Bota në një ditë

Redaksia Online November 7, 2012 13:09

Bota në një ditë

1. SHBA

Prokurorët e ushtrisë amerikane dhanë detajet e para të çështjes gjyqësore që sapo është hapur kundër gjeneralit Jeffrey Sinclair, mbi të cilin rëndon akuza për krime seksuale ndaj katër oficere të ushtrisë dhe një civileje gjatë viteve 2007-2012. Akuzat e tjera ndaj tij janë: sjellje jonatyrore seksuale,  sodomi të ushtruar me dhunë dhe shkelje të rregullave ushtarake në posedimin e pornografisë dhe alkoolit gjatë shërbimit.

2. Kinë

Dy muaj pas divorcit, Tian Xinding u diagnostikua me kancer në mëlçi. Ai  arriti të shmangë pritjen për një kohë të gjatë të dhuruesve të mëlçisë, kur zbuloi se ish-bashkëshortja e tij, Su Dan ishte e përputhshme për transplantin e mëlçisë. Ajo i ofroi bujarisht ish-bashkëshortit një pjesë të mëlçisë së saj. Pas suksesit të operacinit dhjetëorësh, Su dhe Tian vendosën të përtërijnë martesën e tyre.

3. Zelandë e Re

Në një shkrim të gazetës vendase “Current Biology” të datës 6 nëntor, u njoftua zbulimi i balenës më të rrallë në botë. Pasi një balenë dhe i vogli i saj u gjendën të ngordhur në brigjet e Zelandës së re, në dhjetor të 2010-ës, studimet dyvjeçare mbi to zbuluan se i përkasin species së re të ‘balenave sqeplopatë’, specie e cila është edhe më e rralla në botë.

4. Turqi

Tensionimi i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Izraelit do të marrë një tjetër goditje këtë javë me nisjen e gjyqit të shumëpërfolur ndaj katër gjeneralëve izrealitë të cilët akuzohen për vrasjen e 9 shtetasve turq. Dy vjet më parë gjeneralët drejtuan një flotilje, e cila u përpoq të thyente bllokadën detare izraelite në Rripin e Gazës. Në këtë sulm gjetën vdekjen aktivistët turq propalestinezë.

5. Angli

Sipas studiuesve të universitetit të Londrës “Queen Mary University”dhe atij të Liverpulit, ngrohja globale po pakëson me ritme të shpejta faunën në mbarë botën. Më të prekurat nga ky fenomen janë habitatet ujore në krahasim me ato tokësore. Me ekzaminimin e 169 specieve u zbulua se pasojat më të mundshme të ngrohjes globale janë shkëputjet në zinxhirët ushqimorë ujorë dhe tokësorë.

6. Tibet

Qendra tibetiane për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracisë bëri të ditur se autoritet kineze kanë vendosur në zona të ndryshme të Tibetit, duke përfshirë edhe kryeqytetin e tij Lhasan, ndalimin e shitjes dhe eksportit të lëndëve djegëse. Përveç ndalimit të shitjes së substancave të ndezshme, në disa rajone të vendit janë prerë linjat telefonike dhe ato të internetit.

7. Indi  

28 është numri i të vdekurve si pasojë e përkeqësimit të motit Indinë qendrore. Duke aguar e marta, 4 fëmijë gjetën vdekjen nga goditjet e rrufeve në perëndim të rajonit Godavari. Që nga java e kaluar, kur brigjet e shtetit indian u goditën nga një ciklon tropikal janë shpërngulur më shumë se 68 mijë banorë nga zonat e prekura. Shirat shkaktuan dëme të mëdha në agrikulturën dhe infrastrukturën e vendit.

8. Kanada

Kryebashkiaku i Montrealit, Gerald Tremblay, i cili u akuzua nga një ish-anëtar i partisë së tij për financim të paligjshëm të partisë nga mafia siçiliane, njoftoi dorëheqjen e tij. Tremblay, 70 vjeç, i cili në një fjalim ka mbrojtur pafajësinë e tij, është zgjedhur kryetar bashkie që nga viti 2001 dhe mandati i tij do të skadonte në nëntor 2013.

9. Maqedoni

Autoritetet e sigurisë të kompanisë “TAV Maqedoni” që menaxhon aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup kanë zbuluar një grup prej 3 personash midis personelit të aeroportit, i cili grabiste sendet me vlerë nga valixhet dhe bagazhet e udhëtarëve. Zbulimi i tyre ndodhi pas një grabitjeje të bagazhave të udhëtarëve të fluturimit të linjës së kompanisë “Air Berlin”.

10. Irak

Zyrtarët irakianë kanë njoftuar se një veturë bombë ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të së martës, në afërsi të një baze ushtarake në veri të Bagdadit. Nga ky sulm janë vrarë të paktën gjashtë persona dhe janë lënduar më shumë se 20 të tjerë. Mjekët thonë se të paktën tre nga të vrarët janë ushtarë. Ky sulm ka për shënjestër ushtarët e bazës ushtarake në Tajik.

11. Rusi

Është shkarkuar nga detyra ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Anatoly Serdyukov, pasi supozohet se dikasteri i tij është përfshirë në një skandal korrupsioni. Agjencia kryesore hetimore ruse po heton shitjet e aseteve të Ministrisë së Mbrojtjes firmave tregtare me çmime poshtë vlerës së tregut duke shkaktuar kështu 100 milionë dollarë humbje.

12. SHBA

Një murgeshë nga Nju Jorku, është akuzuar për vjedhjen e 128 mijë dollarëve në dy kisha të fshatit ku kishte punuar. Pasi u mundua të gjente një zgjidhje për të paguar borxhet që i kishte në bixhoz e vetmja mundësi mbeti grabitja.E akuzuara Mary An Rap, e cila është anëtare e kuvendit të murgeshave me seli në Leviston po mjekohej nga varësia ndaj kumarit.

Redaksia Online November 7, 2012 13:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*