Brahim Miho, binjak me Pavarësinë

Nga Sevo Tarifa September 27, 2014 09:12

Brahim Miho, binjak me Pavarësinë

Ah, sikur të mos ishte plagosur rëndë e të ndahej nga jeta, por të jetonte 100 vjeç e më shumë, Brahim Mihoja, ky binjak me Pavarësinë e Shqipërisë do të merrte pjesë në të gjitha veprimtaritë atdhetare në nderim të kësaj feste madhështore të Kombit! Dhe nëse do ta kishte të vështirë të lëvizte, shokët e miqtë e tij, bashkëluftëtarë dhe bashkëpunëtorë do të shkonin ta takonin e ta uronin në shtëpinë e tij, që kurdoherë ishte derëhapur dhe ai e Sheroja – shpirtbujarë. Brahimi ishte vital shpirtërisht e fizikisht dhe me siguri që do të qe i pranishëm në Vlorë e në Tiranë…

1

A keni parë, ose dëgjuar, që njeriun ta marrë plumbi gjerman në kokë dhe të jetë me frymë?! E shpoi ai plumb tejpërtej në kafkë të kokës, hyri nga njëri tëmth e doli te tjetri dhe ai mbeti gjallë, por pa ndjenja! Qëndroi në këmbë dhe, pasi i mbaruan fuqitë, ra në tokë si një lis. Dhe gjaku i rridhte rrëke. Shokët partizanë menduan se jeta e tij kishte marrë fund. Por jo! “Jetëgjati s’bëhet jetëshkurtër”. Frymëmarrja e tij vazhdonte. Zemra i punonte. Pulsi i rrihte. Trupin e kishte të ngrohtë.

Ndodh rrallë që njeriu të plagoset në kokë e të mbetet gjallë, por partizani trim nga Fushëbardha, Brahim Miho, e fitoi jetën. Rilindi. E pabesueshme, por e vërtetë. Plaga e tij ishte tepër e rëndë: në kokë! Por ai ishte i fortë si shkëmbenjtë e Fushëbardhës. I pathyer si diamanti. I patrembur. Me sy të shqiponjës. S’ia hante qeni shkopin. Nuk donte t’ia dinte për vete, kishte dalë malit për lirinë e popullit. Këtu i punonte ajo mendje, që s’donte t’ia dinte, veç ta shihte Atdheun të lirë. Të lirë si ajri i maleve të Kurveleshit. Le të mos merrte vet frymë, mjafton të merrte frymë Adheu!

2

E kam njohur këtë trim qysh në ato vite të zjarrta të luftës. Unë isha 15 vjeç më i vogël se ai. Dhe e kisha zili. Ishte i datëlindjes 1912. Binjak me Flamurin që ngriti në Vlorë Ismail Qemali. Ndoshta lindja e tij në një ngjarje të shënuar me Flamurin e bënte edhe më të fortë. Krenar si Flamuri. Të bukur si Flamuri. Dhe “Për flamur!” betohej. Nuk kursente as jetën. Të kuq si Flamuri kishte dhe zemrën. E kuqe ishte edhe fytyra e tij. Në ato faqe i kishte vërshuar gjaku, që dukej sikur donte t’i dilte jashtë trupit e të derdhej për lirinë e mëmëdheut.

Eh, o Brahim Miho! Sa më tepër që ikin vitet, aq më shumë na djeg malli për ty. Ti nuk na largohesh, por na afrohesh gjithnjë. Më hyre në zemër që kur të pash për herë të parë. Atëhere kur flakëronin vitet e Luftës së madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare. Gëzoja kur të shihja me “Mauzer” në dorë. Me të edhe flije. E mbaje nën kokë. Nuk e lëshoje nga dora. Nuk të lëshonte as dyfeku.

Nuk e ndave pushkën nga dora edhe pas çlirimit. E kishe shok. Ti merrje në shënjë me saktësi dhe puthje pushkën. Por ishte syri yt dhe dora jote që gjuante si snajper.

Me atë pushkë luftoje. E mbaje gishtin tregues të dorës së djathtë në këmbëzën e shkrepjes. Gati! E shkrepje dhe sytë nuk i mbyllje. Barutin e ruaje të thatë. E pastroje pushkën gjithnjë. Vijaskat e saj shkëlqenin. Dhe fishekët nuk shkonin bosh. Mjerë armiku që të dilte përpara!

Por në një çast erdhi plumbi i nazistit e të goditi ty në kokë. Këtë donte gjermani, që ti të mbaroje. Por ai s’e dinte që shqiptari nuk i bën dredha plumbit. E pret atë jo në shpinë, në gjoks. Dhe ti u plagose rëndë. S’kishte më keq se në kokë. Të qëlluan kur luftoje, në brigjet e Vergoit, o Brahim trimi!

Jeta jote u vu në pikëpyetje. Ti re në koma. Por shokët s’të lanë të ndaheshe prej tyre. Me zgjuarësi e shpejtësi ata hoqën rripat e mesit dhe i kruan me thikë. Mblodhën thërrimet e tyre e t’i vunë në dy vrimat e shpuara nga plumbi. Ta lidhën plagën e kokës për të piksur e ndaluar gjakun. Dhe me urgjencë të çuan në spitalin partizan të Zhulatit; atje të shërbyen me kujdes të veçantë. Të mbajtën tre muaj. Ty s’të kujtohet, se s’kishe ndjenja. Kur erdhe në vete, the “Ku jam kështu?!” Por shpejt u “llagarove” dhe u shprehe: “Jetën ia kushtoj personelit të spitalit dhe një mjeku italian”, të cilët i kujtove me respekt.

Dhe i kujtoje gjithnjë. I meritonin fjalët e tua të përzemërta e gjithë mirënjohje, se dhe ata flisnin për ty, të shërbenin me gjithë zemër. S’kishin parë njeri kaq të fortë, që plumbi t’i shpoi kokën dhe të mbijetojë e ta ketë moralin kaq të lartë si Brahim Mihoja.

Ah, si ishin ato tre muaj për ty, për familjen dhe gjithë bashkëluftëtarët, buzëqeshja e të cilëve kishte ngrirë. Ti ishe me sy të mbyllur. As flisje, as dëgjoje. Sheroja e mirë dhe e bukur të rrinte te koka. E mërzitur në kulm. Po i ikte bukuria. I mbetën sytë, mendja dhe zemra te ty. U hap fjala se “ke mbaruar!”. Të erdhën te shtrati të afërm e shokë të tjerë të farefisit e të luftës. Të gjithë të shqetësuar.

Tre muaj pa u përmendur nuk janë pak. Por zemra jote e fortë dhe e madhe po përballonte çdo gjë. Truri yt nuk ishte prekur. Të dashurit e tu i kishte mbuluar pesimizmi. Por erdhi ora që bashkë me flladin e malit të frynte dhe era e optimizmit. Në sytë e tu u panë shenja gjallërie. Nëse shpresa është pritje e së mirës, frika është pritje e së keqes Te ty viheshin re të dyja dukuritë: e keqja dhe e mira. Dhe ja, e mira sundoi, fitoi. E keqja u mund. Ishe kacafytur me armiq, tani kacafytur edhe me vdekjen. Dhe familja, të afërmit, shokët e miqtë e tu thanë me gëzim: Brahimi është gjallë!

Jeta jote fitoi mbi vdekjen…

3

Ti nise të lëvizje pak. Ata që të rrethonin qanin, por dhe qeshnin të ngazëlluar. Ti ishe si në ëndërr. Lëshove tingujt e parë. T’u dëgjua zëri. Ishte timbri yt. Buzëqeshe pak. Oh, ç’buzëqeshje të bukur dhurove! I papërkulur. I patrembur. I vendosur. Brofe në këmbë! Kujtesa po të vinte. Mendja të ndriçonte, të zbukuronte. Dhe pyete: “Ku është pushka?!” Ta solli Sheroja. E more në dorë. E puthe. Diçka i the… Kërkove dhe fishekët. Ia fute ballin me pesë fishekë në gojë.

Dhe fluturove për të vazhduar luftën! A ka shembull më të lartë, se vepra shembullore e Brahim Mihos? A ka dashuri më të madhe për Atdheun? Ai është legjendë! E kishte Atdheun në zemër. Vuajti e ç’nuk vuajti. Armiku mendoi se ia mori jetën. Po kujt? Brahim Mihos, këtij labi dhe patrioti të flaktë?! Jo. Gjermanë e ballistë nuk mateshin dot me të. Ai ishte dhe mbeti partizan. I zjarrtë. I përkushtuar. Me pushkë ishte, me pushkë mbeti. Sa hije i kishte dyfeku! Ai dhe pushka ishin sinonim! Sikur me pushkën kishte lindur bashkë dhe ishin binjakë!

