Bogdani, arma ekstra e Sienës

Dritan Ikonomi November 7, 2012 13:22

Bogdani, arma ekstra e Sienës

Veterani shqiptar nuk ka pasur shumë hapësira, por kontribuon pozitivisht falë bagazhit të madh të përvojës

Përvoja nuk ka të paguar dhe ndaj Erjon Bogdani ndihet i rëndësishëm te Siena. Në moshën 36-vjeçare nuk ka gjetur shumë hapësira në këtë kampionat, por në dy takimet e fundit ka luajtur më tepër, madje në Kaljari, ku ishte titullar, shënoi edhe golin e vetëm të Sienës. Të dielën e kaluar, u fut në lojë në kohën shtesë të pjesës së parë dhe dha kontributin e vet në fitoren kundër Xhenoas, duke u sakrifikuar mjaft për skuadrën, gjë e parë shumë herë edhe në kombëtare. Në konferencën e djeshme për shtyp, veterani shqiptar është shprehur i gatshëm të kontribuojë sa herë t’i kërkohet për të mirën e skuadrës, edhe pse jo gjithmonë si zgjedhje e parë e trajnerit Serse Kozmi.

– Të dielën erdhën tri pikët, kjo ishte gjëja kryesore…

– Ishte shumë e rëndësishme të fitonim. Në pjesën e dytë, pas golit, vuajtëm, por ishte gjë normale, sepse nuk qemë në momentin më të mirë psikologjik, pas humbjes me Kaljarin. Na duhej një përgjigje dhe erdhi.

– Mendon se ka ndikuar grumbullimi i skuadrës?

– Pas Kaljarit, bëmë një udhëtim të gjatë dhe ktheheshim nga një humbje. Ndaj ishte e drejtë të pushonim e të grumbullonim forcat, përveçse duhej të përgatiteshim për ndeshjen e radhës, duke menduar edhe për dy të skualifikuarit. Për mua, nuk është se ka ndonjë ndikim të madh. Sidoqoftë, përshtatem. Nuk jam unë ai që vendos, por klubi dhe trajneri.

– Kohët e fundit po gjen më tepër hapësirë…

– Jam lojtar që dua t’i ofroj përvojë skuadrës në çdo moment që të më kërkohet. Jam stërvitur gjithmonë për të qenë në dispozicion të trajnerit dhe shoqërisë. Tani jam i kënaqur që kam gjetur hapësirë, por, si unë, ashtu edhe të gjithë shokët, duam të luajmë dhe e dimë se duhet të jemi gati në çdo moment.

– Çfarë i mungon Sienës në fazën sulmuese?

– Sipas meje, jemi paraqitur përherë mirë. Në pjesën e parë krijuam disa raste, por nuk i shfrytëzuam. Për këtë arsye besoj se nuk kemi mangësi në fazën sulmuese, duke parë edhe atë çka bëri Xhenoa. Kampionati i këtij viti është shumë i ekuilibruar dhe vështirësitë për të dalë në lojë më duken gjë e zakonshme dhe te të gjitha skuadrat. Duke u rikthyer tek e diela, ndeshja nuk ishte e lehtë dhe besoj se zhvilluam lojë të ekuilibruar, arritëm të merrnim tri pikët, ndoshta edhe duke u tërhequr pak, por u mbrojtëm mirë.

– Më mirë Siena me dy sulmues apo me një qendërsulmues e dy gjysmësulmues?

– Varet nga rrethanat. Të dielën, në pjesën e parë, nuk ishim keq me një sulmues të vetëm, por edhe në pjesën e dytë u treguam të zotë për të ushtruar presion dhe e gjetëm menjëherë golin. Pastaj edhe unë luajta shumë i tërhequr, duke u kthyer edhe në mbrojtje. Varet shumë edhe nga skuadra që kemi përballë dhe nga mënyra se si shkon ndeshja. Sidoqoftë, besoj se mund të luajmë në të dyja mënyrat, madje duhet të jemi në gjendje t’i alternojmë e t’i shfrytëzojmë në maksimum.

– Të dielën në Parma, çfarë ndeshje pret?

– Me kthimin e lojtarëve të skualifikuar, kemi skuadër të mirë. Pastaj, çdo ndeshje është histori më vete. Pas fitores me Xhenoan duhet të stërvitemi mirë e të përgatitemi në maksimum për ndeshjen me Parmën. Duhet të bëjmë një ndeshje të madh, nëse arrijmë të godasim, edhe renditja jonë do të përmirësohej jashtëzakonisht shumë.

 

1

Gol ka shënuar Bogdani në tri ndeshje që ka luajtur me Sienën në këtë kampionat. Dy herë ka qenë titullar dhe në total ka luajtur për 158 minuta

Dritan Ikonomi November 7, 2012 13:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*