Braçe: Taksë e fshehtë mbi naftën

Redaksia Online July 13, 2013 18:11

Braçe: Taksë e fshehtë mbi naftën

Skandali i kontratës që transferon monopolin e ngjyrosjes së karburanteve tek një kompani private merr përmasa të tjera.

Deputeti socialist Erjon Braçe akuzon qeverinë se përmes një vendimi sekret u ka vendosur qytetarëve një taksë kombëtare në fshehtësi të plotë nga Kuvendi.

“Qeveria ka kaluar çdo kompetencë të saj, ka vendosur tarifë kombëtare shërbimit të shënimit me VKM. Ka vendosur një tarifë kombëtar të shërbimit në kufijtë e taksës kombëtare pa pyetur Kuvendin, madje pa e informuar fare Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, thotë zoti Braçe.

Detyrimin për të paguar tarifën prej 7.3 lekësh për litër sipas kontratës bie mbi çdo litër karburanti të tregtuar në vend. Por tregu është zgjeruar duke përfshirë dhe eksportin.

“Është skandaloze të shohësh se si një vendim, tregu i shenjimit të karburanteve është zgjeruar përtej çdo logjike. Ka shkuar deri tek eksportet  kur ka vende të tjera që kanë komplet standarde të tjera të shenjimit të karburanteve tek e cila adresohet nafta e prodhuar”, shton deputeti socialist.

Në total investimi i kompanisë “Global Fluid” është 4.1 milionë dollarë. Por përmes kësaj kontrate qeveria i ka dhënë asaj monopolin 10-vjeçar të një tregu që siguron 20 milionë dollarë në vit.

“Nuk e paguajnë kompanitë. Është një iluzion fakti që këtë tarifë do ta paguajnë kompanitë që merren me tregtimin e karburanteve. Në fund fare kjo tarifë do të mbahet tek çmimi i cdo litri naftë që do të paguajë konsumatori shqiptar. Pra për 10 vjet, 200 milionë euro do t’i merren konsumatorit shqiptar”, deklaroi Braçe.
Sipas zotit Braçe, kostot e kompanisë janë minimale dhe nuk e kalojnë 1 dollarë për 1 mijë litra të ngjyrosura.

“Ndërkohë që këta do të mbledhin 7.3 dollarë për litër. Shihni diferencën. I gjithë ky shërbim nuk justifikon tarifën e vendosur. Kompania është përfshirë që javën e parë të funksionimit të këtij koncesioni, në një mashtrim fiskal”, vijoi Braçe.

Në kontratë Qeveria i ka dhënë kompanisë austriake garanci të plota për monopolin. Madje duke vënë në shërbim të saj edhe administratën, kur me vendim të Këshillit të Ministrave ka përcaktuar se nuk mund të paguajnë, madje as detyrimet tatimore si akciza dhe TVSH, pa marrë më parë vërtetimin nga kompani private se kanë shlyer tarifën e ngjyrimit./Tch

Redaksia Online July 13, 2013 18:11
Komento

1 Koment

  1. Tani July 13, 22:15

    Jam dakord qe te jeni Prokuror i pergjithshem.Jane 1 milion shqiptare qe kane votuar per Ju.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*