Bursiti, si të reduktojmë enjtjet në gjunjë, bërryla e supe

Pranvera Kola June 2, 2014 11:05 Updated

Bursiti, si të reduktojmë enjtjet në gjunjë, bërryla e supe

Peshat e rënda, prania e sëmundjeve të ndryshme, kryesisht atyre me natyrë reumatizmale, apo dhe lëvizjet e shpeshta çojnë në shfaqjen e sëmundjes, e cila në gjuhën mjekësore njihet si “Bursit”, e që ka të bëjë me infektimin e artikulacioneve në gjunjë, supe dhe bërryla. Prania e kësaj sëmundje vështirëson dhe pengon lëvizjen e gjymtyrëve. Në një intervistë për gazetën “DITA”, mjekja Ilda Xhelili, jep këshillat se si duhet të kujdesemi që të përballemi sa më pak që të jetë e mundur me dhimbjet e shkaktuara nga kjo sëmundje.

 

Çfarë është bursiti ?

Bursiti është një inflamacion (infeksion) i një ose më shumë bursave që ndodhen në trupin e njeriut. Në organizmin tonë ndodhen rreth 150 bursa.

 

Por, çfarë janë bursat dhe si duhet t’i kuptojmë ?

Bursat janë qese të mbushura me një lloj lëngu lubrifikues që quhet lëng synovial. Ato janë të veshura me një cipë që quhet cipa sinoviale, e cila prodhon në mënyrë të vazhdueshme lëngun  synovial. Këto bursa vendosen aty ku ka artikulacione (nyje lidhëse) midis kockave. Janë pikërisht bursat dhe lëngu synovial që bëjnë të mundur lëvizjen normale dhe pa dhimbje të kockave dhe të muskujve. Kur ndodh bursit (bursitis) kemi inflamacion (infeksion) të cipës sinoviale që shoqërohet me edemë të saj (enjtje, trashje ). Atëherë lëvizja bëhet e vështirë dhe e dhimbshme. Një bursë e qetë dhe me funksion normal siguron për kockat dhe muskujt një mbështetje të butë, sipërfaqe dhe rrëshqitje funksionale, pra në thelb bën të mundur një lëvizje normale dhe pa dhimbje.

 

Cilët janë faktorët më të shpeshtë që shkaktojnë bursitin ?

Faktorët që renditen janë të shumtë, shpesh edhe të panjohur. Ndër më të shpeshtit përmenden traumat e ndryshme, çrregullime autoimmune të organizmit, infeksione të ndryshme që njeriu kalon gjatë jetës. Bursitis zakonisht shkaktohet nga lëvizjet e shpeshta në nyje, prandaj dhe nyjet (artikulacionet) më të shpeshta që preken janë ato të supeve, bërrylave dhe gjunjëve. Bursiti mund të shkaktohet gjithashtu edhe si rezultat i sëmundjeve të tjera inflamatore si për shembull artriti rheumatoid, sklerodermia, lupusi eritematoz ose sëmundje të tjera që kanë ulje të imunitetit, si për shembull diabeti, SIDA, skolioza (deformim i shtyllës kurrizore), e cila mund të shkaktojë bursitin e shpatullave. Po ashtu edhe sforcimet e tepërta mund të shkaktojë sëmundjen e bursitit (si për shembull abuzimi me ngritjen e peshave të rënda). Nganjëherë arsyeja e shkaktimit të bursitit mbetet e panjohur. Kjo mund të jetë e lidhur ndoshta me disa sëmundje kronike sistemike.

 

Konkretisht me çfarë simptomash shoqërohet shfaqja e kësaj sëmundje, cilat  shenjat më të zakonshme që shoqërojnë bursitin ?

Siç e theksova edhe më lart bursat më të prekura nga inflamacioni janë ato të gjurit, të supit, të bërrylit apo edhe ato të kofshëve ku bashkohen me legenin (bacinin). Simptomat që perceptojnë pacientët variojnë edhe nga shkalla e inflamacionit (infeksionit) të bursës përkatëse. Për shembull në fillimet e inflamacionit pacientët kanë ndjesinë e ngrohjes, të nxehjes deri në eritemë (skuqje të zonës përkatëse). Shenja tjetër që pason është dhimbja, e cila mund të jetë e formës thumbuese, shpuese ose djegëse (sikur më kanë fshikur me hithra referojnë pacientët). Me përparimin e inflamacionit dhimbja përforcohet dhe fillojnë kufizimet e lëvizjeve. Dhimbja zakonisht është më e fortë gjatë dhe pas aktivitetit lëvizës, por mjaft e ashpër bëhet edhe në mëngjes kur pacientët zgjohen nga gjumi. Gjithashtu mund të kenë edhe temperaturë të shoqëruar me ethe (të dridhura).

