Boll me “kartona” të verdhë!

May 11, 2017 20:13

Boll me “kartona” të verdhë!

 

Artan Xh. Duka

 

Vettingu na nevojitet dhe e dëshirojmë sa ne po aq dhe vetë Perëndimi që i ka vënë vulën atij. Dihet kush i ka zënë rrugën. Po mirë çadra që gjen shesh e bën përshesh se nuk kemi akoma shtet por Perëndimi çne që toleron kaq gjatë për më tepër për një reformë që mban vulën e tij? Mbeti duke i nxjerrë çadrës “kartona të verdhë” se për të “kuq”, aha! Çadra po e bën mullar dhe Perëndimi bën sehir! Çadra bojkoton dhe kërcënon zgjedhjet, lirinë kushtetuese të qytetarit për të ushtruar të drejtën e votës dhe Perëndimi do ta fusë me pahir në to!

Koha i tregoi të gjitha dhe tashmë Perëndimi, që vetëm naiv nuk është, e di se çadra nuk ka thjesht teka por është në mision: të bllokojë Vettingun, të bllokojë integrimin në BE dhe këtë përmes tymnajës së votës së lirë që për ironi po kjo çadër do ta sabotojë më 28 qershor.

Mirë kusuri ynë por Perëndimi nuk ka përse të zvarritet kaq gjatë pas çadrës në kërkim të konsensusit imagjinar. Konsensusi është vlerë por nuk është i tillë pazari me qitje të largët me çmimin e shkeljes së ligjit, afatit kushtetues, humbjes së besimit të votuesit tek vota, tek forca e shtetit apo vendosmëria e Perëndimit për të nxitur demokraci reale në vend. Ishte LSI që si “babaxhan” bëri që me tezën e konsensusit politika e kapur të fuste dorë në projektin origjinal të perëndimit për reformën në drejtësi dhe sot komisioni bipartizan i ka mbetur si “dopio gjashtë” Perëndimit në dorë tek mbylli sytë dhe lëshoi pe ndaj PD. Kur konsensusi shndërrohet në litar përjashta, atëherë më mirë pa të.

Çadra po teston gjithçka. Standardin demokratik dhe zbatimin e ligjit në vend, standardin perëndimor dhe vetë gjeo-politikat pro-shqiptare në rajon. E ka bërë më parë dhe ia ka hedhur paq ndaj dhe mesa duket po e synon sërish. Perëndimi këtë po e sheh dhe nëse vijon me lëshime ndaj çadrës nuk bën veçse le “litarin” përjashta me faturë për Vettingun, stabilitetin e vendit dhe partneritetin efektiv me Shqipërinë.

Nëse Perëndimi e do Vettingun, një parlament me PD në të si produkt çadre, është lajmi më i keq për të. Nëse ka hallin e opozitës, të mos ndjehet keq se të vetën e bëri dhe me pahir nuk futet as njeri e as parti në zgjedhje. Boll që nuk pengohen për të marrë pjesë në to. Ndryshe, kalvari i emisarëve pafund perëndimorë që synojnë të fusin PD në parlament nga “deriçka” apo “sopraluçja”, jo vetëm hedh “farën” e çadrave të tjera në të ardhmen por dhe zhgënjejnë publikun shqiptar që në masë kërkon shtet normal, integrim të shpejtë drejt BE dhe partnership në rritje me SHBA.

Vota e 18 qershorit do të krijojë automatikisht një raport të ri pushtet-opozitë në parlament. Nuk ka parti të pazëvendësueshme, por vetëm vlera konservatore, liberale e sociale që asnjë parti nuk i ka monopol. Sikurse PPSH dikur, edhe PD mesa duket e bëri ciklin e saj. Nuk kish si të ndodhte ndryshe teksa fatin e saj e lidhi me fatin e një individi që e dominoi atë plot 27 vjet dhe sot po e sos rrugëtimin e tij në politikë.

E ardhmja e saj mbetet ose rinovimi me një ekip modern drejtues, ose shkrirja e saj dhe riformatimi i së djathtës duke ngjizur në një protagonizmin euro-liberal të PD me partitë e tjera të spektrit të djathtë nga FRD, partia e ish-të përndjekurve etj.

Me çadrën, humbasim të gjithë, pa të, fitojmë të gjithë. Perëndimi po e po. Boll me “kartona” të verdhë. Çadra është në “fushë” jo për të luajtur por për të marrë “topin” e ia mbathur me vrap. Lëreni të ikë se atë mëndje ka. Nxirrini të “kuqen” ju si Perëndim, pa “topa” ka plot dhe ballafaqimi politik vazhdon dhe pa të.

 

May 11, 2017 20:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*