Burgjet anulojnë lejet shpërblyese për festat e fundvitit

December 25, 2017 16:20

Burgjet anulojnë lejet shpërblyese për festat e fundvitit

 

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka urdhëruar anulimin e lejeve shpërblyese për të dënuarit, deri në datën 3 janar 2018.

Urdhri është shpërndarë për të gjitha burgjet dhe do të zbatohet për festat e fundvitit, nga data 24 dhjetor deri në ditët e para të Vitit të Ri.

Bllokimi i lejeve për të dënuarit që plotësojnë kushtet për të kaluar festat e fundvitit me të afërmit është bërë për të shmangur ngjarje kriminale siç edhe ka ndodhur më herët.

Por për herë të parë pas shumë vitesh, të dënuarit janë anashkaluar edhe nga amnistia.

Ishte ministrja e Drejtësisë, e cila njoftoi që këtë vit nuk do të ketë aplikim të amnistisë pa dhënë arsye.

Ndërkohë, nuk dihet ende nëse Presidenti Meta do ta shfrytëzojë apo jo të drejtën e dekretit të faljes për ndonjë të dënuar.

Aktualisht në Shqipëri mbahen në burgje rreth 5600 shtetas.

Sipas të dhënave zyrtare, janë të dënuar me formë të prerë dhe po vuajnë heqjen e lirisë 3115 persona, ndërkohë që 2455 të tjerë mbahen të paraburgosur në pritje dhënies së vendimeve gjyqësore.

Sipas këtyre të dhënave nga burgjet, vendin e parë si të dënuar nga drejtësia e mbajnë të dënuar për vrasje me një shifër prej 864 shtetasish, në vend të dytë janë 798 persona si të dënuar për çështje droge dhe në vend të tretë, 631 persona si të dënuar për vjedhje.

Ndërkohë, në listën e të paraburgosurve qëndrojnë në vend të parë të arrestuarit për çështje droge me një shifër prej 883 persona që presin të gjykohen ose janë në gjykim dhe në vend të dytë janë të paraburgosurit për vjedhje.

463 persona janë të arrestuar për këtë krim dhe që janë në pritje për t’u gjykuar.

Ndërsa krimi i vrasjes për të paraburgosurit është në vend të tretë me 173 shtetas të dyshuar.

December 25, 2017 16:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*