Bota në një ditë

Gazeta Dita December 12, 2012 15:30

Bota në një ditë

1.SHBA

Banorët e Teksasit dërguan në Shtëpinë e Bardhë një peticion në të cilin kërkojnë shkëputjen nga Shtetet e Bashkuara. Peticioni është nënshkruar ‘online’ nga 119 mijë persona. Meqë numri i nënshkrimeve i ka tejkaluar të 25 mijët e nevojshme, Shtëpia e Bardhë është e detyruar të kthejë një përgjigje.

 

2.Irlandë

Në Belfast, një bandë prej 15 të rinjsh të maskuar hodhi një bombë molotov brenda makinës së policisë që po patrullonte. Oficeri që drejtonte automjetin arriti të shpëtonte. Sulmi u krye në shenjë proteste kundër Këshillit Bashkiak që ka vendosur të ngrejë flamurin vetëm në ditë të caktuara dhe jo gjatë gjithë vitit.

 

3.Gjermani

Anabela është një 26-vjeçare gjermane që ka varësi ndaj seksit, por që nuk ka aspak qëllim të shërojë sëmundjen e saj. “Kam nevojë të bëj seks 5 herë në ditë e për mua kjo gjë nuk është aspak problem”, thotë ajo. I dashuri i saj i parë fillimisht i pëlqeu ritmet e saj, por pas dy vjetësh, në pamundësi për ta përballuar, e la.

 

4. Itali

Klaudia Galanti, një personazh i famshëm i spektakleve italiane është shpallur si një ndër nënat më joshëse të Italisë. Vetëm 6 muaj pasi ka sjellë në jetë vogëlushen e saj Tal, ajo është fotografuar në plazhet e Majamit më në formë se kurrë dhe me një fundshpinë  kopertinash.

5.Rumani

Në Rumani, koalicioni i qendrës së majtë i cili është në pushtet konfirmoi edhe një herë suksesin e tij politik duke fituar në zgjedhjet elektorale të së dielës, me 59.34% të votave përballë konservatorëve të djathtë të cilët morën 16.62%. Rezultatet përfundimtare u shpallën ditën e martë.

 

6. Greqi

Shkollat greke kanë rënë pre e dhunës së ekstremistëve të djathtë. “Në shumë shkolla ka banda të organizuara, të cilat po keqtrajtojnë nxënësit e huaj dhe prindërit e tyre”, thotë redaktori i revistës afrikane që botohet në Athinë “Asante”, Nikodemos Maina Kiniua.

 

7.Poloni

Të paktën 10 persona kanë vdekur në 4 ditët e fundit për shkak të ngricës në Poloni. Në disa pjesë të vendit temperatura ra nën nivelin -10°C. Reshjet e mëdha shkaktuan ndërprerjen e transportit publik. Meteorologët thonë se temperaturat në vend do të vazhdojnë të mbeten nën zero edhe për disa ditë.

8.Izrael

Modeles së famshme izraelite, Bar Refaeli, i është bërë zakon që të fotografojë veten kudo që ndodhet, gjysmë e zhveshur ose nudo dhe pastaj t’i postojë fotot në internet.“Më pëlqen ta fotografoj trupin tim lakuriq. Dua që kohë pas kohe t’i shpërblej adhuruesit e mi për besnikërinë e tyre”, shkruan ajo.

 

9. Turqi

Ministri turk i Kulturës, Ertugrul Gunaj, tha të martën se Shtetet e Bashkuara i kthyen Turqisë mozaikun e vjedhur në vitin 1998, në të cilin shfaqet Orfeu duke luajtur në lirë. Mozaiku është kthyer nga Muzeu i Arteve në Dallas, falë një marrëveshjeje të përmbyllur mes Turqisë dhe shtetit federal të Teksasit.

 

10. Egjipt

Kundërshtarët dhe mbështetësit e presidentit Muhamed Morsi kanë planifikuar tubime pak ditë para referendumit për Kushtetutën e re. Morsi iu ka dhënë forcave ushtarake autoritetin për të arrestuar civilët në një kohë kur grupi kryesor i opozitës vijon me thirrjet për protesta masive kundër referendumit.

11.Iran

Irani mbylli konsullatën e tij në Afganistan, pasi protestuesit sulmuan ndërtesën. Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA citoi të martën një burim të Ministrisë së Jashtme se konsullata do të mbetet e mbyllur për një kohë të pacaktuar dhe se Teherani i ka dërguar një notë proteste zyrtarëve afganë.

 

12.Afrikë e Jugut

Zyra e presidencës afrikano-jugore njoftoi të martën për herë të parë se ish-presidenti Nelson Mandela, po mjekohet për një infeksion në mushkëri. Mandela 94-vjeçar u shtrua në një nga spitalet e kryeqytetit Pretoria ditën e shtunë.

Gazeta Dita December 12, 2012 15:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*