Brukseli dhe udhëkryqi i multikulturalizmit

Arlind Cara* March 23, 2016 00:02

Brukseli dhe udhëkryqi i multikulturalizmit

Ndërsa po vështroja sloganin e hedhur në një çarçaf të bardhë shkruar me të zeza “Je Suis Bruxelles” në cep të peizazhit momental dallova imazhin kokëulur të një adoleshenteje me perçe. Nxitova të fiksoja momentin solidar multikulturalist që më dha këndi im sekondar. Kjo ndodhi mbrëmë në një nga sheshet kryesore të qendrës së Brukselit, siç njihet rëndom sheshi i Bursës, në mënyrë të improvizuar me qindra të rinj dolën të solidarizoheshin me ngjarjet tronditëse e mëngjesit të hidhur të 22 marsit .

Brukseli është një megapeizazh i tillë multikulturalizmi. Njerëz të të gjitha racave, kulturave dhe të shumicës së kombeve kanë pasuruar shoqërinë dhe hapësirën publike në Belgjikë, jo thjesht si njësi kombëtare por edhe në rrafshe të tjera siç është ai politik si qendra administrative e Europës. Edhe tubimi i improvizuar në sheshin e Brukselit ishte një miniaturë e këtij realiteti plot ngjyra racash, besimesh dhe origjinash.

Multikulturalizmi është dhe mbetet një proces plot sfida që kurrë nuk mund të pretendohet se është një sfidë e përfunduar.  Por është një sfidë e gjithëhershme e cila kërkon kurdoherë angazhim të të gjithë mekanizmave social në një shoqëri. Shumë prej analizave të shpejta  mediatik flasin për rritjen e masave të sigurisë, por shumë pak ose aspak në valën e nxehtë të raportimeve flitet për gjetjen e pikave të përbashkëta të integrimit real dhe të plotë me të gjithë anëtarët e komuniteteve të margjinalizuar që ndihen me të drejtë ose pa të drejtë ( në varësi të rastit ) të neglizhuar, të përjashtuar.

Këto pika pikëpjekjeje janë elemente thelbësore vlerash universale të cilat kanë qenë janë e do të jenë gjithmonë shpëtimi për çdo shoqëri. Belgjika ndër të tjera është e famshme në botë për çokollatat dhe larmirshmërinë e pafundme të birrave. Ndërsa po largohesha nga sheshi i Bursës, poshtë këmbëve të mia shkruhej në asfalt një slogan i thjeshtë shprese me ngjyrat e flamurit belg: “Çokollata, Birra dhe Dashuria mbeten ende më të mira se Bombat dhe Urrejtja!”

 

*Gazetar dhe student në nivelin master të Shkencave të Komunikimit në Universitetin belg, VUB (Vrije Universiteit Brussel )

Arlind Cara* March 23, 2016 00:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*