Bushati kërkon në Argjentinë mbështetje ndaj Kosovës

November 3, 2015 09:54

Bushati kërkon në Argjentinë mbështetje ndaj Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën e Argjentinës, ku pati takime të veçanta me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Kulteve, Hector Marcos Timerman, zëvendës presidentin e vendit dhe Presidentin e Senatit, Amado Boudou. Në takimin me homologun argjentinas, Bushati  kërkoi zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën tregtare, energjisë së rinovueshme, bujqësisë dhe turizmit.

Palët diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në rajonet respektive dhe u ndalen në bashkëpunimin shumëpalësh, kryesisht në kuadër të organizatave ndërkombëtare si Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ku të dy vendet janë anëtarë.

Ministri Bushati i kërkoi homologut Timerman që të ndërmarrë hapat e nevojshëm që do të mundësonin pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Dy Ministrat vlerësuan rolin e çmuar të diasporës shqiptare në këtë vend si pjesëmarrëse aktive në jetën demokratike të Argjentinës dhe si nja urë e rëndësishme për institucionalizimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Në përmbyllje të vizitës së tij në Argjentinë, Ministri Bushati zhvilloi një takim të veçantë me një grup përfaqësuesish të diasporës shqiptare të Argjentinës, si një prej diasporave më të vjetra shqiptare në botë. Ministri Bushati i përgëzoi për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe u dhuroi disa kopje të Abetares shqipe, për nevojat e komunitetit në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj.

Gjithashtu, Ministri i ftoi ata, që si një prej diasporave më të vjetra në botë, të marrin pjesë në samitin e diasporës që do të zhvillohet në Tiranë në fillim të vitit tjetër.

 

November 3, 2015 09:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*