 

Cila është terapia që rekomandohet për të reduktuar praninë e këtyre bursiteve ?

Në radhë të parë pacientit i rekomandohet pushim, të kufizohen sa të jetë e mundur lëvizjet e artikulacionit përkatës për të bërë të mundur pakësimin e dhimbjes si rezultat i lëvizjes. Bursiti është një sëmundje që kërkon patjetër në trajtim të kualifikuar nga mjeku specialist reumatolog. Sigurisht që situata mund të jetë e komplikuar dhe mund të kërkohet konsultim me të tjerë specialistë. Prandaj në radhë të parë paraqituni tek mjeku juaj i familjes për të marrë edhe orientimin përkatës. Për diagnostikimin e sëmundjes nevojiten ekzaminime klinike-biokimike (analiza të gjakut), si edhe radiologjike (për shembull grafi, por edhe skaner në rastet e komplikuara apo edhe në bursitet e thella, jo sipërfaqësore). Rëndësi të madhe ka qetësimi i dhimbjeve me qetësues, përdorimi i antiinflamatorëve, por sipas rastit edhe antibiotikët, kortizonikët. Por, të gjitha këto bëhen vetëm me këshillimin e mjekut përkatës. Vetë, mund të përdorni paracetamolin, aulinën, ponstanin për qetësimin e dhimbjeve, por edhe këto pa e tepruar në kohë të gjatë. Mos ngurroni të këshilloheni me mjekun tuaj. Të dobishme janë edhe kompresat me akull. Ato aplikohen mbi zonën e skuqur e të dhimbshme për një kohë prej dhjetë minutash, me interval pushimi prej gjysmë ore, tre -katër herë në ditë. Mos e vini akullin direkt në kontakt me trupin, por futeni në qese, më pas mbi një napë vendoseni për dhjetë minuta mbi artikulacionin e sëmurë. Në rastet e bursiteve kronike mund të jetë e nevojshme edhe ndërhyrja kirurgjikale. Pas trajtimit të fazës akute me terapi medikamentoze, mjaft e dobishme është edhe faza e fizioterapisë. Ka protokolle të veçanta të fizioterapisë për trajtimin e bursiteve dhe rehabilitimin e pacientëve që vuajnë nga bursitis. Tërheq edhe një herë vëmendjen, mos ngrini pesha të rënda dhe mos neglizhoni asnjë dhimbje apo çdo gjë që nuk shkon me organizmin tuaj. Kurrë mos nguroni të konsultoheni me mjekun tuaj të  familjes.

 

Dëmet e shkaktuara në bërryla

Një ndër sëmundjet më të shpeshta që shfaqet është bursiti i bërrylit. Në këtë rast kemi të bëjmë me një inflamacion, që paraqitet e fryrë dhe e dhimbshme në pjesën e pasme të bërrylit. Mund të shkaktohet nga një traumë apo nga stres i përsëritur mbi artikulacionin e bërrylit (për këtë arsye quhet edhe “bërryli i minatorit” apo “i studentit”). Mund të shfaqet edhe në prani të proceseve inflamatore si gota, artriti reumatoid, hemodializa, etj. Simptomat më të shpeshta që shoqërojnë shfaqjen e sëmundjes në këtë rast janë fryrja e bërrylit në pjesën e pasme, e cila shoqërohet me dhimbje kur përthyhet nëse është i shoqëruar me infeksion. Po ashtu në këto bursite lëkura mund të jetë e ngrohtë dhe e skuqur. Në bursitet aseptike (pa infeksion) nuk ka dhimbje në pjesën më të madhe të tyre.

 

Barnat

Rëndësi të madhe ka qetësimi i dhimbjeve me qetësues, përdorimi i antiinflamatorëve, por sipas rastit edhe antibiotikët, kortizonikët. Por, të gjitha këto bëhen vetëm me këshillimin e mjekut përkatës. Vetë, mund të përdorni paracetamolin, aulinën, ponstanin për qetësimin e dhimbjeve, por edhe këto pa e tepruar në kohë të gjatë.

 

Kompresat me akull

Të dobishme janë edhe kompresat me akull. Ato aplikohen mbi zonën e skuqur e të dhimbshme për një kohë prej dhjetë minutash, me interval pushimi prej gjysmë ore, tre -katër herë në ditë. Mos e vini akullin direkt në kontakt me trupin, por futeni në qese, më pas mbi një napë vendoseni për dhjetë minuta mbi artikulacionin e sëmurë.

Pranvera Kola June 2, 2014 11:05 Updated
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*