Brokaj kritika për librin e Pëllumbit: Meidanin e zgjodhi Dritëroi

July 23, 2016 10:39

Brokaj kritika për librin e Pëllumbit: Meidanin e zgjodhi Dritëroi

Themeluesi i Partisë Socialiste, Sabit Brokaj, e ka quajtur fyes ditarin politik të Servet Pëllumbit. Profesor Brokaj e ka quajtur Pëllumbin si të kompleksuar, sepse nuk pranonte konceptin demokratik, pasi të gjithë i thoshin se ishte marksist. “Mua libri i Servetit më duket i mbytur në marksizëm nga fillimi deri në fund”, thotë Brokaj. Më tej ai ka rrëfyer negociatat se si iu ofrua posti i sekretarit të Përgjithshëm nga Fatos Nano, me anë të letrave të cilat ia dorëzonte Rexhina Nano. Dhe mënyrën se si ai rekomandoi që këtë post ta merrte Rexhep Meidani.

***

Në PS gjatë kohës së mocionit të Nanos është thënë që ka qenë një grup nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, të etur për karrierë politike dhe karrige. Si ka qenë kjo përballje?

Është qesharake totalisht. Është e vërtetë se Kastrioti ishte arrivist dhe unë kam lëshuar dhe një kritikë publikisht në shtyp, para disa muajsh, por unë nuk e quaj arrivist Meidanin, sepse e ka marrë Xhina, unë, dhe mezi e bindëm për sekretar të Përgjithshëm. Madje, e manipuloi Dritëroi mbledhjen që të zgjidhej Meidani sekretar i Përgjithshëm. Kush ishte në komplotin e shkencave, Besnik Bare, Ethem Ruka?! Nga ana tjetër, unë nuk e kuptoj pse duhet të jesh kaq pezhorativ me karrieristët, sepse ata janë nxitje për të ecur përpara. Ai mund të të prishë punën në ekip, por kjo është aftësi e drejtuesit që ta manaxhojë, që ta vë në parmendë që ta lërojë arën. Në fakt, në libër bëhet një ndarje, pjesa e shkencëtarëve që vinin nga shkencat ekzakte e që kishin studiuar në Perëndim dhe pjesa e partiakëve, aparatçinjve, në kuptimin e keq, siç thuhej dikur. Por nuk ishte realisht kështu. Kishte kundërshti, kishte pozicione për çështje të ndryshme, por nuk kishte armiqësi. A kishte rezerva për drejtimin e PS-së nga Serveti? Sigurisht që kishte, kisha edhe unë.

Pati një përplasje mes drejtuesve të PS-së në atë kohë dhe profesorëve që vinin nga Fakulteti i Shkencave?

Pasi PS-ja i humbi zgjedhjet e 1996-s, në PS u anëtarësuan Rexhep Meidani, Fatos Klosi e ndonjë tjetër. Para kongresit ku do të debatohej për mocionin, Nano më nis një letër që ma sjell Rexhina e ku thoshte që duhet të isha unë sekretari i ri i Përgjithshëm i PS-së, më kërkonte bashkëpunim se do të sillnim një frymë tjetër në parti e të tjera si këto. Unë e kundërshtova këtë. Ai solli një tjetër letër dhe unë i thashë jo. Nano i kërkonte KPD-së si propozim i kryetarit, emrin tim për sekretar të Përgjithshëm, nëse nuk pranoja unë, Kastriotin. Unë fola me Xhinën që t’ia transmetonte Nanos që në postin e sekretarit të Përgjithshëm duhej një figurë që nuk është ndeshur dhe nuk është përballur në Kryesi dhe KPD për çështjen e mocionit, që të mos konsiderohej as i Nanos dhe as i Servetit, ndryshe kjo parti dëmtohej dhe një grupim do t’i kundërvihej tjetrit dhe nuk do të sillte bashkim të të gjitha rrymave në parti. I them Rexhinës se me qëndrimet e mia në forumet e PSsë unë e kam marrë fizionominë e Nanos, si mbështetës i tij dhe s’mund të merrja këtë mision bashkimi. Pas disa takimesh, i propozoj emrin e Rexhep Meidanit. Nanos i pëlqeu fillimisht si emër, si figurë, edhe pse ai këmbëngulte për mua, ose Kastriotin. Unë u takova me Rexhepin dhe fola me të për këtë propozim. Bisedova rreth 4 orë me Rexhepin, i them se ti nuk besoj se ke ardhur në PS për të ndenjur ushtar i thjeshtë. Ti ke një emër të respektuar në botën akademike dhe intelektuale. Pas meje, e takoi edhe Kastrioti. Nuk e di çfarë kanë biseduar, por Meidani hezitonte. E takoi edhe Xhina në emër të Fatosit dhe, në fund, Rexhepi pranoi. Besoj me gjysmë zemre, jo me entuziazëm, sepse ai ishte mësuar me botën e tij akademike dhe besoj e dinte se punët e partisë ishin tjetër gjë. Në KPD m’u kërkua që të drejtoja mbledhjen. Unë u thashë që unë do të lexoj letrat që Nano ka nisur për KPDnë, por nuk pranoj ta drejtoj. Dhe drejtimin e mbledhjes ia lamë Dritëroit. Edhe Dritëroi mezi e pranoi drejtimin e mbledhjes, se natyra e tij rebele nuk mund të rrinte të bënte moderatorin, ulu ti, e ngrihu ti. Ajo ishte një mbledhje me shumë tension dhe përplasje, por falë natyrës së Dritëroit dhe autoritetit të tij, këto situata u kaluan më lehtë. P.sh., në mbledhje kishte shumë zëra kundër Rexhepit që të bëhej sekretar i Përgjithshëm. “Ky tani erdhi në PS, nuk ka përvojë e të tjera si këto”. Në një moment, duke parë këto kundërshti, Rexhepi tha unë tërhiqem nga propozimi që më bëhet. Në listë ishin dhe emri im dhe i Kastriotit. Dritëroi që drejtonte mbledhjen thotë: Sabiti dhe Kastrioti u tërhoqën, në këtë mënyrë Meidani mbetet kandidatura e vetme dhe ai zgjidhet! U ngritën nja 23 zëra që thanë se Meidani u tërhoq vetë. “S’e kam dëgjuar unë këtë tërheqje!”, tha Dritëroi dhe kështu e mbylli. Kaq vota për Rexhepin, kaq për Ilirin dhe e mbylli Dritëroi. U çua dhe një tjetër, duke thënë: Kishte edhe një propozim tjetër! “Nuk e kam dëgjuar”, tha Dritëroi. Në atë situatë përplasjesh, vetëm mençuria e Dritëroit mund ta nxirrte varkën në bregun tjetër

Sa ndikoi dorëheqja e Servet Pëllumbit në klimën e brendshme në PS?

Për mua është e kritikueshme dorëheqja e Servetit, i cili nuk pranoi të zgjidhej as si sekretar dhe as në Kryesi. Sepse nëse ti je idealist dhe kërkon të mbash partinë të lidhur, duhet të qëndroje në forume bashkë me njerëzit që të mbështesnin. Nuk duhet të dalë tani si i diskriminuari nga partia. Edhe unë në atë sens nuk pranova të bëhesha sekretar i Përgjithshëm, por qëndrova në Kryesi. Edhe Nanos që i përgjigjesha me letër kur më propozonte, i thosha se unë nuk pranoj të marr përsipër fytyrën e gjysmës së partisë, sepse kjo nuk i vlen askujt. Partisë i duhet një fytyrë e paatakueshme dhe Rexhepi ishte një person shumë i përshtatshëm për këtë rol. Ustallarët partiakë aty ishin, Namiku, tjetri e tjetri, dhe do kalohej kjo situatë rreth një figure që i bashkonte të gjitha rrymat. Dhe realisht me Namikun funksionoi jashtëzakonisht shumë mirë dhe me shokët e tjerë.

Pas zgjedhjes së Meidanit Sekretar i Përgjithshëm, pati një frymë tjetër në PS?

Sigurisht që pati një frymë tjetër dhe pse ajo situatë dhe ndarje e dëmtoi PSnë në zgjedhjet e tetorit, por që përgjegjës për ato zgjedhje nuk ishte medemek efekti nga “mocionistët”, por ishte klima që u krijua, fakti që PS-ja u përgatit të fitonte 26 majin dhe nuk e fitoi, pra u krijua ideja e një partie që nuk vjen dot në pushtet, ishte depresioni që vinte nga një humbje pas një shprese të madhe. E dyta ishte se nuk funksionuan militantët në ato skema që ne bëmë për zgjedhjet e 26 majit. Kështu që Saliu vodhi dhe griu dynjanë heshtur se nuk pati kundërshtime dhe kundërshtimet duhej të ishin përplasjet fizike. A ndikoi ndarja e Servet Pëllumbit me drejtimin e PS-së? Sigurisht që ndikoi dhe ka peshë, por për mua ishte zhgënjimi nga të gjithë krahët, një lloj mpirjeje që ne nuk e kishim takatin të rrëzonim Saliun. E njëjta situatë që ndodhi me dy zgjedhjet e humbura të demokratëve në 2013n dhe 2015n, kur partia nuk ngjall dot frymë e shpresë dhe entuziazëm në zgjedhje.

Ju keni pasur qëndrime të kundërta në lidhje me kërkesën për zgjedhje të parakohshme, pas dështimit të referendumit për Kushtetutën në 1994-n. Si ishin pozicionet në atë kohë mes atyre që kërkonin ta shfrytëzonin rezultatin e këtij referendumi?

