Borxhi publik për vitin 2014 vlerësohet 70.84 %

February 5, 2015 14:07

Borxhi publik për vitin 2014 vlerësohet 70.84 %

Miratimi i Programit Kombëtar të Reformave Ekonomike (NERP) 2015-2017, ka nxjerrë në pah gjithë ecurinë ekonomike të vendit tonë dhe pritshmëritë për vitet në vijim. Në analizën e riskut, faktorëve që do të ndikojnë në rritje të ekonomisë është vlerësuar dhe borxhi publik ku për vitin 2014 pritet të shkojë në 70.84 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ky program është tashmë i zyrtarizuar në botimet periodike të qeverisë dhe sipas tij borxhi publik i Qeverisë Qendrore në fund të muajit shtator 2014, vlerësohet të jetë 960,801 milionë lekë ose 67.98% e PBB-së. “Ky borxh përbëhet nga borxhi i brendshëm dhe i jashtëm, që janë vlerësuar përkatësisht 39.26% dhe 28.72% e PBB-së”, thuhet në program.

Ndërkohë, ky borxh deri në fund të vitit 2014 pritet që të arrijë në nivelin e 68.26% ose 70.84% të PBB-së duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura, të dhëna që do të detajohen muajin tjetër.

Sipas programit peshën më të madhe për sa i përket rritjes do ta ketë borxhi i brendshëm dhe ky është një tregues pozitiv, pasi aktorët e brendshëm të tregut kanë operuar mirë në huamarrjen e brendshme.

Politika për financimin e deficitit buxhetor ka çuar në plotësimin e nevojave për huamarrje të brendshme në tregun vendas gjatë vitit 2014. Konkretisht, në fund të muajit shtator huamarrja e brendshme rezulton në 32.95 miliardë lekë ose 72% e totalit të financimit me huamarrje të brendshme të planifikuar për vitin 2014.

Ndërkohë, nëse i referohemi rishikimit të buxhetit për vitin 2014, huamarrja e brendshme u rrit me 5.3 miliardë lekë duke bërë që realizimi i financimit të brendshëm të përllogaritet në nivelin e ri prej 65%.

Huamarrja e brendshme, nëpërmjet obligacioneve

Financimi gjatë vitit 2014 është realizuar kryesisht nëpërmjet emetimit të obligacioneve dhe raporti ndërmjet instrumenteve afatgjatë dhe atyre afatshkurtër të titujve qeveritarë vlerësohet në nivelet 78% me 22%.

Huamarrja gjatë këtij viti nuk është realizuar plotësisht nëpërmjet instrumenteve afatgjata për shkak të vështirësive të hasura në treg si rrjedhojë e perceptimit të riskut kundrejt instrumenteve me afat të gjatë maturimi, kryesisht nga ana e institucioneve bankare.

Huamarrja e re në periudhën janar-shtator të vitit 2014 pavarësisht ndryshimeve në peshat e instrumenteve të përdorur për financimin e deficitit, nuk ka shkaktuar ndryshime të mëdha në strukturën e borxhit të brendshëm.

Por, në raport theksohet se përtej kësaj portofoli mbetet ende i ekspozuar ndjeshëm ndaj riskut të rifinancimit dhe se struktura e tij kërkon përmirësime të mëtejshme në zgjatjen e jetëgjatësisë së portofolit. Gjatë vitit 2014 janë emetuar dy garanci në tregun e brendshëm në favor të KESH Sh.a përkatësisht në vlerat 1 miliardë lekë dhe 6 milionë euro.

Buxheti 2014, si është zbatuar?

Sipas raportit ekonomik të ardhurat e buxhetit të konsoliduar për periudhën 12-mujore arritën në 366.7 miliardë lekë, ose 0,3 për qind më pak se parashikimi për periudhën dhe 12.1 për qind më shumëse viti i kaluar.

-Të ardhurat nga tatimet dhe doganat ishin 253.5 miliardë lekë, ose rreth 7 miliardë lekë më pak dhe 10.7 për qind më shumë në krahasim me vitin e mëparshëm;

-Të ardhurat e pushtetit vendor arritën 12.5 miliardë lekë nga 12.8 miliardë lekë të parashikuar për këtë periudhë;

-Të ardhurat nga fondet speciale arritën në rreth 69.9 miliardë lekë, nga 63.5 miliardë lekë të parashikuara; rritja vjetore ishte 16,5për qind;

-Të ardhurat jo-tatimore për këtë periudhë ishin përafërsisht 20.7 miliardë lekë me një rënie 8,6 për qind nga parashikimi dhe me rënie vjetore prej afërsisht 4,1 përqind.

February 5, 2015 14:07
Komento

1 Koment

  1. Arben February 5, 17:58

    DHE KJO PER VETEM 365 DITE RILINDJE.

    HA HA HA

    FLINI GJUM O NJEREZ, SE KETO DO TI PAGUAJE RAMA NGA XHEPAT E TIJ.

    HA HA HA

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*