Bujar Spahiu: Objektivat e mia në krye të KMSH dhe mesazhi për politikën

May 9, 2019 09:32

Bujar Spahiu: Objektivat e mia në krye të KMSH dhe mesazhi për politikën

Entela Resuli

Prej dy muajsh Komunitetit Mysliman ka një kryetar të ri. Ai është Bujar Spahiu. Dhjetë vitet e fundit ai ka mbajtur postin e nënkryetarit të KMSH-së.

Spahiu fitoi të drejtën të kryesoi këtë institucion me 59 vota kundrejt 26 votave të Ylli Gurrës dhe 2 votave të Gramoz Bllikut.

Të qenit  në krye të këtij posti e konsideron më tepër si përgjegjësi se sa një karrige të lakmuar prej vitesh.

Por duket se gjerat kanë ardhur gradualisht për Spahiun.

Ai është lindur dhe rritur në një familje  me tradita të konsoliduar fetare dhe ka përfunduar studimet për teologji në universitetin e “Ez’herit” në Egjipt duke u specializuar në “tefsir” (komentim-interpretim Kurani).

Ndërkohë Spahiu pranon se një nga problemet më të mëdha të Komunitetit Mysliman sot janë pronat. Të cila vazhdojnë të jenë një çështje e pazgjidhur në vendin tonë.

Në këtë intervistë në “Dita” ai tregon gjithashtu se ka marr fund informaliteti i xhamive në vendin tonë.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë numëron rreth 800 xhami në të gjithë territorin e Shqipërisë Fenomeni i xhamive jashtë juridiksionit të institucionit ka qenë i lidhur ngushtë edhe me fenomenin e informalitetit dhe ilegalitetit në ndërtime, financime dhe sponsorizime. Me legalizimin e objekteve, si dhe me kontrollin dhe transparencën në financime dhe sponsorizime, ky fenomen është zhdukur pothuajse krejtësisht”- shprehet Spahiu. Më poshtë intervista e tij në Dita.

 

-Z. Spahiu, para dy muajsh ju jeni zgjedhur Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. E keni dëshiruar më herët këtë post?

Fillimisht më lejoni të them që të qenit Kryetar i Komunitetit Mysliman është një përgjegjësi e madhe dhe unë e ndjej peshën dhe përgjegjësinë e këtij pozicioni, i cili në fakt nuk është një post për t’u lakmuar.

-Cili ishte vendimi i parë që morët në krye të KMSH-së?

Në institucionin tonë vendimet e rëndësishme merren nga Kryesia e KMSH në mënyrë kolegjiale. Nuk ka patur diçka shumë të veçantë. Vendimet e para kanë qenë çështje që kanë të bëjnë me përditshmërinë e punëve rutinë.

-Si e shikoni punën e paraardhësit tuaj në krye të KMSH-së?

Të suksesshme në shumë aspekte, por më kryesore mbetet rëndësia e veçantë që Ish Kryetari Bruçaj i kushtoi digjitalizimit të arkivës së komunitetit. Nisur nga kjo u bë e mundur që gjatë mandatit të tij 5 vjeçar të identifikoheshin shumë prona të cilat ishin në pronësi të komunitetit para diktaturës komuniste. Dhe rrjedhimisht filloi puna për rimarrjen e tyre. Nuk mund të lë pa përmendur edhe projektin madhështor të kompleksit të Namazgjasë e cila filloi në fillim të mandatit të Kryetarit Bruçaj dhe shpresojmë të përfundojë brenda këtij viti.

-Z. Spahiu, na tregoni diçka më tepër për shkollimin tuaj, si u bëtë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë drejt Turqisë në vitin 1992?

Me rënien e komunizmit komuniteti mysliman filloi riformimin e tij dhe nën drejtimin e kryetarit të atëhershëm H. Sabrit Koçit u intensifikuan marrëdhëniet me vendet arabe dhe Turqinë. Nisur nga nevoja e madhe për kuadro të mirëformuar në shkencat Islame, në vitin 1992 Komuniteti Mysliman nisi drejt Turqisë kontingjentin e parë të studentëve të cilët do të ndiqnin studimet në medrese të ndryshme, ndër ta edhe unë. Kështu, 4 vite më vonë, në vitin 1996 unë përfundova me sukses Medresenë Bejkoz në Stamboll. Më pas shkova në Kajro të Egjiptit ku vazhdova studimet universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Ez-herit.

-Besimi ka qenë traditë në familjen tuaj?

Ashtu siç ndodh në pjesën më të madhe të rasteve, janë pikërisht prindërit ata të cilët më injektuan ndjenjat e besimit tek Zoti i gjithësisë. Nisur nga kjo familja më mundësoi informacionet e para mbi fenë Islame, për të vijuar më tej me kurse të Kuranit, gjuhës arabe etj, e për ta mbyllur me studimet teologjike universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Ez’herit në Egjipt në vitin 2003 në fushën e Tefsirit ose siç njihet ndryshe, interpretimi i Kuranit.

-Çfarë të ka mësuar familja ne lidhje me fenë dhe çfarë të ka mësuar shkolla?

Normalisht që dija e marrë nga familja dhe shkolla ndryshojnë shumë. E para ka të bëjë me informacione bazike mbi fenë e gërshetuar edhe me kulturën e vendit, ndërsa shkolla nga ana tjetër të mundëson zhvillimin profesional dhe akademik të larmishmërisë së fesë. Gjëja më e rëndësishme që më ka mësuar familja është që fillimisht duhet të bëhesh një njeri i mirë e pastaj mund të bëhesh një fetar i mirë apo profesionist i mirë në çfarëdo lloj fushe.

-Z. Spahiu a ka një inventar se sa xhami ka në Shqipëri dhe a janë të kontrolluara ato nga KMSH?

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë numëron rreth 800 xhami në të gjithë territorin e Shqipërisë. Fenomeni i xhamive jashtë juridiksionit të institucionit ka qenë i lidhur ngushtë edhe me fenomenin e informalitetit dhe ilegalitetit në ndërtime, financime dhe sponsorizime. Me legalizimin e objekteve, si dhe me kontrollin dhe transparencën në financime dhe sponsorizime, ky fenomen është zhdukur pothuajse krejtësisht.

-A ka ndasi dhe rryma brenda komunitetit mysliman, si do t’i menaxhoni?

Sipas statutit të KMSH-së dhe ligjit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është organizim i personave besimtarë myslimanë që shfaqin, shprehin dhe ushtrojnë bindjet, parimet dhe praktikat fetare të përcaktuara në burimet e dispozitave islame. Kjo është ajo që na bashkon të gjithëve. Nga ana tjetër, secili mund të ketë bindjet apo interpretimet e tij në lidhje me çështje të ndryshme. Ne fokusohemi tek gjërat që na bashkojnë e jo tek ata që na ndajnë.

-A ka rol Turqia në organizimin e KMSH-së?

Turqia është një vend me të cilin kemi pasur bashkëpunime të ndryshme qoftë në ndërtimin apo restaurimin e xhamive, në organizimin e fushatave të ndihmave etj, por asnjëherë nuk ka ndikuar në politikat e brendshme të institucionit, të cilat kanë qenë gjithmonë konform ligjeve, traditës dhe kulturës së vendit tonë.

-Zoti Spahiu, shpeshherë është folur se Shqipëria ndër vlerat më të mira që ka është toleranca fetare dhe bashkëjetesa mes komuniteteve të ndryshme. E shikoni dhe ju këtë cilësi si reale apo keni një mendim tjetër?

E parë në kontekstin historik, prijësit fetarë shqiptarë kanë bashkëpunuar vazhdimisht në çështje të përbashkëta të shtetit, duke i dhënë besimtarëve një model harmonie dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme për tu ndjekur në të mirë të shoqërisë sonë. Ky model është ndjekur dhe trashëguar brez pas brezi deri në ditët e sotme, ku në vitin 2007 ne si komunitete fetare kemi themeluar Këshillin Ndërfetar Shqiptar. Ky këshill ka në mision në tijin ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të tolerancës fetare në vend.

