BSH, skenar rezervë për uljen e kredive me probleme

September 27, 2016 17:48

BSH, skenar rezervë për uljen e kredive me probleme

Banka e Shqipërisë, prej kohësh ka vënë në zbatim një plan veprimi për uljen e kredive me probleme të cilat i janë kthyer sërish rritjes në  21.2% në fund të korrikut, pas një ulje nën 18.6% në mbarim të vitit 2015.

Mirëpo plani aktual që po zbatohet në bashkëpunim me qeverinë rrezikon të përfshihet në ngërç, nëse miratimi i ligjit të falimentit vijon të zvarritet edhe më tej. Ky projektligj që ka më shumë se dy vite që është hartuar edhe me asistencën e Bankës Botërore, ka mbetur në sirtarët e Kuvendit.

Mosmiratimi e tij krijon vonesa në avancimin e trajtimit të 35 kredimarrëseve të mëdhenj. Ligji i ri do të mund të zgjidhë ngërçin në këto biznese, duke i çuar gjysmën e tyre në faliment të sigurt dhe pjesën tjetër në strukturim.

Ekspertët në Bankën e Shqipërisë bënë me dije se banka ka gati një plan masash shtesë në rast të dështimit të ligjit të falimentit. Duke e mbajtur konfidencial planin e ri të masave, të njëjtët ekspertë thanë se ato do të diskutohen me qeverinë dhe më pas do të jenë të njohura edhe me publikun.

Qysh vitin e kaluar, të gjitha bankat kanë marrë një plan veprimi të hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria që i udhëzon ato, që jo më vonë se tetori i vitit 2015, të fillonin të analizonin bashkërisht bilancet e 35 grupeve të mëdha të biznesit që kanë 65% të totalit të kredive të këqija. Por vonesat në miratimin e ligjit të falimentit kanë krijuar ngërç.

Ministria e Ekonomisë, që është në rolin e koordinatorit për zbatimin e planit, në krye të 13 masave ka vënë miratimin në Kuvend të projektligjit të ri të falimentit, me anë të të cilit më pas do të nisë trajtimi i 35 korporatave, i cili ende nuk ka shkuar ne seance plenare.

September 27, 2016 17:48
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*