Brenda 2018 përfundon linja e interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni

December 11, 2015 14:54

Brenda 2018 përfundon linja e interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri zhvilloi sot një vizitë në Maqedoni me ftesë të Ministrit të Ekonomisë Z.Bekim Neziri.

Në takimin e mbajtur në qytetin e Strugës, dy ministrat firmosën një memorandum bashkëpunimi në sektorin e energjisë. Ata theksuan kushtet e favorshme të dy vendeve për zgjerimin e bashkëpunimit në energji duke shfrytëzuar pozicionin gjeografik por edhe marrëdhëniet tradicionale mes tyre.

Palët angazhohen për avancimin e dialogut bilatral në të gjitha nivelet dhe nënvizojnë rëndësinë e këtij ndërveprimi për realizimin e politikave të përbashkëta për energjinë dhe resurset e energjisë që synojnë një zhvillim të qëndrueshëm.

Shqipëria dhe Maqedonia e kanë garantuar financimin dhe tanimë, brenda vitit 2017 do të fillojnë ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovoltshe Elbasan-Manastir.

“Projekti është duke ecur me të njëjtin ritëm në të dyja anët e kufirit. Besoj se deri në vitin 2017 do të fillojë ndërtimi konkret i kësaj linje për tu vënë në funksion në vitin 2018. Mjetet financiare për realizimin e këtij projekti janë siguruar nga të dyja shtetet ndaj projekti do të marrë vetëm kohën e tij për tu kompletuar”, u shpreh Gjiknuri.

Sipas tij, kjo linjë do mund ti shërbejë lidhjes fizike mes Shqipërisë, Maqedonisë, por edhe më tej me tregun bullgar dhe serb.

Ky zhvillim e hap përspektivën për ndërlidhjen edhe të rrjetit elektroenergjetik shqiptar por edhe atij maqedonas e bullgar, në të ardhmen me një kabëll nënujor me Italinë dhe Bashkimin Evropian”, sqaroi Gjiknuri.

Ministri Neziri vlerësoi se realizimi i këtij projekti të rëndësishëm ndikon në përmirësimin e situatës së furnizimit me energji dhe në më shumë siguri energjetike për dy vendet tona, por edhe më tej për rajonin.

“Këto takime zgjerojnë rrafshin e bashkëpunimit, duke u nisur në sferën e energjetikës, në burimet ripërtëritëse, efikasitetin energjetik, resurset e naftës. Me këtë mesazh ne përcjellim se bashkëpunimi i mirëfilltë dhe i mirë fqinjësor do të vazhdojë edhe më tutje”, sqaroi ai.

Gjiknuri tha se ishte informuar në takim edhe në lidhje me zhvillimin e politikave të mëtejshme elektroenergjetike në Maqedoni, veçanërisht sa i takon projektit të Radikës.

“Një vëmendje të veçantë i kushtova informimit në lidhje me një shqetësim që ka qenë mes dy vendeve tona për sa i takon projektit të Radikës. U informova se asgjë të re nuk ka në këtë drejtim dhe që çdo ide që mund të zhvillohet në këtë projekt do të kërkojë bashkëbisedimin dhe miratimin e qeverisë shqiptare. Vendet nuk ndjekin politika unilaterale për ujërat të përbashkëta. Ujërat e përbashkëta qeverisen nga konventat ndërkombëtare, nga marrëveshje të përbashkëta dhe Shqipëria e Maqedonia duhet patjetër të bashkëbisedojnë. Mbi të gjitha, çfarëdo lloj projekti duhet të jetë në harmoni me çka është rënë dakord më parë dhe me impaktin energjetik apo për qëllime të tjera që mund të ketë në vendin tjetër”, u shpreh Gjiknuri.

Referuar kësaj çështjeje, Ministri Neziri deklaroi se “Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë kanë raporte dhe marrëdhënie fqinjësore shumë të mira. Asnjë projekt, pa marrë parasysh në sferën energjetike apo në sferë tjetër, nuk do të realizohet pa pasur pëlqimin, pa u ulur, pa diskutuar me kolegët tanë në Republikën e Shqipërisë dhe projekte të tilla nuk do të realizohen pa patur konsensus mes dy shteteve”.

Mes dy ministrave u diskutua edhe në lidhje me hapësirat e bashkëpunimit të mundshëm edhe në kuadër të projektit të Korridorit Jugor të Gazit. /Dita/

December 11, 2015 14:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*