BSH: Përkeqësohen financat e familjeve, 30 për qind në borxhe

May 1, 2015 12:53

BSH: Përkeqësohen financat e familjeve, 30 për qind në borxhe

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë deklaruar dje gjatë prezantimit të Raportit të Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dyte të vitit 2014 se sistemi financiar në vend vijon të jetë i qëndrueshëm. Megjithatë, ata shtuan se niveli i lartë i kredive me probleme është shqetësues.

Ky raport vëren gjithashtu një problem të rëndësishëm, përkeqësimin e gjendjes financiare të familjeve në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Ekspertët e bankës, sqaruan se vrojtimi është kryer në një kampion prej 1200 familjesh, të shpërndara në të gjithë vendin, nga të cilat janë përgjigjur 88%, ose rreth 1060 familje.

Sipas vrojtimit, në 58% të rasteve, shkaku i përkeqësimit të buxheteve familjare ishte rënia e të ardhurave, ndërsa në 40% të tyre “rritja e shpenzimeve të jetesës”.

Banka vëren se rënia e të ardhurave lidhet me zhvillimet në tregun e punës, ku numri i anëtarëve që sigurojnë të ardhura për familjet, ra me 5.5% krahasuar me një vit më parë. Kjo, sipas vrojtimit, ka ardhur nga një tkurrje e numrit të të punësuarve në të gjithë sektorët, por më e theksuar rënia ka qenë në sektorin privat.

Përtej gjendjes ekzistuese, Banka e Shqipërisë i ka pyetur familjet edhe mbi pritshmëritë e tyre për të ardhmen. Sipas rezultatit, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rreth 84% e familjeve shprehen se nuk presin asnjë ndryshim të gjendjes financiare, ndërsa balanca neto e atyre që presin rënie ka rezultuar minus 10%, çka sipas Bankës, nënkupton pritshmëri në rënie.

May 1, 2015 12:53
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*