Biznesi me Demokracinë

Nga DAUT GUMENI February 1, 2013 13:44

Biznesi me Demokracinë

Këto ditë të një fushate zgjedhore të nisur pa nisur mirë viti i zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, nga selia e pushtetit u hap lajmi se edhe në këto zgjedhje pushteti aktual do të marrë me qira  firmën e njohur amerikane Patton Boggs, e cila do të kujdeset për imazhin e mirë të këtij pushteti, pa do të kujdeset edhe që këta pushtetarët tanë aq të suksesshëm në çqeverisjen e vendit më të varfër të Europës, që dhe kjo skotë pushtetarësh të sëmurë të na dalin sa më të bukur përpara Kongresit amerikan, madje edhe përpara vetë publikut amerikan të mirëinformuar e të aftë për të gjykuar.

Lajm më të mirë për pushtetin aktual të Tiranës nuk besoj se  do të dëgjojmë deri më datën 23 qershor 2013. Sepse firma e njohur amerikane ka pasur rezultate të pabesueshme edhe në qiramarrjet e mëparshme në dobi të pushtetit të Tiranës. Madje ka arritur që me tërcifërcirime ligjore të shkelë haptaz dhe ligjet e këtij vendi e dhe ligjet e njohura ndërkombëtare për standardin e zgjedhjeve të lira e të drejta. Thonë se atë marifetin e “votave të hedhura në kutitë e gabuara”, që e shpuri dëm dhe përveshjen e mëngëve të ambasadorit amerikan në numërimin e votave për zgjedhjet vendore të Tiranës, e paska shpikur pikërisht firma amerikane Patton Boggs. Dhe ishte ai marifet i pritur në aeroportin e Rinasit në momentet e fundit nga një ministër e nga një ish-ministër, njëri demokratikas e tjetri socialist dhe njëri shofer e tjetri pasagjer, që i dhanë bashkinë delfinit të pushtetit aktual, pasi me votat e rregullta e kishte humbur. Kësaj i thonë firmë lobuese e jo shaka dhe kjo biçim firme me nam të madh në lobimin për mubarakët e sëmurë të botës , na vjen të merret përsëri me qira nga pushteti aktual i Tiranës. Si të mos jetë lajmi më i mirë për këtë deli pushtet, me tërë atë mal me zullume që po i zë frymën pushtetit e miletit bashkë këto tetë vite, zullume që e kanë kthyer Shqipërinë tonë të varfër në vendin që ecën më shpejt drejt kolapsit demokratik dhe ekonomik njëherësh?

Se thonë që na qenka një filial i po kësaj firme të famshme lobuese për zgjatjen e jetës së mubarakëve të sëmurë të botës, ajo që na e paska nxjerrë Shqipërinë tonë si vendin e katërt në botë për “shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët”(!) Ecë e mos u kreno pastaj për miqësitë e mëdha që ka gjetur pushteti aktual i Tiranës edhe në demokracinë më të zhvilluar të botës!

Por shqiptarët e shkretë, që e dinë mirë se ç’mirëqenie u ka siguruar ky pushtet me rritjen ekonomike të arritur me sistemin original “merr borxhe për të shlyer borxhet”, nuk e kuptojnë dot mirë rezultatin aq shkencor të filiales së firmës lobuese amerikane Patton Boggs dhe prandaj pyesin me vete:

Për cilët qytetarë  e paska kthyer rritjen ekonomike në mirëqenie pushteti i kalbur i Tiranës? Për ata qytetarë shqiptarë, aq të shumtë e përditë të shtuar e të shumuar, që e marrin dhe bukën me listë? Apo për ata qytetarë shqiptarë që janë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes në kushtet e një shteti të humbur nën thundrën e pushtetit harbut? Apo mos vallë për ata qyatetarë që nuk lënë marifete pa shpikur për të ikur nga sytë këmbët sa më larg këtij Atdheu të mirëqenies së katërt në botë?

