Bota në karantinë! Koronavirusi, psikiatri: Vetmia është ngjitëse

March 30, 2020 10:34

Bota në karantinë! Koronavirusi, psikiatri: Vetmia është ngjitëse

Për shkak të pandemisë nga virusi në mbarë botën miliona njerëz nuk lejohen të dalin nga shtëpia. Çfarë pasojash mund të ketë vetmia për psikikën e shpjegon psikiatri Manfred Spitzer në intervistë për DW.

Shumë vende po ashpërsojnë masat deri në ndalim-qarkullimin për të kufizuar përhapjen e virusit Corona. Si e influencon vetëizolimi ose i ashtuquajturi Social Distancing shëndetin tonë psikik?

Prof. Dr. Manfred Spitzer: Duhet t’i shohim të diferencuara masa të veçanta. Së pari ne e dimë që karantina – forma ultimative e të qenit i vetëizoluar – faktikisht mund të shkaktojë shqetësime psikike edhe tek njerëzit fare normal.

Ka studimet afatgjata lidhur me këtë, që tregojnë, se pas një karantine intensifikimi i shqetësimeve të tilla si frika, pagjumësia apo një çrregullim i stresit postraumatik është më i lartë. Nuk ka ndonjë dallim mes të moshuarve apo të rinjve, mes burrave apo grave. Të gjithë mund të vuajnë si pasojë. Ndaj rekomandimi për vendosjen e masave të tilla është, që ato te vendosen vetëm nëse janë detyrimisht të nevojshme.

Sa i përket Social Distancing. Janë bërë një sërë studimesh shkencore, se si iu bë ballë në anë të ndryshme të botës, kryesisht në Kinë, përhapjes së virusit të ri Corona. Në këto studime vërtetohet, se p.sh. kufizimi i udhëtimeve nuk sjell gjë, por në fakt distanca sociale vërtetë e influencon dukshëm kufizimin e përhapjes së virusit. Por vlen të theksoj, se social distancing në fakt nuk është zgjedhja e fjalëve saktësisht. Ajo që është e rëndësishme në këtë rast është physical distancing – pra distanca fizike.

Sa mund të zgjasin masa të tilla, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme të tjera për shëndetin?

Këtë duhet ta vendosë secili individ për vete, se si është situata e tij. Më e rëndësishmja që çdo njeri për t’u përballur me virusin Corona është sistemi i tij i imunitetit. Ne dimë, se çfarë e forcon imunitetin e një nga faktorët është dalja në natyrë. Më e mira në vende ku nuk ka njerëz. Si p.sh. në pyll.

Dihet, është e vërtetuar që një shëtitje një orë në pyll e përmirëson dukshëm imunitetin. Qendrimi në shtëpi dëmton sistemin e imunitetit. Kjo është mjaft e rëndësishme sidomos për familjet me fëmijë.

A mund t’i zëvendësojnë rrjetet sociale kontaktet sociale për njerëzit në izolim?

Unë i shoh me sy kritik rrjetet sociale. Por ato sigurisht në këto kohë janë një mënyrë për ta ruajtur kontaktin. Por, ju lutem, nuk duhet ndjekur gjithë ditët çdo marrëzi që përhapet në rrjetet sociale. Telefoni është ndoshta në këto momente mjeti më i mirë për të ruajtur kontaktet sociale. Twitter dhe Facebook nuk janë fort të mira. Pikërisht shumë të huaj, me të cilët përballesh në këto platforma, nuk të bëjnë mirë.

Kontaktet mediale sociale funksionojnë më mirë, sa më mirë njerëzit e njohin njëri-tjetrin. Me gjyshen e gjyshin, me nënën e babain, me shokun apo shoqen e ngushtë fare mirë mund të telefonosh.

Në librin tuaj “Vetmia – sëmundja e panjohur” ju shkruani se ajo mund të jetë edhe ngjitëse. Si është e mundur kjo?

Vetmia është ngjitëse. Kjo për herë të parë u zbulua në vitin 2009 nga një grup pune, që analizoi një sasi të madhe të dhënash. Nga studimi rezultoi, që pirja e duhanit është ngjitëse, që mbipesha është ngjitëse.

Zbulimi më i fundit përkatësisht në studim ishte edhe, se nëse miku im është vetëm, atëherë është më e madhe mundësia që edhe unë vet të bëhem i vetmuar në vitet që vijnë. Ky fakt në të vërtetë në psikologji njihet prej kohësh. Emocionet janë vërtetë ngjitëse, sepse ne njerëzit jemi qenie sociale, ndaj ne i ngjisim njeri-tjetrit edhe emocione.

Njerëzit, që kanë sistem të dobët imuniteti kanë një risk më të lartë që t’u ngjiten viruset e të ftohtit ose virusi Corona. Po ashtu si ata, që duhet të mbrohen nga virusi, duhet të mbrohen tani më shumë edhe grupi i atyre që janë më ndjeshëm nga prekja prej depresionit dhe trishtimit.

Shumë njerëz angazhohen tani për të ndihmuar të moshuarit, duke u bërë atyre pazarin. Njëkohësisht ka edhe njerëz që kanë frikë dhe tërhiqen duke mos pasur guxim t’u ofrojnë ndihmë të tjerëve. Si shpjegohet kjo në psikologji?

Njerëzit janë të ndryshëm sa i përket nivelit të tyre të frikës. Ka gjithmonë njerëz, që kur dëgjojnë për një sëmundje, menjëherë izolohen dhe madje blejnë në panik. Por ka edhe të tjerë që nuk interesohen aspak. Ata dalin jashtë e takohen me miqtë. Ka edhe njerëz që situata të tilla i shfrytëzojnë në mënyrë kriminale për të fituar. Por shumica e njerëzve, të paktën 70 përqind, janë nga natyra pozitiv në raport me kontaktet sociale.

Personalisht gjatë këtyre ditëve dëgjoj vazhdimisht gjëra pozitive. Njerëzit bisedojnë me njeri-tjetrin duke ruajtur distancën dy metra dhe shpesh i urojnë njeri-tjetrin: qofshi me shëndet. Përpara katër javësh nuk përdorej kjo shprehje, Pra është një urim dhe ndjenjë përkujdesjeje për tjetrin. Mendoj që në këto ditë kjo shprehje nuk është thjesht kortezi, por më shumë, njerëzit e thonë atë të ndjerë dhe me seriozitet.

O.J/DITA

March 30, 2020 10:34
Komento

3 Komente

  1. Afrim Dangellia.Psikiater March 30, 14:06

    Me vjen mire qe Gazeta Dita boton nje shkrim te Psikiatrit dhe Neuroshkencetarit Gjerman Porf.Dr.M.Spitzer.Nje personalitet i Psikiatrise botrore me nje numer botimesh mbi te fshehtat dhe pathologjite e psikikes.Nje nga librat e tij me te njohur ” Verdacht auf Psyche ” 2003 Schattauer Verlag ( Hamendsime mbi psikiken) terheq vemendjen e lexusve.Kam pasur rastin te takohem me kete shkencetar te madh ne nje nga Kongreset e Psikiatrise ne Berlin vite me pare.

    Reply to this comment
  2. Evdal Nuri. March 30, 17:47

    Shkrimi shume domethenes e bindes.Masat ndaluese ,sidomos per moshen e trete jane justifikuese per t’u mbrojtur nga COVID-19. Pyetja qe behet nga kjo moshe qe ka tre jave qe eshte ngujuar eshte : E sa do te vazhdoj kjo gjendje? Izolimi ka pasojat e veta, ndofta te pariparueshme per te ardhmen .
    Dhe ne ‘arest shtepie” s’jemi te qete . Te gjithe televizionet per 24 ore na ” bomardojne” teorikisht me COVID-19., Kemi nevoj per emisione te larmishme larg shifrave qe mbjellin panik, strese e depresion .
    Shifrat , duke perjashtuar Italine e Spanjen ne rang boteror s’jane kaq alarmuese sa flitet. Fjala vjen Vdesin 1% e njerezva qe jane te infektuar. Ne qytetin kinez Hubei ,vendi i origjnesvdekshmeria eshte 1 ne 20.000 . Ne Bote deri tani kane vdekur pak me shume se 31.000 veta..
    Keto shifra jane shume me te ulta po te kujtojme se nga duhani vdesin 6 milion njerez ne vite, kurse nga droga 2000.000..
    Perfundimisht masat jane te nevojshme , por duke mos demtuar shendetin mendor.

    Reply to this comment
  3. Gzim Kulufi March 30, 20:24

    Shume bukur theksimi per dallimin midis distances sociale dhe distances fizike! Vetem se, keto “arritje” te grupeve te punes me specialiste te fushes mbi ndikimin negativ te vetmise tek njeriu, nuk kane pse te mbivendosen mbi ate dije qe ka arritur vete njeriu-popull mbi kete ndikim negativ te vetmise tek ai! I vetmuar, si i cpuar, thuhet! Apo, jeta me njerez te pasuron (nga shpirti). Apo mallkimi: ngelsh vetem, ose ngelsh i vetmuar! Apo, i vetmuari -i pikelluari! Apo, mos vdeksha vetem (i vetmuar e pa njeri prane). Apo: edhe kafsha nuk rri vetem! Ose: vetmia ngjall frike. E sa te tjera.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim