Bukuria e Dashurisë…

Feride Papleka February 14, 2013 23:59

Bukuria e Dashurisë…

Në çdo pasion ka një pikë  ngimjeje që është e llahtarshme. Kur arrin kjo pikë, e kuptojmë papritur se duke qenë të pafuqishëm për ta ndryshuar, e shtojmë edhe më tepër fatkeqësinë që po na ndodh. Ka edhe raste që duke qenë të paaftë për ta përjetësuar dashurinë, e lëmë fare të arratiset e pastaj të vdesë.  Ka një rregull të pashkruar: ose dashuria do të lindë nga pasioni, ose nuk do të lindë kurrë. Dashurojmë vetëm njëherë në mënyrë të fuqishme në jetë. Dhe këtë të vetmen herë që dashurojmë nuk e dimë saktë, sepse e zbulojmë dita-ditës.

Të kalosh nga pasioni në dashuri është një sfidë e madhe, një gjykim hyjnor. Ata që dashurohen kuptohen menjëherë nga vështrimet. Ajo kohë është tjetër kohë. Pasioni dashuror dhe guximi i shtrëngimeve mund të jenë të ndara.

Por ç’është dashuria në të vërtetë? Të dashuruarit, dashnorët, të martuarit nuk simbolizojnë të njëjtat qenie njerëore. Dashuria, dihet që i kundërvihet seksualitetit dhe martesës tradicionale.

Në legjendat e vjetra dashuria shfaqet me tri tipare: si një binjakëzim i pakuptueshëm (dy të huaj zbulojnë një mirëkuptim thuajse të çuditshëm), dashuri e fuqishme, ajo që quhet coup de foudre (magjepsje e menjëhershme, e papritur, pa ndërmjetësi) dhe vdekje e vullnetshme ose vrasje ose krim i rrëmbyer.

Të dashuruarit janë të shkëputur nga bota dhe duan të jetojnë si një mbetje fisnore e humbur në kohë. Më tepër se në hapësirë, të dashuruarit duan të jenë të hutuar në kohë, nga dashuria që kanë. Dashuria dhe mendimi për të janë të lidhura me sekretin. Sekreti është më i hershëm se njeriu. Ligjërimi e largon dashurinë, ashtu si seksualiteti  që e pengon ligjërimin. Dashuria eshtë një lidhje e pamëshirshme. Asgjë tjetër nuk e qetëson apo e plotëson këtë ndjenjë. Asnjë paqe nuk pret ajo.

Nuk është komunikimi që arratiset, dhe as pështjellimi që riurdhëron. Në botë rregulli dhe ndërprerja e tij formojnë një të tërë. Jemi ne që nuk i qëndrojmë besnikë dashurisë. Ne i mbushim fillimisht plasat apo të çarat, i mbyllim fort ato dhe pastaj harrojmë. Prandaj ikja e dashurisë i kërcënon gjithnjë vdekëtarët e kësaj bote.

Kur dy dashnorë ndahen ata e dëshirojnë njëri-tjetrin më shumë se kurrë. Burri apo gruaja që heqin dorë nga dëshira, gëlltisin braktisjen e vet. Nuk ka vërtet ndarje në dashuri. Dashuria, lidhja e çuditshme me të cilën dy ndjeshmëri janë prekur fort, mbijeton pas ndarjeve, madje edhe pas zive të vdekjeve.

Në të njëjtën mënyrë që i dashuruari bie në dashuri me të dashuruarën e vet, dashuria vjennga magjepsja pas tjetrit. Prandaj thuhet se ka një vështrim të cilit nuk i reziston dot.

Në atë që Stendhal donte ta quante kristalizim kuptonte një proces që shtangte trupin në vend dhe pushtonte shpirtin e mahnitur. Dashuria është si një ethe e së shkuarës. Në dashuri, është tërë e shkuara që përgjon. Intimiteti doemos është shumë i pranishëm në dashuritë e fuqishme. Dashuria i shuan menjëherë të gjitha dëshirat e tjera. Ajo shkon kundër interesave t\ vogla. Në dashuri përshtypja se ke njohur dhe jetuar tashmë atë që jeton është një ndijim i saktë që e pohojnë shumë të dashuruar.

Të dashuruarit, dashnorët, më tepër se çdo shenjë janë subjekt i simboleve. Ata besojnë në elementet e një ligjërimi që s’mund të rrëfehet, që është i stërveçantë. Ata njohin një emër parasocial, të mezidëgjueshëm, prandaj do të duhej të transformoheshin në këtë emër të përveçëm të padëgjuar.

Në dashuri seksualiteti nuk mendohet që në krye të herës. Ai nuk është gjëja e parë, as funksional dhe as i mësuar si në martesën tradicionale. Dashuria është një dhuratë e pamëshirshme, sepse asgjë nuk t\ ngushëllon nga humbja e saj. Dashuria është e lidhur me diçka që tretet, me humbjen. Ajo është një dhimbje nga më të fortat që eziston.

Por ç’është dashuria në raste t\ tilla? Mund t’i gjejmë nga kjo pikë një përcaktim negativ dashurisë. Dashuria është diçka që të lë të pangushëlluar, ajo është e pafundme në ndryshim me seksualitetin dhe martesën që janë të fundme.

Me dashurinë asgjë nuk mund të barazohet në vlerë. Në dashuritë e vërteta banon një gjë më e lashtë se koha kur ajo lulëzon. Të dashurosh do të thotë të varesh nga një tjetër, të vuash nëse tjetri vuan, të vdesësh nëse tjetri vdes.

Dashuria nuk është një pasion i vullnetshëm. Lidhja dashurore nuk është thjesht lidhje, ajo është shkrirje, ose më tepër një drogë (një filtër). Dashuria që kalon përmes filtrit është përshkruar shumë bukur në legjendën e Tristanit dhe Izoltës dhe që në përshkrimet më të reja. e ka humbur bukurinë fillestare. Pra, në legjendën e moçme dashuria quhet një forcë shumë më e patundur se ajo që ekziston brenda trupit dhe që ndihet si identiet vetjak. Ajo është e mbërritshme përmes forcës së shpirtit që është më e madhe se vullneti.

Zeami Motokiyo që në vitet e para të shekullit XV ka shpikur një instrument  muzike, të përshtatshëm për dashurinë. Eshtë fjala  për një tambur, daulle e vogël që nuk ka përfund mbulesë prej lëkure, por prej mëndafshi. Ai është instrument i heshtjes. Tamburi varet në degët e një dafine antike në kopshtin e pallatit mbretëror të Kyotos. Pema me kalimin e kohës është rritur shumë. Princesha pohon që nëse do vëret, sa ta prekësh tamburin, nga mëndafshi shpërndahet një tingull që rrokulliset nëpër gjethe.

 

*  *  *

Tetë janë pasojat e dashurisë. Dashuria nxit zemrën, shuan dhimbjet, largon vdekjen, zhbën lidhjet e tepërta që nuk i përkasin, zgjat ditën, shkurton natën, e bën shpirtin guximtar, shkëlqen diellin. Të tilla janë tetë efektet e dashurisë-pasion.

Dashuria është armik madje edhe i luftës. Ajo është një lidhje ndërnjerëzore në të cilën shoqëria nuk është pjesëmarrëse. Dashuria është mendimi i brendshëm , i thellë, ajo është një lidhje antisociale.

Kinezët e lashtë, nëse i krahasojmë me grekët e vjetër, e ridyfishonin efektin simbolik të dashurisë, duke folur për bashkimin e dy copëzave të një pasqyre të thyer.

Qortimi kryesor që Heloiza në shekullin XII i drejton ish të dashurit të saj, ka të bëjë me dashurinë të menduar si ndihmëse në martesë.”Ti i kupton arsyet që më kanë shtyrë ta vija dashurinë në mënyrë të qartë mbi martesën që kryem e që im ungj na detyroi, pastaj të dhunoi ty. Këto arsye më kishin bërë të pëlqeja  lirinë (libertatem) në vend të hallkës (vinculo)”. Heloiza dëshiron të mos jetë e detyruar përsa i përket trupit të saj dhe as e varur shpirtërisht.

Asnjë dashuri  mbi tokë nuk është e lexueshme. Dashuria në çdo moshë që të ndodhë është së pari dhimbje. Circe e përkufizon dashurinë si pohimin e të papohueshmes. Dashuria mbahet si sakrifica e druajtjes, si sakrifica e integritetit trupor. Një poezi, mes më të vjetrave që është dëgjuar nga goja e një burri në këtë botë, e thurur në gjuhën sumere, e krahason marrëdhënien seksuale njerëzore me furinë që rrëmben të mbyturin kur vark\n e ka rrëmbyer stuhia.

Melankolia e përgjon çdo çast dashurinë, prandaj është e vështirë të jesh i lumtur. Thonë se lumturia i ngjan rrjetës së  merimangës që xix\llon në vesë, e në të cilat kapet edhe drita më e vogël në agim. Por rrjetat e merimangës janë kurthe për vdekje ku shtyhen mizat e vogla.

Dashuria është komunikimi i fuqishëm i dy qenieve me shpirt, kuptim dhe trup. Dashuria, pavetëdija, veprimet e pamenduara, marrëzia, vazhdimi, ëndrrat janë e njëjta gjë. Dashuria në fund të fundit është një lamtumirë për botën.

Kënaqësia për t’u bërë një dyshe e pandarë, e padukshme, e padënueshme, është një nga tiparet më të bukura të dashurisë. Nëse dashuria simbolizon jetën, ai që dashuron për herë të parë është i mbyllur për çdo lloj mirëbesimi. Të dashurosh do të thotë të parashikosh tjetrin. Dashuria është besimi sipas të cilit forma e ligjërimit dhe forma e seksualietit përzihen.

Kur dy njerëz dashurohen, zakonisht thuhet: ata shkojnë bashkë. Të lexosh, të dashurosh, të mendosh janë të krahasueshme me njëra-tjetrën.    Asgjë nuk mund të krahasohet me bukurinë e trupave të gruas dhe të burrit që kuptojnë se janë dashur më përpara se të ndodheshin ballë për ballë. Meditimi më i thellë dhe më i jashtëzakonshëm që ka Stendhal për dashurinë, ka të bëjë me bukurinë e dashurisë. Dashuria është e bukur. Ata që dashurohen janë të bukur. Ata duket sikur ecin mbi re, sytë u shkëlqejnë, trupat iu binden ndjenjave.

Dashuria dhe vdekja janë e njëjta gjë. Eros et Thanatos. Dashuria e vërtetë kërkon që të përmbushet edhe pas vdekjes.

Pjesë të shkëputura nga libri i pabotuar Jetë sekrete

Përktheu Feride Papleka

 

*Shënim: Këtë libër kam filluar ta përkthej që më 1998 kur pas disa vjetësh e papunë, ngaqë e djathta më pati konsideruar të njollosur politikisht me të majtën (edhe pse me dy diploma: letërsi dhe gazetari si dhe me dy gjuhë të huaja, njërën të mbrojtur në fakultet), dola si e tillë edhe nga e majta kur kisha nisur zëdhënëse shtypi në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Eshtë disi paradoksale si shumë gjëra të tjera te ne, por në atë kohë erdhi ministër Bashkim Fino dhe mori zëdhënëse shtypi zonjën Mesila Doda, sot deputete e PD-së. Me sa di ajo nuk botoi ndonjë artikull, ndërkohë që unë edhe pse kisha vetën dy muaj në atë vend pune, kisha botuar disa shkrime që lidheshin me detyrat e pushtetit lokal. Më vonë një miku im socialist e ka pyetur Finon për mua dhe ai është përgjigjur se kisha punuar në bibliotekën e Gjykatës së Apelit. Punësimi im në bibliotekë pati qenë ngjarje në familje, sepse në atë kohë edhe bashkëshorti im ishte i papunë. Por, fakti që unë u konsiderova e njollosur politikisht edhe nga e majta, më ka çuditur shumë. Thuaj, pastaj se Fino, i udhëzuar sigurisht nga Fatos Nano,  nuk e zbatoi ashtu si duhet ligjin famëkeq të luftës së klasave. Megjithatë këtë libër të magjishëm nuk ma ndaluan dot. F.Papleka

Feride Papleka February 14, 2013 23:59
Komento

1 Koment

  1. Alb February 14, 22:01

    Kjo eshte kostoja qe paguajne ne Shqiperi njerez me intelekt dhe me integritet

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*