Brunilda Paskali: Partitë e mëdha t’u hapin dyert grave!

Ahmet Dursun June 20, 2013 08:36

Brunilda Paskali:  Partitë e mëdha t’u hapin dyert grave!

Ka ndjekur studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Universitetin e Tiranës, dhe ato Master në fushën e Diplomacisë, në Universitetin Norëich, USA. Prej vitit 2009, shefe e Katedrës Shkencore dhe Marrëdhënieve me Jashtë dhe pedagoge në Fakultetin e Psikologjisë të “Wisdom University”. Prej vitit 2007, Anëtare e Komitetit Drejtues Kombëtar dhe Anëtare e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Prej vitit 2012, Zv/ Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim (LGI) Tiranë. Aktualisht, kandidate për deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në Qarkun e Tiranës. 

 

Ndryshe prej shumë grave publike, ju jeni gjithnjë e qeshur. Unë vë re se edhe gratë në pushtet, nuk duken fort të mërzitura madje të qeshura, mos vallë mendojnë se e kanë të sigurt fitoren në 23 Qershor?

–          Jo, nuk mendoj se kjo vjen nga siguria që ato kanë për fitore. Kur je një figurë publike, duhet të transmetosh besim, qetësi, bindje nëpërmjet edhe të qeshurës, por duhen pyetur gratë e pushtetit nga ju buron kjo qetësi…

 

Gratë shqiptare, a janë të buta?

–          Aq sa të buta, po aq edhe të forta, kur duhet. Gruaja shqiptare është shumë fleksibël dhe ndryshon sipas kushteve.

 

Një qeveri kur sillet mirë me qytetarët e vet, kjo a i bën edhe gratë më të buta?

–          Jo nuk mendoj se ka lidhje shumë me qeverinë, pasi kemi qenë dhe jemi një shoqëri maskiliste, dhuna ndaj grave shpesh konsiderohet si trimëri, ndërkohë që respekti dhe dashuria ndaj grave duhet të ishte trimëria më e madhe. Unë jam për ashpërsinë e ligjit kundër dhunës, deri sa të kuptohet se gruaja dashurinë e kthen në forcë për burrin dhe shoqërinë.

 

Si të duket standarti i jetesës në Shqipëri?

–          Na mungojnë standartet, pasi shoqëria kalon nga ekstremi në ekstrem. Më e dhimbshmja është se nuk po arrijmë të ngrejmë standartet në arsim dhe pa standarte të mirë përcaktuara nuk bëhet fjalë për mirëqënie.

 

Si ndryshon një grua në kohë?

–          Ndryshon ashtu si vetë koha, ashtu si vetë jeta, sepse çdo ditë është ndryshe nga tjetra, na jep pjekuri, ndryshon mendësia, perceptimet… Po ashtu edhe paraqitja, veshja. Nëse sheh një foto të 10 viteve më parë çuditesh me veshjen, me pamjen tënde. Kur je student, je ndryshe, pastaj ndryshon kur fillon punën, kur martohesh, krijion familje. njeriu ndryshon pas çdo ngjarjeje të madhe.

 

Kur ekonomia e vendit shkon keq, a ndikon për keq te gruaja?

–          Ndikon drejtpërsëdrejti… Gruaja është shtresa më vulnerabël e shoqërisë. Në një krizë ekonomike, gruas nuk i shkon mendja të merret me veten e saj. Gruaja, para familjes, sakrifikon veten e saj në të gjitha drejtimet.

 

Largimi nga porti, a të duket një çast romantik?

–          Është mendoj, por këtë perceptim e kam nga filmat, leximet dhe nëpërmjet  imazheve që më krijohen në përshëndetjen e njerëzve që ua bëjnë me dorë njëri tjetrit. Por pasi kam parë filmin Titanik, sado romantik që është, nuk do të guxoja të udhëtoja me traget.

 

Bruna, po një grua ndërsa largohet prej një nga portet shqiptare, thotë “Lamtumirë demokraci”, apo “lamtumirë autokraci”?

–          Të jetosh jashtë vendit të bën më atdhetar, pasi largësia të bën më të ndjeshëm. Shpesh herë njerëzit largohen me dhimbje nga vendi. Është një dyzim mendoj, kur njerëzit jetojnë mes dy vendeve, është sikur shkul rrënjët për t’i mbjellë një vend tjetër.

 

Po ata që i rishkulin rrënjët dhe kthehen për t’i mbjellë përsëri në Shqipëri, çfarë i pret këtu, demokracia apo autokracia?

–          Si shoqëri, gati 100%, në marrëveshje e mbollëm pemën e demokracisë, dhe mua më pëlqen ky krahësim. Demokracia është një proçes, i cili pa kujdesin e secilit prej nesh, lehtësisht mund të kthehet në autokraci. Ligjet, zbatimi, zgjedhjet e lira e të ndershme, mos vjedhja, mos deformimi i votave, të vullnetit të lirë të votuesve është tregues se si po rritet kjo pemë. Presionet ndaj punonjësve për të votuar këtë pushtet, kërcënimet, manipulimet janë si të presësh degët e pemëve të asaj që quhet demokraci.

