“Ju rrëfej babain tim, Bujar Lako”

October 21, 2017 13:16

“Ju rrëfej babain tim, Bujar Lako”

Entela Resuli – DITA

Bojkeni është në ditët e para të lënies së cigares. Këtë herë e ka vendosur seriozisht, të paktën kështu thotë, edhe pse, e ka bërë disa herë këtë përpjekje, por pa sukses.

“Pas asaj që i ndodhi babait, vendosa të lë cigaren. Nuk më bën mirë, plus që mendoj se edhe babin e dëmtoi, ai e pinte shumë… Lloji i punës që kemi ne, na imponon ta konsumojmë, por gjithçka varet nga organizmi”.

Bojken Lako në skenë duket një artist i vrazhdë dhe me zë kumbues, ndërsa kur e ke përballë, nuk e beson dot që ke të bësh me të njëjtin person. Flet me një zë të butë, të shtruar, është shumë i sjellshëm dhe i kulturuar. Është modest në maksimum dhe me këmbë në tokë, duke patur parasysh të atin, duket se këto cilësi i ka të trashëguara nga ai.

Ma kanë thënë edhe të tjerë konstatimin tuaj, – na thotë duke buzëqeshur, “por nuk jam aq i egër sa dukem përpara mikrofonit. Pastaj ndryshe jam në skenë, ndryshe në tavolinë, e po kaq ndryshe në familje dhe me miqtë”.

Momentalisht, artisti “rebel” është duke punuar paralelisht në Qendrën Rinore TEN e cila është në varësi të Bashkisë së Tiranës dhe me disa projekte private të tijat, njëri prej të cilëve quhet “Bulza”.

“Unë po punoj për të jetuar dhe nuk e di a është e mirë kjo a është mirë ndonjë gjë tjetër. Ka shumë diskutime që thonë se njeriu kur shkon 40-45 vjeç duhet të ndërrojë tërësisht profesion. Mund të bëj një punë për të jetuar, por edhe që të sjell kënaqësi”- shprehet Bojkeni duke na shpjeguar me konkretisht angazhimin e tij.

“Unë jam në fazën ku po punoj në një strukturë të Bashkisë së Tiranës me shpresën që do të jap 100 për qind të asaj që dua të bëj. Vitet e fundit, kam patur më shumë eksperiencë në pjesën e kërkimit të njerëzve të talentuar. Puna ime ka qenë të përzgjedh dhe ajo që kam nxjerr ka qenë vërtet më vlerë. Këtë punë nuk e kam bërë me ndonjë qëllim të caktuar dhe gjithçka ka ardhur pa e studiuar mirë. Tani e kam kuptuar që ia kam dal të zbuloj element të mirë. Këtë e bëj edhe në Qendrën Rinore të Bashkisë, të Qendra “TEN”, ku njëherë në vit organizohet një festival studentësh, që nga “Rin Festë” që e ka patur emrin tani e ka “Tirana Art Festë: Dëshira ime është që këta të rinj t’i përfshijë në industri duke krijuar një lloj rrjeti muzikantësh, tekst-shkruesish, që të punojnë bashkë me njëri-tjetrin”.

Shqipëria, një vend i vogël, me kaq shumë njerëz që largohen dhe emigrojnë jashtë, serish është një minierë përsa i parkete talenteve të rinj, sidomos në fushën e muzikës dhe Bojkeni e ka një shpjegim për këtë.

“Unë mendoj se në këndim ne kemi talente shumë të mirë dhe them që nuk këndon njeri më mirë se shqiptarët. Kjo është edhe e vërtetuar. Sot, katër- pesë këngëtare femra, nga më të njohurat në botë, janë të gjitha shqiptare; Dua Lipa, Bebe Rexha, Rita Ora, ka edhe të tjera. Po ka edhe meshkuj, duke llogaritur që Xhon Belushi, i cili është një nga figurat më të mëdha në fushën e të kënduarit e më pas si aktor. Unë jam i pasionuar shumë pas historisë dhe racave, dhe kam përshtypjen se shqiptarët janë raca më mikse që pjesën e të kënduarit e ka në gen e kjo është evidente”.

“Po jetoj pjesën e mbetur të jetës”

Ndërkohë Bojkeni na tregon se po kalon një periudhë të jetës së tij që nuk di se çfarë emri t’i vendosë. Madje që pas ndarjes nga jeta të të atit Bujar Lako, kur e pyesin se si është më shëndet, ai shprehet “ja po jetojmë këtë pjesën e mbetur të jetës…”

Gjatë këtyre muajve, që ka bërë një pauze të gjatë në krijimtarinë muzikore, Lakon e kanë shoqëruar dilemat e veta.

Mbasi më ndodhi ajo me babain mendova ta lë fare muzikën, ose të filloja të këndoja muzikë popullore.

Gjithmonë e kam dashur këtë rrymë. Madje për krijimet e mia janë bazuar shumë te muzika popullore. Ia di vlerat asaj muzike. Do kisha shumë dëshirë të krijoja një grup të mirë që të këndonim këngë të përzgjedhura popullore dhe atë me vlera,por është pak e vështirë se është projekt që do punë”.

-“Të ka lënë boshllëk humbja e babait?”- e pyes duke u ndjerë në faj për temën që po prekja. Me një ndjenjë të përzier malli, por edhe dëshirë për të folur për të, Bojkeni nuk nguron të shprehet.

“Nuk diskutohet që me ka lënë boshllëk, unë edhe njerëzve të mi, më të cilët flas tani u them shpesh: ja po jetojmë edhe këtë pjesën tjetër të mbetur. Jeta për mua nuk është më e njëjtë. Nuk e di, njeriu mund të ambientohet se është qenia që përshtatet se nuk ka çfarë të bëj, por tashmë gjërat janë ndryshe. Ajo që më ndodhi ishte diçka e madhe, dhe mendova: mos duhen ndryshuar të gjitha gjërat?! Plus dhe atë ditë, përpara se të ndahej nga jeta babai, folëm, se ai nuk kishte ndonjë sëmundje, iku pa pritur. Po flisnim për një mundësi ndryshimi dhe po i thoja; sikur ta lë krijimtarinë muzikore dhe të merrem vetëm me piano, pasi unë kam studiuar për piano, nga klasa e parë deri në vit të katërt në Lice. Kam qenë pianist i mirë! Ai e kishte shumë qejf këtë gjë dhe këto kohë kam menduar që meqë e bëmë këtë bisedë po përqendrohem në piano, por këtë nuk e mbajta dot. Nuk e kam gjetur kohën t’i përkushtohem këtij instrumenti dhe të ndryshoja fare orientim”.

– Ishte ai dakord që ti të ndryshoje?

Po, ka patur shumë qejf. Por edhe kur diskutuam këtë punën e folkut dhe të merresha me popullore ishte dakord. Im atë ka qenë shumë artist shpirtëror dhe kishte qejf kulminacionet dhe kulturat me shumë emocion. Ishte person me ndjeshmëri të lartë. Kur i tregoja punë të miat, që ishin pa emocion dhe shpërthime të mëdha, nuk i pëlqenin.

-Ishte ankuar ndonjëherë nga zemra?

Po, kishte një dy vite që kishte shfaqur shqetësime.

-Bojken, më ke thënë njëherë më parë se Bujari nuk i shihte filmat e tij?

Jo, nuk i shihte dhe na ka bërë të gjithëve që mos t’i shohim gjërat tona. Këto vitet e fundit di që te këto kanalet që japin filma shqiptarë ka parë kalimthi ndonjë film të vetin, ose ndonjë film që e ka vlerësuar shumë.

-Dua shumë ta pyes Bojkenin për filmin “Gjeneral gramafoni” dhe i tregoj një ndjesi timen për muzikën e luajtur aty. Sa herë që kam një ndjenjë boshllëku ose një situatë jo të mirë, tingulli i klarinetës është ai që më sjell në vete, veçanërisht i luajtur në këngët dhe vallet që interpretohen në atë film.

-Bujar Lako, në rolin e Halit Beratit në këtë film, i ka rënë me të vërtetë klarinetës?

