Britania e Madhe dhe dilemat evropiane

February 12, 2017 20:52

Britania e Madhe dhe dilemat evropiane

Teksa pritet që Britania e Madhe të aktivizojë në muajin mars, procedurën e daljes nga BE, palët duket se janë pozicionuar në të njëjtin kamp. Nga njëra anë, fjalimi i fundit i kryeministres britanike edhe pse shprehte vullnetin e daljes së Britanisë së Madhe nga Tregu i Përbashkët, në tërësi ishte shumë i paqartë në lidhje me konceptimin e marrëdhënies së re me Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, vëzhgojmë një rezervim nga zërat më të lartë të BE-së, për t’u shprehur në lidhje me një profil të mundshëm mbi marrëdhënien, që do të formësohet me Britaninë e Madhe, për sa kohë nuk është aktivizuar procedura e daljes. Kësaj rezerve, i shtohet edhe dyshimi, i shprehur ditën e shtunë nga Presidenti i Komisionit Evropian Junker, për arritjen e një “uniteti, kohezioni dhe koherence” me 27 vendet anëtare në negocimet, që do të zhvillohen për Brexit. Logjikë që nënkupton se, negocimet nuk do të jenë aq të lehta për shkak të vështirësive, për të rënë dakord mes të 27-ve.

Por, mënyra se si po reagojnë palët, mes “paqartësisë britanike” dhe “vështirësive për unitet nga pala evropiane”, tregon qartë se tashmë ata janë të pozicionuar në mënyrë strategjike, në fushën e para-negocimeve, ku secila palë kërkon të arrijë maksimumin e objektivave të parashikuar.

Kryeministrja britanike, në fjalimin e saj të 17 janarit, do të përjashtonte opsionet dhe modelet ekzistuese, që kanë vende të tjera me BE-në, si p.sh.: Norvegjia, Zvicra, apo Kanadaja. Konkretisht, ajo do të shprehej se nuk dëshironte një anëtarësim të pjesshëm në BE, apo çdo gjë, që mund ta linte Britaninë gjysmë brenda dhe gjysmë jashtë.

Modeli norvegjez, në fakt bën fjalë për pjesëmarrje në Hapësirën Ekonomike Evropiane që nuk është gjë tjetër, veçse tregu i përbashkët i shtrirë ndaj tre vendeve, që kanë zgjedhur të marrin pjesë në të, si Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda. Këto tre vende janë pjesë integruese e tregut të përbashkët, ku si rrjedhojë duhet të zbatojnë të gjithë rregullat dhe parimet, kryesisht liritë e qarkullimit, por duke mos pasur asnjë zë në përpunimin e ligjeve dhe rregullave të tij. Dhe nga ana tjetër duhet të kontribuojnë gjithashtu në buxhetin e BE-së. Edhe modeli zviceran, ka të bëjë me një format lidhje me BE-në nëpërmjet një serie marrëveshjes dypalëshe, nëpërmjet të cilave Zvicra merr pjesë në disa politika të përbashkëta, por jo të gjitha, si p.sh: Shengeni. Zvicra kontribuon gjithashtu në buxhetin evropian, por në një masë më të vogël se, sa tre vendet e mësipërme. Në të njëjtin kuadër marrëveshjesh, është rregulluar gjithashtu edhe aderimi i Konfederatës zvicerane në lirinë e lëvizjes së personave, ndonëse para dy vitesh zviceranët votuan pro kufizimit të imigracionit, duke vënë në këtë mënyrë në dyshim të gjithë arkitekturën e aderimit të tyre në Tregun e Përbashkët. Ndërsa modeli kanadez (në proces ratifikimi) që duket se gjen një lloj preference në hapësirën britanike, është modeli në të cilën u ndërtua CETA, duke u nisur nga sistemi i shkëmbimit të lirë, në kuadrin e rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Por, një nga modelet e veçantë i propozuar nga Instituti kërkimor Bruegel në Bruksel, vetëm dy javë para Samitit të Bratislavës, ku drejtuesit e 27 vendeve evropiane do të diskutonin për
herë të parë, mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian, pa Britaninë e Madhe, do të ishte Partneriteti Kontinental.

Ky model, përmban ndoshta formatin më të mirë të bashkëpunimit, që duhet të ndërtojë Britania e Madhe me Unionin, pasi i përshtatet kërkesave britanike për qasje të thelluar ekonomike. Mekanizmi parashikon pjesëmarrje të plotë në lëvizshmërinë e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve dhe një farë lirie të përkohshme të lëvizjes së punëtorëve, por duke përjashtuar lirinë e lëvizjes së punëtorëve dhe integrimin politik.

Arkitektura institucionale përfshin krijimin e një Këshilli ku do të marrin pjesë edhe institucionet e BE-së. I strukturuar në nivele të ndryshme formacionesh, qëllimi është krijimi i hapësirës për Britaninë, që të ndërhyjë gjatë procesit legjislativ, që njeh mekanizmi i BE-së. Pra, të drejtën për të diskutuar, negociuar, propozuar ndryshime ligjore, në lidhje me tregun e përbashkët, por edhe në sferat që lidhen me të. Kjo e drejtë për të propozuar ndryshime ligjore, gjatë rrugës së hartimit të ligjeve, do të jetë e një natyre politike dhe jo ligjore, në kuptimin që asgjë nuk do të ndryshojë në procesin legjislativ që ka BE, por gjatë këtij procesi, mendimi, opinioni dhe propozimet ligjore e vendeve që do të marrin pjesë në PK, do të kenë hapësirë për t’u trajtuar dhe marrë parasysh. Por, fjalën e fundit dhe fuqinë për të refuzuar propozimet ligjore e ka BE dhe vendet e partneritetit, nuk kanë mundësinë e të drejtës së vetos. Mekanizmi përgjegjës për rregullimin e çështjeve dhe konflikteve të ndryshme, parashikohet të jetë një institucion i posaçëm juridik.

Ky është dhe momenti, që krijohet një mekanizëm detyrues apo imponues, pasi në fazën që BE vendos përfundimisht, duke miratuar legjislacionin në fjalë, dhe duke mos marrë parasysh opinionin apo propozimet e Këshillit të PK, vendet që bëjnë pjesë në këtë Këshill, kanë detyrimin të përfshijnë në legjislacionin e tyre kombëtar, legjislacionin e miratuar nga BE, mbi Tregun e Përbashkët. Nëse ky zbatim nuk ndodh, atëherë vendet e PK do të përballen me shtrëngesa në pjesëmarrjen e tyre në Tregun e Përbashkët. Sipas skemës propozuese, “Anëtarët e PK, duhet të pranojnë masat përforcuese, dhe jurisprudencën që ruan liritë përkatëse të Tregut të Përbashkët. Në të kundërt, integriteti dhe koherenca e Tregut të Përbashkët do të shkatërrohej.”

Modeli i Partneritetit Kontinental, ofron gjithashtu edhe formatin e një Evrope të dy rrathëve, ku BE do të përbëjë rrethin kryesor me struktura mbi kombëtare dhe vendet, që kërkojnë linja bashkëpunimi jo shumë të ngushta politike apo të thelluara, si Britania e Madhe, do të kenë mundësi të marrin pjesë në rrethin e dytë të jashtëm, me struktura ndërqeveritare. Por, në këtë rreth autorët sugjerojnë që të përqendrohen edhe zgjerimet e ardhshme të Unionit, si p.sh.: zgjerimi ndaj Turqisë, apo zgjerimi ndaj Ukrainës.

Në fakt, modeli i propozuar i dy rrathëve, risjell në vëmendje, propozimet e vazhdueshme politike sidomos franceze dhe gjermane mbi Evropën e dy klasave, si një organizëm që do të bëjë të mundur progresin e mëtejshëm mes vendeve të Eurozonës, që kanë dëshirë për thellim të avancuar ekonomik si edhe politik dhe vendeve të tjera, që shfaqen më të rezervuara dhe të frenuara ndaj këtij avancimi. Por, në ndryshim nga projekti i Evropës së dy shpejtësive, apo Evropës së dy klasave, që mund të krijojë një lloj frymëmarrje reale për avancim në projektin evropian, Evropa e dy rrathëve, me një rreth të vendeve anëtare të BE, dhe me një rreth të vendeve, që nuk janë pjesë e saj, mbart riskun e rëndesës së mëtejshme të procesit legjislativ të Unionit, që edhe në formën aktuale që është, vlerësohet si ndër më të komplikuarit. Por, gjithsesi, rëndësia e tij, konsiston në krijimin e një formati shumë të domosdoshëm për bashkëpunim të thelluar jo vetëm me Britaninë e Madhe, por mund të nxjerrë nga ngërçi politik prej disa dekadash edhe perspektivën e bashkëpunimit të nevojshëm BE-Turqi.

Që prej vendimit për dalje të Britanisë së Madhe nga BE, propozimet mbi modelet e bashkëpunimit nga ekspertë të fushës janë të shumtë. Modeli i partneritetit kontinental, ngelet formati që mund të inkuadrojë më mirë preferencat e palëve. Por, kjo do të varet nga ambiciet që do të shfaq Britania e Madhe në procesin e negocimeve dhe nga predispozita e BE-së, për të formuar një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me Britaninë e Madhe.

Im.Ta.

DITA

 

February 12, 2017 20:52