Bullgaria i ngul dhëmbët në tregun e vampirëve

July 12, 2016 12:36

Bullgaria i ngul dhëmbët në tregun e vampirëve

Kur njerëzit mendojnë për vampirë, ata mendojnë për rumunin Vlad “Ngulësi”, i njohur si Konti Drakula sipas romanit të Bram Stoker.

Megjithëse nuk ka lidhje reale midis princit rumun të shekullit 15 dhe gjak-thithësit të trilluar me famë botërore, dhjetëra mijëra turistë vërshojnë çdo vit në Kështjellën Bran në Transilvani për të parë atë që e imagjinojnë si shtëpinë e frikshme të Drakulës.

Tani Bullgaria do një pjesë të lojës, gjithashtu dhe po investon në disa përpjekje serioze për të promovuar turizmin e vet të vampirit.

Në fund të qeshorit, ministrja e turizmit, Nikolina Angelkova, premtoi një fushatë për të popullarizuar zonën arkeologjike të qytetit të lashtë rumun Deultum, pranë qytetit juglindor të Sredets, ndërsa “i kushtohet vëmendje e veçantë vampirëve”.

Me “vampirë”, ministrja nënkuptoi skeletët e 17 të rinjve, të gjetur nga arkeologët në 2004-2005 dhe të cilët sipas një praktike të lashtë pagane të shekullit 4 pas erës sonë e kishin trupin të gozhduar pas arkivolit.

Disa shkencëtarë besojnë se rituali synon të parandalojë të vdekurit nga dalja prej varrit, si në stilin e vampirit.

“Ne të gjithë e dimë interesin ndërkombëtar në gjetje të tilla. Me përpjekje të përbashkëta, mund të popullarizojmë ato që kemi gjetur”, tha më 26 qershor Angelkova.

Së bashku me kryetarin e Komunës së Sredets, Ivan Zhabov, ajo diskutoi idenë për të ekspozuar eshtrat e “funeralit më të madh në botë të vampirëve” në një sarkofag të madh qelqi.

Në fund të vitit të kaluar, Zhabov paraqiti një projekt që shkonte në rretg 3 milion leva [rreth 1,5 milionë euro] për të rindërtuar qytetin e lashtë të Deultum, duke shpresuar se kjo mund të joshte deri në 10.000 vizitorë të rinj në vit për rajonin.

I ndodhur 30 kilometra nga bregdeti i Detit të Zi, qytet i vogël me vetëm 9.000 banorë shpreson të bëhet një destinacion popullor për turizmin kulturor dhe historik.

Sredets nuk është i vetmi qyteti bullgar që po bën përpjekje për të rritur vlerësimin në sytë e turistëve duke tërhequr fansat e vampirëve.

Qyteti antik bregdetar Sozopol rrëmbeu vëmendje ndërkombëtare në vitin 2012, kur drejtori i muzeut kombëtar të historisë së Bullgarisë, Bozhidar Dimitrov, njoftoi se ishte gjetur “një vampir” në gërmimet aty pranë.

Gjatë ditëve në vijim, media nga e gjithë bota u dynd në Sozopol për të parë skeletin 700-vjeçar të një njeriu të therur me zemër me një hu hekuri – ashtu si në tregimet me vampirë.

Dimitrov megjithatë, nuk është aq i impresionuar me gjetjen e tij, të cilën ai e quan një “ngjarje të zakonshme”, edhe pse pranon: “Mori vëmendjen e më shumë mediave se rënia e regjimit të Todor Zhivkovit [diktatorit komunist të Bullgarisë].

Ai shpjegon se gjendja e eshtrave të gërmuara reflekton një zakon popullor pagan të bullgarëve të lashtë, nga periudha përpara se Bullgaria të pranonte krishterimin në vitin 864 pas erës sonë.

Në atë kohë, thotë ai, njerëzit besonin se shpirtrat e njerëzve të këqij qëndronin në trupat e tyre edhe pas vdekjes dhe bëheshin vampirë në mbrëmje. Për ta parandaluar këtë, njerëzit i goditnin kufomat me një thikë të mprehtë.

“Njerëzit e këqija kanë ekzistuar gjithmonë dhe të tjerët janë përpjekur t’i kundërvihen . Kjo nuk do të thotë se vampirët kanë ekzistuar, por vetëm që njerëzit besonin në ekzistencën e tyre”, tha Dimitrov për BIRN.

Megjithatë, ai thotë se njerëzit u çmendën pas vampirit të Sozopol dhe çdo ditë 15 deri në 20 autobusë të mbushur me turistë të huaj mbërrijnë në qytetin e vogël për të parë skeletin e tmerrshëm.

Për të përfituar nga potencialet turistike të vampirëve, në vitin 2013, Kryetari i Bashkisë së Sozopol, Panajot Reyzi, vizitoi qytetin Sigishoara të Transilvanisë, që besohet të jetë vendlindja e Vlad Ngulësit – Drakulës. Ai njoftoi plane për binjakëzim të dy qyteteve me qëllim të krijimit të një “gjurme të përbashkët vampiri” për turistët.

Disa ekspertë hezitoj në të shohin me pozitivizëm zhvillimin e Bullgarisë si vend vampirësh.

“Gjithmonë kam thënë se kam rezerva ndaj temave të tilla me vampirë” tha Krasimira Kostova, drejtore e muzeut të historisë në Sredets, për Radion Kombëtare Bullgare.

“Theksi kryesor në Bullgari duhet të jetë në trashëgiminë e madhe kulturore, si pikën e takimit të kulturave të ndryshme nga trakët, te grekët e lashtë dhe romakët”, shtoi ajo.

Bozhidar Dimitrov gjithashtu thotë se i trembet më shumë gjakpirësve modernë të ulur në parlament, se sa vampirëve të stilit të vjetër me pelerinë të kuqe.

“Vampirët ekzistojnë, por ata janë në parlament, në qeveri,” qeshi ai.

Ndërkohë kreu i muzeut të historisë kombëtare mbështet plotësisht nismën e Angelkovës për t’i bërë “Vampirët” e Bullgarisë më popullor ndërkombëtarisht.

“Ne duhet të përdorim çdo mundësi për të fituar para. Bota është plot legjenda të tilla të cilat nuk kanë asnjë bazë historike”, përfundoi ai./BIRN

July 12, 2016 12:36
Komento

1 Koment

  1. faja July 13, 11:52

    Perkthim me besnik se sa “Vlad ngulesi”, do ishte “Vlad hunjëzuesi”, pasi ajo qe bente Vladi me kundershtaret e tij ishte: i shponte tejpertej vertikalisht ne nje hu, si ne hell, dhe pastaj i ekspozonte si shembull per te tjeret.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*