Borxhi i jashtëm dyfishohet në 4 vjetët e fundit

Genc Kondi November 5, 2012 11:47

Banka Botërore rezulton financuesi kryesor i qeverisë shqiptare me rreth 800 milionë euro, të cilat përdoren për të financuar projekte prioritare në fushat sociale dhe ekonomike

Sipas shifrave zyrtare të ministrisë së Financave, nga viti 2007 deri në vitin 2011 shuma e borxhit të jashtëm të vendit është dyfishuar. Më 1998 ai ishte vetëm 426 milionë euro, por tani është gjashtë herë më i lartë.

Shifra e borxhit të jashtëm të Shqipërisë aktualisht është gjashtë herë më e lartë se në vitin 1998, ndërkohë që Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit nuk është gjashtëfishuar. Në fund të atij viti, sipas shifrave zyrtare nga ministria e Financave, llogaritej në rreth 426 milionë euro stoku i këtij borxhi. Kjo shifër është rritur në mënyrë të pandalshme, por me ritme të përmbajtura në vitet në vijim. Kështu, në vitin 1999 stoku arriti në 580 milionë euro, një vit më pas në 705 milionë dhe më 2001-ish 831 milionë. Në 2004-ën për herë të parë shifra kalon 1 miliardë eurot dhe është rritur shumë pak deri në 2007-ën, kur llogaritej në 1.2 miliardë euro. Në vitin 2008 konstatohet, gjithnjë sipas këtyre statistikave zyrtare, “kërcimi” i trendit të borxhit, i cili nuk rritet më me 100 milionë euro nga viti në vit. Atë vit shënohen afro 1.6 miliardë euro, një vit më pas shifra shkon në kuotën 1.94 miliardë dhe në vitin 2010 kuota është 2.2 miliardë euro. Shqipëria shënon një borxh të jashtëm prej 2.4 miliardë eurosh në fund të vitit 2011, duke regjistruar një rritje dy here krahasuar me 2007-ën, pra me një ritëm marramendës rritjeje. Ka qenë pikërisht ritmi i rritjes, krahas raportit borxh publik/PBB, i cili ka bërë që ndërkombëtarët të sugjerojnë, sidomos kohët e fundit, uljen e ndjeshme të këtij raporti, duke qenë se shifra 60 për qind ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, për një vend si Shqipëria, përbën rrezik serioz makroekonomik.

Kreditorët

Borxhi publik i cili emetohet brenda vendit dhe mbahet nga jorezidentët quhet borxh i jashtëm dhe është i shprehur në monedhë të huaj. Borxhi i jashtëm konsiston kryesisht në borxh të përfituar përmes marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe të financimit me institucione financiare nderkombëtare si: Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim, Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve, Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim, Banka Islamike për Zhvillim, qeveria gjermane, qeveria italiane, qeveria austriake, etj. Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi mbajtësit kryesorë të borxhit të jashtëm. Nga analiza vihet re që euro është valuta kryesore, në të cilën qeveria shqiptare aktualisht merr borxh të huaj, me rreth 59% të totalit të stokut të borxhit të huaj.

 

Stoku i borxhit publik të jashtëm në fund të vitit 2011 ishte rreth 334 miliardë lekë ose 25.39% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Banka Botërore rezulton financuesi kryesor i qeverisë shqiptare me rreth 800 milionë euro, të cilat përdoren për të financuar projekte prioritare të infrastrukturës ose të zhvillimit social. Ndërsa kreditorët privatë zënë vendin e dytë me rreth 721 milionë euro, ku përfshihen të gjitha bankat apo institucionet e tjera financiare, me të cilat qeveria shqiptare ka arritur marrëveshje private financimi. Edhe blerësit e eurobond-it shqiptar zënë një vend të rëndësishëm në radhën e mbajtësve të borxhit të huaj, me rreth 298 milionë euro.

 

Genc Kondi

Genc Kondi November 5, 2012 11:47
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*