 

Sipas meje, shpesh prerja e degëve të asaj peme, është konsideruar si krasitje që duhet t’i bëhet pemës së demokracisë në çdo 4 vite?

–          Pikërisht, ne kësaj duam t’i themi mjaft dhe me koalicionin e majtë kërkojmë rotacionin për të ndryshuar këtë mendësi.

 

Mitingjet e mëdha, a janë një sinjal për ndërkombëtarët, për t’i thënë atyre shikoni se unë popullin e kam me vete?

–          Sot ndërkombëtarët i njohin mjaft mirë të vërtetat e politikës në vendin tonë. Nuk ka asnjë rëndësi t’u tregosh se mund të mbledhësh 20 mijë njerëz në shesh. Ata presin të tregosh se çfarë ti di të bësh edhe për ata që nuk të mbështetin, pra për ata që nuk të kanë votuar ty.

 

Kur gjithçka bëhet kaq shumë konfliktuale, pse partitë politike mos ta ndajnë vendin në dy pjesë dhe secili të marrë atë që mendon se u takon dhe ne të rrimë të qetë?

–          Edhe kur ndahen prindërit, nuk ndahet fëmija në mes, edhe puna e vendit është e tillë. Natyrisht kjo pyetje është një pyetje provokuese…

 

Natyrisht ishte një pyetje provokuese, por dua ta di se si mundet ju gratë e LSI ta ndani fëmijën 50 me 50 dhe shumë parti ende nuk e kanë arritur 30% që e parashikon edhe ligji?

–          Nuk ka qenë aspak e lehtë, në veçanti në politikë gruaja është e papërfaqësuar për atë çka ajo përfaqëson në shoqëri. LSI ia doli ta bëjë atë çka i takon ta bëjë çdo parti politike dhe kjo u arrit nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, sepse grave iu njoh merita dhe nuk iu dhurua mundësia.

 

Sot thuhet se ka rreth 3.5 milion shqiptar, me statistika. Dua ta di, në të vërtetë a mund të quhen vërtet qytetarë shqiptarë gjithë këta, kur nuk marrin përgjegjësitë që u takojnë apo janë veç në numra?

–          Unë nuk mendoj kështu, pasi çdo kush në fushën e vet merr përgjegjësi aq sa mundet. Zgjedhjet në një vend demokratik prandaj janë, pasi një grup njerëzish u besojne njerëzve që t’i përfaqësojnë ata. Ai që zgjidhet, duhet të transmetojë sa më mirë zërin e njerëzve që e kanë zgjedhur atë, të nevojave dhe të pritshmërisë tyre.

 

Ndërsa sot, gratë në Shqipëri janë 50% dhe ligji kërkon të kenë përfaqësim të paktën 30%, kjo a do të thotë se edhe vet ligji 20% të grave nuk i vë në numër? Kjo, a nuk është shqetësuese?

–          Po, absolutisht që po. Sot politika në vend është maskiliste, por edhe kjo arritje është një diskriminim pozitiv, pasi nuk ishte e lehtë. Më e mira duhet të ishte 50% siç e kemi ne në LSI, por është një proçes siç e thashë më parë që nuk duhet rreshtur së punuari.

 

Cila është mënyra më e mirë që edhe partitë e tjera të arrijnë këtë?

–          Së pari, dy partitë e mëdha, duhet ta fillojnë dhe të bëhen shembull edhe për të tjerat. Partitë politike quhen ndryshe ruajtes të portave të demokracisë, dhe ato ose i hapin dyert, ose i mbyllin në përfshirjen e më shumë grave. Bëjnë mirë t’I hapin dyert grave.

 

 

 

 

Ahmet Dursun June 20, 2013 08:36
Komento

2 Komente

  1. elio June 21, 09:39

    Dmth ky ylli nuk ka bere asnje universitet (pervec atij te gjuheve te huaja..nese mund te quhet universitet) e me tej ka bere ndonje master te dyshimte nga amerika…per shkenca politike dhe eshte shefe e katedres se psikologjise…si i thone, njeriu i duhur ne vendin e duhur…eshte njelloj si ti thuash atyre gjynahqareve qe mbledhin plehra jeni inxhinjere ambienti……………………………….

    Reply to this comment
  2. Arturi June 21, 20:20

    Dakord me Elion, yll fare, po me mire te mos flase fare. Kur lexova qe thote se grate shqiptare jane fleksibel e ndryshojne sipas kushteve, apo pasi ka pare Titanikun s do udhetonte me traget, thashe se qenka nje bibe kjo, bionde e vertete.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*