Bojaxhi: Deri më sot, Bashkia ka shërbyer si zyrë sekserësh

June 7, 2015 11:03

Bojaxhi: Deri më sot, Bashkia ka shërbyer si zyrë sekserësh

Për kandidatin e pavarur për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Gjergj Bojaxhi, problemet me të cilat ndeshet sot kryeqyteti janë plotësisht të zgjidhshme në rast se bashkia do të konceptohet si e qytetarëve dhe për qytetarët. Bojaxhi flet për shumëçka në intervistën e tij për Tiranën, ku prioriteti i tij kryesor do të jetë mirëqeverisja “përmes ndërprerjes së lidhjeve dhe praktikave klienteliste; depolitizimit dhe qëndrimit larg politikës; përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje dhe transparencë; si dhe menaxhimit profesional të Bashkisë”.

Z.Bojaxhi, ju vini në këtë garë si kandidat i pavarur e për pasojë, i papërkrahur nga asnjë forcë politike. Pse qytetarët duhet t’ju votojnë ju, në një kohë që eksperienca e deritashme ka treguar se pa përkrahjen politike projektet ambicioze për Tiranën nuk mund të realizohen?

Së pari, dua të saktësoj diçka që anashkalohet nga media. Unë jam kandidat i propozuar direkt nga zgjedhësit. Kandidimin tim e kanë mbështetur me firmën e rreth 14 mijë qytetarë të Tiranës. Për këtë arsye, kandidimi im është i ndryshëm nga ai i dy kandidatëve të partive kryesore, të cilët kandidojnë si zgjedhje personale e kryetarëve të tyre, në injorim të plotë të mendimit apo vullnetit të drejtuesve të tjerë apo anëtarëve të partive përkatëse. Së dyti, në Tiranë nuk është realizuar asnjë projekt ambicioz, as në kuptimin e rëndësisë publike, as në volumin e financimit. Dy dekadat e fundit, Tirana në fakt është shkatërruar në mënyrë sistematike për përfitime korruptive klienteliste apo partiake. Në fakt, Tirana mund të konsiderohet rast unik botëror i shkatërrimit urban të një qyteti, në çdo anë të tij, pa kursyer as qendrën apo zonat simbol të tij. Qyteti është zhvilluar si një grumbull godinash, më së shumti banimi, pa asnjë infrastrukturë apo shërbime të tjera të përshtatshme për të ofruar siguri dhe cilësi jetese. Ky lloj zhvillimi i Tiranës mund të gjendet në vitet 1830-1850 në disa qytete industriale, ku të gjitha zhvillimet e reja urbane u motivuan nga nevoja për të ndërtuar fjetore për klasën punëtore që filloi të mësynte në rrethinat e qyteteve që po industrializoheshin.

Ky lloj shkatërrimi ka për autorë kryesorë të gjithë kryetarët e Bashkisë së Tiranës dhe kryeministrat e vendit gjatë këtyre dy dekadave të fundit, pavarësisht nëse kanë qenë të PD-së apo PS-së. Për këtë arsye, unë dhe mijëra qytetarë të tjerë jemi të bindur se e vetmja shpresë për të ndryshuar qytetin dhe qeverisjen e tij është t’i japim fund sundimit të mbrapshtë të këtyre partive në Tiranë.

Çfarë komenti keni për sondazhet e kryera deri tani dhe për rezultatin tuaj në to? 

Nuk preferoj të komentoj sondazhet, aq më pak që nuk kam patur mundësi të njihem me metodologjinë dhe të dhënat e tyre të detajuara. Megjithatë, në vija të përgjithshme duket se ato konfirmojnë atë që ne ndjejmë çdo ditë: me mijëra qytetarë janë bashkuar rreth idesë për ndryshim politik dhe përpjekjes sonë për Bashkinë e Tiranës.

Ju keni qenë pjesë e qeverisjes së Berishës dhe jo vetëm, por edhe e strukturave demokrate dhe keni një panoramë të qartë në mënyrën se si është qeverisur nga të djathtët, por me eksperiencën tuaj, besoj keni krijuar një ide të qartë edhe për këto dy vite qeverisje…Ku dallojnë ato mes njëra-tjetrës, dhe sa produktive kanë qenë ato në raport me interesat e qytetarëve?

Unë kam shërbyer në poste teknike në qeverisjen e PD-së dhe nuk kam qenë pjesë e vendimmarrjes politike. Mendoj se qeverisja e tanishme është një vazhdim i keqqeverisjes së mëparshme, veçanërisht qeverisjes PD-LSI në mandatin e dytë të zotit Berisha. Qeverisja vazhdon të mbetet qeverisje autokratike, ku e gjithë vendimmarrja politike është në duart e Kryeministrit dhe disa njerëzve të afërt të tij. Qeverisja vazhdon gjithashtu të mbetet klienteliste në shërbim të një pakice në kurriz të shumicës.

Cilat janë problemet kryesore për Tiranën, por edhe për zonën rurale, pasi me ndarjen e re të territorit në administrim nuk do të keni vetëm qytetin, dhe çfarë zgjidhjesh ofroni ju?

Problemet kryesore të Tiranës janë probleme politike dhe jo teknike: problemet e klientelizmit, korrupsionit dhe përdorimit politik të Bashkisë. Zhvillimi kaotik i qytetit të Tiranës, mungesa e shërbimeve dhe problemet e tjera që ne ndeshim janë shkaktuar jo nga padija teknike apo mungesa e financimeve, por nga braktisja e interesit publik e drejtuesve të Bashkisë, të cilët të etur për para dhe pushtet janë vënë përherë në shërbim të interesave klienteliste në kurriz të interesit dhe mirëqenies së qytetarëve. Bashkia e Tiranës deri më sot ka shërbyer nga njëra anë si zyrë sekserësh për leje ndërtimi dhe nga ana tjetër si zyrë partie, por asnjëherë si institucion publik në shërbim të njerëzve.

Për këtë arsye prioriteti im kryesor do të jetë mirëqeverisja, përmes ndërprerjes së lidhjeve dhe praktikave klienteliste; depolitizimit total dhe qëndrimit larg politikës; përfshirjes së qytetarëve në vendim-marrje dhe transparencë; si dhe menaxhimit profesional të Bashkisë. Bashkia e Tiranës do të jetë Bashki e qytetarëve dhe për qytetarët. Nëse arrihet kjo, të gjitha problemet e tjera me të cilat ndeshet qyteti kërkojnë trajtim teknik dhe profesional, që është plotësisht i realizueshëm nga një ekip profesionistësh të aftë që punojnë vetëm për interesin publik.

Sipas jush, cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e dy rivalëve të tu në këtë garë?

Fakti që ata janë zgjedhje personale e kryetarëve të partive të tyre; fakti që ata karrierën e tyre politike ja dedikojnë krejtësisht dhe vetëm kryetarëve të tyre, do të thotë që në krye të Bashkisë ata do të vazhdojnë t’u shërbejnë kryetarëve dhe klientëve të kryetarëve.

Duke qenë se si Zoti Rama edhe Zoti Basha janë të dy kryetarë partish dhe kanë qenë që nga viti 2000 edhe drejtues të Bashkisë Tiranë do të thotë që e ardhmja e Tiranës është si e shkuara. Zoti Veliaj madje e ka thënë më haptazi që për të drejtimi i duhur për Tiranën është kthimi tek qasja e viteve 2000 të Zotit Rama.

Cili është mendimi juaj për projektin e Bulevardit të ri, ndërtimi i të cilit është ndërprerë. Do ta vijoni projektin “Basha” apo do ta ndryshoni?

Tirana ka nevojë të zhvillohet përtej kufijve të tanishëm. Ideja më e vjetër, gati prej një shekulli, është pikërisht ideja e zhvillimit në drejtim të Paskuqanit. Zoti Basha ka meritën që vendosi ta çojë përpara këtë ide. Projekti urban që ai propozoi, megjithëse teknikisht ka një sërë mangësish, është një projekt që mund të ringjallet. Problemi real i propozimit të Zoti Basha është që ai projekt u propozua të zhvillohej në mënyrë tërësisht klienteliste. Koncepti i Zotit Basha ishte që të gjitha kostot e zhvillimit të bulevardit do t’i përballonte publiku nga taksat e veta si dhe banorët e shtëpive që duhet të shpronësohen me tarifa qesharake, kurse të gjitha përfitimet, në vlerë qindra milionë euro, do t’u shkonin pronarëve dhe zhvilluesve të pronave në të dy anët e bulevardit. Me pak fjalë, një pronar që ka të themi rreth 100 m2 tokë në gjurmën e bulevardit do të shpronësohej për një vlerë të përafërt me 3000 euro. Ndërkohë që me ndërtimin e bulevardit vlera e tokës së komshiut të tij pak metra në anë të bulevardit bëhet me mijëra euro për metër katror. Kjo është arsye pse qytetarët që do të shpronësoheshin u ngritën në protesta. Për të mos u zgjatur më tej, mjafton të thuhet gjithashtu që të gjitha tokat anash bulevardit janë siguruar me kontrata parablerje nga biznesmenët, klientë të partive politike në vend, të cilët do të ishin përfituesit e vërtetë real të këtij zhvillimi.

Vizioni im për çdo zhvillim përtej kufijve të tanishëm të qyteti duhet të bëhet duke balancuar kostot dhe përfitimet publike dhe private, sikurse bëhet në çdo vend tjetër të botës.

Po për planin urbanistik të miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe qendrën e kryeqytetit, sepse edhe për to ka një debat mes dy kandidatëve të partive të mëdha?

Me  ndryshimin e kufijve administrativë të Bashkisë, plani duhet të ribëhet pasi ligji kërkon që plani duhet të përfshijë gjithë territorin administrativ. Ky është një lajm i mirë pasi plani ka një sërë problemesh serioze. Dua të përmend vetëm faktin që në këtë plan pothuajse çdo lulishte dhe zonë e gjelbër aktuale me përjashtim të parkut Rinia në bulevardin Dëshmorët e Kombit është caktuar si zonë ndërtimi. Kështu e gjithë kurora e Parkut të Liqenit është caktuar si zonë që do ndërtohet, përfshi edhe zonën anash Korpusit të Universitetit Politeknik në krah të Universitetit të Arteve. Si zonë ndërtimi është caktuar edhe lulishtja mbas Pallatit të Kulturës, Lulishtja në krah të godinës së Presidencës, e gjithë lulishtja përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit nga kryqëzimi i Kuvendit deri tek lulishtja në krah të Presidencës. Ky plan zhvillimor edhe pse tenton të vendosë disa kritere dhe standarde për zhvillimin urban ndjek të njëjtën qasje të deritanishme: kthimin në ndërtim të çdo pjesë të pazënë, me ndërtime qofshin këto lulishte apo hapësira të tjera publike. Vizioni im është që Tirana ka nevojë për një tjetër plan, një plan të zhvillimit të gjithanshëm ekonomik, social dhe urban. Pra një plan që nuk përqendrohet thjesht në zhvillimin e territorit por harmonizon nevojat sociale dhe ekonomike të qytetarëve me menaxhimin e territorit. Kjo do të thotë që zhvillimi urban duhet të garantojë të gjithë infrastrukturën dhe shërbimet e tjera për sigurinë dhe cilësinë e jetës, përfshi kopshte, shkolla, objekte çlodhëse dhe argëtuese, etj. Për sa i përket pjesës së zhvillimit urban, unë mendoj gjithashtu që Tirana nuk ka nevojë për vetëm zhvillim, por mbi të gjitha për rizhvillim urban, pra për rizhvillimin e zonave ekzistuese.

Jeni shprehur gjithashtu se Tirana është keqadministruar, është cenuar në identitet, madje dhe abuzuar me të nga etja për pushtet e pasuri… Pse flisni sot për Tiranën, pse nuk i keni ngritur me kohë problemet e saj? 

Unë jam një ndër të paktët njerëz që e kam ngritur zërin kurdo dhe në çdo rast që kam menduar se po cenohej interesi publik. E kam bërë këtë gjë edhe gjatë kohës që kam shërbyer në poste publike edhe pse me qëndrimet e mia kam rrezikuar karrierën time. Këto qëndrime të miat janë të njohura publikisht dhe mund të verifikohen lehtësisht. Unë mund t’ju rikujtoj për shembull se unë kam qenë i vetmi person që kam denoncuar publikisht para kamerave fillimin e  ndërtimit të pallatit të parë në fillim të digës, tashmë një pallat i shëmtuar ngjyrë vishnje, i njohur si pallati me dantellë.

Nëse rezultati për ju do të jetë po aq pozitiv sa flasin edhe sondazhet, a keni menduar që pas zgjedhjeve, ju të vini me një ambicie të re politike, me qëllim që të përfaqësoni edhe votën e atyre që do t’ju besojnë? Cili është plani “B” për Bojaxhin pas zgjedhjeve lokale?

Ndonëse unë jam ai që po kandidon për kryebashkiak të Tiranës, kjo është përpjekje e shumë njerëzve. Në fakt, edhe pse nisi si vullnet i një grupi relativisht të vogël njerëzish, tashmë ajo është përpjekje e mijëra qytetarëve që duan ndryshimin e politikës. Ne jemi të gjithë të bashkuar rreth një ideje dhe jo një personi. Ne jemi të bashkuar rreth idesë dhe besimit se qytetarët duhet të vendosin vetë për mënyrën se si duhet të qeverisen. Ne jemi të bashkuar rreth idesë se çdo lloj sundimi nga një individ apo një kastë individësh, qoftë sundim politik, ekonomik, mediatik, është i rrezikshëm për lirinë dhe mirëqenien e njerëzve. Kjo ide dhe ky qëllim nuk ka për t’u shuar më 21 qershor, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve. As unë, askush tjetër nga ne nuk ka bërë ndonjë plan, por ne kemi të gjithë një aspiratë: aspiratën për të kontribuar për një shoqëri ku sundon liria dhe dinjiteti njerëzor dhe jo një pakicë e korruptuar./mapo

June 7, 2015 11:03
Komento

4 Komente

  1. dejvi June 7, 13:32

    Kush sherbeu si sekser per vilat e tua luksoze ne Farke, per lejet e ndertimit, pse nuk jane bere asnjehere transparence per te ardhurat dhe per legjitimitetin e ketyre pronave? Sa mund te te besojme ty kur ti e ke preferuar vete perfitimet permes seksereve? Ti nuk ke dhene asnjehere prova, qe sot te ngjallesh besim qe te votojme per Tiranen.

    Reply to this comment
    • greta June 7, 13:35

      Te te kujtojme pak historine e TEC-it të Vlorës, qe u ndërtua nën kundërshtimin e fortë të ambientalistëve, dhe qe ende sot e kësaj dite nuk ka prodhuar qoftë edhe 1 megavat energji elektrike, sa seksere jane futur tek ty per te dhene lejen e ndertimit, qe jane bere provat teknike dhe qe kane deshtuar me sukses. Ti qe e ke pasur sekserizmin praktike pune, ti premtoke sot qe s’do kete zyre sekseresh?

      Reply to this comment
      • helidoni June 7, 13:36

        Çfarë lidhjesh ka Bojaxhiu më kompaninë “Rudnap Energie” të Damir Fazlliç? A e ka favorizuar Bojaxhiu Fazlliçin kur ai ishte zv.ministër i Ekonomisë në kohën e Berishës? Lidhjet midis të dyve janë të vjetra dhe burime thonë se sot Fazlliçi vjen në Tiranë vetëm për t’u takuar me Bojaxhiun, pas prishjes së bizneseve me Shkëlzen Berishën. Shkëlzeni në një postim në FB para disa javësh, e akuzonte Bojaxhiun se edhe ai vinte në zyrën e tij për “punë”. Pra, lidhjet janë. Bojaxhiu është tutori i kompanisë Rudnap Energie të Fazlliçit në Shqipëri. Pse nuk i bën Bojaxhiu transparente këto?

        Reply to this comment
        • Zaho Puci June 7, 18:32

          O ti Shoku Bojraxhia, ose je budalla o je ai nje kokerr hajduti qe dime te gjithe. Te sigurte jemi per opsionin e dyte.O Shoku Drejtor I KESH – it, ALUIZNIT, INUK – ut dhe se fundi ne nje karrekell shume te thjeshte : Zv/Minister i Energjitikes gjate gjithes kohes se PD – se.. Me nder jush kemi nje pyetje : a mos na kujton ne qytetareve rrote K…arash.Mbi te gjitha thua se je i pavarur, kur cdo dite mor komunist i qelbur shan PD – ne, Bashkine ekzistuese dhe te gjitha institucionet demokratike. Thirri mendjes o UFO se nuk ka njeri qe mund te mbuloj mutin qe ke bere ti bashke me shoket tuaj

          Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*