Borxhi pa frena i Shqipërisë

Edlira Shehu December 2, 2012 14:42

Borxhi pa frena i Shqipërisë

« Buxheti i tejfryrë është ballona më e rrezikshme e varur në qafë të një kombi », Franco Modigliani, çmim Nobel për Ekonominë

 

Festa e Pavarësisë kaloi shpejt dhe shqetësimi për borxhin publik tejet mase të rritur të vendit është i pranishëm jo vetëm te ekonomistët. Zv/ministri i Financave, Nezir Haldeda pak ditë më parë pranoi se kriza energjetike po kërcënon ekonominë dhe pohoi një shifër të cilën qeveria nuk e kishte thënë më parë. Deklaroi se niveli i borxhit publik në fund të këtij viti shkon 60.5% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit(GDP).  Dhe menjëherë Komisioni parlamentar i Ekonomisë  kaloi vetëm me votat e mazhorancës draftin për heqjen e kufirit të borxhit publik, i cili sanksionohej ligjërisht në Ligjin për Sistemin e Buxhetit të Shtetit që të mos kalonte përtej 60%. Kësaj i thonë t’i heqësh frerat një kali shumë të rrezikshëm dhe të hazdisur, që është borxhi sovran dhe që sot ka frenuar rritjen e mbarë Eurozonës. Nuk ka rëndësi nëse flitet për një kufi të ri, 62.6 përqind të GDP-së. Derisa u prek kufiri i parë i konsideruar tabu(60 përqindëshi), shumë lehtë mund të preken të tjerët më të lartë. Dhe vrapimi pa frena do të vijojë.

 

Niveli i borxhit të Shqipërisë ka shqetësuar edhe institucionet financiare ndërkombëtare. Në shumë raste FMN dhe Banka Botërore kanë bërë thirrje që qeveria të synojë uljen dhe jo rritjen e tij. E fundit ishte intervista e 6 nëntorit 2012 e Koordinatores rajonale të Bankes Botërore, Jane Armitage. Ajo u shpreh : “Borxhi në Malin e Zi, Serbi dhe Shqipëri është në nivele shumë të rrezikshme, veçanërisht në Shqipëri në 60 për qind të prodhimit të brendshëm bruto». Por duket një këmbanë e kotë, pse ajo nuk po dëgjohet nga vendim-marrësit tanë publikë.

 

Të bën përshtypje një fakt në këtë situatë problematike. Përse qeveria dhe shumica politike lëvizën pikërisht tani për të rritur kufirin e borxhit? Shifrat e tij kanë qenë në duar të tyre që dy-tre muaj më parë. Ata mund të lëviznin dhe lirshëm që atëhere, pse numrat i kishin. Por me sa duket, qeveria ka shpresuar se mos vijnë para nga privatizimi i deklaruar i Albpetrol. Të paktën të kishin ardhur ato 170 milionë euro të pagesës 20 përqind të vlerës së shitjes, në momentin e nënshkrimit të kontratës. Kanë pritur 2 muaj se mos paratë vinin dhe tani e kanë humbur shpresën. Ministri i Financave ka të drejtë të mos presë më, pse me borxhin mbi 60 përqind të GDP-së praktikisht është jashtë ligjit. Kjo duhet të ketë qenë arësyeja për këtë lëvizje.

 

Duhet theksuar se borxhi ynë publik, pas atij të Greqisë, është më i larti në rajon. Ndërkohë pas Shqipërisë (60.5%) renditen Turqia (45.5%), Mali i Zi (38.25%), Serbia (35.6%), Kroacia (35.41%), Bosnja dhe Hercegovina (35.37%) dhe Maqedonia (23.48%). Tek ne eksportet kanë ulur ritmin e tyre të rritjes, po ashtu edhe investimet e huaja janë reduktuar për shkak të krizës së borxheve në zonën Euro. Banka e Shqiperise thotë në daljen e fundit publike të Guvernatorit të saj se konsumi ka rënë dhe ekonomia po funksionon nën kapacitetet e saj.

 

Ndërkohë, një krizë që ne e njohim shumë mirë, kriza energjetike duket në horizont. Nëse ajo vjen e plotë (madje edhe me sezon shirash për dy muajt e ardhshëm), financave publike të vendit mund t’u krijohet një vrimë edhe 60 milionë euro borxh i ri për të përballuar importin e energjisë. Nga ana tjetër, qeveria e ka të dosmosdoshme të nxjerrë fonde investimesh publike, për të shtruar asfalt zgjedhor vitin e ardhshëm. Zgjedhjet e qershorit 2013 janë tek porta dhe do të duhen të paktën 300-400 milionë euro borxhe të reja që punët e reja publike të japin një rezultat pozitiv për qeverinë. Kjo shumë është e barabartë me rritjen prej 2 përqind të GDP-së stokut të borxhit tonë sovran. Po ku do të gjenden këto para?

 

Me nivelin e sotëm të arketimeve nga taksat dhe doganat, nuk ka asnjë mundësi tjetër, veçse të merren borxhe me kredi të buta apo tregtare. Sido që kreditë e reja të merren, ato do të rëndojnë stokun e tanishëm të borxhit. Kjo rëndesë do të përkthehet në pikë të ulura për ekonominë shqiptare nga vlerësimet e agjensive si “Standards & Poors” apo “Moody’s”. Me një vlerësim në rënie nga këto agjensi shumë të rëndësishme për besimin e investuesve të huaj, vendi ynë do të jetë më pak tërheqës për investime të reja. Dhe rritja ekonomike për vitin 2013 do të vihet krejtësisht në pikëpyetje.

Edlira Shehu December 2, 2012 14:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*