 

 

Ibrahim Miho çoi deri në fund rrugën e nisur nga i ati

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Viteve të Luftës për çlirim kishte nga ata shqiptarë që hynin e dilnin salloneve ku barisnin fashistë e nazistë! Lufta e shenjtë çlirimtare këtyre u tregoi vendin. Dhe nuk kanë pse të ndihen të fyer fëmijët e tyre. Viteve të Luftës për çlirim kishte nga ata që s’kishin nge të merreshin me popullin e thjeshtë, por, fshehur pas perdes së asaj Lufte nxitonin të bënin pasuri. Edhe ndaj këtij llumi populli i thjeshtë mbajti qëndrim.

Ibrahim Miho u lind në Fushëbardhë të rrethit të Gjirokastrës në vitin 1912. U lind në një familje, ku më shumë se sa zjarri, pjesëtarët e familjes i ngrohte flaka e dashurisë për Atdheun. Babai i Ibrahimit, Halimi, njeri i thjeshtë si shumica e njerëzve në atë fshat a krahinë, asnjëherë nuk qe pa pushkë në shtëpi. Se iu desh ta përdorte jo kur t’i jepnin komandë, por kur ta urdhëronte ndërgjegjja e vet. Dhe nuk pat munguar të luftonte kundër andartëve grekë. Në moshën pesëvjeçare Ibrahimit i vdes e ëma! Mbetet jetim. Veç kujdesit që do të tregonte i ati, fatin ai do ta merte vet në dorë. Nisi të shiste dru në Gjirokastër. Kuptohet, për bukën e gojës. Për një copë rrobë. Kaq. Do të rritej Ibrahimi dhe do të kuptonte se e drejta nuk shkonte në krahun e të varfërve. Do të ishte dëshmitar i aq dhe i aq padrejtësive që iu bëheshin fshatarëve të varfër. Por ai do të ishte vazhdimisht në krahun e atyre që kërkonin e meritonin drejtësi.

Kështu do të rritej Ibrahimi, siç e kishte mësuar i ati. Me ndjenjën e dashurisë për Atdheun. Me ndjenjën e urrejtjes ndaj pushtuesve. Por edhe të mërisë së madhe ndaj tradhtarëve, që iu mbanin iso të huajve. Ja, kështu e zuri fillimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Thirrja që Partia Komuniste Shqiptare i drejtonte popullit shqiptar për luftë të armatosur kundër pushtuesve të huaj i zgjoi Ibrahim Mihos detyrimin moral për t’iu kushtuar me armën krahut çështjes së çlirimit të Atdheut. Unë nuk u shtoj dot asgjë atyre që ka thënë për kohën e luftës shoku dhe miku i tij, Sevo Tarifa.

Por, në çastin që Shqipëria merrte frymë e lirë, Ibrahim Mihon e thërrasin që të shërbente në radhët e Ushtrisë Popullore. Në vitin 1950, ndërsa shëndeti s’i kish marrë për mirë, kërkoi që të lirohej nga ky shërbim. Dhe ia plotësuan kërkesën. Tashmë Ibrahim Miho do të caktohej me detyra të ndryshme në organe të pushtetit lokal. Vazhdimisht pranë popullit të thjeshtë. Pranë popullit të ndershëm. Pranë popullit që kishte derdhur gjak. Pranë atij populli tashmë që priste t’i realizohej ëndrra e madhe. Ku ishin detyrat për rindërtimin e fshatrave, aty gjëndej Ibrahimi. Ku punohej për forcimin e gjendjes ekonomike të fshatarëve, aty e takoje atë. Ku luftohej për shkollimin masiv të fëmijëve, sërish aty do të ndodhej ai. Dhe në tërë këtë veprimtari vërtet atdhetare, natyrisht që do t’i delnin pengesa. Se jo të gjithë ia kishin me të drejtë popullit. Por Ibrahimi, idealist siç ishte, s’u ndal në punën e tij si përfaqësues i popullit që kërkonte vetëm progres.

Ibrahim Miho u nda nga jeta në vitin 1975. Pra, mbushur pa mbushur 63 vjet! Tepër i ri. Doemos që do të mund të jetonte shumë më gjatë, por plaga e marrë në kokë ia shkurtoi jetën. Pastaj, edhe pesha e madhe e punës që pat marrë përsipër të kryente.

Por … jeta e njeriut nuk ka gjatësinë e periudhës deri te varri i tij. Jeta e njeriut ruan dimensionet e kujtimeve që burojnë për Të. Për Ibrahim Mihon një dimension i tillë ishte edhe titulli “Patriot i shquar”.

 

Nga Sevo Tarifa September 27, 2014 09:12
Komento

1 Koment

  1. Landi September 28, 10:19

    Po mos ngatrroni balliste me gjerman j fusni kot,,,,, !!!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*