Borrell propozon Lajçak përfaqësues të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

February 22, 2020 14:15

Borrell propozon Lajçak përfaqësues të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

Diplomati sllovak Mirosllav Lajçak u propozua edhe zyrtarisht përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, konfirmuan burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas tyre, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së emrin e Lajçakut si përfaqësues i ardhshëm i bllokut, i cili para së gjithash do të merret me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me çështje të tjera në rajon, raporton REL.

Propozimi formal i Lajçakut mësohet se ka qenë edhe arsyeja e bisedave telefonike që Borrell ka zhvilluar të premten me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pritet që emërimi i Lajçakut në detyrën e re të bëhet më 23 mars, në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian.

Emërimi i mëhershëm thuhet se nuk është i mundur pasi ai vazhdon të kryejë funksionin e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë.

Deri në takimin e ardhshëm të ministrave të BE-së, Lajçak do ta përfundojë mandatin si ministër në Qeverinë e Sllovakisë, pasi në këtë vend, më 29 shkurt, mbahen zgjedhjet parlamentare.

Pas propozimit formal do të ketë debate të grupeve të ndryshme të punës, si dhe në Komitetin e Sigurisë Politike të BE-së, ndërsa vula përfundimtare do të jepet në Këshillin e Ministrave të BE-së.

Për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së duhet miratimi i të gjitha vendeve anëtare.

 

l.h/ dita

February 22, 2020 14:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim