Burra që diskutojnë pse gruaja niset e stoliset

April 21, 2019 11:06

Burra që diskutojnë pse gruaja niset e stoliset

Çapajev Gjokutaj*

Shkak u bë kamarjerja, kishte shkuar të rregullonte flokët. Pse burrat nuk nisen e stolisen si gratë, pyeti Ilmiu, fjala vjen të bëjnë tualet, të heqin vetullat a, larg qoftë, të skuqin buzët, të …?

Ç’hyn në detaje, e ndërpreu Naqja, kujto një mbrëmje galá. Burrat veshur të tërë me kostume të zinj a blu, 3-4 modele gjithë-gjithë. Gratë ngjyra të shumta e modele turlilloj.

Mbase prej natyre gratë janë më delikate, e ndjejnë dhe e duan më shumë të bukurën, hamendësova unë.

Po të qe ashtu, ndërhyri Ilmiu, shumica e piktorëve, skulptorëve, kompozitorëve do të ishin gra e jo burra.

Pas pak biseda hyri në një hulli tjetër: dëshira e grave për t’u dukur të bukura vjen prej tyre, prej shoqërisë apo prej natyrës?

Qaniu ishte i mendimit se kjo dëshirë e ka zanafillën tek natyra. Gjithë speciet e gjalla shpjegoi ai, kanë mision kryesor të shumëzohen, të sigurojnë vazhdimësinë. Pemët bëjnë vetëm lule të bukura, gjithë ngjyra e aroma që të tërheqin insektet. Këto, duke kaluar nga një lule tek tjetra shpërndajnë polenin e realizojnë pllenimin, frutat dhe farërat e nesërme. Edhe puplat e shpendëve bëhen më të shndritshme e më të bukura në sezonin e dashurisë. Bukuria është paradhomë e shumëzimit.

Ndërkohë kamarjerja qe kthyer dhe, sa herë i afrohej banakut, shihej në pasqyrë, tundte kokën majtas djathtas, për të parë flokët e porsatrajtuar.

Lilua tha se bukuria fizike e gruas nuk vjen nga biologjia dhe evolucioni, por nga shoqëria. Më thoni dot pse gratë e pikturuara nga Davinçi, Rafaeli dhe piktorë të tjerë të rilindjes janë të shëndetshme, kurse ikonat e sotme të bukurisë janë të gjitha të hajthme dhe elegante apo, si thoshte Lasgushi: belhollë meskëputura?

Ua them unë, vazhdoi pa na lenë radhë. Shëndeti i vajzave dhe grave në pikturat e rilindjes mishëron një ideal estetik të kohës, agresiv madje. Njerëzit sa kishin dalë nga mesjeta që kishte ideal asketizmin, vuajtjen, drobitjen e trupit për të fituar jetën e amëshuar.

Ndërhyra e thashë se diku kam lexuar që, në kohën e Davinçit me shokë, lindja e fëmijës ishte gjithë rreziqe për lehonën, ndaj çmoheshin gratë pa bel e me legen të gjerë, që lindnin kollaj.

Ilmiu më mbështeti duke thenë se kulti i bukurisë fizike të gruas nuk është i njejtë në të gjitha kohët.

Deri në revolucionin industrial, vazhdoi ai, bukuria e gruas çmohej, por nuk ishte tipari më i lakmuar. Vlerësohej më shumë besnikëria se pronat e babait duhej të trashëgoheshin nga fëmijë e tij.

Pastaj vlerësohej mëmësia, dmth dhembshuria, përkujdesja dhe sidomos sakrifikimi. Se ç’kuptim ka gruaja po s’u përkujdes e po s’u sakrifikua, ironizoi.

Pas një grime u kujtua e shtoi se nuk ishte më pak e vlerësuar edhe forca fizike. Gruaja e popullit të thjeshtë duhej të përballonte ferrin e punëve shtëpiake; gjithçka bëhej me krahë dhe elektroshtëpiake s’kish.

Jo pak vlerësohej pjelloria, se vdekshmëria foshnjore ishte e lartë dhe familja duhej të mbijetonte. Duheshin edhe krahë pune, ashtu siç duheshin vëllezër e kushërinj të shumtë, se bankat ishin të pakta dhe tregu i mekët ndaj, në rast nevoje sytë i kishe nga të afërmit. Lidhjet e gjakut ishin edhe lidhje solidariteti, ndihme, kreditimi etj.

Ashtu është, ndërhyri Lilua, revolucioni industrial i punësoi gratë, i bëri më të lira dhe më të pavarura nga burri. Po unë s’kuptoj një gjë: pse sot që janë kaq shumë të lira e kanë kthyer thuajse në fiksim bukurinë fizike? Mbase i tremb liria dhe, për të zbutur frikën, kanë nevojë edhe më të madhe për vemendjen dhe dashurinë e të tjerëve.

Mund të jetë dhe ndryshe, ndërhyri Qaniu, mund të jetë punë pushteti. Burri e sheh që gruaja po bëhet më e pavarur e mund t’i rrezikojë pushtetin, ndaj patriarkia mobilizon tregun dhe mediat, e nxit gruan të verë bukurinë fizike mbi gjithçka. Më mirë gra dhe vajza që rropaten me dieta e palestra, se sa aktiviste që rrënojnë pushtetin e tij.

Dokrra feministësh, shpotiti Lilua, konspiracion botëror kundër… burrit!

Naqja tha se s’duhej harruar roli që  luan komercializmi. Industria e mallrave estetike, klinikat e ndërhyrjeve plastike etj. duan sa më shumë kliente, ndaj nëpërmjet mediave krijonë modelin e bukurisë femërore që i ikën natyrores, arrihet me vështirësi, pas dietash torturuese dhe ndërhyrjesh kirurgjikale.

Ka gjë më kundër natyrës, përfundoi, se sa të shtosh në trup lendë sintetike, të përziesh të gjallën me inerten, jetën me vdekjen?

Industria estetike, ndërhyri Qaniu, ka pjesën e vet. Po kulti i bukurisë fizike vjen edhe nga fakti që gratë e bukura çajnë më lehtë në jetë dhe në karrierë. Bukuria ngjall admirim e përkujdesje edhe tek kafshët jo më tek njerëzit.

Po sikur të zbukurohemi se ashtu i pëlqejmë më shumë vetes, ndihemi më mirë?, ndërhyri kamarjerja dhe me shpoti shtoi: Boll u morët me gratë e botës… tundni qindarkat dhe shkoni se vajti vonë dhe u presin xhikot… belhollë meskëputurat.

****

Nga cikli i autorit ‘Kafe për llafe’. Botuar në Dita. Ndalohet riprodhimi i materialit pa lejen me shkrim të redaksisë 

April 21, 2019 11:06
Komento

6 Komente

  1. une April 21, 11:29

    Autori ka marre persiper te gjeje kush jane grate?! Teme shume e veshtire!Por une do te thoja, qe ne, burrat, duhet te themi se kush jane grate per ne, burrat dhe le t’i leme ata ne mbreterine e tyre!Une do te thoja se vera e kuqe dhe grate jane dy te “keqija” dhe nuk rrojme dot pa to!

    Reply to this comment
  2. Z/K April 21, 23:56

    Grate zbukurohen,E kane nga instinkti.Kjo per te terhequr vemendjen e mashkullit.Duke patur shume mashkuj me interresim ndaj saje.Ajo do te zgjedhe ate qe i pelqen.Per te shfry afshin,instinkt dhurate nga natyra.Kete instinktin e vreni edhe tek kafshet.Shakes i vihen nga pas shume mashkuj.Ajo nuk i lejon te gjithet pos ati qe ia mbushe mendjen.Mbas te parit mandej vijne me rradhe mbas rradhet nga shija e kendeshme e humbe zgjedhjen dhe i meshohet te berit seks.
    ketu qendron dhe tradhetia nese tradheton vetem nji here grueja.Ajo nuk ndalet dhe bahet rob i seksit.Po keshtu dhe mashkulli.Pra instinkti mbyt ndergjegjen.

    Reply to this comment
  3. Lili April 22, 07:55

    Idiotsi

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin