Buxheti, zëri pa përgjigje i opozitës

Edlira Shehu December 5, 2012 11:41

Buxheti, zëri pa përgjigje i opozitës

Asnjë investim i ri dhe borxhe të mbartura nga viti 2012, ky është buxheti zgjedhor

 

Kanë vijuar dje në komisionet parlamentare debatet mbi buxhetin e vitit 2013. Ka qenë opozita kuvendore që ka kapur argumentet kryesore të calimit të këtij projekti të qeverisë si dhe detyrimet e prapambetura të mbledhura nga kompanitë kontraktuese për punët publike. Deputeti socialist, Erjon Braçe u shpreh dje se “Qeveria ka detyrime të pashlyera ndaj kompanive që kanë kryer punime në infrastrukturën rrugore, të cilat kapin shifrën 26.5 miliardë lekë, ndonëse ky fakt kundërshtohet nga zëvendësministri i Transporteve, Ernest Noka”. “Punime të kryera jashtë kontrate, por të inauguruara prej teje dhe Kryeministrit tënd dhe të parapaguara prej teje dhe Kryeministrit tënd, janë 11.9 miliardë lekë të reja ose 120 milionë dollarë. Bashkë me detyrimet e vitit 2012 shkojnë 26.5 miliardë lekë të reja ose 265 milionë dollarë”, tha deputeti socialist Erjon Braçe.

 

Më i ashpër në qendrimin e tij ishte deputeti Arben Ahmetaj, i cili theksoi se projektbuxheti për vitin që vjen nuk ofron asnjë projekt të ri, por shkon për të shlyer detyrimet e prapambetura. “Ky buxhet nuk afron asnjë investim të ri, pra asnjë projekt të ri, i cili do të fillojë rishtaz në 2013, përkundrazi do të vazhdojë të paguajë projekte të cilat janë zvarritur në kohë ose janë zvarritur pagesat e tyre”, tha Ahmetaj.

 

Opozita kritikoi ashpër vonesat në përfundimin e projekteve të rëndësishme rrugore, si dhe vuri theksin tek ajo që e quajti mosplanifikim i drejtë i buxhetit, duke nënvizuar se disa sektorë si shëndetësia, arsimi dhe bujqësia për të cilat ka shumë nevojë për investime janë lënë jashtë vëmendjes së shtetit. Janë zëra të ngritura dhe më parë nga sipërmarrësit, por megjithë verifikimin dhe kundërshtimin e fakteve nga opozita, mazhoranca ka gjasa të kalojë draftin që ka propozuar vetë pa reflektuar ndryshimet e propozuara.

Edlira Shehu December 5, 2012 11:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*