Bunkerët si nusepazhkëza

October 11, 2017 09:47

Bunkerët si nusepazhkëza

Entela Resuli – DITA

National Geographic i ka kushtuar një shkrim bunkerëve të kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri, të cilët sot janë rikonceptuar si muze apo kafene.

Numri i saktë i bunkerëve ushtarakë të shpërndarë anembanë Shqipërisë është i debatueshëm. Raporti varion nga rreth 175,000 deri në 750,000 nga bunkerët e mbushur me çimento apo çimento dhe çelik, të cilët kishin për qëllim ta mbronin këtë vend në Gadishullin Ballkanik në Evropën Juglindore. Sot, tre dekada që nga vdekja e diktatorit komunist Enver Hoxha, i cili sundoi nga viti 1944 deri në vitin 1985, qytetarët i shohin bunkerët e përhershëm si përkujtues të dhimbshëm të një të shkuare të vështirë. Sidoqoftë, shqiptarët, të shkathët nga natyra, po e shndërrojnë skenarin dhe po u japin objekteve jetë të re, si restorante, bare, kafene dhe madje edhe muzeume”, thuhet në shkrimin e National Geographic.

Një italiane që studioi bunkerët

Sa herë që shkruhet për Shqipërinë shkruhet edhe për bunkerët, madje një vajzë Italiane, nuse në Shqipëri, Elena Pagani ka bërë një libër për to.  Ajo ka një lidhje më të ngushtë me vendin tonë. Pagani është nga Bergamo që si fillim dashuroi një djalë shqiptar, më pas u magjeps nga historia dhe kultura e vendit tonë.

Sot është 29 vjeçe, prej nëntë vitesh, ajo dhe Shqipëria janë bashkë! Kur ishte 20 vjeçe, në atë kohë studente, Elena fillon punë kameriere në një restorant në vendlindjen e saj, Bergamo, qëllon që pronari i këtij biznesi ishte prej Shkodre dhe vajza bergamese ra në dashuri me Marjanin.

E diplomuar në degën e të Drejtave të Njeriut dhe Etikës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar, po ashtu me një tjetër diplomë në Gjuhësi dhe Gazetari, Elena, punoi me disa teza mbi kulturën dhe traditën shqiptare.

Ajo ka sjellë edhe një libër me titull “Dove i bunkier diventano çocinelle” (Atje ku bunkerët bëhen nuse pashkëza”.

Në vëzhgimin e saj në këtë vend ajo ka venë re disa paradokse, si për shembull që në vendin tonë ka parë lokale dhe bare shumë luksoze, por sa del prej tyre, shkel mbi trotuare të prishur…Thotë se i ka bërë përshtypje që në dasmat tona hidhen lekë ndërsa kërcen çifti në valle, po ashtu, i duket e çuditshme që shqiptarët investojnë shumë para në ndërtimin e shtëpisë dhe  më pas… largohen në emigracion.

Italiania, e cila ka ardhur nuse në Koplik, në këtë intervistë për Dita-n rrëfen veten dhe Shqipërinë në sytë e saj.

-Elena, çfarë mund të mësojmë për ty në një prezantim të parë?

Kam lindur në Seriate, provincë afër Bergamos, 29 vjet më parë. Sot jetoj në Castelli Calepio një fshat i vogël pranë Bergamos, nuk është shumë larg qytetit, por mbi të gjitha është vendi që kam në zemër. Bergamo është e vogël, por e bukur. Në këtë vend u diplomova në degën e të Drejtave të Njeriut dhe Etikës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar. Por ndërkohë unë e kisha një diplomë për gjuhësi dhe gazetari nga Universiteti Katolik i Breshias.

Dëshira ime më e madhe ka qenë të udhëtoj dhe falë prindërve kam filluar herët ta bëj këtë gjë. Kam vizituar shumë vende evropiane dhe kam qenë 5 herë në Shtetet e Bashkuara, duke marrë kurse në universitetin e San Diegos të Nju Jork-ut. Ka qenë përvoja më e bukur që kam kaluar.  Kam qenë një muaj në Indi, dhe kam ndjekur një kurs në Akademinë e Emirateve në Dubai.

Mendoj se udhëtimi është mënyra më e mirë për të mësuar: të hysh në kontakt me kultura të ndryshme, të zbulosh botën, për të jetuar më konkretisht, por mbi të gjitha edhe për të praktikuar gjuhët e huaja dhe për të takuar njerëz po u ndikuar nga kufijtë. Që nga viti 2008, udhëtoj pothuajse çdo muaj për në Shqipëri, të cilën unë e konsideroj tashmë si shtëpinë time të dytë.

-Të kujtohet kur dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë…?

Marrëdhënia ime me Shqipërinë ka lindur kur kam filluar të kem një eksperiencë pune në restorantin që kishte bashkëshorti im aktual me disa ortakë, të cilët ishin gjithashtu shqiptarë. Në atë kohë isha 20 vjeçe, isha studente dhe punoja si kameriere fundjavave. Aty fillova të shoqërohesha me Marjanin dhe ai më foli për Shqipërinë, vendlindjen e tij dhe se si ai kishte mbërritur në Itali në  vitin 1997. Hera ime e parë në Shqipëri daton më 30 shtator 2008.

-Marjani ishte shqiptari i parë që njohe?

Po, Marjani ishte i pari. Në fakt kam njohur  njëkohësisht, Marjanin, vëllain e tij, Florianin, Gëzimin ortakun e tij në restorant dhe nipin Françesko. Stafi ishte kryesisht shqiptar.

-Por si u thellove më tepër, duke mësuar më shumë për këtë vend?

Unë dhe Shqipëria u takuam për dashuri. Për dashurinë e Marjanit. Në shtator të vitit 2008 pas largimit nga puna në restorant ai u kthye në vendin e tij të lindjes për të investuar dhe tani drejton një kompani ndërtimi në Koplik, Malësi e Madhe.

Në atë kohë ne filluam të frekuentoheshim për disa muaj më radhë dhe ai më ftoi për një udhëtim disa ditor në Shqipëri. Që atëherë nuk kam pushuar kurrë së ardhuri në këtë vend. Vizitova veriun, kam kaluar shumë kohë në Shkodër, kam bërë pushime në jug dhe tani ne kemi një shtëpi në Tiranë. U pasionova shumë pas folklorit tuaj, historisë suaj të pasur deri në pikën që kam punuar me përkushtim dy teza diplome për këto çështje, e fundit është bërë edhe libër.

-Na thatë që keni studiuar historinë tonë, po çfarë keni mësuar për Shqipërinë e para viteve ’90 dhe çfarë mendoni për atë kohë?

Kam studiuar atë periudhë për tezën time të diplomës, por më së shumti kam dëgjuar historitë e shumë shqiptarëve të cilët tani jetojnë në Itali, shumicën e të cilëve i kam edhe miq.

Kapitulli i librit tim  kushtuar kësaj periudhë ka një nënkapitull me titull “Vitet nëntëdhjeta të një tranzicioni demokratik”, duke përshkruar vështirësitë që Shqipëria ka përjetuar në këtë tranzicion të gjatë, që nga rënia e regjimit komunist.

Imagjinoj vështirësitë e mijëra qytetarëve të cilët kanë qenë të detyruar të lënë vendin e tyre, “Aty ku balta është me e ëmbël si mjalta”, siç thotë një fjalë e urtë popullore e juaja, në përpjekje për kushte më të mira jetese për veten dhe familjen e tyre.

Të shumtë ishin ata që nuk e kishin idenë se çfarë i priste, rrezikuan jetën dhe lanë gjithçka. Zbarkimi i Vlorës në portin e Barit, në gusht të vitit 1991 ishte episodi i parë më i madh i emigrimit masiv i cili gjeti të papërgatitur edhe Italinë duke u hasur në vështirësi për pritjen e 20.000 udhëtarëve të lodhur dhe të uritur.

Mendoj që Evropa përgjatë viteve nëntëdhjetë do duhej t’i kushtonte më shumë vëmendje Shqipërisë, duke mos e lënë të vetme. Tranzicioni demokratik i  menaxhuar keq, i ka bërë dëm të madh vendit: korrupsioni, bum ndërtimesh, ndërtimin e ndërtesave pa një plan, pa kuptim, shkatërrimin e sipërfaqeve të gjelbra, çrregullim, dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, fenomeni i tmerrshëm i firmave piramidale, duke realizuar një shkatërrim financiar. Shqipëria që unë njoh sot është një vend që po rindërtohet, në kërkim të së ardhmes pas shumë vuajtjesh dhe plagë.

-Shqipëria ka qenë për 50 vite nën regjimin e Enver Hoxhës, keni bërë kërkime për këtë figurë?

Kam zbuluar disa gjëra, që në shkollë, për fat të keq kurrë nuk i kam studiuar. Në shkollat italiane ne nuk flasim mbi Shqipërinë dhe është mëkat që nuk ka raporte që të lidhin vendet tona. Kam lexuar një libër “Origjina e totalitarizmit”, nga Hannah Arendt, në të cilin autorja analizon fenomenin e totalitarizmit, duke identifikuar karakteristikat specifike: fshehtësisë absolute, frikë dhe terror, spiunazhin e gjithëpranishëm, kulte të personalitetit… të cilat i përkasin regjimit Hoxha. Është e vërtetë që në atë kohë ka patur më shumë siguri, arsimi ishte i garantuar për të gjithë, pabarazitë gjinore ishin të reduktuara, por mungonte liria e shprehjes, fesë, shtypit. Aty ku nuk ka liri nuk ka jetë.

-Elena, keni shkruar edhe për bunkerët shqiptarë, madje i keni krahasuar ata me nuse pashkët, pse?

Ideja më lindi nga një bunker i vendosur në kopshtin e një miku, Altin Prenga. Restoranti i tij në Fishtë të Lezhës quhet Mrizi i Zanave. Ai nuk i ka shkatërruar bunkerët e pranishëm në atë vend, por përkundrazi i ka pikturuar, tani njëri duket si nusepashkë dhe tjetri si breshkë: e shkëlqyer! Kjo është Shqipëria që ndryshon, Shqipërinë e diktaturës që kthen simbolet në diçka të re dhe të bukur, që shikon përpara. Nëse është e mundur,  një bunker mund të bëhet edhe një mollëkuqe, janë këto detaje të vogla që tregojnë se Shqipëria me të vërtetë mund të ndryshojë për t’u hapur drejt Evropës, dhe botës. Kjo është ajo që unë dua të përcjell, sidomos italianëve që e lexojnë librin tim dhe të cilët nuk e njohin vendin tuaj.

-A ke hasur paradokse në këtë vend?     

Ka kaq shumë. Një kapitull i librit tim është titulluar: “Shqipëria 2.0 vendi i paradokseve”. Varfëria dhe pasuria është një paradoks i dukshëm. Një tjetër ka të bëjë më shumë me rregullat e vendosura mbi marrëdhëniet njerëzore, me të cilat unë nuk pajtohem. Ka tradita shumë arkaike për mua që nuk i japin liri rinisë. Një paradoks tjetër është përhapja e tepërt e klubeve dhe bareve, veçanërisht në Tiranë, ato janë vende luksoze, të bukura, më të bukura i gjen këtu se në çdo shtet tjetër, por jashtë tyre ka trotuare të prishur, rrugë me gropa… Ky është një paradoks.

-Në librin tuaj keni një kapitull që  titulloni “Katunari në shtëpinë e re”. Është kështu Shqipëria?

Mua më pëlqen fakti se shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, rindërtojnë shtëpitë në vendet e tyre të origjinës, në fshatra të vegjël me pak banorë, ende bujqësorë. Ky është një tjetër paradoks: të shohësh të moshuarit apo gratë me rroba tradicionale, brenda një shtëpie shumë moderne. Mendoj se do të ishte më mirë të ndërtohej një shtëpi e cila përshtatej me vendin, duke pasqyruar edhe traditën shqiptare. Shpesh shoh shtëpi të vjetra, të bukura tipike, por askush nuk ndërton më nga ato. Më vjen keq kur harrohet e kaluara. Keni një pasuri gati të pabesueshme nga ana etnografike, duhet ta mbroni atë dhe ta bëni të njohur!

-Tani që jeni kaq e lidhur me këtë vend, cili është riti apo tradita që ju ka bërë më shumë përshtypje?

Jam e magjepsur nga folklori juaj, traditat  tuaja: Disa i kuptoj, të tjerët për fat të keq jo, janë shumë larg nga kultura ime. E adhuroj mikpritjen tuaj, respektin që keni për familjen. Nuk më pëlqen mentaliteti maskilist. Unë tani jam shtatzënë dhe fëmija është djalë, por kam vënë re që ky është një fakt shumë i rëndësishëm për familjen shqiptare.

Nuk mendoj se gjinia e një personi është aq e rëndësishme, gratë meritojnë dhe duhet të kenë të njëjtin respekt si burrat. Për fat të keq, në disa zona të Shqipërisë, është me të vërtetë e vështirë për t’i bërë njerëzit të kuptojnë këtë gjë. Jam shprehur disa herë që, do të doja një vajzë të vogël, por kjo frazë i ka mërzitur shumë gra shqiptare që njoh dhe që janë në moshë. Ata duhet të kuptojnë rolin themelor të gruas në shoqëri. Gratë shqiptare në veçanti janë punëtore të mëdha, kanë një forcë si asnjë tjetër.

-Ju tashmë jeni nuse në Shkodër, i respektoni traditat e asaj ane?

Respektoj vjehrrit e mi, të cilët janë njerëz të hapur dhe familja e bashkëshortit tim. Ata më  respektojnë mua dhe kulturën time italiane. Nuk kemi pasur kurrë keqkuptime. Marjani është shqiptar, por edhe italian, më saktë bergamask, kjo përzierja që ai ka është ajo që unë dua ne të. Tani jemi prindër të një fëmije, i cili është italian dhe shqiptar.

-Ke udhëtuar në Shqipëri?

Kam vizituar veriun, kam qenë edhe në Vermosh, fshat i veriut të Shqipërisë dhe më pëlqeu shumë. Çdo verë me prindërit e mi bëjmë pushime në plazh: kemi qenë në Durrës, Vlorë, Sarandë, Himarë, Dhërmi.. Kam vizituar Butrintin, Gjirokastrën, Krujën. Tiranën e njoh si qytetin tim dhe në një kuptim i tillë është. Shqipëria është e bukur: klima, deti, malet, liqeni, asgjë nuk është e humbur! Këtu hahet mirë dhe produktet janë të vërteta. Njerëzit janë mikpritës dhe të disponueshëm, është një vend i sigurt, i pasur me histori dhe bukuri. Unë uroj që shumë italianë te zgjedhin si destinacion për pushimet e tyre. Është e vërtetë që ka shumë probleme për të zgjidhur, si menaxhimi i dobët i mbeturinave! Nuk duhet të ndodhë që njerëzit kur shkojnë në det të lënë mbeturinat e tyre në plazh sikur asgjë nuk ka ndodhur, ose t’i hedhin ato nga dritaret e makinave. Ju keni një vend të bukur, me shumë potencial, duhet mbajtur me kujdes, ta doni atë dhe të gëzoni hapësirat e mbrojtura dhe të gjelbra. Mësojnë fëmijët për të respektuar mjedisin.

 

October 11, 2017 09:47
Komento

1 Koment

  1. Halefred Mousi October 11, 15:50

    Nuk diskutohet qe ka nje hipebolizim te ketij fenomeni

    hiperbolizim i pare eshte se numri i tyre ishte mbi ate qe duhej sidomos ne zona urbane..
    .
    hiperbolizimi i dyte ka te beje me faktin e meposhtem:
    **
    **
    Dokumentet sekrete/ SHBA do të hidhte bombën bërthamore mbi Kuçovë dhe Tiranë

    Sektori arkivor, NSA Archive në universitetin e Georgetown, ka zbardhur listën e objektivave për goditje bërthamore që SHBA kishte planifikuar në vitin 1959. Si objektiva ushtarakë në listën prioritare për goditje sistematike me bomba termobërthamore ishin dy baza ajrore në Bjellorusi,por edhe bazat dhe qytetet e rëndësishme për ushtrinë sovjetike, si Berlini Lindor dhe Varshava , Tirana etj
    Më tej lista përfshin një sërë objektivash si blloqe industriale të BS­-së, qytete si Bukureshti, Sofja, . Në objektivat ballkanikë përfshihej edhe Shqipëria me dy shënjestra: Kuçova me gjasë për shkak të aeroportit dhe naftës si dhe Tirana, sërish për këtë arsye. ..ect

    .mire shqiptaret paskan gabuar me bunkeret….por mos duhet ti japim ne dekorate amerikes per vitet 60-70 qe do ta benin shqiperine si hiroshima-nagasaki..
    .
    mallkuar qofshin keto ndyresira qe bejne artikuj te tille….
    .
    cfare ndryshimi kane kalate e skenderbeut nga bunkeret e enverit….??

    .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*