Breksit mes ambicieve dhe përplasjeve

August 9, 2017 11:20

Breksit mes ambicieve dhe përplasjeve

Për Breksit, nuk ka pushime, edhe pse institucionet evropiane kanë marrë pushimet verore. Ndërkohë që një raund i ri negocimesh do të mbahet në fund të këtij muaji, më 28 gusht, britanikët do të rikuperojnë vonesën e tyre ndaj homologëve evropianë, duke publikuar javën e ardhshme, pozicionin e tyre mbi dy dosje kyçe: çështjen e kufirit me Irlandën e Veriut (e ardhmja e marrëveshjeve të paqes dhe çështja e kufirit fizik me Republikën e Irlandës) dhe krijimin e një unioni të mundshëm doganor të përkohshëm me BE-në, pas Breksit.

Mbi çështjen e Irlandës së Veriut, strategjia britanike e përshkruar për shtypin, duket e mirë kopsitur.

Ndërkohë që BE ka tre prioritete, që prekin statusin e qytetarëve të Unionit në Britaninë e Madhe, likuidimin e parave që Londra i detyrohet BE-së, si edhe çështjen e Irlandës së Veriut. Të gjitha këto duhet të rregullohen përpara se të flitet për marrëdhëniet pas Breksit.

Londra kërkon të krijojë një lidhje mes unionit të ardhshëm doganor dhe çështjes së Irlandës së Veriut, duke imponuar një zgjidhje të bashkëngjitur. Ndërkohë që BE e shikon idenë e një unioni doganor, si një çështje teknike të një niveli logjistik, që mund të rregullohet edhe në një fazë të dytë negocimesh, edhe pse britanikët kërkojnë të imponohen duke kërkuar zgjidhje të tij paralelisht, pra në të njëjtën kohë me çështjen e Irlandës së Veriut.

Jo më larg se javën e kaluar, çështja e unionit doganor do të mbështetej edhe nga kryeministri i Irlandës së Veriut, Leo Varadkar. Qëllimi është i shumëfishtë, duke shkuar nga konfigurimi i elementit të paqes, pra frika e rikthimi të kufirit mes dy pjesëve të Irlandës, që shikohet si element i fundit që mund të trazojë paqen e vendosur, pas dhunës dhe trazirave që kanë përplasur republikanët dhe unionistët për më shumë se tre dekada, duke shkaktuar mijëra të vdekur dhe mijëra të plagosur gjithashtu, por edhe lidhja e pashmangshme me çështjen ekonomike, pasi një rrjet i gjerë të punësuarish (rreth 30 mijë) iu duhet të kalojnë në anën tjetër të kufirit në mënyrë të përditshme.

Por, duhet pritur për të parë se, në ç’masë BE do të shfaqet e gatshme, për të shfaqur mirëkuptimin e nevojshëm në këtë pikë. Ndërkohë që në shtypin britanik ka kohë që qarkullon ideja se, tashmë Londra është gati të paguajë 40 miliardë euro, për të rregulluar çështjen evropiane, vetëm nëse BE do të ishte gati të fliste për një marrëveshje tregtare. Interesat e Londrës synojnë të mos nxjerrin vendin nga unioni doganor, të paktën jo në mënyrë të menjëhershme, teksa vendi po bëhet gati të lërë BE-në.

Ndaj edhe një marrëveshje e përkohshme doganore me BE-në, do të ishte shumë e leverdishme për Londrën. Britanikët, shpresojnë se mund të ruajnë sa më gjatë qëndrimin në unionin doganor, duke iu trembur vënies në jetë të kontrolleve doganore, që përveç kostos financiare (britanikët i shesin BE-së rreth 230 miliardë euro të mira dhe shërbime në vit, dhe BE i shet Britanisë së Madhe rreth 290 miliardë euro, po në vit) do të gjenerojë në mënyrë të pashmangshme edhe vonesa. 

Dhe asnjë prej vendeve anëtare të BE-së, nuk mundet të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe me Britaninë e Madhe, pasi kjo është e pamundur nën kuadrin ligjor, që imponon e drejta evropiane. Ndaj edhe Britania ka deklaruar ambicien e saj në këtë fushë, duke bërë të ditur se do të nënshkruajë me vendet e treta në mbarë, botën marrëveshje të reja ambicioze.

Por, Brukseli e ka ripërsëritur disa herë pozicionin e tij duke theksuar se, kjo çështje do të trajtohet pasi të përfundojë procesi i Breksit dhe kur të ketë siguri se është arritur progres i mjaftueshëm në procesin e divorcit.

Fatura financiare që Londra duhet t’i paguajë Brukselit, duhet të mbulojë të gjithë angazhimet financiare të ndërmarra prej saj, siç janë financimi i pensioneve të funksionarëve evropianë, apo të programeve të veçanta, siç është kosto e zhvendosjes e dy agjencive evropiane aktuale të instaluara në Londër (agjencia evropiane e medikamenteve dhe autoriteti bankar evropian) që kapin një vlerësim në shumën prej afro 582 milionë euro. Negociatorët evropianë kërkojnë të arrijnë një marrëveshje mbi mënyrën e llogaritjes të faturës së përgjithshme, përpara se negocimet të kalojnë në fazën vijuese, pasi kjo do të mundësojë të përcaktohet më qartë marrëdhënia e re, që do të krijohet mes palëve.

Pra, unioni doganor i përkohshëm, shikohet si një projekt, që është i vështirë të realizohet që në fazat e para të negocimit. Një sërë ekspertësh madje e konsiderojnë iluzion dhe thuajse të paimagjinueshme të arrihet një negociatë për krijimin e këtij unioni, para se të mbyllet procesi i divorcit me BE-në, i parashikuar për në 27 mars 2019. Por, gjithsesi palët janë në të drejtën e tyre të shfaqin axhendat e tyre ambicioze, gjatë një procesi të vështirë divorci.

DITA

August 9, 2017 11:20