-A përfshihet politika në punët e fesë?

Pavarësia jonë institucionale është e garantuar me ligj. Politika nuk ka qenë asnjëherë faktor në mbarëvajtjen e punëve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Komuniteti, ashtu si çdo institucion tjetër fetar në vend, ka pavarësinë e tij institucionale në vendimmarrje, administrim dhe organizimin e brendshëm. Natyrisht që do të ketë bashkëpunime me çdo faktor të jetës politike dhe social-ekonomike të vendit duke e respektuar secilin në pozicionin e vet.

-Cili është problemi më i madh që kanë Komuniteti Mysliman në Shqipëri?

Problemi më madhor i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ndër vite kanë qenë pronat e sekuestruara nga shteti gjatë diktaturës komuniste. Moskthimi dhe tjetërsimi i tyre ka krijuar një hendek të madh në pavarësinë ekonomike të institucionit dhe është shoqëruar me problematika të ndryshme ndër vite, siç janë mungesa e investimeve në rrethe, vështirësi në investime nëpër shkolla dhe institucionet në varësi të KMSH-së si dhe në pagesat e personelit.

-Z. Spahiu a janë shpesh myslimanët e keqkuptuar në lidhje me ritet e tyre?

Duke jetuar mbi  40 vjet në regjimin komunist, regjim i cili ndaloi predikimin e fesë, shqiptarët e humbën identitetin e tyre fetar. Kjo bëri që edhe brezat që u rritën gjatë këtyre viteve të kenë një mungesë formimi të theksuar në praktikimin e besimit. Gjë kjo që ka çuar në keqkuptimin e shumë koncepteve apo praktikave të besimit. Ne si institucion jemi në përpjekje të vazhdueshme për t’u treguar njerëzve Islamin e vërtete dhe burimor. Myslimanët shqiptar sot janë krenar për besimin e tyre dhe nuk hezitojnë ta shfaqin atë publikisht në asnjë rast. Islami është një fe tradicionale në Shqipëri dhe pjesë integrale e trashëgimisë tonë kombëtare.

-Cili është keqkuptimi më i madh që kanë të tjerët për ta?

Burimi kryesor i keqkuptimit është injoranca dhe mungesa e informacionit. Kjo mbase ka nxitur edhe disa ndjenja islamofobie, sikurse të qenit mysliman në shumicë do na mbante larg perëndimit të krishter. A thua se si Krishtërimi dhe Islami nuk e kanë burimin nga e njëjta gjeografi! Ka patur keqkuptime në lidhje me terminologjinë fetare, të cilën nganjëherë e hasim edhe në media, si dhe me mungesën e informacionit mbi praktikat fetare islame.

-Po bashkëshortja juaj është myslimane? Keni ju një histori interesante në lidhje me njohjen me të?

Bashkëshortja ime është një besimtare myslimane e devotshme, e cila është lidhur me besimin që herët dhe ka një traditë të pasur familjare. Unë i jam mirënjohës sepse ajo ka qenë mbështetësja ime më e madhe gjatë gjithë punës time.

-Po fëmijët tuaj sa të lidhur janë pas fesë?

Unë kam dy fëmijë, një djalë 7 vjeç dhe një vajzë 6-muajshe. Kuptohet që nga mosha janë ende të vegjël për të pasur një lidhje të tyren të mirëformuar me besimin fetar. Por, me kalimin e viteve është detyra e jona, e prindërve të tyre për tu zgjuar atyre ndjenjat e besimit në Zot.

-Z. Spahiu jemi në Muajin e Ramazanit, a keni një mesazh për të dhënë?

Ramazani është një ftesë hyjnore e përvitshme drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë. Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti i duhur t’i kërkojmë Zotit falje. Lus Allahun të na i pranojë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, ky muaj na sjelltë begati, mirësi, paqe në familjet tona, dhe në mbarë shoqërinë.

 

 

May 9, 2019 09:32
Komento

1 Koment

  1. Fdet May 9, 15:10

    Ik or zhduku islamist nuk eshte feja e shqiptareve na e prune te tjeret

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim