Bota e idhtë

March 20, 2018 03:40

Bota e idhtë

Moikom Zeqo

Çasti kur kalon mesnata është përherë gati mistik, ndonëse fryma e freskët e mëngjesit i zmbraps fantazmat shekspiriane, që shtojnë ankthin, por edhe artin e vështirë dhe dlirësues të botës.

Rrija zgjuar ende mbi tryezën e shkrimit, nga dritarja shihja yjet mbi det.

Befas Hëna m’u duk si një gjuhë e artë e fytyrës universale të Kozmosit.

Shpesh një njeri kur tallet e nxjerr kështu gjuhën, trill i një pantomime të lashtë.

Pata një ndjesi të çuditshme.

Më kujtohej diçka, por nuk e saktësoja dot.

***

U ngrita dhe kërkova në bibliotekë librin e Migjenit. E shfletova vetëtimthi.

Në një nga prozat e tij e gjeta tekstin e shkurtër dhe të pabesueshëm: „e idhtë asht bota jonë (Dheu) në majë të gjuhës së Kozmosit.“

Ç‘fjalë të kursyera, apokaliptike për të dhënë gati shterueshëm gjithçka.

Të gjitha gjuhët e botës janë krijuar që njerëzit të bëjnë pyetje të shqetësuara plot padurim dhe shpresë, ndonëse përgjigjet kurrë nuk janë mbushamendëse, shtojnë përsëri pyetjet që s’ndalin.

Orakujt e Delfit a të Dodonës jepnin përherë përgjigje shumëkuptimshme, më tepër mohuese se sa pohuese, e vërteta fragmentohej plot fjalë kundërshtuese dhe misterioze dhe këto institucione Tempullore të Përgjigjes Hyjnore i hutonin njerëzit, që s’e kuptonin kufirin e padukshëm mes katastrofës dhe lumturisë, realitetit dhe ëndrrës.

Fjalia migjeniane është një përfytyrim i jashtëzakonshëm.

Po jo vetëm kaq. Është shumë më tepër.

S’mund t’i shtosh (as edhe t’i heqësh) qoftë edhe një germë.

Gati, gati është jo plotësisht e perceptueshme dhe njëkohësisht pafundësisht lakonike.

Zen-budistët mendojnë se njeriu (njerëzimi) është i parëndësishëm në infinitiv e universit.

Planeti ynë është kaq i vockël në raport me pafundësinë e frikshme dhe indiferente.

Metafora e pabesueshme se „gjuha e Kozmosit“ (një antropomorfizëm abstragues, pra edhe thjeshtëzues) prek, për të ndjerë, për të provuar se çfarë shije dreqi, a të pakuptueshme, të paditur më parë ka „bota jonë“ formulohet shkurt nga Migjeni për hir të kuptimit se gjithçka është e idhët.

Është blasfemimi i të eukaristisë, një parodi e mjeshtërve testues të verërave apo edhe e mbretit antik Matrigatit, që provonte me pakicë helmet, me qëllim, që të fitonte imunitet ndaj tyre.

Shumë shëmbëlltyra nga mitet dhe historia feksin, dalin dhe zhduken, heronj, popuj, letra lakmuesi, shpikje farmaceutike antihelmesh, profeci të zymta, utopi optimistike, emra poetësh, fizikanësh të bombës (vetëvrasjes) atomike, shkencëtarësh të inxhinierisë gjenetike, kozmonautësh patetikë, të çmendurish, të murgjërve hermetikë, të prostitutave, të diktatorëve etj.

Bota është e idhtë! Bota është e idhtë!

Trysnia e mendimeve ma shpërtheu qenien, por ende merrja frymë.

Akoma isha gjallë.

Po pse?

Miti i vjetër thotë se kur Edipi ju përgjigj saktë pyetjeve misterioze të Sfinksit ahere Sfinksi u shpërbë dhe u zhduk.

Kozmosi nuk zhduket!

*****

Durrës 4 shkurt 1999. Ribotuar në Dita

March 20, 2018 03:40
Komento

1 Koment

  1. Paul Tedeschini March 20, 18:54

    Kur s’ke gja te re per botim, ban ribotim.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*