mëdha jo vetëm  në zhdukjen e  faunës së egër, por edhe në ekonomi. Gjuetia nuk është vetëm sport, por është një  aktivitet me të ardhura të mëdha ekonomike nëse do të mirëmenaxhohet. Sipas Federatës së  Gjuetarëve, nëse ky sektor do të monitorohet dhe kontrollohet në mënyrë korrekte, atëherë do t’i sjellë buxhetit të shtetit deri në 12 milionë euro në vit, rreth 70 deri në 80 mijë euro në vit për bashkitë, si edhe do të çelen vende të reja pune.

Sipas përfaqësuesve të Federatës Kombëtare për Gjuetinë dhe Konservimin, abuzimet nuk kanë munguar dhe pavarësisht vendosjes së moratoriumit rezultatet vijuan të mbeteshin negative. Aktualisht në vendin tonë janë rreth 150 mijë armë gjahu  dhe 12-13 mijë  gjuetarë të licencuar, numër i cili sipas kreut të federatës, Themi Peri, nuk duhet të rritet për arsye se kjo është e mjaftueshme për hapësirën e gjuetisë që ka vendi ynë, hapësirë e cila është gjithsej 750 mijë hektarë.

Tarifat që paguajnë gjuetarët janë të ndryshme sipas hapësirës që kërkon të ushtrojë aktivitetin një gjuetar i licencuar. Sipas kreut të Federatës Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim Themi Perri për revistën “SCAN“, nëse kjo hapësirë është brenda qarkut, atëherë gjuetarit i duhet të paguajë 15 mijë lekë, por kjo shumë ndryshon nëse gjuetari kërkon të gjuajë në gjithë hapësirën e territorit, duke u rritur deri në 20 mijë lekë.

Nevoja për një mirëmenaxhim të këtij sektori për ta kthyer atë në fitimprurës dhe  për të mos shkaktuar dëme sikurse janë bërë gjatë këtyre viteve, ka bërë që tre deputetë të mazhorancës Erion Braçe, Eduard Shalsi dhe  Besnik Bare të depozitojnë në kuvend një projektligj për gjuetinë, për të cilin pretendohet se rreth 80% e propozimeve janë bërë nga grupet e interesit. Gjatë diskutimit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Industrisë, nuk munguan kundërshtitë lidhur me forcimin e rolit të kësaj federate për menaxhimin e gjuetisë.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, kjo krijon hapësira për abuzime dhe se sektori i gjuetisë është një sport i cili nuk sjell përfitime ekonomike, por kjo është kundërshtuar fort nga përfaqësuesit e federatës, të cilët theksojnë së gjuetia në Shqipëri, ashtu sikurse në të gjitha vendet e botës është një aktivitet me të ardhura të konsiderueshme ekonomike, prandaj edhe investohet me projekte dhe plane për shtimin e popullatave të gjuetisë. Në Francë, një ndër shtetet më të përparuara në menaxhimin e gjuetisë, ku vetëm në një vit nga veprimtaria e gjuetisë, prurjet financiare kanë arritur deri në 2 miliardë euro dhe të punësuar në këtë sektor janë rreth 25 mijë vetë.

Projektligji i ri për gjuetinë

Por çfarë risish ka projektligji  për gjuetinë? Së pari, ky projektligj rrit rolin e Federatës Kombëtare për Gjuetinë, e cila do të menaxhojë këtë sektor në vendin tone, në mënyrë që të shmangen abuzimet dhe të krijohet mundësia e ripërtëritjes të faunës së egër e cila është keqtrajtur për vite me radhë. Ndërsa njësitë vendore do të kryejnë rolin monitorues; së dyti, ky projektligj parashikon disiplinimin e armëve të zjarrit.

Aktualisht, në vendin tonë një në shtatë banorë pretendohet të disponojë një armë zjarri dhe ky sipas përfaqësuesve të Federatës Kombëtare për Gjuetinë  përbën një kërcënim serioz për faunën e egër; së treti, çelja e fermave për mbarështimin e atyre specieve të cilat janë gjuajtur gjatë sezonit dhe specieve që janë në zhdukje për të krijuar ciklin në mënyrë të vazhdueshme. Krijimi i fermave ndihet si nevojë, kjo për shkak të dëmeve të vazhdueshme nga gjuetia e paligjshme apo gjuetia turistike.

