Bota në një ditë

Editor November 5, 2012 20:59

Bota në një ditë

1. SHBA
Mijëra njerëz kanë dalë në protestë kundër kandidat për president Mit Rumni. Të veshur me kostumet e personazheve fëminore, ata kanë hedhur parulla në Uashington duke e akuzuar Rumnin për premtimin e tij se do të heqë subvencionin për televizionin shtetëror që transmeton një program për fëmijët të quajtur “Sesame Street”.

2. Nepal
Një leopard i egër në perëndim të Nepalit, në krahinën Katmandu mund të ketë vrarë 15 persona në harkun kohor të 15-muajve. Viktima e tij e fundit ishte djalë 4-vjeçar, të cilin kafsha e zvarriti në xhungël për ta ngrënë. Koka e djalit u gjet vetëm një kilometër larg shtëpisë së tij. Autoritetet vendore  kanë ofruar treqind dollarë për këdo që arrin të kapë leopardin.

3. Filipine
Ministri i Mbrojtjes së Filipineve, Volter Gazmin, do të presë homologun i tij australian, Stefan Smith për të diskutuar mbi një pakt të ri mbi rritjen e bashkëpunimit të forcave të sigurisë dypalëshe sa i takon terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera. Senati i Filipineve në korrik të këtij viti ratifikoi një marrëveshje që do të lejonte trupat australiane që të trajnonin forcat luftarake në vend.

4. Brazil
Një tren i vogël me turistë është përmbysur duke shkaktuar të paktën 3 të vdekur, ndërsa 42 vetë janë plagosur. Ngjarja ndodhi në San Paolo rreth mesditës së të dielës. Treni po transportonte 45 persona mes të cilëve turistë por edhe punonjës në kohën që ka dalë nga shinat dhe ka rënë në një faqe të pjerrët.

5. Maqedoni
Partitë e koalicionit të qeverisë së Maqedonisë, VMRO-DPMNE dhe BDI pritet që gjatë muajit të ardhshëm të bëjnë ndryshime brenda qeverisë. Sipas të dhënave, bëhet e ditur se kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tashmë janë dakord për ndryshime ministrore brenda kabinetit qeveritar.

6. Kinë
Marrëdhëniet e Kinës me Japoninë vazhdojnë të jenë të ndera për shkak të pretendimit të të palëve për dy ishuj kufitarë mes tyre. Katër motovedeta kineze, për herë të dytë brenda 48 orëve, kanë hyrë në ujërat territoriale rreth ishullit Diaoju apo Senkaku, siç njihet nga japonezët.  Motovedetat kanë hyrë në një zonë prej 22 km në anën lindore të detit Kinez.

7. Serbia
Autoritetet e Serbisë gjatë bisedimeve të ardhshme do të këmbëngulin që veriu i Kosovës të fitojë autonomi territoriale. Sipas gazetës serbe “Blic”, përmbushja e marrëveshjes për kalimet kufitare do të duhej të fillonte në muajin dhjetor, kur KE-ja do të vendoste nëse do të nisë me Serbinë negociatat për anëtarësim në BE.

8. Nigeri
Tre persona kanë vdekur nga një sulm kundër disa zyrave qeveritare në Gamboa, qytet në verilindje të  Nigerisë. Njerëz të armatosur i kanë vënë flakën një pallati dhe teksa po vinin zjarrfikësit, hapën zjarr. Nga të shtënat mbeti i vrarë edhe përgjegjësi i zjarrfikësve.

9. Greqi
Ministri i financave greke, Jani Sturnara ka paralajmëruar sërish politikanët grekë se një votim kundër buxhetit të ri do të çonte vendin drejt falimentimit. Gjatë diskutimeve për buxhetin e 2013-s, Sturnara foli për një dalje të frikshme të Greqisë nga Eurozona.  Një gabim mund të çojë në falimentimin e Greqisë, por edhe jashtë Eurozonës.

10. Angli
Sipas revistës “The Sun”, Princi Herri do të qëndrojë në Afganistan gjatë Krishtlindjeve dhe do ta urojë  familjen përmes internetit, në një ekran gjigant që vëllai i tij Uilliam ka instaluar në dhomën e bilardos në rezidencën  Sandringham, ku sipas traditës sezonin e festave familja mbretërore e kalon aty.

11. Itali
Një trafik shumë i rëndë u shkaktua në qytetin e Barit. Një vajzës gjysmë e zhveshur doli mbi makinën e saj, duke dhënë një “shfaqje” për të gjithë kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve. Për gjysmë ore, me gjoksin jashtë dhe me tanga ajo shëtiti mbi disa makina nën ritmet latine. Në vendngjarje mbërriti edhe policia, si dhe dy autoambulanca.

12. Tajlandë
Të veshura me të bardha, rrëzëllyese, të lyera, 20 nuse ia kanë futur vrapit.  Dhe bëhet fjalë për një garë të emërtuar “Vrapimi i nuseve”, i organizuar në Tajlandë. Ato duhet të bënin një vrapim 300 metra, por përveç kësaj dhe të përgatisnin mëngjesin, t’i lidhnin kravatën dhëndrit dhe të bënin llogaritë e shtëpisë. Çifti fitues mori 600 000 baht, ku përfshihej dhe muaji i mjaltit.

Editor November 5, 2012 20:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*