Buxhovi del nga hija

Nga Bedri Islami January 29, 2014 20:29

Buxhovi del nga hija

Shënim i redaksisë: Kohët e fundit, në mediet e ndryshme të Kosovës, janë ringritur edhe një herë probleme të së shkuarës, të vrasjeve politike të veprimtarëve të shquar të lëvizjes çlirimtare dhe të diferencimit politik që në kohë të ndryshme ka ndodhur atje. Të gjitha këto kanë ngjallur edhe kureshtjen e gazetës sonë,edhe për faktin se tashmë para klasës politike në Kosovë qëndron një proces i veçantë, shqyrtimi i raportit të Dik Martit. Për të pasur një shikim më të qartë ne po botojmë një cikël shkrimesh nga publicisti Bedri Islami, njëherësh njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatës që ideoi, ndërtoi dhe udhëhoqi luftën çlirimtare. Redaksia qëndron e hapur edhe për mendime e qëndrime të ndryshme, gjithë herë brenda kontekstit historik të ngjarjeve.

****

Buxhovi del nga hija

Nga Bedri Islami

Ka disa njerëz, shpesh herë edhe publikë, pra të njohur, të cilët,edhe kur koha e tyre ka shkuar dhe mëkati që u rëndon është më i ashpër se sa supet e tyre, përsëri nuk zënë mend, turfullojnë dhe presin një moment të caktuar për t’u rikthyer edhe një herë në grazhdin e vjetër. Të tillët, thellësisht mjerueshëm, ende nuk kanë mësuar se, në këtë kohë të vështirë për t’u përballuar dhe kur Kosova është në mijëra halle të tjera, shtimi edhe i një derivati politik nuk është më një gabim i përkohshëm, por një faj i qëllimshëm, i cili bëhet në një kohë të caktuar. Në një kohë kur thesi i mashtrimit është hapur në Beograd dhe fillon e derdhet edhe në botën mediale të Kosovës, kësaj here përmes gjithëfarë llumi.

Kjo është më kujtuar fillimisht kur dëgjova për një intervistë të Jusuf Buxhovit dhënë në emisionin Rubikon. Ndoshta është nga të paktët emisione që ndjek me dëshirë, pasi respektoj vizionin dhe mendimin e drejtuesit të saj, dhe kur them nga të paktët, nuk kam parasysh vetëm stacionet mediale në Kosovë, por në të gjithë këtë hapësirë, që jemi mësuar ta quajmë mbarëkombëtare.
Jusuf Buxhovi nuk është një njeri i panjohur në Kosovë. Nuk është i panjohur pasi fillesën e emrit e bëri tek Rilindja, ku mbi 90 për qind ishin komunistë, dhe ai ishte njëri prej tyre, nuk është i panjohur pasi për katër vite ai ishte i dërguar special i Rilindjes në Gjermaninë Perëndimore, dhe kjo nuk ishte pak, nuk është i panjohur pasi, në cilësinë e njeriut ” të reformuar” do të bëhet pjesë e themelimit të LDK-së, dhe jo rastësisht të gjithë ata që ishin nismëtarë të saj do të ishin anëtar të Lidhjes Komuniste të Kosovës, një aneks i Lidhjes Komuniste të Serbisë, nuk është i panjohur pasi, haptas, jo vetëm një i burgosur politik si Hysen Gega, por edhe të tjerë, e kanë akuzuar si një bashkëpunëtor të rëndësishëm të shërbimit sekret serb; dhe një trajtesë e tillë kishte dalë që në ditët e para kur emri i tij u lidh me LDK-në, nuk është i panjohur edhe nga librat që ka shkruar.

Një personazh enigmatik
Por duhet thënë se ai është një personazh enigmatik. Edhe pamja e tij e jashtme tregon se brenda vetes fsheh diçka, një lloj skuthie, e cila, sa më shumë që përhapet, aq më tepër qelb dynjanë. Në të vërtetë nuk më ka interesuar kurrë ai as si themelues i LDK-së, sepse kjo është punë e dikujt tjetër dhe, natyrisht, ai stan, duke përjashtuar disa meritorë që gabimisht u gjendën aty dhe shpejt dolën jashtë saj, nuk do të kishte bulmet tjetër dhe, kush ka pritur një fillesë tjetër, të ndryshme, nga ajo që na serviri shërbimi i fshehtë serb, ka qenë i gabuar. Buxhovi nuk më ka interesuar as si prozator. Duke qenë në dijeni të prapshtive që ka bërë, shumë nga të cilat mbi kurrizin e miqve të mi, duke njohur shumë nga ndërhyrjet e tij në dëm të shqiptarëve në mërgim dhe forcimit të tyre si rrënjë e kombit jashtë vatanit; duke sjellë ndër mend përçarjet që kishte ngjallur mes tyre si nje filo-jugosllavizëm,të gjitha këto, së bashku dhe veç e veç, më kishin hequr çdo dëshirë për të lexuar librat e tij, ashtu si e di dhe jam i bindur se edhe ai nuk ka lexuar asnjë nga librat e mi.
Vëmendja ime e parë ndaj Buxhovit u kthye përciptas në leximin e librit “Vite të humbura” të Mehmet Krajës. Ishin dy pasazhe që më bëmë përshtypje dhe të cilat, edhe një herë, vërtetuan se ato që më kishin thënë për të nuk ishin fjalëzime në erë, por përmbanin disa të vërteta të hidhura dhe të dëmshme.  Duke shkruar për themelimin e LDK-së, njëri nga themeluesit e saj, Mehmet Kraja , kujton se “Buxhovi solli programin dhe statutin. Që në fjalinë e parë e hetova se programi nuk ishte shkruar nga Buxhovi dhe asnga ndonjë “ekip” më i gjerë, por nga një person”pa emër”, që i takon klanit të vjetër politik, autonomist…”. Kohë më vonë Buxhovi do e fshihte këtë të vërtetë, pasi , dashje pa dashje, do pranonte se zanafilla e kësaj strukture nuk ishte askund tjetër, veçse në një seli tjetër , amë, që do të pillte bijën e saj, dhe që, përmes saj do të merrte përsipër rolin e saj të përkohshëm të shuarjes së lëvizjes çlirimtare. Fakti që këtë statut e program, brezi i vjetër partiak e përcillte përmes Buxhovit ka të bëjë me faktin se ai ishte njeriu i besuar i tyre, për më tepër, njeriu i dërguar aty për të bërë “paqësisht” atë që nuk kishin arritur të bënin përmes dhunës dhe tankeve. Më tej, në librin e tij, Mehmet Kraja, shkruan Buxhovi do të ishte njeriu që do të na nxirrte më shumë andrralla me biografinë e tij, pasi ” për të do të pëshpëritet se gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani, kishte bashkëpunuar me organet e pushtetit dhe të sigurimit jugosllav”.  Por edhe pas saj, shumë vetë, mes tyre edhe unë, e harrova fenomenin Buxhovi, pasi, si ai , kishte pasur edhe shumë të tjerë, të cilët ishin bërë pjesë e sistemit dhe e dhunës së tij. Biseda ime me Hysen Gegën, disa vite më parë, më ngjalli edhe një herë ndjenjën e vemjes politike, të cilat, herë këtu dhe herë aty, ku gjejnë mundësinë e artë, godasin dhe hedhin pezhishkën e tyre.

Rishfaqja e enigmatikut

Tani, edhe një herë, Buxhovi u shfaq krejt i sinqertë, me veten dhe me të tjerët, ashtu si kishte qenë në kohën e bashkëpunimit të tij me organet e pushtetit serb në Kosovë. Ai dëshmoi se asgjë nuk kishte ndërruar në kokën dhe në mendimin e tij , dhe se, vitet e shkuara, përcaktimet politike dhe sakrificat e jashtëzakonshme nga lëvizja klandestine çlirimtare, asgjë nuk i kishin mësuar dhe asgjë nuk kishte ndryshuar nga vetja. Të jetë ky një borxh i së djeshmes apo një ngulje , edhe një herë, në vitin 1981 e pak më pas, kur në Kosovë dhe jashtë saj, u ndeshën dy botë, ajo udbashe, e përfaqësuar nga njerëzit si Buxhovi, dhe ajo çlirimtare, e përfaqësuar nga Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka.  Nëse në këtë vend do të kishte dy njerëz krejt të kundërt me njëri tjetrin, dhe përballë njëri tjetrit, këto do të ishin Jusuf Gërvalla dhe Jusuf Buxhovi. I pari në anën e çlirimtarëve, i dyti në anën e pushtuesve. Që të dy gazetarë, por ndërsa i pari do të vendoste që pena e tij të ishte në dobi të çlirimit të vendit, tjetri e kishte nënshkruar marrëveshjen me djallin që pena e tij të ishte në favorin e klasës sunduese në Kosovë. Gërvalla do të bëhej zëri çlirimtar përmes fjalës, këngës dhe mendimit të tij politik. Buxhovi do të bëhej, dhe mjerisht paska mbetur, njëri nga përfaqësuesit e dhunës dhe poshtërimit të Kosovës, e nënshtrimit të paskaj të saj dhe, njëkohësisht e mjerimit të saj politik. Gërvalla do të ishte frymëzuesi dhe njeriu në ballë të demonstratave për Republikën e Kosovës, Buxhovi do të bridhte nëpër klubet shqiptare me flamurin e serbizimit të tyre. Gërvalla do të bëhej pjesë e themelimit të një lëvizje të re politike, gjithëpërfshirëse, që në programin e saj do të ketë edhe luftën e armatosur, Buxhovi do të bëhej njeriu që merrte në pyetje të burgosurit politik dhe tentonte të shkelte mbi gjakun dhe idenë e tyre. Gërvalla, në fund, pikërisht nga njerëzit të cilëve u shërbente Buxhovi, do të vritej në një natë të ftohtë janari; po asaj kohe kur Buxhovi do të “lavdërohej” se ishte njëri nga të “tyret” e politikës së Beogradit. Mes këtyre dy njerëzve, njëra figurë kombëtare dhe tjetra hije e pazakontë, qëndron një hendek i jashtëzakonshëm, jo vetëm njerëzor, por edhe i vizioneve, përcaktimeve dhe filozofisë që bartin. Nda është e pështirë të dëgjosh të flasësh për Gërvallën dhe Kadri Zekën në njeri që i ka ndjekur, që ka qenë ashpërsisht kundër tyre dhe, që askush nuk e di, se ku ishte kur ndodhi ngjarja e kobshme.

Përse po ngjallen skifterët

Rishfaqja e fundit e Buxhovit, pas disa parapërgatitjeve jo edhe aq të rëndësishme, nuk vjen në një kohë të pazakontë dhe as si shenjë se skifterët e LDK-së po rikthehen edhe një herë. Ata, edhe po të duan, edhe aty nuk kanë më vend, pasi ngjajnë me limonët , të cilët shërbejnë për aq sa duhet dhe kur duhet. Zëri i Buxhovit është bërë në këtë kohë bashkë me disa zëra të tjerë, në medien e shkuar dhe vizive, të cilët, edhe një herë, e përsëris, jo rastësisht, janë hedhur në një sulm të çakërdisur ndaj çdo vlere të lëvizjes çlirimtare. Koha që kanë zgjedhur është në sinkron me kohën e shqyrtimit të raportit famëkeq të Dik Martyt dhe telasheve të Karla del Pontes, pra koha kur dinjiteti i Kosovës do të vihet edhe një herë në provë, dhe, duke vrapuar, si gjithnjë në anën e kundërt të popullit të tyre, po hidhen edhe lakejtë e djeshëm të klanit titist e udbash. Synimi i tyre është i njëjtë me atë synim që kanë pasur në vitin 1968, me aspiratën e tyre rrënuese në vitin 1981, me sulmet e egra dhe vrasjet në vitin 1989, me synimin për denigrimin e lëvizjes çlirimtare klandestine në vitin 1990, fill pas krijimit të LDK-së, dhe më pas, me një kulm të pamenduar, kundër luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në asnjë popull tjetër nuk ka një skotë të tillë, kaq mjerane dhe kaq të pështirë sa udbashët e Kosovës, sidomos komunistët udbashë, të cilët, dy herë të zinj, si anëtarë të një partie komuniste që kishte gllabëruar vendin dhe si spiunë të saj, u lëshuan kundër popullit. Pra, koha është e gjetur, dhe ajo me të cilën isha dakord ne paraqitjen e Buxhovit, ishte sinqeriteti i tij, i imponuar ose jo nga e kaluara e tij, dhe nga e cila ai nuk po heq dorë as tani kur gjërat kanë ndryshuar.
Buxhovi u shfaq ashtu si gjithë secili nga titistët e djeshëm, me të njëjtat teza, me të njëjtat shpifje, i gatshëm për të shërbyer deri në fund ndaj një kauze që është e tija, por jo vetëm e tija, dhe që është në çdo aspekt e kundërta e së vërtetës historike dhe e aspiratës së një populli; ai u shfaq ashtu si ishte pritur të shfaqej në vitin 1981, në vitin 1989, krejt i devotshëm ndaj tezave të plasuara fillimisht nga Tanjugu e më pas në “Rilindja” , si pjesë e rëndësishme e së cilës ishte; edhe një herë ai zgjoi një gjuhë që kishim menduar se ishte harruar, si shenjë pendese të paktën, thirri në ndihmë të njëjtin fjalor që kishte dikur më parë udb-ja serbe dhe tellallët e saj medialë; dhe e gjithë kjo do të dukej e pabesueshme se mund të ndodhte kur çdo gjë, edhe më e thella, tashmë është e qartë për të gjithë.

Arsyet e një interviste

Pse ndodh e gjithë kjo? Vërtet këto njerëz, si Buxhovi, nuk e dinë një të vërtetë historike? Vërtet nuk e di se njerëzit të cilët deri dje, në shkrimet e tij i cilësonte si irredentistë dhe nacionalistë, dhe i mallkonte se po prishnin bashkim-vllaznimin, janë në të vërtetë çlirimtarët e vërtetë të Kosovës, më të përkushtuarit, më të devotshmit dhe më të sakrifikuarit? Vërtet nuk e di se nga kjo plejadë çlirimtarësh kanë dalë figurat më mitike të Kosovës, pa ekzistencën e tyre Kosova do të ishte vërtet një çështje e humbur, do të ishim një komb me ndërprerje historike? Vërtet nuk e di se , pikërisht këto çlirimtarët dergjeshin burgjeve serbe, kur ai dhe pinjollët titistë endeshin nëpër botë dhe ankoheshin se vakancat në vendet perëndimore nuk i shkonin si duhet? Vërtet nuk e di dhe skota e tij se nga këto njerëz, të heshtur deri në dhimbje, janë bërë me mijëra vite burg…dhe ky burgim, si në çdo gjë epike, është përjetuar si një gjë normale për hir të Kosovës? Natyrisht, ata, të gjithë, e dinë. Shumë nga nacionalistët e irredentistët e djeshëm, janë burgosur e torturuar nga skota e afërt me Buxhovin, janë ndjekur e në fund janë vrarë pikërisht nga këto pinjollë, të cilët, jo shumë vite më parë mburreshin se për çlirimtarët “vrima e miut do të ishte pesëqind grosh”. E dinë, e kanë ndjekur vetë, dhe e kanë përgojuar vetë. Rikthimi i tyre në këtë temë të kujton postulatin se vrasësi kthehet gjithnjë në vendin e krimit. Shkrimet e dikurshme të gazetës “Rilindja” ishin as më shumë e as më pak veçse aktakuzat për nacionalistët dhe irredentistët, ishin parathënia e dënimeve që do të vinte, shënimet e tyre politike ishin në fakt diferencimi politik mes njerëzve, ku nga njëra anë ishin çlirimtarët dhe lëvizja e tyre politike, dhe, nga ana tjetër ishin diferencuesit, të cilëve i përkiste edhe Buxhovi. Rikthimi në diferencim dhe në tezat e qelbura të së djeshmes nuk janë një farsë politike, nuk janë për të zgjidhur hallet mes LDK-së dhe për t’i dhënë zemër të humburve; është shumë më tepër se kaq. Është rikthimi i kushtrimit titist edhe për një hyxhym mbi lëvizjen çlirimtare, mbi të drejtën historike dhe mbi të vërtetën historike të një populli, i cili edhe nga humnera ku e kishte hedhur regjimi fashist titist, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte edhe Buxhovi, gjeti forcë të dilte në dritëzim, sepse vizioni që kishin ata njerëz dhe mendimi i tyre politik nuk ishte asgjë tjetër veçse vazhdë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Pse ndodh e gjithë kjo…Kush qëndron pas tyre…a është rastësi kjo sintoni e llahtarshme e shpifjeve dhe cila është e vërteta e lëvizjes çlirimtare…ishin ata nacionalistë e atdhetarë apo të shitur tek UDB dhe KGB-ja..kush ishin në fakt të shiturit dhe kush ishin të sakrifikuarit…të gjitha këto, qetësisht, do i shohim në vazhdimin e këtij shkrimi.

Togfjalëshin “hija e Buxhovit”, nuk e kam thjesht për hijen e një njeriu, sado i vockël qoftë ai, por për përfaqësimin që bart në politikën shqiptare në Kosovë. Me pak fjalë, mendimi është për hijen që lëshon ende mbi politikën e Kosovës politika e së djeshmes titiste dhe udbashe, përfaqësues tipik i së cilës nuk është prej ditës së sotme Buxhovi dhe që dashur-padashur rëndon mbi këtë politikë; e kam fjalën për atë mendësi dhe filozofi, e cila në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar u bë vetëdijshëm bashkëpunëtore e krimit dhe e pushtimit të saj, e kam fjalën për atë tabor njerëzish, shpeshherë edhe të njohur si intelektualë, të cilët vunë në shërbimin e pushtimit gjithë zellin e tyre, mjeshtërinë, forcën, veset dhe nuk hoqën dorë prej tyre edhe kur, jashtë dëshirës së tyre, gjendja u bë e ndryshme. Zakonisht, në botën e diplomacisë dhe të luftës njëkohësisht, këta njerëz u quajtën kolaboracionistë, në Kosovë u quajtën titistë dhe maja e tyre e politikës u quajtën udbash.

Një hije e tillë, e këtij skalioni të mjerueshëm, por të rrezikshëm, vazhdon ende sot mbi qiellin e politikës në Kosovë. Çdo gjë e ka një fillesë, çdo gjë ka një nisje, një përcaktim, kur forma bëhet më e qartë dhe kur gjërat dalin nga “shishja e dreqit”.

Në Kosovë ky është viti 1981, më saktë pranvera e këtij viti, e në fillimin e kësaj pranvere janë dy data, 11 mars dhe 2 prill. Ky është momenti kur ndahen mënjanë vizionarët, fillimisht më të paktë dhe, nga ana tjetër, zelltarët e pushtetit. Nga njëra anë do të jenë të burgosurit e kohës dhe të burgosurit e ardhshëm; në kahun tjetër do të jenë bukëshkelësit, udbashët, të privilegjuarit, të përkëdhelurit, që për të qenë pjesë e elitës politike, janë të gatshëm dhe shkelin mbi njerëzit vizionarë. Nga njëra anë do të jenë ata që e duan shtetin amë, Shqipërinë, pa marrë parasysh se cili regjim është vendosur atje; nga ana tjetër janë ata që duan ende serbizimin e Kosovës, që nuk shtyhen më tej se autonomia dhe kjo e fituar me gjakun e shqiptarëve dhe dhunën ndaj tyre; nga njëra anë është përgjigjja e Jusuf Gërvallës, “PA ASNJË DYSHIM”, pas pyetjes së medieve gjermane, nëse do të pranonit të bashkoheshit me Shqipërinë edhe po të ishte shtet kapitalist, monarki apo komunist; nga tjetër është grupi i njerëzve që mallkojnë Shqipërinë dhe thirrja e shefit të Jusuf Buxhovit, që në fakt është thirrja e tij, nëpërmjet Dushan Ristiqit, se” kurrfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria”. Nga njëra anë ndodhen idealistët që burgosen edhe me 10 vjet burg për një libër të zakonshëm të ardhur nga Shqipëria si, për shembull, “Prijësja e komitëve”, nga ana tjetër janë katër gazetarë të “Rilindjes”, të cilët kur kthehen nga Shqipëria grinden me njëri-tjetrin se cili do ta ketë nderin ta bëjë informacionin për UDB-në, pasi nga katër gazetarë, si kujton shkrimtari Mehmet Kraja, tre prej tyre janë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Ku ishte Buxhovi dhe ku ishin “buxhovët” e tjerë, kur në Kosovë po gatuhej në magjen e historisë? Ishte në Bon, kryeqyteti i Gjermanisë perëndimore, si pjesë e gazetës “Rilindja”, që nuk ishte asgjë tjetër veçse “Tanjug”-u në gjuhën shqipe. Ai ishte me mallkuesit, me fabrikuesit e ngjarjeve dhe, njëkohësisht, pjesë hetimore e njerëzve që donin ta ndryshonin historinë. Ai mund të jetë edhe më shumë se kaq, mund të jetë edhe pjesë denoncuese e lëvizjes çlirimtare dhe askush me mend nuk pret që një denoncues të dalë nga vetja, të tjetërsohet, kur ende pesha e mëkatit nuk rëndon të paktën në ndërgjegjen e tij.

Të gjitha ngjarjet që kanë ardhur më pas në historinë moderne të Kosovës, përfshirë edhe ato që po ndodhin sot, e kanë zanafillën, pikënisjen në vitin 1981. Aty, haptas tashmë, do të ndodhë procesi i diferencimit politik, qendra e të cilit do të jetë gazeta”Rilindja”, njëkohësisht, pas vrasjeve masive, do të fillojë edhe procesi i burgimeve të rënda, ku të burgosurit do të jenë pjesëtarët e forcave klandestine çlirimtare.

Edhe më parë në Kosovë kishin ndodhur procese politike masive. Vrasjet më të mëdha, masive të shqiptarëve, ishin bërë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku në një kohë të shkurtër regjimi i Titos dhe i Rankoviqit, me ndihmën e shqipfolësve, do të vrisnin më shumë se 40 mijë veta. E saktësoj: më shumë se dyzet mijë veta. Por pas proceseve pastruese vrasëse jetike, regjimi serb në Kosovë kishte thirrur në ndihmë pikërisht mendimin politik të udbashëve të regjur, të paskrupullt dhe periudha nga viti 1968, pas demonstratave për flamurin dhe autonominë dhe deri në vitin 1981, do të jetë ajo nëpër të cilën, nga njëra anë vizionarët përgatiteshin për një betejë finale, ndërsa titistët dhe udbashët përgatiteshin që nëpërmjet një elite politike e intelektuale ta varroste përgjithnjë aspiratën e një pjese të rëndësishme të popullit shqiptar.

Buxhovi dhe përgjithësisht “buxhovistët”, (hej dreq, nuk e di pse më tingëllon si “koxixoxistët”) shpifnin mjerueshëm kur thonë e në këtë kohë e më pas 90 për qind e popullit ishin përkrah tyre. Nëse do të kishte qenë kështu do të kishim pasur të bëjmë me një popull pa histori dhe pa ndërgjegje kombëtare, të cilin as topat migjenianë nuk do të mund ta zgjonin pas pak vitesh dhe ta bënte njërën nga luftërat më të çmuara në fundin e shekullit të shkuar. Regjimi, të cilit i shërbente Buxhovi, kishte lejuar disa rregulla të lojës, të cilave, po t’u përmbaheshe, mund të jetoje rehat, por i shtypur. Të lejonte të dilje jashtë vendit, pasi ishe kontrolluar nga UDB-a, të lejonte të kishe një pronë private, por nuk të lejonte të ishe i lirë, nuk të lejonte as gjuhën e as flamurin, po të dilje sadopak jashtë këtyre rregullave, të shqepte në dru, të digjte, të burgoste dhe të vriste. Gjaku i derdhur më 2 prill 1981 dëshmoi se gjithçka që kishte qenë në sipërfaqe shpërtheu vrullshëm, regjimi hoqi maskën e tolerancës dhe foli me gjuhën e tankeve, rrugët e qyteteve të Kosovës u bënë edhe një herë vendi i gjakut të derdhur. Buxhovistët mbrojtën gjakun që u derdh nga pushteti si një gjë normale, pasi të vrarët, që kishin derdhur gjakun ishin, as më shumë e as më pak, irredentistë dhe nacionalistë dhe, si të tillë, lejohej edhe të vriteshin. Artikujt e gazetës “Rilindja” ishin në fakt licenca e pushtetit për të vrarë. Ndërsa të vrarët ishin idealistët e zakonshëm të Kosovës, të cilët nuk ishin ngritur për të bërë histori, por për gjërat normale që i takojnë çdo kombi, vetëvendosjen e tyre. Shkrimet e vitit 1981 e pas tij, po të lexohen sot edhe një herë, të bëjnë të mendosh se cila mendje djallëzore e mizore njëkohësisht ishte pas tyre, kush i kishte pjellë këta njerëz që nuk jepnin asnjë grosh për Kosovën, por përpiqeshin të vilnin çdo lot të saj… Çuditërisht nga kjo skotë, vrullshëm, filluan të dalin në sipërfaqe “demokratët” e ardhshëm, ata që, pasi e kishin shitur vendin, tani shpejtonin ta merrnin “patentën” nacionale të atdhedashurisë dhe të sakrificës. Kjo skotë vrapon edhe tani, në sinkron të plotë me Beogradin, dhe mjerimi i politikës është se, nëpërmjet një mijë rrugëve, ata ia kanë arritur të jenë pjesë dominuese në ekonominë e Kosovës dhe përmes një dere të hapur gabimisht, edhe pjesë të politikës së saj.

Pas vitit 1981, periudhë për të cilën rëndon më shumë Buxhovi dhe buxhovistët e tjerë në deklarimet e tyre, në Kosovë do të ndodhë një fenomen jo i rastësishëm: zgjimi i vetëdijes kombëtare, edhe nëpërmjet medieve të shtetit shqiptar, por më shumë një pleksje mes traditës së odës shqiptare dhe frymimit universitar. Viti 1981 e të tjerët pas tij nuk do të jenë vite të humbura në historinë e Kosovës. Ata do të jenë kohë e parapërgatitjes për ngjarjet madhore të vitit 1989, me gjithë dëmtimet e jashtëzakonshme që do të kenë. Në Kosovë, në vitet e pushtimit serb të pasluftës, do të dënohen politikisht, më shumë se 300 mijë veta, por dënimet më të ndjeshme, më të shpeshta dhe më të rënda, do të jenë pas vitit 1981. Në pretencën e të gjithë këtyre grupimeve të dënuara, nuk ka asnjë akuzë si grupe marksiste-leniniste: të gjitha akuzat janë ngritur si grupe kundërrevolucionare, nacionaliste, irredentiste, që synonin rregullimin federativ të shtetit, me mjete të armatosura ta përmbysnin pushtetin serb në Kosovë dhe që kishin qëllim të tyre republikën e Kosovës dhe bashkimin me shtetin amë, Shqipërinë.

Për ta bërë këtë sa më konkrete, po sjell, fjalë për fjalë, pjesë nga aktakuza ndaj 27 të pandehurve në prill 1986, pjesë e një grupi të lëvizjes çlirimtare, mes të cilëve edhe heronjtë, Fehmi Lladrovci e Shaban Shala. Ata do të gjykohen sepse “me qëllim të rrëzimit të pushtetit të klasës punëtorë dhe të punonjësve, minimin e rregullimit shoqëroro-ekonomik të përcaktuar me kushtetutë, prishjen e vllaznim-bashkimit e barazisë së kombeve e kombësive, ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit, nëpërmjet irredentizmit e nacionalizmit”, kështu shprehet kryetari i kolegjit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Tadej Radiqi, ndihmësi i tij Shefqet Bytyqi dhe Ismet Emra.

Më tej në procesverbalin përkatës mund të lexohet ende se “I akuzuari Fehmi Lladrovci, si në hetuesi ashtu edhe në seancën kryesore, pohon se e ka kryer veprën penale, e cila i vihet në ngarkim, se ka filluar të merret me veprimtari armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar. Deklaron se për veprën e tij nuk pendohet dhe se qëndron pranë kërkesës së tij dhe shokëve të tij, që Kosovës duhet t’i njihet statusi i republikës dhe se kjo kërkesë është e drejtë”.

27 herë, nga të 27 të akuzuarit e më pas të dënuarit ashpër, përsëritet kjo deklaratë në sallën e gjyqit, në të cilin drejtuesit janë shqipfolës, torturues janë serbo-shqiptarët dhe, në të gjithë këtë zinxhir krimesh, më të ashpër dhe të panderë, janë gazetarët që shpifin, mallkojnë, licencojnë dënimet e ashpra.

Shumë vite më vonë avokatët e djallit serb do të përpiqen në një kor të përbashkët të fshihen pas emërtimit, se ata që u dënuan ishin “marksistë-leninistë” dhe se pikërisht për këtë duheshin dënuar. Një ndër ideatorët e kësaj teze meskine dhe të rrezikshme, që lindi pas vitit 1989, sidomos nga pllehnia e Buxhovit, do të rikthehet herë pas here aty ku e nisi, jo sepse nuk e di të vërtetën, por sepse pas këtij petku mund të fshihej e shkuara e tyre deri në krim.

Shteti serb, po ashtu një shtet komunist e më tej se kaq, sepse ishte nacionalfashist, çfarë u dëshmua pak vite më pas, nuk mund të dënonte askënd për të tilla pikëpamje, sepse ishte i mbytur deri në thellësi në krimin e tij. Përse lindi e gjithë kjo anatemë ndaj çlirimtarëve… ku ishte qëllimi i përdhosjes së vlerave çlirimtare dhe ku ishin bartësit e saj…përse në Kosovë, si askund tjetër, kjo klasë u bë më e pështirë, më e rrezikshme dhe më e dëmshme për vetë vlerat e kombit… si ndodhi që ajo gjeti përkrahje në Shqipërinë e pas vitit 1991… kur më përpara kishin gjetur përkrahje forcat çlirimtare…

Të gjitha grupet e dënuara nga lëvizja çlirimtare në Kosovë, në të gjitha instancat ku edhe janë dënuar, deri në Gjykatën Supreme, në asnjë rast nuk kanë pasur vite të caktuara dënimi si pjesë e një lëvizje marksiste-leniniste. Nëse ndonjë prej tyre, në fakt më e vendosura, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, OMLK, deri në janarin e vitit 1982 kishte paraqitjen e jashtme si një lëvizje e ngjashme me atë që ishte në shtetin amë, në thelbin e saj ajo ishte thellësisht nacionaliste, e këtë e dinin fare mirë të gjitha qarqet politike në shtetin serb. Pas Bashkim-Shkrirjes të të gjitha grupeve të lëvizjes çlirimtare dhe formimit të së njëjtës trupë drejtuese, ku për herë të parë do të përcaktohet edhe sekretari për problemet e luftës dhe ky do të ishte Fehmi Lladrovci, njëra ndër figurat më të shquara të saj , as si formë, aq më pak si përmbajtje, do të jetë emërtimi marksist-leninist. Dhe ata u dënuan si nacionalistë, separatistë dhe irredentistë, e si do të thoshte më pas një tjetër figurë e ndritur e Lëvizjes Çlirimtare, Xhavit Hoxha, “po, kemi qenë dhe mbetemi nacionalistë e irredentistë, sepse e duam Kosovën dhe sepse guxojmë të ëndërrojmë dhe të punojmë për bashkimin me Shqipërinë”. Në fund të fundit, edhe nga lidhjet e Lëvizjes Çlirimtare me shtetin shqiptar të kohës, atyre do t’u vinte një orientim i saktë, sipas të cilit, ata duhej të hiqnin dorë nga qëndrimet ideologjike, nga glorifikimi i shtetit shqiptar dhe i figurës së Enver Hoxhës dhe duhet të përqendroheshin në lëvizjen çlirimtare.

 

Përse tani, pas kaq shumë viteve, “buxhovistët”, si një rrymë titiste në politikën shqiptare në Kosovë, duan ta akuzojnë Lëvizjen Çlirimtare si thellësisht të majtë dhe nëpërmjet saj t’i justifikojnë vrasjet masive, dhunën, burgosjet, torturat, shkatërrimet?

 

Vërtet e vranë, le të marrim një shembull, Tahir Lush Berishën, 23-vjeçar, mësues i artit, sepse ai ishte marksist-leninist? Vërtet ia arrestuan nënën, Shkurte Berishën, 70-vjeçare, se i biri ishte marksist-leninist? Vallë për këtë shkak ia arrestuan të vëllezërit, Skënderin dhe Maxhunin, nuk i lejuan ceremoninë mortore dhe arrestuan edhe njerëzit që shkuan për ngushëllim? Tahir Berisha ishte një ndër të vrarët e Lëvizjes Çlirimtare, por jo i pari prej tyre dhe as i fundit.

 

Vërtet policia serbe, të cilën e justifikon Jusuf Buxhovi, i vrau Hasan Ramadanin dhe bijën e tij, Fitnetën, 17-vjeçare, sepse ishin, babë e bijë, marksistë-leninistë? Ata ishin pjesë e Lëvizjes Çlirimtare të zonës së Llapit, nga ishte edhe Ali Ajeti, po ashtu i vrarë nga forcat serbe, këtë herë nëpërmjet helikopterëve ushtarakë dhe, jam i bindur se as që kishin menduar ndonjëherë për marksizëm, sepse edhe në përmbajtje edhe në formë, duke qenë një ideologji që vinte nga Lindja, nga i kishin ardhur të zezat Kosovës, ishte krejt e papranueshme për to.

 

Interesant është fakti se akuzat më të mëdha dhe të pështira ndaj Lëvizjes Çlirimtare, si një forcë e majtë dhe që është dënuar si e tillë, i vijnë nga ish-komunistët shqiptarë në Kosovë, pjesë e Partisë Komuniste serbe, pra një aneks i saj dhe dyfish të neveritshëm. Jorastësisht, pikërisht këto forca proserbe dhe ish-komuniste do ta gjejnë përkrahjen më të ndjeshme në Shqipërinë e pas vitit 1992, do të kenë aleanca të përbashkëta dhe qëndrim, po ashtu të përbashkët dhe mohues ndaj forcave çlirimtare në Kosovë. Kjo nuk lidhet thjesht me dhëndërrimin proserb të Berishës, por me gjithë atë që ngjau aty, ku dolë në sipërfaqe dhe u ngjitën deri në majë të shtetit shumë nga ata që ishin të lidhur jo vetëm shpirtërisht, por edhe si pjesë të shërbimit të fshehtë, me shtetin serb.

 

Lëvizja Çlirimtare në Kosovë do ta ketë fillimin e saj të përgjakur: me vrasjen e themeluesve, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, e kjo do ta shoqërojë atë në të gjitha vitet e rritjes së saj. Ajo do të jetë Organizata së cilës, në vite të ndryshme, nëpërmjet atentateve dhe njësive speciale, do t’i vriten drejtuesit kryesorë, politikë e ushtarakë, por do të ketë edhe meritën, sepse rishtas do ta ketë forcën e duhur për një ringritje.

 

Për vrasjet e tjera do të flasim edhe më poshtë, duke dëshmuar se si ndodhën ato, por alibia e ngritur tani nga Buxhovi dhe të tjerë rreth e rreth tij, është alibia dhe justifikimi i vrasjeve, është marrja në mbrojtje e dhunës dhe e vrasjeve serbe, është justifikim për terrorin që ishte i pranishëm kudo, por jo në zyrën, në banesën dhe në jetën e Buxhovit.

 

Çfarë kërkonin këta njerëz, të gatshëm për t’u sakrifikuar, të cilët qëndronin në Kosovë edhe kur ishin të bindur se të nesërmen do të arrestoheshin?

 

Në përgjigjet e njëjta të 27 të burgosurve politikë, mes të cilëve emra të njohur të Lëvizjes Çlirimtare, do të theksohet se ata janë për republikën e Kosovës, se kërkesa e tyre është e drejtë dhe se këtë do ta arrijnë, “ja ma hatër, ja me luftë”.

 

Që në krye të herës, pas gjithë llumit që është ngritur për fare pak kohë, pas si vazhdë e “përmbytjeve të dikurshme”, unë kam vënë disa pikëpyetje, sqarimi i të cilave tashmë, edhe një herë, qenka i domosdoshëm. Le t’i shohim qetësisht:

 

Pse ndodh e gjithë kjo… Kush qëndron pas tyre… a është rastësi kjo sintoni e llahtarshme e shpifjeve dhe cila është e vërteta e lëvizjes çlirimtare… ishin ata nacionalistë e atdhetarë apo të shitur tek UDB-a dhe KGB-a… kush ishin në fakt të shiturit dhe kush ishin të sakrifikuarit…

 

Pse ndodh gjithë kjo?

 

Njeriut të kujdesshëm do të mund t’i kujtohej se kjo nuk është hera e parë se, mjerisht, të gjitha këto që po ngrihen sot nuk janë asgjë tjetër veçse një përsëritje e asaj që ka ndodhur që me rishfaqjen e lëvizjes çlirimtare si një staturë e organizuar dhe mllefi i tashëm nuk është asgjë tjetër veçse përsëritje në një kohë të mëvonshme, por që ka lidhje me të shkuarën. Nuk është interesant të vrojtohet se e gjithë propaganda e serbofilëve dhe e shqipfolësve, edhe kur janë intelektualë, si ishte, për shembull, Buxhovi, është e njëjtë me atë që ka derdhur shtypi beogradas. Nganjëherë detajet janë deri në imtësi, por përsëri, me gjithë shfaqjen e saj makabre, nuk ka qenë forma ajo që ka trazuar, por egërsia.

 

Asnjëherë, në të gjithë shtypin e shkruar apo në atë medial, këta zëdhënës të shprishur nuk kanë, në asnjë të qindtën, kaq të rreptë ndaj aparatit policor serb, sa kanë qenë kundër lëvizjes çlirimtare. Që në krijimin e saj alternativa paqësore kosovare, e cila e gjeti oportune të regjistrohej në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd, megjithëse në letër e kishin krijuar Qeverinë e Kosovës, mllefin e saj e vendosi tek ish të burgosurit politikë dhe tek ajo që i përfaqësonte, Lëvizjen Çlirimtare, e strukturuar pas Lëvizjes Popullore të Kosovës. Gazeta “Bujku”, simotra e organit famëkeq “Rilindja”, në të gjithë numrat e saj të parë hodhi po këtë vrer që hedh sot Buxhovi, e kjo nuk çudit askënd që i di ngjarjet dhe personazhet dhe mund të kujtohet se ky Buxhov nuk ishte as më shumë e as më pak, veçse sekretari i LDK-së, njeriu i dytë në atë hierarki. Lëvizja Çlirimtare, përfaqësuesit e saj u takuan atë botë me Fehmi Aganin dhe i kërkuan t’i ndalnin sulmet e shpifjet, sepse “nëse ishte për të folur, lëvizja kishte shumë e shumë më tepër të vërteta sesa kishin ata shpifje e trillime”. Agani i drejtoi tek Rugova, e pas kësaj sulmet heshtën për një farë kohe, e përsëri kjo përkon me largimin e Buxhovit dhe të disa udbashëve nga drejtimi i LDK-së.

 

Kjo që ndodh tani është një ndihmesë më shumë për trajtimet politike e juridike që do të ketë së shpejti çështja e Kosovës për të gjithë ata që prej kohe janë vendosur kundër saj. Është në një kohë sinkron me lëvizjet politike serbe, me disa botime të sponsorizuara prej saj, me regjistrimit e vëllezërve Kariq e të tjerëve nëpër kampet e emigrantëve serbë, shumë nga të cilët nuk kanë ikur nga Kosova sepse druheshin për hiçgjë, por sepse disa ishin pjesë e krimeve dhe disa të tjerë e dinë fare mirë se janë në tokë të huaj. Dhe toka e huaj nuk të mban. Jorastësisht, disa ditë më parë, një nga vëllezërit Kariq, në Slloveni, kishte të njëjtën retorikë si kjo që po mbin në Kosovë. Duhet të jesh naiv të besosh se kjo është rastësi.

 

Kush qëndron pas tyre?

 

Përgjigjja më e shkurtër dhe më e përgjithshme do të ishte, Beogradi. Kjo i thotë të gjitha dhe nuk thotë asgjë. I thotë të gjitha sepse, që andej, mjerisht edhe sot, mbi viset shqiptare në Kosovë kanë ardhur gjithnjë akullimet e jetës dhe të politikës dhe kanë ardhur së bashku me gjakun e derdhur. Por, tashmë, si në çdo krahasim tjetër që ka çalimin e tij, edhe kjo është një e vërtetë e përgjithshme, por që ka edhe specifikat e saj.

Njëra prej tyre është edhe atë që mendohet të ndodhë: detantën politike. Para zhvillimit të ngjarjeve është një precedent: shteti kroat dorëzoi tek shteti gjerman emrin e një bashkëpunëtori të shërbimit të fshehtë të dikurshëm të saj, i cili kishte organizuar vrasjet e lëvizjes së rezistencës kroate në mërgim. dhe ka pasur disa të tilla.

 

Për analogji, më në fund, shteti gjerman, sidomos pas disa shkrimeve, por edhe një libri të botuar nga unë, “Lëvizja… lindje e përgjakur: bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin”, ka ringritur disa ngjarje të tilla ndaj shqiptarëve të Kosovës. Është ringritur çështja e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, themelues të Lëvizjes Popullore të Kosovës, njëkohësisht heronjtë e parë të saj. Ringritja e kësaj çështje, por edhe e të tjerave, ka sjellë alarmin e disa nga bashkëpunëtorëve të afërt dhe të fshehtë, si janë zakonisht, të shërbimit sekret serb në falangat e shqiptarëve, shumë nga të cilët kanë qenë në Perëndim, pikërisht kur këto vrasje e të tjera si këto, kanë ndodhur. Këta bashkëpunëtorë kanë drojën e ligjshme se pas disa avantazheve që mund t’i jepen shtetit serb, mund të ketë lëshime të kësaj natyre, mund të sakrifikohen disa nga këta bashkëpunëtorë, të cilët janë edhe limonë të shtrydhur dhe nuk çojnë shumë peshë në politikën serbe, e cila, edhe në këtë rast, shumë mirë mund të fshihet pas fantazmës së përgjakur të Millosheviqit. Është i njohur fakti, apo mentaliteti serb, se për të përfituar qoftë edhe një gram në dobinë e tyre, janë të gatshëm të japin një ton me shqiptarë, aq më shumë nga ata të cilët nuk u duhen më. Duke e njohur edhe këtë mentalitet, bashkëpunëtorët e dikurshëm të shërbimit sekret serb, por edhe drojën se mund të përsëritet precedenti kroat, po rendnin për të dëshmuar se janë ende të dobishëm, si një shenjë se nuk duhet dhënë e kaluara e tyre, sepse mund të jenë të dobishëm edhe në të ardhmen.

 

Pra, pas tyre, më shumë se gjithçka tjetër, qëndron e kaluara, momenti kur për hir të një udhëtimi, të një shërbimi, të një vile, të një libri apo për të qenë diku në Perëndim, kanë pranuar të bëhen bashkëpunëtorë të djallit. Sepse të thuash se e kanë bërë për hir të parimeve, kjo është larg mendsh, sepse asnjëri prej tyre, duke filluar që nga më i njohuri, Selim Brosha e deri tek anonimët dhe “intelektualët”, nuk ka pasur parime e nuk mund të ketë. Shumica e të burgosurve politikë shqiptarë kanë dëshmuar bindshëm se në ditët e gjata të torturave ata më shumë janë keqtrajtuar e rrahur deri në përgjakje nga shqipfolësit sesa nga hetuesit serbë, të cilët, pasi i ndërsenin kundër tyre, rrinin në një qoshe dhe zgërdhiheshin duke parë se si shqiptarë të shitur rrihnin shqiptarë të guximshëm. Të gjithë këto, hetues, prokurorë e hetues, të strukturë për disa kohë, u rizgjuan, sepse panë se si u hapën portat për to, edhe një herë, se si një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, atë që kishte dënuar dikur në vendin e tyre, po e lejonin këtu; vunë re se edhe të tjerë, veç serbëve, kishin nevojë për afrimin e tyre dhe, doli në skenë një tip i ri udbashi, që plekste të vjetrën me të renë, si ishte rasti i Fadil Sulejviqit, i cili aq sa kishte mëkate në regjimin e shkuar, si ishte rasti i rrëmbimit dhe i zhdukjes së mjekut atdhetar, Hafir Shala, ish i burgosur politik; po aq ishte i devotshëm të ngrinte akuza dhe specifikime të sajuara ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Kjo skotë mendon se erdhi çasti për të goditur edhe një herë, por meqë nuk kanë asgjë të re nga thesi i vjetër, ata shkundin përsëri atë miell të zi. Kundër kujt?, tashmë dihet. Ata ishin e mbeten kundër lëvizjes çlirimtare, deri në ashpërsi, deri në thelb, e këtë e shfaqën haptas, sipas një udhëzimi të caktuar, që në fillesat e shfaqjes së saj. Është e mjerueshme të lexosh sot në “Rilindja” etiketimet e forcave çlirimtare si një forcë e ultrashovinistëve të Sheshelit, pastaj si dorë e zgjatur e Serbisë, si vegël e Arkanit dhe, tani, nga mendja e Buxhovit del edhe një “xhevahir”, si njerëz të KGB-së ruse.

Vërtet çfarë ishin këta njerëz, të cilët më pas Ismail Kadare do t’i quante “dalzotësit e kombit”? Ishin vërtet “grupe terroriste” si i cilësonte shtypi shqiptar proverb, njëkohësisht media serbe, apo njerëz të vendosur për ta bërë detyrën e tyre… ishin ata dorë e zgjatur e shërbimit të fshehtë serb po atdhetarë të bindur se rruga e vetme që i kishte mbetur do të ishte lufta e armatosur? Dolën ata nga hiçi, apo ishin ngritur mbi një vizion të përcaktuar qartësisht? Ishin të panjohur dhe si ndodhi që u bënë figurat më mitike të epikës historike moderne në viset shqiptare në Kosovë? Le të vazhdojmë…

Në të gjithë lumin e pafund që derdhi pa asnjë lloj brejtje, Buxhovi akuzoi njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare se ishin, as më shumë e as më pak, të lidhur me UDB-në dhe, shkoi më tej, edhe me KGB-në ruse. Ky ishte tërbimi i tij politik, ose më saktë maja e këtij tërbimi.

 

Më është kujtuar menjëherë se që në ditët e para të arratisjes së Jusuf Gërvallës, bashkë me të, edhe pëshpërima se ai nuk duhet besuar, pasi është agjent i UDB-së dhe, jo rastësisht, një lëmsh i zjarrtë shpifjesh u hodh mbi figurën e tij, e kur e ndjenë se ata nuk zunë vend dhe se ishin të pamjaftueshme për ta ndalur, i bënë pritë dhe e vranë.

 

Pastaj më është kujtuar se të njëjtët, kështu si Buxhovi, tinëzisht dhe mjerueshëm, përhapën fjalët se Adem Jashari nuk ishte asgjë tjetër veçse një njeri i shërbimit të fshehtë serb, duke shkuar edhe më tej se, “po të mos ishte, nuk do të linte Serbia të bridhte i lirë, ku do e si po do”. “Mendja” e tyre e kishte “parë Adem Jasharin edhe duke pirë me shefin e zyrës sekrete në Drenicë dhe kjo hidhej edhe në mediet zyrtare të Prishtinës. Kur u pa se e gjithë kjo nuk mund të zinte vend mbi figurën e një njeriu si Adem Jashari dhe familja e tij, pasi e kishin rrethuar dy herë pa sukses, ngritën një pritë të trefishtë në natën e 5 marsit 1998 dhe e vranë së bashku me 54 anëtarë të familjes dhe të fisit të tij.

 

Mund të shkojmë edhe më tej; vetë ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kanë akuzuar se ishte vegël e Arkanit, e kësaj here jo vetëm “legalistët” e Prishtinës, por edhe një njeri që hiqet sikur i qan zemra për Kosovën dhe që ishte presidenti i asaj kohe në Shqipëri, Sali Berisha. Kaq shumë baltë u hodh mbi këtë strukturë, çdo ditë të premte në konferenca shtypi, sa do të mjaftonin për të nxirë disa herë çfarëdo ushtrie të rregullt. Dhe kur e gjithë kjo nuk zuri vend, atëherë ngritën komisionin e famshëm të verifikimeve të krimeve të luftës, nga i cili u hartuan dosjet e luftëtarëve të UÇK-së, por asnjë dosje për krimet serbe.

 

Buxhovi, por edhe të tjerë para tij, nuk janë mjaftuar vetëm me lidhjen e shpikur mes Lëvizjes Çlirimtare dhe UDB-së, por kanë shkuar më tej, deri tek KGB-ja. Lidhjet mes UDB-së dhe KGB-së jam i bindur se ai dhe të tjerë rreth tij i dinë fort mirë sepse, në mos tjetër, i ka studiuar dhe e di se të dy shërbimet, në kohë të ndryshme, sidomos kundër shqiptarëve, kanë qenë jashtëzakonisht të lidhur. Zaten shkolla e UDB-së ishte KGB-ja, por ata e rrinë në një shkallë më të lartë perfeksionin e dhunës kundër shqiptarëve.

 

Vërtet çfarë ishin këta njerëz, vizioni i të cilëve ishte Kosova e së ardhmes, ishin atdhetarë apo udbash, ishin në vazhdën e idesë së lirisë apo të nënshtrimit, ishin republikanë apo autonomistë? Më duhet ta pranoj të vërtetën se ka pasur raste kur në mesin e Lëvizjes Çlirimtare ka pasur bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb. Kjo ka qenë e pritshme dhe logjike, sepse ku do të synonte të penetronte ky shërbim, në mos në lëvizjen klandestine? Në “Rilindja” nuk i duhej gjë, pasi më shumë se gjysma ishin njerëz të saj dhe mbi 90 për qind ishin anëtarë të lidhjes komuniste serbe; në Institutin Albanologjik, që në vitin 1981 njihej si kështjella e nacionalizmit, nuk kishte pse, pasi sekretari i lidhjes komuniste, Rugova, ishte flamurmbajtësi i procesit të diferencimit; në Akademinë e Shkencave, ku kishte dhjetëra figura të ndritura, nuk kishte pse, sepse kishte Mark Krasniqin, akademik që ende nuk i dihen veprat, deputet i parlamentit serb; në qeverinë hije të Kosovës, po ashtu nuk kishte përse, sepse veç Rrahman Morinës, kishte edhe të tjerë si Isa Mustafa, të cilët e bënin punën e tyre edhe pa qenë të rekrutuar; në qeverinë Bukoshi, po ashtu nuk kishte përse, sepse aty shërbimi i fshehtë serb kishte vënë vend mjeshtërisht dhe se çfarë bëri kjo qeveri kur filloi lufta e pas saj, e ka dëshmuar numri dy i qeverisë, Shatri.

 

Atëherë i mbeteshin dy vatra ku i duhej të futej: në Lëvizjen Çlirimtare dhe në Lëvizjen Studentore, sidomos pas vitit 1996, kur liderët e saj, e jo vetëm liderët, u lidhën me Lëvizjen Popullore të Kosovës, edhe si drejtues të saj.

 

Pra, në vite të ndryshme, shërbimi i fshehtë serb ka arritur të ketë të ketë njerëz të infiltruar te lëvizja çlirimtare. Jo të shumtë, jo në nivelet e larta, por mjaftueshëm për të bërë dëme të ndjeshme. Dikush është futur qëllimisht, që në ditët e para, duke u bërë pjesë e Lëvizjes pastaj, pasi ka marrë një pjesë të informacionit dhe duke e ditur se nuk mund të ecë më tej, ka bërë denoncimin e tij. Dikush tjetër, këto edhe më të paktë, gjithsejtë katër raste në 30 vjet aktivitet (të paktën këto janë të njohur), janë thyer gjatë torturave, nuk kanë arritur ta durojnë dhunën mbi to dhe kërcënimet ndaj familjes dhe kanë pasur çastin e zhvlerësimit të tyre.

 

Kjo ka sjellë edhe dëmtime të radhëve, sidomos pas Mbledhjes së IV të Përgjithshme, në vitin 1993 dhe në janarin e vitit 1997. Kanë qenë dy nga dëmtimet më të mëdha, më të ndjeshme dhe të cilat kanë ndikuar në një periudhë ringritje të domosdoshme. Jo gjithnjë pa dhimbje, nga qelia e burgut, ku ishte i arrestuar Xhavit Haziri, një nga tribunët dhe liderët e Lëvizjes, do të dërgonte fjalë në vitin 1993, se “shtëpinë që kemi nisur të ndërtojmë, ta lini tani për tani, studentët le të vazhdojnë studimet. Ky ishte mesazhi i njeriut kryesor në ngritjen e strukturave të UÇK-së, të cilin ua dërgonte shokëve të tij, mes të cilëve edhe studentët Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

 

Por, këta të infiltruar apo të thyer më vonë, nuk ishin Lëvizja e as nuk ishin pjesë e saj. Ata ishin agjentë serboshqipfolës, të cilët nëpërmjet miqësive apo shfaqjeve atdhetare, dalëngadalë, por këmbëngulës, arritën të bëheshin përkohësisht pjesë. Këtë më mirë se kushdo e dinë njerëzit e “Rilindjes”. Ashtu si në “Rilindja” ka pasur edhe njerëz, gazetarë që kanë ditur shumë gjëra, ndoshta edhe detaje, por kurrë nuk janë bërë pjesë e sistemit informues. Një prej tyre, Ramush Tahiri, që kur ishin student, ishte në dijeni të grupit klandestin të Fehmi Lladrovcit, i njihte të gjithë, me emër e adresë, studentë apo ushtarakë, i dinte familjet e tyre, miqtë e shokët që kishin, por asnjë e dhënë, dhe ai dinte jo pak, nuk u bë e njohur nga ai. Pra, ka pasur edhe shembuj të tillë, por jo nuk e përjashton faktin se në “Rilindje” kishte më tepri bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb. Ashtu si qenia e pranishme e një apo e pak vetëve, të infiltruar apo të thyer nga shërbimi i fshehtë serb, nuk e bën Lëvizjen as pjesë të UDB-së apo të KGB-së.

 

Lëvizja çlirimtare, edhe kur ishte në vështirësi, sidomos pas goditjeve të vitit 1993 dhe të vitit 1997, kishte qindra veta, të cilët edhe sot janë pjesë e jetës politike në Kosovë. Dhe duhet thënë se shumica e tyre, më shumë se 80 për qind, ishin me vite të gjata dhe të rëna në burgjet serbe.

 

Në vitin 1998, sipas një vendimi të posaçëm të Lëvizjes çlirimtare, u ngrit një Komision i veçantë për hetimin e Ngjarjeve të Luftës. Si drejtues i Organizatës, me miratim unanim, më takoi të kryesoja këtë Komision, i cili verifikoi gjithçka që ishte e mundur, intervistoi e ballafaqoi njerëz e ngjarje, në Kosovë dhe jashtë saj, bëri ndërlidhjen mes ngjarjeve dhe informacioneve të ardhura. Së bashku me anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, Sejdi Gega dhe Naser Idrizi, për disa muaj, intensivisht, u bë çfarë ishte e mundur për t’i zgjidhur ato enigma që mund të ishin të rënda por që, në fakt, pas ndriçimit të tyre, çdo gjë ishte lehtësisht e besueshme. He në të gjithë luftën çlirimtare, sado e rëndë dhe e vështirë ishte ajo, nuk ka pasur asnjë rast të shpërfilljes apo të përhapjes së të dhënave, megjithëse asokohe nuk ishte vetëm shërbim i fshehtë serb që synonte t’i kishte ato.

 

Fakti që me Lëvizjen Çlirimtare, LPK, punuan ngushtë, deri në fund dhe pa asnjë ekuivok, shërbimet diplomatike të vendeve më të zhvilluara perëndimore, por edhe shërbime të tjera të këtyre shteteve, duke pasur besimin e jashtëzakonshëm te Lëvizja, deri në partneritet, dëshmon se gjithçka ishte e pastër, vitalisht e besueshme dhe, mbi të gjitha, pa asnjë lloj hije që mund të nxihej me kalimin e viteve. Të gjithë njerëzit që Lëvizja Çlirimtare ka ofruar për bashkëpunim me diplomacinë ndërkombëtare, shpesh edhe të shkallës së lartë, apo për të bashkëpunuar me shërbime të tjera perëndimore në favorin e luftës, janë miratuar pa asnjë lloj ngurrimi. Dhe, dua të besoj, si kam besuar edhe asaj kohe, se secili prej nesh ka qenë i kaluar nëpërmjet rrezeve iks të politikës dhe të diplomacisë së dyfishtë. Në takimin e parë në Londër, me ndërmjetësinë e ambasadorit shqiptar, Agim Fagu, me një zonjë, përfaqësuese e rëndësishme e botës perëndimore, i ofrova lidhjen me njërin nga shokët tanë në Zvicër. Më kërkoi dy ditë kohë për të më dhënë përgjigje, por që të nesërmen më telefonoi për të më thënë se ishte dakord. Kështu, dua të besoj se ka ndodhur edhe me shokët e tjerë dhe thuajse të gjithë ata që përfaqësuan mendimin diplomatik të UÇK-së në Perëndim kishin qenë të burgosur politik; që nga Bardhyl Mahmuti, drejtues i Trupës, Jashar Salihu, Bilall Sherifi, Ramadan Avdiu, Sabri Kiçmari, Xhevat Bislimi, Agush Buja, Mehmet Bislimi, por edhe të tjerët, Ibrahim Kelmendi e Pleurat Sejdiu, që nuk kishin kaluar nëpër burgje, kishin besimin e plotë të niveleve të larta diplomatike.

 

Çfarë nuk kishte ndodhur e nuk do të ndodhte asnjëherë me “gazetarët” e dyfishtë të “Rilindja”, veçse në rastet kur ishin të nevojshëm si informatorë. Ky është dallimi i madh mes dy ndarjeve: njëra ishte nën shënjestrën e shërbimit të fshehtë serb, por kishte mbështetjen e botës diplomatike e jashtë saj, tjetra, mjerisht, ishte e përkëdhelura e shërbimit të fshehtë serb, shpeshherë pjesë e saj dhe e pazëshme në botën diplomatike. Me fillimin e luftës ata ishin në askund.

 

Të duket e çuditshme… nëse do të besonim këtë sajesë të buxhovistëve. Atëherë duhet të “besojmë” se shërbimi i fshehtë serb na paska qenë “shqiptaromadh”, bile edhe më shumë sesa vetë shqiptarët sepse, pa asnjë lloj hezitimi, bashkëpunëtorët e tij dhe të KGB-së, si thotë trupërisht Buxhovi, njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare, i burgos, i torturon, i djegë, i zhduk pa asnjë gjurmë, i vret sheshazi dhe fshehtas, i burgos pjesëtarët e familjes, ia vret edhe ato, ndërsa ata, “nacionalistët” dhe “irredentistët” e tipit Buxhovi, përkundrazi, megjithëse e di se janë “atdhetarë” të mëdhenj, i përkëdhel, i pranon në lidhjen komuniste serbe, si ishin buxhovët, i bën deputetë në parlamentin serb, i dërgon si gazetarë jashtë shtetit, si në Gjermaninë Perëndimore, i mbush me dhurata. Ndërsa ata, “agjentët” e Lëvizjes, sipas Buxhovit, njerëzit e Lëvizjes, kalben nëpër burgje, buxhovët i kalojnë pushimet jashtë shtetit, jetojnë në banesa luksoze, për të cilat nuk paguajnë asgjë, bredhin nëpër lokalet e natës, kur të burgosurit politikë merren në pyetje në mesin e natës dhe, si mos më keq, lihen të lidhur gjithë natën e gjithë ditën.

 

E përsëris, sipas buxhovistëve, ata, gazetarët, anëtarët e Lidhjes Komuniste Serbe, në filialin e saj në Kosovë, të përkëdhelurit, bashkëpunëtorët e vërtetë të UDB-së, himnizuesit e bashkim-vëllaznimit, përsëri shiten si nacionalistë, kur e kanë harruar edhe fjalën atdhe.

27 të burgosurit politikë, vetëm një pjesë e Lëvizjes të burgosur në vitin 1986, u dënuan së bashku me më shumë se 320 vjet burgim të rëndë, shumica e tyre studentë, asnjëri nuk ishte më shumë se 30 vjet, ende në lulen e rinisë; ndërkohë që buxhovistët i denigronin në medien e tyre si njerëz pa moral, pa dinjitet, irredentistë, por asaj kohe, asnjëherë, nuk mund të shpifnin se këta të burgosur ishin agjentë të UDB-së dhe të KGB-së, sepse UDB-a ishte ende aty, në zyrat e tyre, në mendjen e tyre, në vetëdijen e tyre, ku është edhe tani.

 

Është një kohë kur mjerimi kërkon zërin e vet, edhe në politikë. Njërin prej tyre e ka gjetur tashmë, një ish-gazetar i “Rilindjes”, anëtar i Lidhjes Komuniste Serbe, gjysmë publicist e gjysmë hetues i policisë së fshehtë serbe e, ndoshta, edhe më shumë se kaq! Kohë e mjerueshme. Çakejtë duan të rikthejnë atë që shkoi. Është një mundim i kotë. Nuk do të munden. Dhe si për të dashur të mbyll këtë cikël, në numrin e ardhshëm, në vend të rezymesë, do të rikthehem në vendin që zë Lëvizja Popullore e Kosovës dhe përtej saj, Lëvizja Çlirimtare, në historinë moderne të kombit tonë.

Nuk dua të futem nëpër labirintet e enigmave që tani, pas kaq shumë vitesh, po duan të shfaqen si të tilla. Kori i shtrigave, si te Makbethi, është ngritur tashmë nga hijet e varrezave për të bërë edhe një “performancë” makabre, duke sjellë në ndihmë gjithfarë udbashi, këtej e matanë kufirit, të njohur si të tillë prej viteve dhe, të cilët, vetëm në një vend si Kosova mund të mbijetonin politikisht.

 

Nuk dua të futem në ngastra të tilla, pasi njerëzit që e përbënin Lëvizjen Popullore të Kosovës i njoh thuajse të gjithë, ua di vlerat, virtytet, pasionet, por edhe dobësitë e mangësitë që kanë. Prej më shumë se 20 vjetëve jam pjesë e tyre, herë-herë si një pjesë e zakonshme, më shpesh se publicist, e kur është dashur kam marr përsipër edhe misione të tjera. Nëse mund të ketë diçka për të cilën në jetën time jam i bindur, krejt i qetë, është devotshmëria e njerëzve që e përbënin Lëvizjen Popullore të Kosovës, po ashtu edhe Lëvizjen Çlirimtare në viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Nuk duhet harruar se, në fund të fundit, fillesën e shkërmoqjes, ai palo shtet i sllavëve të jugut, e kishte pikërisht në Kosovë, pikërisht nga këta njerëz të cilët, krejt njerëzisht, bën një histori moderne e njëkohësisht epike.

 

Nuk dua të bëj gjithfarë parantezash për të theksuar një të vërtetë të dukshme, e cila i bëri të padukshme në Kosovë ushtrinë serbe, policinë dhe gjykatat serbe, doganat serbe, i bëri të mosqena strukturat e hetuesisë dhe të prokurorisë serbe, shërbimin e fshehtë ushtarak serb e, më në fund, hoqi edhe strukturat themelore të UDB-së, paçka se ende kanë mbetur rrjedhimet e saj. Kjo ndodh me çdo komb, gjithsecili prej kombeve ka mbeturinat e veta njerëzore, ashtu si ka edhe fisnikërinë e tij. Këtë fisnikëri unë e kam gjetur 20 vjet më parë.

 

Mjaft njerëz, në vite të ndryshme, më kanë pyetur, si dhe pse u bashkova me Lëvizjen Popullore të Kosovës. Herë pas here në librat e botuar nga unë, por edhe në artikujt që kam shkruar, kam dashur t’u tregoj njerëzve se si ndodhi fillimi i kësaj historie, takimet e para të rastësishme dhe si për të parathënë shumëçka, takimet e para ishin në përkujtimin e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, të cilat, edhe pse ndodhën rastësisht, do të vinin një ditë; përfshirja gjithnjë e më thellë në ngjarjet e kohës, bisedat e para, nganjëherë tepër të gjata, pyetjet e mia dhe rastet kur nuk merrja përgjigje, por e vetmja gjë që nuk kam pasur, ka qenë ngurrimi. Nuk kam ngurruar asnjëherë të bëhem pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Fillimisht u takova me tre njerëz të ndryshëm, përfaqësues të Lëvizjes Çlirimtare, të cilët, në tërësinë e tyre, mund të jenë shëmbëlltyra e asaj që ishte vetë ajo.

 

Takova Ali Ahmetin, njeriun mentar, të qetë, të durueshëm, bindës në fjalën e tij, i kujdesshëm për të dëgjuar deri në fund, edhe kur nuk ishte i një mendje me të; i sinqertë dhe i pasionuar jashtëzakonisht pas librave. Në shtëpinë e tij mund të gjeje shumë nga librat e kohës, ai vetë i përpinte librat, asaj kohe ishte i përqendruar më shumë te literatura politike, historia dhe diplomacia, por me të mund të flisnim me orë të tëra për Migjenin, Mjedën, Fishtën, Dostojevskin e deri edhe për poetët modernë.

Takova Ibrahim Kelmendin, njeriun enigmë të Lëvizjes, vrulli i të cilit i përshtatej fare mirë kuptimit të strukturës ku bënte pjesë, pra i lëvizshëm brenda një elementi të lëvizshëm, nganjëherë i rrëmujshëm, i hapur për të gjitha llojet e temave. Ndryshe nga disa të tjerë ai nuk kishte asnjë lloj nostalgjie për regjimin e shkuar në Shqipëri në të kundërtin, e kishte stigmatizuar shumë herë atë, ndaj edhe kishte qenë i padashur; si do të ishte më pas i padashur për regjimin e Berishës. I shkujdesur për sulmet që i bënin, por edhe njeriu që kishte rrëzuar mitet brenda organizatës.

Takova Fehmi Lladrovcin krejt ndryshe nga Kelmendi, megjithëse ishin shumë miq. Fehmiu ishte njeriu që çdo gjë e merrte dhe e kuptonte shumë seriozisht. Ai e merrte seriozisht luftën, e merrte organizatën shumë seriozisht, megjithëse më pas do të ishte i pari që në marsin e vitit 1998 do të shkëputej nga të gjitha strukturat partiake për t’iu kushtuar vetëm luftës; i trajtonte shokët me kujdes të veçantë, i dhimbshëm dhe njeri që nuk mund të dëgjonte asgjë të pahijshme, drenicak me përmasat e të gjithë Shqipërisë, njëlloj i njohur si në fshatin e tij të lindjes, ashtu edhe në Strugë e Zagreb. Nuk e kam dëgjuar kurrë të flasë për veten, adhuronte Adem Jasharin dhe Adem Demaçin. Këta ishin dy idhujt e vetëm që kishte dhe, megjithëse ishte njeri i durueshëm, me vete barte vetëm një ngutje: kthimin në Kosovë.

 

I pari, Ahmeti dhe Lladrovci më ftuan të isha pjesë e Lëvizjes; me Kelmendin fillimisht, ditët e para nuk u morëm vesh, ndoshta u keqkuptuam, pastaj u bëmë miq të afërt dhe e kam respektuar për sinqeritetin, haptësinë dhe durimin që kishte pasur në gjithë ato vite, megjithëse mbi të ishte hedhur një mal me baltë. Shumë vite më vonë, me sinqeritet, Hashim Thaçi do më thoshte se, sikur secilit prej nesh t’i kishte ndodhur ajo valë sulmi, si kishte ndodhur me Kelmendin, ndoshta do të ishim tërhequr.

 

Përse përmenda këto tri njohje, kur kam edhe qindra të tjera, për të cilat do të flas më poshtë? Sepse në vetvete ata janë në një formë ose tjetër, mishërimi i një jete në përpjekje ose, më saktë, paraqitja tredimensionale e Lëvizjes. Në njërën anë njeriu i ilegalitetit, i lindur për të punuar në konspiracion, pakëz romantik në shpirt, ashtu si ishte vetë Lëvizja me nocione e vizion romantik, të mbartur që nga Lidhja e Prizrenit; njeriu që përpiqej t’i lidhte njëqind fije për ta bërë të mundur fillesën e rezistencës së armatosur, njërën këmbë e kishte në perëndim, tjetrën në të gjitha viset e vendlindjes, ndërkohë që më shumë e gjeje në Drenicë, te Shaban Shala apo Lladrovcët, sesa në fshatin ku kishte të parët, në Zajaz. Në fakt, ky ishte edhe perceptimi i drejtë dhe vizionar i Lëvizjes: heqja e ngastrave të krahinave, të fiseve, të ndarjes mes luginave dhe shpateve, mes besimeve dhe paragjykimeve, duke i përmbledhur të gjitha nën një emër: Kosovë.

 

Lëvizja kishte pasur guximin të shihte edhe atë që të tjerët nuk e mendonin dot, kishte gjetur mundësinë të ngrinte një vizion kur të tjerët ishin mbyllur ose në rrethin vicioz të autonomistëve ose, më pas, të pacifistëve; ajo kishte ngritur një rrugë të vështirë kur të tjerët as që mund ta mendonin. Në fund, denjësisht, kishte bërë të mundur që mbi ngrehinën e së djeshmes që mbahej mend, të fillonte një të nesërme që do të kishte vendin e saj. Nuk e kam parë kurrë Ali Ahmetin si zajazas apo si kërçovar, sepse nuk e kam parë kurrë Lëvizjen si e shkëputur nga i gjithë kombi. Lëvizja ishte e njëjtë si në mentalitetin e Ukshin Hotit, i cili, edhe kur ishte nën gjykim, në atë sallë të përgjakur, u dërgonte përshëndetjet e tij shokëve të Lëvizjes, por ishte e tillë edhe në vështrimin e Dritëro Agollit, të Xhevahir Spahiut, të Shaban Sinanit, të Ali Podrimjes, të Gjelosh Gjokës, të Moikom Zeqos, të Sabri Godos… pra nuk kishte qenë i gabuar vështrimi im, ai kishte qenë i njëjtë me shikimin e një plejade elitare. Ky fakt, nëse nuk më bënte vetëm të lumtur, më bënte ta ndjeja nderin që më kishin bërë duke qenë pjesë e tyre. Ky ishte një kënd i Lëvizjes, hapësira e saj, tejet gjeografike, aspak krahinore, tejet e përbashkët, aspak e përndarë; tejet njerëzore, aspak inatçore; tejet e kujdesshme, aspak mohuese; thellë klandestine, aspak llafazane; me njerëzit e së cilës mund të rrije më mirë se me veten tënde.

 

Por ajo kishte edhe një kënd tjetër, po ashtu human, larg meskines, njëkohësisht larg dëshirës vetëm për vete. Qindra njerëz i ishin bashkuar asaj në perëndim. Këta njerëz, larg atdheut, ndoshta i kishin të gjitha ato që mund të dojë një njeri meskin, por që në fund të fundit janë të zakonshme e njerëzore. Thashë ato që mund të dojë një njeri meskin kur atdheu i ka të gjitha, dhe meskineteti yt është vazhdimësi e një jete monotone. Por atdheu, një pjesë e saj, Shqipëria e jashtme, nuk ishte një vend i lirë, e për këta njerëz në perëndim njerëzorja ishte të mbështetej Lëvizja Çlirimtare. Unë i kam parë këta njerëz, kam bujtur te ta, kam ngrënë te vatrat e tyre, (në fakt, asnjëherë, asnjëri nga ne, “të zgjedhurit” apo “të deleguarit”, nuk fjetëm nëpër hotele), kam parë merakun e tyre se si mund të vejnë punët më tej, por kurrë nuk e kam ndjerë hallin e tyre vetjak. Këta njerëz, që edhe mund të rrinin nën qiellin e jetës së tyre, nuk e bënë kurrë këtë, ata iu bashkuan Lëvizjes jo se deshën gjë prej saj, sepse nuk e dinte askush se kur do të vinte kjo e ardhme, por sepse kishin besim te Lëvizja. Disa prej tyre u burgosën sapo shkelën në Kosovë, si Hysen Gega, Islam Rafuna e shumë të tjerë; disa nuk u kthyen më ne perëndim, të tjerë, kur erdhi momenti, dërguan bijtë dhe bijat e veta në luftë. Kjo nuk ndodhi sepse fjalët e “liderëve” ishin të bukura, por sepse ata të mbushnin me besim, sepse ideja ishte e të gjithëve dhe sepse, në fund të fundit, ata kishin shkuar vetë të parët. Më shumë se 10 mijë veta, në një periudhë të shkurtër kohore, prill 1998 – qershor 1999, u kthyen në Kosovë, jo për të bujtur, por për të luftuar.

 

Këndi tjetër, më i rëndësishmi i Lëvizjes, ishte përgatitja për rezistencën e armatosur. Fehmi Lladrovci është një nga tipizimet më reale të saj. Nuk mund të kuptohej Lëvizja me konferenca shtypi. Ajo kishte lindur e përgjakur dhe fati e donte që jeta e saj të vazhdonte, po ashtu, e përgjakur, për ta ndalur gjakderdhjen e një kombi. Ky ishte misioni final i saj dhe askush tjetër nuk e bëri më denjësisht atë. Balta që përpiqen t’i hedhin sot, që nga udbashët e shpallur dhe deri te të pashpallurit, është më shumë se mëria për atë që Lëvizja bëri.

 

Dikush tha se në mesin e luftëtarëve të UÇK-së kishte 140 njerëz të shërbimit të fshehtë serb. Le të themi se kjo është e vërtetë, ta pranojmë për të tillë. Por kjo dëshmon për dy gjëra themelore: së pari, frikën, drojën, ankthin që kishte regjimi pushtues nga Lëvizja Çlirimtare, saqë detyrohej të dërgonte një “armatë” mes tyre, që të mund të dëmtonte atë, ta shprishte, ta dërrmonte. Së dyti, nëse ndër më shumë se 30 mijë luftëtarë të uniformuar dhe më shumë se kaq në njësitet e fshatrave dhe të zonave, UDB-a kishte dërguar 140 veta, kjo do të thotë se afërsisht në çdo gjashtëqind luftëtarë ajo kishte vetëm një informator. Dhe, me gjithë këtë, ajo nuk e ndali dot luftën, aq më keq për të, nuk e fitoi. Mjerisht, më pas, dikush i amnistoi këta antishqiptarë, por kjo është një temë tjetër, që del jashtë Lëvizjes.

Interesant do të ishte të dihej se sa vetë dërgoi shërbimi i fshehtë serb në LDK… Do të ishte e vështirë të dihej e vërteta, por në kahun tjetër sa vetë ishin jashtë saj.

Vendimin për organizimin e Luftës çlirimtare lëvizja nuk e mori se ia deshi qejfi të luftonte, ose se nuk mund të jetonte ndryshe. Kushdo do të kishte dashur që liria të vinte nëpërmjet konferencave të shtypit. Ndoshta për këtë dëshirë fisnike Lëvizja në fillimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me gjithë vrerin ndaj saj, nuk u fut në lojën e pistë të udbashëve, përkundrazi qëndroi e qetë e diku-diku edhe e ndihmoi. Por, kur gjërat po dilnin nga normalja, kur rregulli i parë i pushtetit serb ishte dhunimi dhe linçimi i shqiptarëve, kur liria po bëhej e largët dhe “pacifizmi” po korrte frytet vetëm për liderët ldkistë, ndërsa Kosova po zbrazej, gjërat duheshin ndryshuar. Vendimi për rezistencën e armatosur, me synimin drejt kryengritjes së përgjithshme, nuk erdhi në kokën e asnjë lideri, ai vendim doli nga Drenica dhe nga Dukagjini, nga Tetova, Struga dhe Llapi dhe nuk doli rastësisht. Këshillat popullore të Lëvizjes në këto zona thanë se mjaft u dënuan për një flamur, për një këngë, për një thirrje, asgjë e mirë nuk po ndodh, ndaj duhet të shndërrohemi në njësitë kryengritëse. Kërkesën e parë e bëri Këshilli i Drenicës nëpërmjet Adem Jasharit, Sami Lushtakut, Hashim Thaçit, Ramiz Lladrovcit, Ilaz Kodrës, Nuredin Lushtakut, Fadil Kodrës, Sahit Jasharit, Besim Ramës, Rafet Ramës. Ata kërkuan që gjithçka të shndërrohet në njësi luftarake. Kërkuan që Lëvizja t’i merrte përsipër aksionet e tyre, sepse nuk donin luftë kaçake, nuk donin të hidhnin dy-tri pushkë dhe të shpërndaheshin. Ishte qershori i vitit 1992. Emrat që përmenda më sipër, edhe të tjerë që nuk i thashë si të Jakup Nurës e shumë e shumë, ishin të gjithë anëtarë e drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Një plejadë e ndritur.

 

Përmasa e tretë, më realja dhe më e jashtëzakonshmja e Lëvizjes, lufta e armatosur, duke qenë përcaktimi final, i dhimbshëm, por i domosdoshëm, do të kishte me vete simbolikën e njerëzve që e kishin filluar atë, duke u sakrifikuar. Por do të kishte me vete edhe simbiozën e të tjerëve, të cilët i njoha në një periudhë të jashtëzakonshme, të vrullshme, kur gjithçka mund të thepisej nga momenti në moment dhe kur, mrekullisht, u bë shndërrimi i saj nga një Lëvizje klandestine në një partner i denjë i botës perëndimore, ku duke ecur mes dy zjarreve, tankeve serbe dhe policisë së fshehtë serbe, nganjëherë edhe mes njerëzve që besonin te sinqeriteti i fjalës, u bë e mundur të ketë një vazhdimësi të jashtëzakonshme. Asgjë nuk erdhi nga lart, asgjë nuk ra si pikë nga qielli. Atë e bënë njerëzit, për disa nga të cilët do të shkruaj në numrin e fundit të këtij cikli…

Në fakt, ndodhi ajo që nga udbashët nuk ishte pritur, Lëvizja Çlirimtare në Kosovë. Megjithëse e survejuar dhe e qëlluar që ditën e parë të saj, arriti të bëhej, sipas analistëve britanikë, “lëvizja guerile me rritjen më të shpejtë në botë”. Një lëvizjeje çlirimtare, për të pasur një dukuri të tillë, jashtëzakonisht impresionuese, i duhen të paktën tri gjëra themelore: vizioni që mbart, përkushtimi deri në flijim dhe njerëzit që e përbëjnë atë.

 

Vizioni i Lëvizjes ishte i qartë që në fillim. Janë disa nga ngjarjet më themelore të Lëvizjes Popullore të Kosovës të cilat kanë përcaktuar statutin e saj vizionar. Që nga themelimi, më 17 janar 1982, e deri që ajo ka bërë shndërrimin e saj në një parti politike moderne, qershor 1999, mbi të kanë rënduar kohë të mëdha, por ka ngritur edhe evenimente historike. Jo vetëm ideja e themelimit të një strukture të vetme, nga bashkimi i grupeve dhe i grupimeve, por edhe më tej, e gjithë ajo që ka ndodhur, dëshmon për një vizion të jashtëzakonshëm, i cili shpeshherë ka qenë edhe më i rëndë sesa supet që i mbartin.

 

Do të ketë disa stacione vizionare, të cilat kanë pasur gradualitetin e tyre: themelimin dhe ringritjen me gjithë përgjakjen, sprova për të ngritur brenda saj struktura të Partisë së Luftës nga Nuhi Berisha, Rexhep Malaj, Shaban Shala, Fehmi Lladrovci, Ali Ahmeti; procesi madhor i bashkim-shkrirjes, maj 1985, si një ngjarje madhore, thellësisht e së ardhmes, fillesa e krijimit të strukturave ushtarake, krijohet Byroja Organizative, në të cilën do të jenë të angazhuar figura të njohura, mes tyre dy njerëz të përcaktuar për ngritjen e luftës, në kryesinë e Organizatës, Fehmi Lladrovci dhe në Byronë Organizative, Xhavit Haliti. Mbledhja e Parë e Përgjithshme, në ilegalitet, jashtë vendit, Mbledhja e Dytë dhe e Tretë, përsëri në ilegalitet, por këtë herë në Kosovë. Mbledhja Konsultative e Kërçovës, e cila ka një rëndësi të veçantë historike, pasi duke sprapsur peshën e rëndë të legalitetit dhe të gjendjes së amullt, Lëvizja do të bëhet struktura e parë politike që shikon një horizont tjetër, ndryshe dhe shpesh edhe të kundërt me “pacifistët”. Mbledhja e Katërt e Përgjithshme, në të cilën ndryshimi më i zakonshëm do të ishte ndërrimi i emrit të saj, nga LPRK në LPK, ndërsa vendimet do të ishin kapitale. Përcaktohet vija e re politike e Lëvizjes, miratuar nga organi më i lartë i saj, merret vendimi për fillimin e luftës së armatosur.

 

Është viti 1993. Në të gjithë Kosovën kanë filluar aksionet e para, strukturat e para të rezistencës janë ngritur në Drenicë, Dukagjin, Tetovë e Llap; po bëhen gati të shfaqen në jetën politike njerëzit e luftës, të cilët më pas do të njësojnë atë me ndërtimin e paqes. Krijohet grupi i rëndësisë së veçantë, në Kosovë dhe jashtë saj, përsëri emra të njohur, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Bajrush Xhemajli, Hashim Thaçi, Shaban Shala, Kadri Veseli, Elmi Reçica, ndërsa jashtë Kosovës për herë të parë do të ngrihet një grup i veçantë, i njohur vetëm për disa, rreptësisht i brendshëm, do të quhet Sektori i Veçantë dhe do të drejtohet nga Xhavit Haliti. Do të jenë aty Ali Ahmeti, Jashar Salihu, më pas Azem Syla… do të fillojë një punë titanike, e jashtëzakonshme, e kujdesshme dhe, vetë fakti se e gjithë kjo u ndërtua, si asnjëherë tjetër, e fshehtë, krejtësisht e panjohur edhe për anëtarët e Kryesisë së Organizatës, përherë e detajuar, me shtrirje gjeografike në të gjithë territoret ku banonin shqiptarët, përbën jo vetëm një mrekulli të lëvizjes klandestine, por është edhe një shuplakë për trillimet e sotme, për shpifjen udbashe se kudo kishin njerëzit e shërbimit të tyre. Të ishte kështu nuk do të kishte pasur Lëvizje Çlirimtare.

 

Këtë Lëvizje e bënë njerëzit e përkushtuar, të devotshëm ndaj vendit të tyre, njëkohësisht të heshtur deri në skajim. Ata e bënë Lëvizjen Popullore të Kosovës njërën nga tri gjërat më të vyera të fundshekullit të shkuar, së bashku me Lëvizjen Studentore dhe Ushtrinë Çlirimtare. Këta njerëz ishin sythi i së ardhmes. Asnjëri prej tyre nuk e dinte se e gjithë kjo do të kishte përfundimin e saj në qershorin e vitit 1999. Disa prej tyre kishin më shumë se 20 vjet kur erdhi ajo ditë. Të tjerë, shokët e miqtë e tyre, nuk arritën dot as ta presin, sepse u flijuan dhe ndërtuan mundimshëm, një epikë të re, pa të cilën shumë gjëra sot do të ishin të mangëta ose nuk do të ishin fare.

 

Këta njerëz, për të shkuar më tej, edhe ata që u flijuan, bëhen shenjë e manipulimit dhe e mashtrimit nga një skotë e cila, në të gjithë jetën e saj të ndërgjegjshme, nuk bëri asgjë tjetër veçse i dha mendjen, dinakërinë dhe brutalitetin e vet një pushtuesi mizor derisa e ndjeu veten pjesë të pushtimit. Do të dukej e pabesuar se mund të ndodhte një rikthim i tyre në kohët moderne. Shumëkush do të ketë menduar me të drejtë se fundi i shekullit të shkuar ishte edhe fundi i kësaj skote mjerane, por egërsisht e rreshtuar në një kamp tjetër. Do të kisha menduar shumë gjëra, mirëpo ky rikthim ishte larg mendjes normale.

Në një shkrim të mëparshëm tregova për tri njohjet e para, nëpërmjet së cilave u bëra pjesë e Lëvizjes, por do të isha i mangët në këto shënime nëse do të ndalohesha vetëm këtu. Sepse vetë rrokja e Lëvizjes ishte shumë më e gjerë dhe sepse, në fund të fundit, ne ishim një bashkësi e jashtëzakonshme, e çuditshme për shumëkënd, por jo për njëri-tjetrin.

 

Kur njoha të tjerët, pjesë e Lëvizjes Çlirimtare, e kuptova më saktë se përjetimi që kishte dashur Jusuf Gërvalla, në ballë dhe në këmbët e këtij populli, ishte ende i mishëruar. Njerëzit që bënë Lëvizjen, në momentet më të vështira të saj dhe burrërisht e kthyen atë nga një Lëvizje Politike, në një Lëvizje Çlirimtare dhe Kryengritje të Armatosur ishin të njëjtët që kishin ngritur dorë pas dore, gur pas guri këtë strukturë dhe që e dinin se pas çdo kthese, pas çdo momenti, mund të ishte një fat ndryshe.

Si i njoha unë, nëse do më duhej t’i bëja shpejtas portretet e tyre, vetitë që kishin më të spikatura dhe njëkohësisht që të ngelnin në mendje më gjatë se të tjerat. Unë e pranoj se ky ishte vështrimi im, i një njeriu që nuk kishte kaluar nëpër ilegalitet të thellë por, sidoqoftë, unë i përmbahesha mendimit të hershëm, se mund të jesh më objektiv nëse nuk ke me vete ngarkesa të së djeshmes.

 

Hashim Thaçi ishte njeriu që e dinte se çfarë donte, e kishte ditur gjithnjë, por edhe i përcaktuar në një rrjedhë, e cila, aq sa ishte e vështirë, aq ishte edhe e domosdoshme.

Ramadan Avdiu ishte i matur, i qetë, serioz, punëkryer. Një herë, në një tubim në Zyrich, rastisi të ishim në drejtim së bashku me Ali Ahmetin dhe Ramadan Avdiun, kur njëri nga salla pyeti rastësisht se si mund ta mendonim bashkimin kombëtar. Ne ishim të tre nga tri pjesë të ndryshme të Shqipërisë, njëri nga Prishtina, Ramadani, tjetri nga Kërçova, Aliu, dhe unë nga Shkodra. Ndjeheshim jashtëzakonisht mirë, mendoja me sinqeritet se kjo do të dihej të ishte Shqipëria e së ardhmes.

 

Xhavit Haliti ishte më i fshehti që kisha njohur, por në sensin e mirë të fshehtësisë. Njëkohësisht edhe më konkreti në punën e tij, të cilën, ashtu si kam besuar atëherë dhe si besoj edhe tani, nuk mund ta bënte askush tjetër. Ai ishte e mbetej njeriu i lidhjeve të dyfishta, në Kosovë dhe në Perëndim. Jashar Salihu ishte ndryshe. Për të mund të thosha se ai barte në vete dy pamje: atë të njeriut babaxhan, në kuptimin klasik të saj, dhe atë të gjeneralit, në kuptimin real të saj. Gjeneral i luftës ai u bë nga jeta e tij. E kam në kujtesë gjithnjë të trazuar, përherë në lëvizje, gjithë merak për luftën, saqë edhe fëmijët e tij, djemtë, ishin “untue” për të nga malli.

 

Xhavit Hoxha ishte mentar, i kujdesshëm dhe fisnik. Hallet që i kishin rënë e kishin fisnikëruar edhe më tej. Mehmet Bislmi ishte personifikimi i të burgosurit politik që ndërthurte fjalën e mençur, guximin për të vërtetën, njohjen e gjerë. Bilall Sherifi ishte njeriu i vizioneve dhe i ideve. Ai ishte mbi gjithçka njeriu që vizionet i bënte të njohura dhe u dilte zot atyre. Adem Grabovci ishte njeriu më i qetë në strukturat e larta drejtuese të Organizatës, që në momentin e parë i kisha besuar atij dhe më kishte besuar. Më pas njoha Hasan Ukhaxhën, padyshim më autoritari në rrjedhat e Lëvizjes, mitik, do të thosha, me breroren e njeriut të dëshmuar, të sigurt dhe bindës. Njoha Sabri Kiçmarin, “Zefin” dhe përjetova se si njeriu i ilegalitetit u bë në mënyrë të shquar diplomati i vyer. Bajram Ajetin, fjalëpakë, stoik në qëndrimin e tij. Humbja e Ali Ajetit nuk kishe ndikuar tek ai. Emrush Xhemajlin, i kudondodhur, i gjindshëm, punëkryer. Në të vërtetë fjala që do t’i përshtatej më së tepërmi do të ishte militant. Gafur Alshanin, i rregullt dhe serioz deri në detaje. Të gjitha punët ai i kuptonte dhe i ndërmerrte seriozisht. Halil Selimin, të cilin e njoha më vonë, por që ende sot mrekullohem nga mendja e tij brilante. Ai kishte gjithnjë në mendje Kosovën lindore, e kjo e bënte të afërt me Adnan Asllanin, për të cilin mësova shumë vonë se kishte qenë drejtues i Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme, në redaksinë e gazetës “Zëri i Kosovës”. Kisha miqtë e mi, Beqir Beqën dhe Bislim Elshanin; sa ishin të përbashkët, aq edhe dallonin nga njëri-tjetri, kishin të përbashkët pasionin, por kishin të veçantat e tyre. Bislimi ishte miku më i shquar i Ukshin Hotit. Ai ishte dishepulli i tij i paepur, më pas botuesi i librit të tij. Kishte gjithnjë tek ai diçka ukshiniane. Beqiri ishte më i qetë, hokatar, mikpritës i madh. Ai ishte nga ata njerëz që edhe pa qenë në luftë e perceptonte veten atje, ashtu si Xhevat Bislimi, njeriu që nuk bënte kompromis as me veten. Njëherë i pata thënë se, nëse dikur do të takohet Xhevati me Bislimin, përsëri për diçka nuk do të ishin dakord.

Bardhyl Mahmuti ishte shpërthyes, polemist i dorës së parë, njeri që fushën e politikës e njihte mrekullisht dhe do të ishte e vështirë të besohej se njeriu që në një foto të vitit 1981 është në ballë të turmës me një flamur në dorë, do të ishte disa vite më pas në bisedimet e vështira përballë Hoollbrukut, diplomatit më të shquar amerikan.

 

Njoha vëllezërit Muja, së pari Shabanin, njeriun që ishte kthyer nga vdekja dhe të cilit ia kishte ofruar jetën e tij Fahri Fazliu, dhe që donte ta shijonte jetën, tashmë i lirë, e po ashtu të rrëmujshmin, Shaip Muja, ndoshta më i lëvizshmi në elementët e lëvizjes. Fazli Veliun e pashë për herë të parë kur erdhi një natë në shtëpinë time. Ai ishte ndër të fundmit romantikë të Rilindjes, poet, po aq sa edhe luftëtar, i heshtur, po aq sa edhe i bisedës, njeri që e kishte bartur vuajtjen me vete edhe kur ajo nuk kishte qenë e tij.

 

Ilaz Kodrën e njoha nga afër. Ishte nga ata njerëz të cilët trimëria i lexohej haptas, megjithëse e fshihte. Ai ishte njeriu që fjalët i kishte të pakta, punët e sakta. Ende kam në kujtesën time, çka nuk do të hiqet kurrë, telefonata e fundit me të, dy ditë para se të vritej. Nuk kërkonte asgjë tjetër, veçse logjistikë, sepse sulmet serbe ishin bërë të ashpra. E ndjeva pikëllimin deri në shpirt për rënien e tij, së bashku me kunatën, Antigonin, një vajzë e re, bijë e denjë e familjes së saj.

 

Ramiz Lladrovci ishte ndryshe, sidomos ndryshe nga i vëllai, