Burg përjetë për “kasapin e Ballkanit”

November 22, 2017 12:05

Burg përjetë për “kasapin e Ballkanit”

Gjykata e Hagës dha sot njërin prej vendimeve më të pritura të saj, atë për komandantin e ushtrisë serbo-boshnjake, Ratko Mladiç, njeriu që u kthye në njërin prej të arratisurve më të kërkuar të botës, përpara se të bënte llogaritë me drejtësinë.

Mladiç u shpall fajtor për krime lufte dhe krime të tjera kundër njerëzimit dhe për gjenocid për rolin e luajtur në masakrën e Srebrenicës, akuza kryesore në këtë proces.

Udhëheqësi i trupit gjykues, Alfons Ori, konstatoi se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve të atjeshëm.

Qëllimi i të akuzuarit ishte ndarja e burrave nga femrat dhe ekzekutimi i tyre, deportimi i popullatës tjetër dhe spastrimi nga myslimanët. Mladiçi ka dhënë urdhëra konkrete në lidhje me krimet dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Para se gjykata të shprehej për vendimin e saj, u detyrua që të përjashtojë nga salla Ratko Mladiçin, i cili protestoi dhe përmes avokatit të tij kërkoi shtyrjen e vendimit për arsye shëndetësore, kërkesë që u rrëzua nga gjykata.

“Roli i të akuzuarit provohet se ka qenë thelbësor dhe domethënës në kryerjen e krimeve të ndodhura, krime që pa këtë rol nuk do të kishin ndodhur në këtë masë. I akuzuari ishte në dijeni dhe ka nxitur krimet kundër kroatëve dhe boshnjakëve”, argumentoi gjykata.

Mbi “kasapin e Ballkanit” rëndonin akuzat e gjenocidit në Srebrenicën e vitit 1995, gjenocidit në 6 komuna të tjera boshnjake në vitin 1992, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnje-Hercegovinën, terrorizimin e banorëve të Sarajevës me fushatën e bombardimeve dhe goditjeve me snajper, si dhe për marrjen peng të personelit të OKB-së.

Mladiç u arrestua në vitin 2011 pas më shumë se 15 vitesh arrati. Rreth 300 vetë janë ulur në bankën e dëshmitarëve gjatë procesit të tij, e gjykatës së OKB-së në Hagë iu paraqitën gati 10 mijë prova.

150 përfaqësues të viktimave të luftës në Bosnje mbërritën në Hagë që një ditë përpara, në pritje të vendimit për drejtësi.

Të pranishëm ishin edhe i biri i Mladiçit dhe disa zyrtarë serbo-boshnjakë, por ata qëndruan në një zonë të shkëputur.

Pavarësisht mizorive, për të cilat është drejtpërdrejtë përgjegjës, gjenerali famëkeq vazhdon të shihet me admirim nga një pjesë e serbëve.

Vet presidenti serbo-boshnjak, Milorad Dodik, i cili dëshmoi në gjyq të martën, u shpreh një ditë më parë se Mladiç e drejtoi me profesionalizëm dhe patriotizëm ushtrinë serbo-boshnjake gjatë luftës, e shtoi se pavarësisht të gjithave, ai mes serbëve mbetet një legjendë.

November 22, 2017 12:05
Komento

2 Komente

  1. QIrio QInam QInami November 22, 13:45

    Serbo boshnjaku!?
    Po serbi sali?
    Po boshnjaku Malltezi?
    Po Sllobodanka!?
    Po nipi serb Xen sypeshkaqen?
    Po mbesa serbe Arxhida nuse boshnjake!?

    Reply to this comment
  2. Arben November 22, 17:47

    LITARIN NE MES TE SREBRENICES,

    KJO ESHTE HAKA PER KETE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*