Biznesi kërkon premtimin e Berishës për TVSH 10%

Genc Kondi November 7, 2012 12:42

Biznesi kërkon premtimin e Berishës për TVSH 10%

Shoqatat e sipërmarrësve kërkojnë rregullime fiskale

 

Berisha e ka harruar krejtësisht premtimin e dhënë në vitin 2005 për futjen e një Tatimi mbi Vlerën e Shtuar me shkallë të ndryshme, ndryshe nga unifikimi aktual në 20 për qind. Ky ishte një premtim i herëshëm elektoral në vitin 2005, ku u adoptua një tezë e KOP-it (Komitetit të Politikave Ekonomike) pranë Partisë Demokratike. Në fakt, një ndryshim ka ndodhur, por në të kundërt të vullnetit të biznesit, duke futur një TVSH vërtet më të ulët,  në masën 10 për qind, por për ilaçet, që deri në atë moment nuk përfshiheshin fare në listën e mallrave të taksueshme në këtë formë.

 

Taksa-bazë

 

Biznesi ka hartuar së fundi një listë jo të vogël kërkesash fiskale, në interes të tyre dhe të vendit, që, sipas tyre, lehtëson shumë në kuadër të vështirësive që ka krijuar kriza globale dhe pamundësia e qeverisë për të shlyer normalisht detyrimet ndaj privatëve.

 

Përshkallëzimi në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, heqja e çmimeve referencë në dogana dhe eliminimi i kontakteve me inspektorët tatimorë, janë disa nga kërkesat që pritet së shpejti të paraqiten në Financat e më pas në qeveri. Ndër këto, më e rëndëishmja duket pikërisht prekja e “tabusë” TVSH.

 

Biznesi vendas kërkon uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 10% për sektorin e turizmit, si një “levë” për mbështetur dhe nxitur një nga sektorët më potencialë në vend. Nisma e fundit e sipërmarrësve vendas, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Sipërmarrje Private (CIPE), e ka evidentuar si një nxitje për ekonominë dhe biznesin vendas ndërhyrjen në TVSH. Por, me sa duket, cenimi i një takse të tillë nuk le pa prekur një gamë shumë të gjerë mallrash e shërbimesh.

 

“Ne rekomandojmë uljen e TVSH-së nga 20% në 10%, për disa produkte ushqimore të caktuara dhe aktivitete të tjera të lidhura kryesisht me industrinë e turizmit. Ulja e TVSH-së për sektorin e turizmit konsiderohet të jetë nxitje për zhvillimin e turizmit”, ka deklaruar për revistën “Monitor” dr. Zef Preçi, eksperti ekonomist i cili po asiston nismën.

 

Turizmi në fakt është një nga sektorët më dinamikë në vend, por problem mbetet informaliteti i madh. Në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta për netët e qëndrimit dhe të ardhurat që krijohen nga ky sektor. Sipas biznesit, nëse ky sektor lehtësohet nga taksat, jo vetëm që do të rritë të ardhurat, por do të bëhet edhe më formal.

 

Por ndërkohë, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar nuk mbetet problematik vetëm në sektorin e turizmit. Me qëllim zbutjen e ndikimit të krizës së viteve të fundit, biznesi kërkon heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, të cilat mund të japin ndikim pozitiv për biznesin vendas, duke inkurajuar investimet. Qeveria ka ndërmarrë së fundmi vendimin për të hequr TVSH-në, nëse biznesi realizon një investim mbi 50 milionë lekë. Kjo është cilësuar si një nxitje e pjesshme nga sipërmarrësit, sepse mund të mbështeten kompanitë shumë të mëdha, që në fakt janë edhe më pak të prekurat nga kriza ekonomike.

 

Së fundmi, nga kreu i qeverisë është konfirmuar edhe heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për sektorin e fasonit. “Qeveria shqiptare është duke menduar që të lehtësojë biznesin e fasonit për shkak të vështirësive që po kalon. Vendimi do të merret brenda dy javësh. Ne do bëjmë gjithçka për të lehtësuar barrën fiskale e burokratike për të kontribuar në suksesin tuaj”, tha Kryeministri Sali Berisha.

 

Megjithatë biznesi rekomandon që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që është në nivelin e 20%, të hiqet për çdo investim në blerje makineri dhe pajisjesh, sepse kështu sipërmarrësit do të nxiten të investojnë në këtë periudhë krize.

 

Administrata “e bezdisshme”

 

Ishte parashikuar që në momentin kur po diskutoheshin ndryshimet në Kodin e Procedurave Tatimore që problemet me aplikimin e rregullave “të drunjta” të tij, sipas konceptimit të ri nga qeveria ‘Berisha’, do të krijonin probleme jo të vogla nga administrata tatimore.

 

Tensionimi i klimës ndërmjet biznesit dhe administratës publike, sidomos asaj tatimore, vazhdimisht, por sidomos me gjobat gjatë kohëve të fundit, ka nxitur sipërmarrësit vendas që të identifikojnë problemet për të bërë ndërhyrjet e nevojshme.

 

Alban Zusi, drejtor i Shoqatës Shqiptare të Industrisë së Mishit, tha se projekti është ndërmarrë me Qendrën Ndërkombëtare për Sipërmarrje Private (CIPE) dhe do të ndërhyhet në rregullimet e nevojshme administrative dhe ligjore. “Ne po identifikojmë në nivele teknike se ku qëndrojnë problemet për të minimizuar kostot dhe pengesat dhe më pas do të realizohen takimet me administratën tatimore, doganore dhe deputetë për të bërë ndryshimet e nevojshme”, sipas tij.

 

Një nga kërkesat më “interesante” të biznesit është eliminimi i “kontakteve” me inspektorët tatimorë, të cilat kohët e fundit kanë rritur numrin e gjobave ndaj biznesit. Sipas sipërmarrësve është e nevojshme që të bëhet kompjuterizimi i shpejtë dhe në të gjithë vendin i shërbimeve tatimore me qëllim shmangien e kontakteve të biznesit me tatimorët.

 

“Konsultimet në grupet e fokusuara nxorën në pah se, përveç nevojës së ngritjes së kapaciteteve të inspektorëve, një zgjidhje tjetër për të eliminuar kontaktet e drejtpërdrejta me ta është përmirësimi i sistemit të kompjuterizimit dhe shtrirja e tij në të gjithë territorin. Reduktimi dhe eliminimi i kontaktit fizik mes zyrtarëve të zyrës tatimore dhe administratorëve të biznesit mund të bëhet duke rritur përdorimin e komunikimit elektronik”, sipas dr. Zef Preçit.

 

Efektivitet i ankesave

Sektori i biznesit rekomandon zhvillimin e një sistemi të drejtë dhe efektiv të ankimimit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve procedura e apelimit duhet të jetë me shkrim dhe një vendim mund të zgjasë deri në tre muaj. Komuniteti i biznesit rekomandon kryerjen e këtyre procedurave në mënyrë elektronike dhe reduktimin e kohës deri në një vendim përfundimtar.

 

Në diskutimet e grupeve të fokusuara u vlerësua si e rëndësishme rritja e transparencës në marrëdhëniet mes administratës së taksë-tatimeve dhe sektorit privat, me qëllim kontrollin dhe parandalimin e abuzimit, për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme të rregullave dhe procedurave. Përfaqësuesit e biznesit gjykojnë se legjislacioni tatimor nganjëherë është kontradiktor dhe i paqartë. Apelimi tatimor dhe jotatimor nuk trajtohen mirë sipas afateve, sepse procedurat janë të lidhura me disa zgjatje në kohë, të cilat duket të jenë të pajustifikuara.

 

Ka mos-harmonizim të aplikimit të akteve normative që shfaqet në interpretime dhe zbatime të ndryshme të tyre në degë dhe në nivele të ndryshme.

 

Ka mangësi në funksionimin e kuadrit rregullator që penalizon tatimorët që shpërdorojnë detyrën, keqinterpretojnë aktet normative apo me veprimet dhe mosveprimet e tyre dëmtojnë interesat e ligjshme të bizneseve.

 

Strukturat dhe përgjegjësitë e autoriteteve tatimore në nivele të ndryshme duhet të jenë të thjeshta dhe më efikase, sepse shpesh probleme të caktuara tërhiqen zvarrë nga njëra zyrë në tjetrën.

 

Çmimet referencë janë kthyer në barrë

Një tjetër kërkesë është heqja e çmimeve të referencës, pasi mendohet se ato dëmtojnë konkurrencën dhe janë një burim abuzimi nga zyrtarët e doganave. Kjo ndikon në uljen e produktivitetit të prodhimit vendas. Çmimet referencë janë shpesh objekt debati ndërmjet doganës dhe përfaqësuesve të biznesit, për shkak se ato janë më të larta se çmimet që deklarojnë bizneset.

 

Çështja e administrimit dhe politikave fiskale është përzgjedhur si tema e parë më e rëndësishme nga anëtarët e grupit të punës, duke u konsideruar si relevante me situatën aktuale të shoqatave të biznesit, duke pasur parasysh faktin se procedurat administrative janë ato më sfidueset në aktivitetin e përditshëm të biznesit. Megjithëse pranohet gjerësisht se ka përmirësime të ndjeshme të zbatimit të këtyre procedurave të hartuara nga qeveria shqiptare, vlerësohet se ende ka shumë për t’u bërë.

 

Një vëmendje të madhe ka marrë edhe Gjykata Administrative. Plani për krijimin në të ardhmen e afërt të Gjykatave Administrative është pranuar nga të gjithë përfaqësuesit e biznesit, si një arritje për çështjet e apelimit në biznes edhe gjatë diskutimeve në fokus grupe.

 

“Megjithatë, nuk do të ketë shumë gjykata të ankimimit administrativ – të paktën një në Tiranë. Prandaj është e rekomandueshme, ngritja e gjykatave të ankimimit administrativ në të njëjtat rajone/vende ku janë të vendosura tashmë Gjykatat e Apelit në mbarë vendin”, thotë sipërmarrësit.

Genc Kondi November 7, 2012 12:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*