Serveti shkruan diku në libër në mënyrë fyese që “ai strategu i nëndetëseve që kërkonte zgjedhje të parakohshme…”. Unë në kohën e nëndetëseve mbaja pesë detyra dhe e kam të shenjtë në formimin e karakterit tim, solidaritetit dhe sakrificat me sprova nga më të veçantat. Literatura me të cilën unë isha përballur, nga biblioteka personale e Enver Hoxhës dhe e Hysni Kapos, më kishin mësuar se faktori i brendshëm është determinues krahasuar me faktorin e jashtëm. Në këtë kuptim, unë kisha propozuar që pas rrëzimit të referendumit për Kushtetutën e Saliut në 1994-n, ne ishim në avantazh politik dhe duhej të kërkonim zgjedhje të parakohshme sepse sapo kishim marrë një mbështetje popullore. Pavarësisht se të huajt mbështesnin më shumë Berishën sesa PSnë, ne kishim marrë votat e popullit. Serveti më ngacmon në libër duke më thënë strateg. Ne kishim popullin me vete, ishim më të organizuar, kishim njerëzit më të përgatitur e të besueshëm dhe kishim dhe idealizëm brenda nesh më shumë se PDja, pse të mos e ndalonim shkatërrimin e Saliut?! Ky është koncept i provuar në demokraci, ndërsa Serveti, i cili ishte kompleksuar se i thoshin marksist, nuk e pranonte këtë koncept demokratik. Mua libri i Servetit më duket i mbytur në marksizëm nga fillimi deri në fund.

Pse e thoni këtë?

Ja po ta them. Në 1982shin kam qenë në Francë me Ylli Popën disa muaj. Një ditë ndiqnim një intervistë të presidentit austriak Rudolf Kirchschläger me një gazetar francez. Ka qenë nga ato intervista që më ka lënë gjurmë sa unë mund ta riprodhoj edhe sot pas 34 vitesh. Nga terminologjia që po përdorte presidenti austriak, gazetarit iu krijua përshtypja se ai po përdorte terminologji të një ideologjie socialiste. Po pse i tha presidenti, ç’të keqe ka socializmi?! Po është ideologjia e Bashkimit Sovjetik dhe i vendeve komuniste të Lindjes, i tha gazetari. Jo, jo, gabohesh i tha presidenti austriak. Ka socializëm burokratik, dhe këtë e kanë vendet e Lindjes, por ka dhe socializëm demokratik. Por në substancë, i thotë gazetari, ky është marksizëm. Po mirë, i tha presidenti austriak, mund ta pranoj sepse marksizmi si doktrinë aplikohet në shumë vende perëndimore e më shumë në Amerikë. E solla këtë shembull për të treguar se kur marksizmin si doktrinë e pranon edhe Perëndimi, Serveti nuk kish pse kompleksohej nga marksizmi, pse i tha Saliu, Maqua apo Kastrioti se je marksist. Saliu krijonte provokacione, diversione dhe të gjitha këto janë pjesë e lojës politike që kundërshtari yt politik i përdor.  / “Panorama”

July 23, 2016 10:39
Komento

5 Komente

  1. LLL July 23, 11:33

    Asnjë nga ju s’ishte I denjë për të qenë në organet udhëheqse të Partisë ,por , më skandalozi ishte i degjeneruari Fatos Nano e pas tij Mejdani etj.
    Ju ishit kopje në miniaturë e udhëheqjes dështake të PPSH dhe këtë e përdori me sukses mafiozi Sali Berisha , për të luftuar PS .
    Por koha tregoi se ku popull e meritonte Saliun dhe gjithë qelbësirat që mban në kurriz !

    Reply to this comment
  2. A.GRAMSH July 23, 12:25

    LUFTE PROSTATESH ME KOLISTEROL NGA PASURIJA E FEMIJEVE SHQIPETARE TE PA NGRENE!

    Reply to this comment
  3. Plaku Xhuxhumaku July 23, 18:22

    Kjo parti qysh diten qe e themeloi Miladini ka qene shporte karavidhesh e vazhdon te jete. Tani eshte shtuar edhe *ut me shumice.

    Reply to this comment
  4. Plaku Xhuxhumaku July 23, 18:26

    Dmth pushtlleku i Driteroit na qenka mencuri sipas ketij Sabit trushkulurit.

    Reply to this comment
  5. info analitike July 23, 21:26

    Shoke biroiste mos u grindni se ka njerez qe edhe pa buke rrine vec qe ju mos te grindeni. Forcojeni unitetin e celikte te partise e mos bini pre e ndikimeve te armiqve te brendshem e te jashtem qe perpiqen t’ju percajne.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*