Bota në një ditë

Gazeta Dita December 20, 2012 16:20

Bota në një ditë

1.SHBA

Presidenti amerikan Barak Obama është zgjedhur për herë të dytë si “njeriu i vitit” nga revista prestigjoze “Time”. Ai ishte zgjedhur edhe më parë në vitin 2008, por këtë radhë arriti të mposhtte edhe Malala Jousarfazin, 15-vjeçaren pakistaneze të plagosur nga talebanët, sepse luftonte për të drejtat e grave.

 

2.Kanada

Një fluturim tmerrues është filmuar në një park të Montrealit dhe ka bërë xhiron e botës në “Youtube”. Një shqiponjë që fluturonte mbi park mbërtheu një fëmijë 2 vjeç dhe e ngriti në ajër për disa çaste, duke e lëshuar sërish poshtë. Shpendi gjigant mund ta ketë ngatërruar atë me ndonjë lepur. Fatmirësisht, fëmija nuk u lëndua.

 

3.Britani e Madhe

Britania e Madhe brenda vitit 2013 do të tërheqë 3 mijë e 800 trupa ushtarake nga Afganistani. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri David Kameron, i cili ka shtuar se ky vend do të vazhdojë të mbajë një numër të vogël ushtarësh në Afganistan. Pas SHBA-së, Britania e Madhe është shteti i dytë me kontigjentin ushtarak më të madh.

 

4.Francë

“Vogue France” ia dedikon kopertinën e saj në numrin e dhjetorit Karla Brunit. Në një intervistë të gjatë për revistën e modës, ajo tregon për atë që e bëri të dashurohej me Nikolas Sarkozinë. “Çfarë më goditi nga ai ishin duart e tij, mënyra se si lëvizte dhe se si shprehej. Statusi i presidentit ishte jodomethënës për mua”, thotë Bruni.

 

5.Spanjë

Autoritetet e Katalunjës, e cila përfshin katër provinca: Barcelonën, Gironan, Lleidan dhe Tarragonan kanë arritur në një marrëveshje për mbajtjen e një referendumi në lidhjen me kërkesën për pavarësi të kësaj krahine. “Kemi arritur një marrëveshje për një referendum gjatë vitit 2014”, deklaroi zyra e shtypit e partisë opozitare, ERC.

 

6.Greqi

Greqia përfshihet sërish nga një grevë që do të zgjatë 24 orë. Sindikatat e sektorit publik janë shprehur kundër vendimit të qeverisë për kalimin e masës e cila parashikon pushimin nga puna të mijëra punonjësve. Në grevë marrin pjesë edhe punonjësit e bashkive dhe komunave.

 

7.Mali i Zi

Mali i Zi mbylli me sukses kapitullin e parë të negociatave me Bashkimin Evropian, gjashtë muaj pas hapjes zyrtare të negociatave për anëtarësim. Këshilli Evropian kishte kërkuar që autoritetet malazeze të angazhoheshin në garantimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me sa duket vendi i ka marrë me seriozitet kërkesat e BE-së.

 

8.Belgjikë

Eurodeputetja Tanja Fajon u shpreh për mundësinë e rikthimit të vizave për Ballkanin Perëndimor, si pasojë e shtimit të numrit të azilkërkuesve të rremë. Në një intervistë për agjencinë “Anadollija”, Fajon tha se vendet me numrin më të madh të azilkërkuesve janë Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina.

 

9.Meksikë

Si pasojë e përleshjeve që shpërthyen në burgun e qytetit meksikan Gomes Palasio, mbetën të vrarë 17 vetë, 11 të burgosur dhe 6 rojë. Të burgosurit që ishin armatosur paraprakisht, në përpjekje për t’u arratisur, hapën zjarr kundër rojeve. Zyrtarët thanë se u deshën forcat ushtarake që të rivendosnin rendin.

 

10.Rusi

Projektligji që ndalon qytetarët amerikanë të adoptojnë fëmijë rusë u miratua të mërkurën në shqyrtimin e tij të dytë nga parlamenti i Rusisë. Ky projektligj u propozua si reagim ndaj vendimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione mbi zyrtarët rusë të dyshuar për shkeljen e të drejtave të njeriut.

 

11.Kinë

Rreth100 njerëz u arrestuan në Pekin, sepse shpërndanin fletushka që paralajmëronin fundin e botës më 21 dhjetor. Mes të arrestuarve janë anëtarët e kultit antikomunist “Zoti i Plotfuqishëm”, që deklarojnë se më 21 dhjetor dielli nuk do të ndriçojë. Ata i janë vënë një beteje vendimtare për të mposhtur Partinë Komuniste.

 

12.Afganistan

Sipas raportit të fundit të OKB-së, këtë vit dhuna ndaj grave në Afganistan është dyfishuar në krahasim me vitin 2011. Bëhet fjalë për 4010 raste që nga fillimi i vitit. Rasti më i fundit ndodhi mesnatën e së martës, kur 16-vjeçarja Bibi Gul u vra në shtëpinë e saj nga 3 persona të armatosur.

Gazeta Dita December 20, 2012 16:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim