“Brexit”, Barnier: Marrëveshja e tranzicionit me Britaninë, në dyshim

February 9, 2018 19:30

“Brexit”, Barnier: Marrëveshja e tranzicionit me Britaninë, në dyshim

 

Kryenegociatori i Bashkimit Europian, Michel Barnier ka paralajmëruar se marrëveshja për periudhën e tranzicionit pas “Brexit”-it është vënë në dyshim nga kërkesat e Britanisë së Madhe.

Duke folur në Bruksel pas raundit më të fundit të bisedimeve, Barnier tha se nuk mund t’i kuptojë pozicionet e marra nga krerët e “Downing Street” gjatë ditëve të fundit.

“Të jem i sinqertë, nëse këto mosmarrëveshje do të vazhdojnë, atëherë nuk mund të ketë marrëveshje për tranzicionin”, deklaroi ai.

Komentet e kësaj të premteje shkaktuan një rënie të menjëhershme të vlerës së paundit britanik, një tregues i rëndësisë së jashtëzakonshme që ka periudha e tranzicionit në mbrojtjen e bizneseve në Britaninë e Madhe nga efektet e “Brexit”-it pas 29 marsit të vitit 2019.

Gjatë 21 muajve të tranzicionit, Britania do të qëndrojë efektivisht në BE dhe në respektim të plotë të ligjeve të unionit, por humbet karrigen e saj në institucionet vendimmarrëse.

Gjithsesi, “No 10.” kërkojnë që t’i trajtojnë qytetarët europianë që mbërrijnë në ishull gjatë kësaj periudhe tranzitore ndryshe nga ata që jetojnë aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Britania e Madhe po kërkon edhe të drejtën për të kundërshtuar aplikimin e ligjeve të reja të BE-së dhe të ruajë të drejtën për të zgjedhur në politikat e reja të sigurisë dhe të çështjeve të brendshme.

Barnier u tha reporterëve se ishte i surprizuar nga kërkesat e Britanisë dhe sugjeroi se, për sa kohë “Downing Street” nuk lëshon pè, mosmarrëveshjet mes dy palëve mund të jenë të pakapërcyeshme.

“Kur u takova me Sekretarin për Brexit, David Davis, të hënën në Londër por edhe gjatë negociatave në Bruksel gjatë kësaj jave, Britania këmbënguli se ne duhet të arrijmë një marrëveshje në mars për këtë periudhë tranzicioni”, tha Barnier. “Në të njëjtën kohë, partnerët tanë nënvizuan një sërë mosmarrëveshjesh, të cilat unë i konsideroj si thelbësore”.

Më tej, Barnier shton se “nuk i kupton disa prej pozicioneve të Britanisë”. “Jam i surprizuar nga këto mosmarrëveshje. Pozicionet e BE-së janë tejet logjike. Nëse këto do të vazhdojnë, atëherë padyshim që do të jetë një problem”.

Ndërkohë, Sekretari në hije për “Brexit”-in, Keir Starmer i përshkroi këto komente si një “thirrje për zgjim”.

a.s/dita

February 9, 2018 19:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*