Breksit dhe Drejtësia e BE-së

August 23, 2017 10:02

Breksit dhe Drejtësia e BE-së

Pas mbylljes së procesit të Breksit, Britania e Madhe nuk do të njohë më kompetencat e drejtpërdrejta të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian.

Kjo ka qenë një prej kërkesave të mëdha dhe të vazhdueshme të përkrahësve të Breksit, pra marrja e kontrollit mbi të drejtën kombëtare, për të garantuar sovranitetin e shtetit. Në këtë optikë, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian e instaluar në Luksemburg, është shndërruar nga kritiket e sistemit, në simbolin e ndërhyrjes mbi kombëtare.

Në muajin janar të këtij viti, kryeministrja britanike, Tereza Mei do të deklaronte se: “ Lënia e Unionit Evropian do të thotë se tashmë ligjet tona do të bëhen në Uestminster, në Edimburg, në Kardif dhe në Belfast. Dhe se, këta ligje nuk do të interpretohen më nga gjykatësit e Luksemburgut, por nga gjykatat e mbarë vendit. Pasi ne, nuk mund ta lemë realisht Bashkimin Evropian, nëse nuk kemi plotësisht kontrollin mbi ligjet tona.”

Sot, toni ka ndryshuar. Sigurisht, qeveria britanike synon gjithmonë të rimarrë kontrollin e këtyre ligjeve, por nuk do ta mbyllë portën në mënyrë definitive në përfshirjen e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, në Britaninë e Madhe, pas Breksit.

Në një dokument të publikuar rishtazi, qeveria britanike saktëson se “kompetenca e drejtpërdrejtë” e Gjykatës do të marrë fund me tërheqjen e vendit nga Bashkimi Evropian. Dhe se duke insistuar mbi natyrën e kompetencës “së drejtpërdrejtë”, Londra lë të nënkuptohet se Gjykata e Drejtësisë mund të ruajë, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, një lloj influence.

Një lëvizje, që po vlerësohet jo si një tërheqje nga pozicioni fillestar i Londrës, por si një njohje e nevojshme e realitetit, pasi të gjithë shtetet e tjera anëtare si edhe institucionet e Bashkimit Evropian janë të lidhur me autoritetin e kësaj instance.

Pra, në një perspektivë, ku Britania e Madhe do të vazhdonte të përfitonte nga një marrëveshje e shkëmbimit të lirë dhe nga një bashkëpunim në fushën e sigurisë me Unionin, qeveria e Tereza Meit, do ta kishte të vështirë të refuzonte të gjithë autoritetin që buron nga kjo instancë. Në dokumentin e sapo publikuar, janë pasqyruar shumë opsione mekanizmash për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të frymëzuar nga modele ekzistuese të përdorura për marrëveshjet me vendet e treta, ku Gjykata e Drejtësisë ndërhyn në mënyrë indirekte, siç do të të jetë rasti edhe për marrëveshjen me Kanadanë (CETA).

Nëse, Britania e Madhe dëshiron të ruajë kontrollin mbi interpretimin e dispozitave në rast të një marrëveshje të re tregtare, specialistë të së drejtës evropiane, vlerësojnë se, Gjykata e Drejtësisë nuk do të pranonte kurrë që Bashkimi Evropian të angazhohej në një marrëveshje, ku do të rimerreshin dispozita të ngjashme me të drejtën evropiane, dhe ku do të lejoheshin interpretime të ndryshme. Pra, qëllimi detyrimisht duhet të jetë për të bërë të mundur gjetjen e një mekanizmi, që të mos ketë mospërputhje shumë të rëndësishme mes interpretimeve.

Për BE-në, Gjykata e Drejtësisë, duhet të ngelet kompetente mbi territorin britanik. Duke zbutur linjën e saj dhe duke tentuar të shfaqë një lloj elasticiteti, disa ditë para raundit të tretë të negocimeve me Brukselin, Londra ka arritur të bëjë më në fund hapin e parë.

Për t’u rikthyer në kohë, përkrahësit e Breksit, gjatë referendumit të qershorit 2016, kishin si lajtmotiv pikërisht këtë sferë “rimarrjen e kontrollit”. Koncept që u ri-përpunua më vonë nga kryeministrja britanike Tereza Mei, me një retorikë më të ashpër në drejtim të BE-së. Humbja e sovranitetit britanik, tashmë kishte si referencë simbolikën që përcillte jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian e shoqëruar me premtimet se, tashmë vendit do t’i rikthehej sovraniteti.

Etapa e parë e këtij, procesi do të ndodhte vetëm pak kohë më parë me publikimin e projektit të “ligjit të tërheqjes nga BE”. Një tekst, që pritet të hyjë në fuqi në momentin që Breksit do të mbyllet si proces. Ky tekst, synon të konvertojë në të drejtën britanike, legjislacionin e BE-së, por duke revokuar përparësinë e ligjeve evropiane, pra të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që është edhe arbitër i saj. Proces, që në retorikën e politikës britanike shfaqet konkret, i thjeshtë dhe i realizueshëm, por se në optikën e specialistëve të së drejtës evropiane, ky është një proces shumë i komplikuar, pasi ky autoritet duhet të jetë garanti i arbitrimit të ekzekutimit të marrëveshjes së daljes së Britanisë së Madhe nga BE, siç është ndër të tjera edhe rregullimi i të drejtave të qytetarëve evropianë që jetojnë në tokën britanike. Mbi të gjitha, vështirësia apo komplikimi i kësaj situate vërehet tek nevoja për t’u mbikëqyrur Breksit si proces dhe se në mënyrë të pashmangshme legjislacioni evropian do të vazhdojë të shërbejë si referencë në Britaninë e Madhe në nivele të shumëfishta.

DITA

August 23, 2017 10:02