Britania: Drejtësia nuk mjafton për në BE, ka edhe 4 prioritete të tjera

October 3, 2015 14:14

Britania: Drejtësia nuk mjafton për në BE, ka edhe 4 prioritete të tjera

Graham Styles, kreu i seksionit për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë në Drejtorinë e Ballkanit Perëndimor dhe Zgjerimit, në Ministrinë e Jashtme britanike (Foreign Office), në një intervistë për Top Channel jep detajet sesi qeveria britanike i shikon përpjekjet e Shqipërisë në realizimin e 5 prioriteteve.

Graham Styles: Britania e Madhe ka një rol udhëheqës në mbështetjen e aspiratave për t’iu bashkuar BE-së. Ne mbështesim procesin e nisur të reformave nga Qeveria. Jemi të impresionuar nga niveli i vendosmërisë për të. Do të jetë një proces i vështirë dhe i gjatë në kohë, por ne duhet të sigurohemi, që ky proces të jetë realizuar mirë, reformat të jenë të qëndrueshme dhe procesi të jetë i pakthyeshëm.

Graham Styles mendon se, reforma në drejtësi është e rëndësishme, por nuk duhen harruar edhe prioritetet e tjera.

Graham Styles: Janë 5 prioritete, që të gjitha të rëndësishme. Ndërkohë, më e rëndësishmja është reforma në sektorin e drejtësisë. Nëse ju do ta realizoni mirë këtë reformë dhe ashtu siç duhet, shumë gjera do të marrin rrugë e tyre më pas. Kjo do të thotë se, Shqipëria bëhet një vend më tërheqës për të jetuar, duke trajtuar kështu edhe çështje të tjera, që lidhen me krimin e organizuar dhe luftën kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë, kjo e kthen Shqipërinë në një vend më tërheqës për investitorët. Nëse Shqipëria do të jetë e suksesshme në reformën e sistemit e thellë të drejtësisë dhe në mënyrë të pakthyeshme, ky do të jetë një hap i rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE. E dimë që kjo çështje, politikisht është kontroverse dhe do të prodhojë vendime të vështira politike, por ia vlen të bëhet.

I pyetur nëse miratimi i reformës në drejtësi përkthehet në rritjen e mundësive për çeljen e negociatave me BE-në, Graham Styles lë të kuptohet se nuk mjafton vetëm kaq.

Graham Styles: Qeveria shqiptare, në mënyrë absolute ka bërë mirë, që reformën në drejtësi e ka cilësuar si kryeprioritetin e reformave. Ne pajtohemi tërësisht me këtë. Kjo reformë është e rëndësishme për një mori çështjesh të tjera, por nuk është e vetmja gjë, që ne kërkojmë të bëjë Shqipëria. Kjo, pasi janë 5 prioritete dhe ne dëshirojmë ta shohim progesin në të pesta këto prioritete. Ne dhe vendet e tjera të unionit duhet të bindemi, që ky proces është i vërtetë. Por është me vend dhe e drejtë të thuhet se, nëse Shqipëria miraton reformën në drejtësi, gjë e cila do një kohë të gjatë, Britania e Madhe dhe vendet e tjera anëtare do ta marrin parasysh këtë, kur të marrin në konsideratë progresin për kriteret e vendosura.

October 3, 2015 14:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*