Edhe këtu duket që shqiptarët e thjeshtë gabojnë, sepse nuk e kuptojnë dot mrekullinë e zbuluar nga firma lobuese amerikane në dobi të imazhit, apo të faqes së bardhë të pushtetit aktual të Tiranës. Nuk e kuptojnë ndoshta që firma lobuese amerikane e ka fjalën që rritja jonë ekonomike është rritje e mirëqenies së pushtetarëve tanë makutë. Është rritje e mirëqënies edhe për lobistët e tyre të marrë me qira nga Amerika e demokracisë më të zhvilluar të botës. Sepse nuk e kuptojnë dot shqiptarët e varfër sesi firmat lobuese amerikane mund ta duan vërtet ta shohin si lopë për të mjelë këtë Shqipërinë tonë të përgjëruar për Amnerikën!

Se na thonë që atë kontratën gjysmë të fshehtë, të nënshkruar me Patton Boggs nga Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë shqiptare, doemos për t’u paguar me paratë e qytetarëve shqiptarë, e paskanë lidhur për të mirën e pushtetit. Dhe pushteti aktual i Tiranës e ka thënë plot goja që ka qytetarët të parët. Pas qytetarëve vijnë firmat e marra me qira deri në Amerikë për të pastruar ca faqen e nxirë të pushtetit zullumqar. Dhe këtë lloj pastrimi ta bëjë jo për shqiptarët, se ata e kanë përpara syve përditë imazhin e bukur të ketij lloj pushteti. Por ta bëjë atë lloj pastrim imazhi për sytë e Kongresit amerikan(!)

Lind vetiu pyetja: Cilin imazh na dashka të pastrojë  firma lobuese Patton Boggs? Atë të qeverisë që vjedh votat e pastaj djeg provat e krimit zgjedhor, apo atë të qeverisë që përdor dhe gardistët e Republikës si vrasës me pagesë kundër popullit që proteston i zemëruar nga zullumet e rënda të pushtetit, apo atë të qeverisë që shuan dhe provat e krimit të regjistruara nga serveri i kryeministrisë dhe pastaj nuk pranon të dorëzojë në prokurori gardistët që morën urdhër për të vrarë demonsturesit përpara pallatit të pushtetit? Mos kërkon Patton Boggs të pastrojë imazhin e atij pushteti të Tiranës, që një herë në tha se “demonsturesit vranë njëri-tjetrin për të nxirë faqen e bardhë të qeverisë” e pastaj na tha se i vrau Garda e Republikës ” në zbatim të ligjit”? Në zbatim të cilit ligj, zotërinj të Patton Boggs, meqë jeni  profesionistë të zbukurimit të imazhit të pushetteve të sëmurë të mubarakëbe të botës? Cili ligj në Shqipëri e në Amerikë thotë se Garda e Republikës ka të drejtë të hapë zjarr ndaj demonstruesve të zermëruar me zullumet e pushteit? Cili ligj mund të ndalojë prokurorinë e shtetit të marrë në pyetje vrasësit e demonstruesve, qoftë edhe kur këta vrasës kanë marrë një urdhër të paligjshëm nga majat e pushtetit?

Më në fund, zotërinj profesionistë për zbardhjen e faqes së zezë të pushtetit të mubarakëve të botës, cili pushtet në Somali apo në Ugandë ka pasur fandaksjen të shpallë “puçistë, jo pako gjë, por vetë kryetarin e shetit, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtosin e Shërbimit Inteligjent të shtetit, gazetarët kurajozë dhe mbarë opozitën? Dhe këtë ta bëjë faqe mbarë botës, kur po faqe mbarë botës ka vrarë demosntruesit në shpërndarje e sipër? Dhe si mund të zbardhet faqja e nxirë e një pushteti, që i ka vrarë ata qytetarë protestues, vetëm e vetëm për të trembur njëthërrime frikën e tij  nga zullumet e veta? Frikën e pushtetetarëve  nga humbja e karriges dhe nga dalja përpara drejtësisë për zullumet e kryera në kurriz të qytetarëve , të demokracisë e të lirisë, a mund të loboni ju që t’i largohet këtij pushteti?

Mos keni gjetur gjëkundi ca nga ato “çadrat-pistoletë”, nga ato “stilolapsat-pistoletë” dhe nga ato “thikat me helm”, me të cilat opozita paskishte armatosur turmat e protestuesve , që vrarsësit në psuhtet i quajtën dhe “kokëpalarë” pasi i vranë tek protestonin me duar në xhepa? E pastroni dot vërtet imazhin e një pushteti kaq të kalbur, ju zotërinjtë e Patton Boggs, si profesionistë të lobimit  në dobi të pushteteve, por me para të thata të qytetarëve të thjeshtë? A mund të besojë njeri se ju na vini nga Amerika e demokracisë më të zhvilluar të botës? A mund të besojë dot njeri se ju jeni profesionistë me ca parime minimale e të pacenueshme morale?

“Profesioni ynë është lobimi kundrejt pagesës, si të gjithë profesionet e tjera”- mund të përgjigjeshit, po qe se do të përpiqeshit të na kuronit nga mendja e kokës pushtetarët tanë të sëmurë rëndë nga ethet për të sunduar me çdo kusht e me çdo çmim . Po këtu nuk flitet për profesionin e mjekut, që e ka për detyrë të shërojë nga sëmundja edhe mubarakët e kësaj bote. Në atë rast do të qe krejt e kuptueshme dhe morale e profesionale njëherësh që të bënit të pamundurën për të shëruar dhe mubarakët e sëmurë. Por që të përpiqeni të kuroni imazhin e një pushteti të sëmurë nga zullumet e veta dhe këtë ta bëni duke pranuar të paguheni me paratë e taksapaguesve të vendit më të varfër të Europës, këtë nuk arrij ta kuptoj jo vetëm unë, por shumica dërrmuese e shqiptarëve. Që një firmë amerikane të katandiset sa të bëjë biznes me demokracinë e me lirinë e një populli të tërë dhe këtë palo punë ta bëjë  për të mbajtur në pushtet një klikë të korruptuar në përmasa të  pashërueshme nga inkriminimi me pushtetin , një klikë antipopullore që arrin të vrasë qytetarët e vet vetëm sepse i dalin në shesh zullumet me pushtetin e vjedhur, një klikë që arrin t’i shesë vetes pasurinë kombëtare edhe me këshillimin tuaj dhe këtë grabitje të pasurisë kombëtare ta quajë “privatizim strategjik”, kësaj i thonë jo vetëm të mos besosh as demokracinë e as lirinë e siguruar me aq sakrifica dhe në Amerikën tuaj e tonën. Madje kësaj, të dashur lobues amerikanë të firmës së njohur Patton Boggs, mund t’i thonë edhe të mos besosh fare as Perëndinë e jo më demokracinë e lirinë. Zoti ju mëshiroftë e shqiptarët e varfër I ndihmoftë Zoti t’ju harrojnë!

 

 

Nga DAUT GUMENI February 1, 2013 13:44
Komento

6 Komente

  1. xhimi February 1, 15:02

    Z.Daut.Ju uroj shendet. Me respekt per ju dhe shkrimin tuaj.

    Reply to this comment
  2. Respekt February 1, 20:02

    Respekt per Ju z.Gumeni. Jeni njeri i mrekullueshem. Me pelqeni gjithmone kur flisni dhe menyra si jepni argumentat. Vetem per nje gje me vjen keq,qe detyroheni te beheni pjese e nje Partie qe emrin e ka te madh “Fryma e Re Demokratike”, por une nuk e konceptoj dot kete emer,pasi aty shoh vetem xhaketa te vjetra te kthyera mbrapsht. Ju meritoni nje formacion politik te paster, ashtu sic jeni edhe ju, por fatkeqesisht te tilla nuk ka ne vendin tone. Edhe njehere respekte z.Gumeni dhe ju uroj nga zemra gjithe te mirat.

    Reply to this comment
  3. Alban February 1, 21:54

    Bravo Daut

    Reply to this comment
  4. vali February 2, 01:51

    Bravo zoti Daut shiko pse ndihmohet Berisha http://www.proletari.com/ne-kerkim-te-se-vertetes-2/html

    Reply to this comment
  5. Niko Maloku February 3, 17:59

    Respekt per autorin e shkrimit.

    Reply to this comment
  6. Illo February 3, 19:05

    Këtë politikan të vuajtur e kam ndjekur në shumë biseda , shkrime dhe debate . Është njeri me vizion të gjerë dhe realist . I tillë paraqitet dhe në këtë analizë shumë të saktë . Mendoj t’i dërgohet e përkthyer Senatit amerikan , me një biografi të shkurtër të Dautit. Njerëz në nivel të Dautit lipset të drejtojnë Shqipërinë . Ju nënvizoj se Dautin nuk e njof për fytyrë . Atë e njofin shkrimet e tij shumë llogjike . Illo

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*