Dëme që kanë vijuar edhe gjatë kohës së vendosjes së moratoriumit, ku gjuetia ka vijuar ilegalisht në disa zona të cilat e kanë kthyer Shqipërinë në tokë të djegur; krijimi i mundësisë për gjenerimin e të ardhurave, pasi sipas projektligjit edhe tarifat mujore apo vjetore do të ndryshojnë duke pësuar rritje.Vetëm nga qiraja e gjuetisë lëvrohen 3 deri në 4 milionë euro; krijimi i vendeve të punës si edhe krijimi i një pakete gjuetie.

Moratoriumi i gjuetisë favorizoi gjuetinë e paligjshme

Sipas përfaqësuesve të federatës ky moratorium pas vitit të dytë të aplikimit ka pasur një rezultat të pakënaqshëm, kjo për arsye të masivizimit të gjuetisë së paligjshme. Gjuetarët kontrabandistë arrijnë të shfrytëzojnë pa asnjë lloj kriteri faunën e egër, në një kohë që gjuetarët e ndershëm të cilët vepronin në  bazë të ligjit, u viktimizuan. Federata e cilëson paaftësi totale të ministrisë përgjegjëse për të ndërmarrë hapa konkrete në menaxhimin e gjuetisë në këto 3 vite.

Sipas përfaqësuesve të federatës vlerësimi i zgjatjes së moratoriumit do të dëmtonte në mënyrë fatale autoritetin dhe identitetin e shoqatave dhe si pasojë edhe të Federatës Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim me një përvojë 65-vjeçare  në fushën e menaxhimit të gjuetisë.Kreu i saj, Themi Perri deklaron për revistën “SCAN“ se  menaxhimi i gjuetisë nga kjo federatë është domosdoshmëri si e vetmja strukturë shqiptare në këtë sektor e njohur nga Federata Botërore dhe Federate Europiane për Gjueti dhe Konservim dhe degët e saj.  Kjo është e vetmja mënyrë për ruajtjen e ekuilibrave nga gjuetia e paligjshme.

Perri thekson se askush si gjuetarët nuk mund të ruajë më mirë këtë pasuri kombëtare duke u ndalur tek domosdoshmëria e vendosjes së rregullave të forta  dhe zbatimi i tyre  në këtë fushë, për organizimin e një gjuetie të qëndrueshme dhe bashkëkohore.  Sipas  kreut të federates, është i nevojshëm krijimi i fermave për shtimin e faunës së egër dhe ngritja e strukturave të posaçme  për ruajtjen e saj si edhe zbatimi i projekteve pilot për rehabilitimin e zonave të gjuetisë që në vitin e parë të çeljes së sezonit të gjuetisë në shkallë vendi prurjet financiare në llogari të shtetit do të ishin të konsiderueshme dhe do të mundësohej krijimi i vendeve të punës, bëhet fjalë për rreth 2000 vende të reja pune. Ligji aktual i gjuetisë  sipas  federatës  është miratuar me nxitim  pa u pyetur  grupi më i madh i interesit,  komuniteti i gjuetarëve.

Kjo, sipas saj, është në shërbim të një klientele të caktuar që e trajton pasurinë kombëtare si mall pa zot, që kushdo që ka një armë gjahu mund të veprojë sipas qejfit. Sipas kësaj federate, Ministria e Mjedisit (tashmë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit)  gjatë këtyre viteve  nuk ka bërë asnjë përpjekje për  rehabilitimin e zonave të gjuetisë apo zëvendësimin e specieve që janë zhdukur.

Nertila Doko/SCAN Magazine

December 3, 2017 15:20
Komento

1 Koment

  1. demo December 3, 15:48

    Biznesi i gjahut eshte nje katastrofe per natyren shqiptare.Aka mendesi shteti t`jau ndryshke ne dollape ato 160 mije arme gjahu?Moratoriumi gjuetise mundesisht ne Shqiperi te jete i perjetshem.Gjuetaret sot jane llumi i shoqerise.kriminele bisnesmene,hajdute bisnesmene pa din e iman,Kodoshe te prostitucionit dhe droges,qe ftojne padronet e tyre Italiane te vrasin si ne Perendimin e eger vriteshin Bizonet.Asnje meshire per keta funderrina,qe na paskan paguar nje “dijetare”,te na tregoje,sa shume do fitojme me gjahun e funderrinave!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*