Jo, nuk i ka rënë, por aty shihet se çfarë talenti ka patur si aktor. Ai nuk ka ditur t’i bjerë klarinetës, por është një aktor që mundohet të bëjë rolin e tij në maksimum sa ka edhe nga ata që e kanë besuar se Bujari është klarinetist prej vërteti aty. Por mesa di unë, gjatë xhirimeve të filmit ai ka marrë disa mësime nga Mjeshtri i Madh Laver Bariu ku gjatë dy-tre muajve të xhirimeve ata kanë qenë bashkë. Laveri ka qenë personi që do të mësonte aktorin që të dukej sa më i vërtetë. Por di që pasi mbaroi filmi, nëse do kishte vazhduar dhe të merrte mësime të tjera për ta mësuar instrumentin realisht, do e kishte bërë shumë shpejt.

Ndërsa kur është shfaqur filmi në një festival jashtë vendit, një personaliet i huaj i kinematografisë kishte pyetur regjisorin, Viktor Gjika: Ku e ke gjetur këtë klarinetist që qenka aktor i jashtëzakonshëm! Ai kishte qeshur dhe i kishte treguar që nuk ishte klarinetist, por aktor.

-Bojken, e ke njohur më shumë babain më parë, apo tani?

Tani besoj që e kam kristalizuar figurën e tij se kur i ke njerëzit pranë nuk i jep kohën e duhur, ose nuk harxhon kohën e mjaftueshme për t’i kristalizuar. Kurse kur nuk janë më, mundohesh t’i shohësh dhe t’i njohësh në detaje.

-Të ka bërë të kuptosh diçka kjo humbje?

Besoj se kam kuptuar gjëra, por jo se jam plotësuar me ato njohuritë që duhet të kem për jetën. Them që më shumë është e vlefshme ajo shprehja se “sa të rrosh do të mësosh”. Kam nxjerr mësime, po përsëri vazhdon ajo jeta e përditshme. Na rrëmben rutina, shumë gjëra i lëmë pas, më pas ndihemi keq…

-Mami, si ndihet?

Ai ul kokën, ndërkohë që nis të flas, numëron një e nga një tufën e çelësave që ka në dorë. Pa i ngritur sytë shprehet se “mami e përjetoj shumë dhe ende nuk e beson që babi nuk është më. As unë nuk e kam besuar ato muajt e parë. Tani po ambientohem disi”.

Po e mbyll bisedën me Bojkenin, e kuptoj që një cigare pas këtyre fjalëve nuk do i dilte. Përtej vrazhdësisë në pamje, vathëve në vesh, ai duket një kopje e të atit në ndjeshmëri. Dhe këta njerëz, kanë nevojë për mbështetje, zemër dhe mirëkuptim…Një qytet i zhurmshëm si Tirana, nuk mjafton!

 


October 21, 2017 13:16
Komento

6 Komente

  1. Sokoli October 21, 15:59

    Flm qe flet per ART vella se politika e cmendi kete popull.

    Reply to this comment
    • Beni October 22, 11:54

      Artistët kanë qenë dhe janë pjesë e politikës, vëlla…
      Politikanët, organizojnë hashashin e me atë, paguhen këta artistët….apo nga vjen paraja??
      Çfarë prodhon Shqiperia?

      Reply to this comment
  2. perkthyesi October 21, 16:34

    Me sa di une, Bujar Lako, ka mbaruar Shkollen e Mesme te Minierave dhe Gjeologjise.

    Reply to this comment
  3. Asd October 21, 19:16

    I ati ka qene aktor i mire dhe figure intelektuale me kembe ne toke. I biri eshte larg te atit.

    Reply to this comment
  4. Eri,Vlore October 21, 23:04

    Ehhhhh nuk lindin me njerez…aktor…dhe filma te tille….Respekt per ate brez me kulture,edukate dhe qetesine qe na dhuruan dhe shume dashuri!!!!!

    Reply to this comment
  5. Beni October 22, 11:54

    Artistët kanë qenë dhe janë pjesë e politikës, vëlla…
    Politikanët, organizojnë hashashin e me atë, paguhen këta artistët….apo nga vjen paraja??
    Çfarë prodhon Shqiperia?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*