Katër tekste dhe një kronikë si urim nga DITA për ditëlindjen e Moikomit

Enver Kushi June 3, 2016 12:01

Katër tekste dhe një kronikë si urim nga DITA për ditëlindjen e Moikomit

1-Makina e kohës

Ne po pinim kafenë e mëngjesit në një nga lokalet përballë Muzeut Historik Kombëtar, kur ai më pyeti nëse kisha dëgjuar për makinën e kohës. Unë i thashë se diku kisha lexuar për makinën e kohës. Pastaj duke vështruar sytë e tij dhe të kafejtën e errët poshtë tyre, i thashë se dukej i lodhur. Por miku im Moikom Zeqo më foli prapë për makinën e kohës, një nga shpikjet më gjeniale të së ardhmes. Ajo mund të bëjë të mundur të kthehem përsëri në çdo shekull, tha ai duke thithur cigaren. Makina e kohës mund të na çojë edhe shekuj pas. Dhe mund të flasim me Homerin, thashë unë. Me të gjithë të vdekurit e mëdhenj të njerëzimit, tha ai …

Me Homerin, Eskilin, Virgjilin, Danten, Servantesin, Shekspirin, Balzakun, Xhoisin, Kafkën, Heminguein, Borhesin, Buzukun tonë, Barletin, Onufrin, Naimin, De Radën, Fishtën, Migjenin, Konicën… Me të gjithë, shtoi ai. Në librat e tu të viteve të fundit ti e ke bërë këtë, thashë unë. “Kështu foli Mona Liza”, “Syri i Tretë”, “Bota e krijuar nga Onufri”, vëllimet me poezi etj., të çojnë në thellësi të mijëvjeçarëve jo hipur në makinën e kohës, por përmes një proze dhe poezie shkruar me kulturë të gjerë, fantazi dhe një frymë sa shqiptare, aq edhe universale… Sot mund të jetë një ditë e hënë e shekullit XXI, por mund të jetë edhe e mërkura e përhimtë, e shekullit IX, tha ai duke u ngritur…

Jashtë dita ishte e mugët dhe ndihej aroma e shiut, që po afrohej. E ndërsa u futëm në Muzeun Historik Kombëtar, nga pas dëgjova zërin e postierit: “Një letër zoti Moikom. Keni një letër nga Onufri!”. Miku im ndal hapin dhe merr ne duar letrën e rrallë, ardhur nga thellësitë e shekujve. Unë vështroj i hutuar postierin dhe mendoj me siguri pas pak në atriumin e Muzeut Historik do të ulet MAKINA E KOHËS.  E prej andej do të zbresin vdekatarët e mëdhenj. Pastaj ata pa trokitur, do të futen në zyrën e Moikomit për të biseduar me të… Shoh orën. Është nëntë. Data 3 qershor i motit 2004. Efnidhin qe anepandeho dhen ine tipote, them me zë të lashtë tekstin e një mbishkrimi në greqishten e  vjetër, zbuluar në një nga mozaikët e Apolonisë, ku është figura e një aktori. Moikom Zeqos iu deshen tridhjetë vjet për të zbuluar enigmën e këtij mbishkrimi. Ai është vargu 646 i tragjedisë “Ajaksi” i Sofokliut. Kuptimi i vargut në shqip është “Asgjë nuk është e papritur dhe e befasishme”.

2-Moderniteti i poezisë

Në esenë e shkëlqyer “Mes artit dhe shkencës”, shkruar vite më parë nga poeti brilant shqiptar Frederik Rreshpja, thuhet: “Për të shkruar për librat e veçantë të Zeqos duhet kohë, kujdes, tendosje dhe padyshim, shumë dashuri. Sepse ai e meriton këtë dashuri. Ai vetë ka dhënë dhe jep dashuri.” Frederik Rreshpja ka të drejtë në këtë përfundim të tij. Moikom Zeqo në mbi 40 vjet krijimtari, numëron jo pak, por rreth 70 libra me poezi, prozë, publicistikë, studime shkencore etj. Ai është padyshim ndër të rrallët, për të mos thënë i vetmi krijues i letrave shqipe, me këtë bollëk prurjesh. Në mijëra vargje poezi dhe mijëra faqe prozë, Moikom Zeqo shpalos botën shqiptare e ballkanike njëkohësisht.

Dhe këtë botë ai na e ka dhënë me një reliev të habitshëm, dashuri naimjane, tragjizëm migjenian dhe ankth, që e gjen në baladat tona të motshme. Duke ecur në gjurmët e poezisë më të mirë shqipe të traditës dhe asaj të re, Zeqo, ndoshta nga të vetmit e brezit të tij, i shtoi një dimension të ri poezisë shqipe në fillimvitet ‘70. Ky dimension i ri nuk është thjesht në formë. As në atë që u quajt  ‘hermetizëm’. As edhe në ndikimet moderniste të huaja, siç u shkrua pas Plenumit IV famëkeq. Moderniteti i poezisë së Zeqos, ishte në frymën qytetare dhe universale të saj, në përmbajtjen e re, që ajo solli. Moikom Zeqo solli një cilësi të re konceptuale në poezinë shqipe të kohës.

Ndonëse shumë i ri në moshë, ai çoi më tutje, atë që bënë Kadare, Agolli, Arapi në fillimvitet 60. Ai evropianizoi me tej poezinë shqipe. Poezia e viteve 1970-1973 e Zeqos, mund të konkurronte denjësisht me poezinë e metropolit evropian perëndimor. Këtë tipar e ka vënë re dhe shkruar saktësisht bukur poeti dhe prozatori Agron Tufa: “Kualitativisht te kjo poezi, janë ngjizur në mënyrë të pastër e origjinale tiparet e lirikës bashkëkohore evropiane, kategori estetike të imazhit dhe vizionit spektral, ç’ka e bën këtë poezi të jetë larg ajrit të vjetëruar provincial”.

Më i pjekur, me mesazhe dhe me ide të reja për kohën, i trazuar nga ankthet e saj, kritik e sarkastik njëkohësisht për absurditet dhe perversitetin bashkëkohor, me një densitet marramendës figurash, vjen ai në poezinë e krijuar pas vitit 1990.

Librat me poezi “Tempulli i Hënës’ (1998), “Nostradami me 3 qershor” (1999), “Zodiaku” (2000), “Syzet e  thyera të Meduzës” (2001), “Bota e krijuar nga Onufri” (2001), me shpërthimet vullkanike qartësinë e ideve, që përcjellin, polifoninë e zërave të globit tonë dhe gjithësisë së pafund, më ngjajnë me simfonitë heroike të Bethovenit. Ditët e fundit,  kam rilexuar një nga një këto libra. Besomëni: kam ndjerë brenda mureve të betonta të shtëpisë time, ulërimat e trazuara të kohërave dhe ca makthe, që vijnë nga e ardhmja e pasigurtë dhe gri e njerëzimit.

3-Ëndrra të industrializuara

Rroj apo s’rroj te ky makth fundshekulli?

Me thundra Minotauri i kam tmerruar kompjuterat

Parzmoret janë ndryshkur – ka bluxhinsa në treg

Ekranet i kanë industrializuar ëndrrat !

Epshi i ecjes

Më tundon si ekstaza,

Disqet fluturuese sjellin kohën kozmike

Unë Minotauri mitik me brirët e lashtë

Vetëflijohem te orët labirinte.

4-Proza e një eruditi

Vazhdimisht në lëvizje dhe i shqetësuar, i pagjumë, adoleshent i përjetshëm, i dhënë me shpirt për ata që i do, zhbirues, i papërmbajtur dikur dhe më i qetë tani, i pakuptimtë dhe misterioz herë-herë, i papërqëndruar, udhëtar i përjetshëm, i dashuruar marrëzisht me historinë, kulturën dhe natyrën e Shqipërisë, ky është Moikom Zeqo. Në trurin e tij magmatik lëvizin epokat, përzihen mijëvjeçarët dhe shekujt, hyjnë dhe dalin si në shtëpinë e tyre të vdekurit e pavdekshëm që nga Homeri deri tek Migjeni, udhëton Odiseja, dëgjohen zërat e mijëra sirenave, marshon furishëm Aleksandri i Madh, darkon Buzuku, mediton Pirro i Epirit, zbret nga treni i fundit Onufri, që troket në shtëpinë e vogël në Durrës, vdes dhe ringjallet Mona Liza, hesht në heshtjen parajsore engjëlli mbrojtës i shqiptarëve Naim Frashëri, nervozohet dhe grindet me ajrin Faik Konica gjenial e pastaj vonë, shumë vonë, ndoshta me një traget të rastit vjen Florimonti…

Udhëtar i palodhur, si rrallë krijues shqiptar (dikur në rininë e hershme e mbaj mend me motocikletën “JAVA”), hokatar në tavolina (dhe këtu të kujton Dritëro Agollin), i gatshëm për t’i ndihmuar të gjithë, mik i shumë krijuesve në Shqipëri e veçanërisht në Kosovë, ai gjen kohën t’u falë njerëzve shumë dashuri.

E them me bindje, se zyra e tij nuk mbyllet për asnjë. Ai gjen kohë të presë shkencëtarë të huaj, vizitorë të rastit, priftërinj, bektashinj, të verbër, të rinj, që sapo kanë nisur të shkruajnë, veteranë të Antifashizmit, ballistë e mbretërorë, antikuaristë, njerëz tuhafë të të gjitha moshave… E pastaj prapë ikën në udhëtim. Shkon në Shkodër dhe tronditet para varrit të dëmtuar të Migjenit, pastaj hidhet në brigjet e Drinit, rrugëton në mesjetë drejt Shirgjit, për të shkuar më pas në një ditë me mjegull e shi në kishën e Gjon Vladimirit dhe Shelcanin e Onufrit. Dhe vonë, shumë vonë, ai vë kokën në jastëk. Thotë se nuk sheh ëndrra, ose edhe ato  që sheh me hollësi kanë zjarrminë e veprave, që shkruan. Nuk është vendi këtu, për të analizuar prozën e Moikom Zeqos. Në veprat e tij në prozë “Mes Laokontit dhe Krishtit” (2000), “Kështu foli Mona Liza” (2000), “Syri i Tretë” (2001), “Fjalëkryqet e Babilonisë” (2002), gurin e rëndë sizifian ai arrin ta çojë në majë të lartësisë së malit, duke shmangur rrokullisjen dhe ngjitjen torturuese të tij.

Në këtë mënyrë, ai përballon me sukses grackat e erudicionit si shkencëtar dhe monotoninë, që mund të shkaktojë të rrëfyerit apo narracioni i njëtrajtshëm.

…. E megjithatë Moikom Zeqo është si gjithë të tjerët. Ka ditëlindjen dhe ditëmadhimet e tij, vrapimet zbathur në fëmini brigjeve të detit, dashurinë e parë të adoleshencës së vonë, pengjet e rinisë së hershme, vargun e parë të shkruar, ndoshta në rërën e plazhit në Currile, lotët e dhimbjes për shkuarjen e babait Zihni dhe gjyshes Faika, dashurinë dhe mallin e përhershëm të nënës së heshtur deri në dhimbje Pandorë, miqësitë dhe zhgënjimet me ndonjërën prej tyre, dasmën e madhe të tij dhe lindjen e vajzës së parë, jetën në trenat e linjës Durrës- Tiranë, mallin për shtëpinë e nënës, por edhe për atë të voglën, ku rriti me Lidën, Arnisën, Klejtien dhe Epidamin…

E megjithatë, ai vazhdon të nxitojë me ritmin e rinisë, ashtu siç thotë diku, në një nga librat e tij ”Nxitoj ta pi muzikën në gotë si helmin Sokrati i lajthitur”….

Kronikë, moti 2149

Në tre të muajit të gjashtë të motit 2149, në të dyqintin vit të ardhjes në dritë të Moikom Zeqos, shkronjës i madh shqiptar, në një nga mjediset  e “Muzeut të Letrave Shqipe”, u çel një ekspozitë me libra, dorëshkrime, fotografi të tij. Në orën nëntë e tridhjetë minuta, arriti makina e parë e kohës, nga ku zbritën të ftuarit e nderuar Onufri, Barleti, Buzuku, Naim Frashëri, Faik Konica, Gjergj Fishta, Migjeni, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Vath Koreshi, Frederik Rreshpja, Rexhep Qosja, Skënder Drini, Shyqyri Nimani, Ali Podrimja, Bilal Xhaferi, Faslli Haliti, Xhevahir Spahiu. Ata u pritën nga pasardhës të shkronjësit Zeqo si dhe nga Kryetari i Shkrimtarëve.

Disa sekonda më vonë, arritën me makinën e kohës XY 6666 miqtë e tij të vjetër Enver K, Tomorr D, Llazar V, Thanas D, Niko K, Shefki K, Vllasova M, Timo B, Natasha C, Viktor Sh, Bardhyl H, Anton P, Petraq R, Mark S, Ben A…  Kur po afrohej ora e çeljes së ekspozitës, shkrimtari Dritëro Agolli, kërkoi të dinte, se përse nuk kishte ardhur Moikom Zeqo. Atëherë, për të sqaruar të pranishmit, u lexua një tekst disi i panjohur i Moikom Zeqos, që mbyllej me fjalët: ”Edhe nëse rastësisht në atë pavdekje të amëshuar do të dëgjoj zhurmën ardhëse të ndonjë ”makine të kohës”,  të jeni të sigurtë që do t’i shmangem dhe do të mbyllem përfundimisht në shpellën asketike, aspak kibernetike të meditimit tim”.

Tiranë, mesnatë e 2 qershorit 2004. Këtë 3 qershor Moikomi mbush 67 vjet. Redaksia i uron bashkëpunëtorit të saj të vyer, edhe 100.

Enver Kushi June 3, 2016 12:01
Komento

7 Komente

  1. Llazari June 3, 14:25

    Gezuar ditelindjen Tovi i dashur ! Edhe shume mote me shendet,krijimtari dhe suksese! Te duam shume edhe sepse je me i madhi , me i dituri, me i talentuari i brezit tone, te duam se je ai qe je , i dashuri, shperthyesi,i mencuri, i palodhuri, intelektuali dhe atdhetari i madh.

    Reply to this comment
  2. perkthyesi June 3, 16:47

    Urime zoti Moikom! Jeni ndoshta intelektuali me i shquar dhe me i kompletuari i vatanit! Paci jeten e gjate, dhe penen e forte!

    Reply to this comment
  3. Arber June 3, 18:47

    Gezuar Ditelindjen Poet i Madh, Moikom Zeqo!

    Reply to this comment
  4. Hysen Begici June 4, 00:41

    Tovi ! Te uroj gjith te mirat e mundeshme te kesaj bote.Harro kush ke qen. Kush je e kush do te jesh .Te pakten Sot..Gezuar ditelindjen dhe rrofsh sa te duash.Nga nje cun i lagjes se vjeter.cun klase,currilat etj

    Reply to this comment
  5. Pano Hallko June 4, 07:21

    Nuk ka ekzistuar asnje shqiptar 67 vjeçar, por edhe i asnje moshe tjeter, te cilit kombi t`i detyrohet kaq shume. Te tilla kapacitete i sjellin shekujt, per te zbukuruar shekujt e kombeve, per te zbukuruar, dëlirësuar dhe mençuruar shpiritn e tyre ne shekuj. Prandaj, sado vite qe t`i urojme ketij SuperNjeriu, perseri ne borxh do te ngelemi me TË!

    Reply to this comment
  6. normali June 4, 11:12

    PO mire, o ju gazetare apo admirues te Moikom Zeqos,: me keto qe lexojme e dime per Moikomin, legjenda letrare, historike, krijuese , kombtare eshte Moikom Zeqo e jo ndokush tjeter. Pyetja eshte: pse kaq e heshtur media shqiptare e gazetaria per nje njeri te “shenjte” si Moikom Zeqo? ! Une e njohe Moikomin dhe di per te vetem qe eshte nje mal kombtar ku brenda ka çdo gje shqiptare, por po te futesh tek porta e atj mali nuk del dot me, e mund te plakesh aty duke lexuar ato qe ka shkruar ai…, nuk ngopem duke e degjuar ate zerin e tij me ato argumenta aq te qendrueshme, aq popullore, aq reale dhe te besueshme dhe pyes veten: Si mundet ky njeri per nje kohe kaq te shkurter prej 67 vjetesh ka asimiluar aq shume dije ne te gjitha fushat e jetes qe nga antikiteti e deri tek poezia, proza e humori? Eshte nje thesar shqiptar qe sa me shume ta prekesh, aq me shume rrezaton shqiptarizem, histori, optimizem, jete. Edhe “Nobeli” nuk ka vlere para tij, per ata qe e njohin. I uroj jete te gjate, te qete, shendet, prodhimtari te metejshme ne rrugen e drites qe vazhdon !

    Reply to this comment
  7. Dhimitwr Xhoga June 8, 22:06

    Kam kenaqwsine i nderuar Moikom Zeqo, qw kwtw urim pwrmes gazetws sone “DITA” tiu adwrgoj pwrmes kwsaj rubrike, qw nga tej oqeani, shkuar pwr tw takuar fwmijwt emigrantw sa bashkwkombasit e shumtw kwtu, miqtw tanw.Unw e kalova ditwn tuaj tw festws nw rrugwti,me keqardhie pasi doja tw isha pranw jush si gjithw shokwt.Po e kompesova me takimin bashkw dy ditw para tek Libradi “AGOLLI” qw mw dhatw kwnaqwsi tw dyfishtw, me urimet pwr bashkwatdhetarwt tanw nw Toronto tw kanadasw.Pa tjetwr qw pos ketij shkrim,qw pa tjetwr e lexojnw, do jua jap nw takimet e vecanta sa pwrmes “TV. “Pasqyra shqiptare” drejtuar nga i miri Ilir Lena.
    Dhe mjwqind vjettin ta festoftw Shqipwria sa familia mos mw shymw.
    Me shumw rrespekt
    Mesuesi 80 vjecar- plot neswr mw 10 Qwrshor.

    Dhimitwr Xhoga

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim