Borxhet e kthyera për biznesin, vetëm 1 milion USD përfunduan te bankat

December 1, 2014 09:13

Borxhet e kthyera për biznesin, vetëm 1 milion USD përfunduan te bankat

Raporti biznes-banka ka mbetur i vështirë, duke mos reflektuar dhe në këtë vit që po lëmë pas ulje të kredive me probleme.

Edhe pse çështja primare e qeverisë ishte kthimi i detyrimeve ndaj biznesit me qëllim që të injektoheshin në ekonomi apo të uleshin kreditë me probleme, kjo siç raportohet nga Banka e Shqipërisë nuk ka ndodhur.

Për muajin shtator 2014, shlyerjet e detyrimeve të qeverisë ndaj këtyre subjekteve (klientë të bankave) raportohen në nivelin 22.8 miliardë lekë, ndërsa detyrimet e pashlyera ende, ndaj klientëve debitorë të bankave, janë në masën e rreth 20 miliardë lekëve.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, raport i marrë nga revista ekonomike Monitor, klientët kredimarrës që kanë përfituar nga shlyerja e detyrimeve të qeverisë kanë aktualisht detyrime ndaj sektorit bankar në vlerën e 22.6 miliardë lekëve ose rreth 4% e të gjithë portofolit të kredisë së tij.

Prej kësaj vlere, rreth 4.8 miliardë lekë ose 21% përfaqësojnë detyrime të pashlyera në afat që përfshin edhe kredinë me probleme.

Nëse do të supozonim se, shlyerja e detyrimeve të qeverisë do të shfrytëzohej nga subjektet kredimarrëse për të paguar detyrimet me vonesë ndaj bankave, atëherë vlerësohet se, raporti i kredive me probleme të sektorit bankar do të ulej me 0.8 pikë përqindje.

Por kjo vlerë, sipas Bankës së Shqipërisë, do të jetë e ndryshme në periudhat në vijim, në varësi të shlyerjes së detyrimeve nga qeveria.

Aktualisht, subjektet kredimarrëse që kanë përfituar nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë, kanë paguar rreth 109 milionë lekë (rreth 1 milion euro) kredi me vonesë.

Ky vlerësim lidhet edhe me ndikimin e drejtpërdrejtë të pagesave mbi kredinë me probleme. Në realitet, gjykohet se ky ndikim është më i madh, pasi nga pagesat e qeverisë dhe likuiditeti përfitojnë mjaft subjekte, që kanë ose do të kenë marrëdhënie biznesi me subjektet që përfitojnë drejtpërsëdrejti nga shlyerjet.

Ky ndikim i tërthortë është i vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore, por ai vlerësohet i dobishëm për përmirësimin e aftësisë paguese dhe uljen e rrezikut të kreditit, thuhet në vlerësimet e BSH.

Në një qasje më të përgjithshme për ndikimin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë në ekonominë e vendit, Banka e Shqipërisë gjykon se, ky ushtrohet në tre drejtime.

– Së pari, ai përbën injektim direkt likuiditeti në ekonomi, i cili më tej bëhet premisë për gjenerimin e investimeve dhe konsumit shtesë nga bizneset apo individët që përfitojnë, direkt ose indirekt, prej tyre.

-Së dyti, përmirësimi qoftë edhe marzhinal i bilanceve të sistemit bankar dhe të biznesit, përmirëson kushtet për rritjen e kreditimit në ekonomi.

-Së fundmi, Banka e Shqipërisë gjykon se, ndërtimi i marrëdhënieve të drejta kontraktore midis shtetit dhe biznesit përmirëson klimën e biznesit në ekonomi dhe jep përfitime afatgjata për të gjithë agjentët e interesuar. Të tre këto kanale ndihmojnë në zhvillimin e sektorit privat.

December 1, 2014 09:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*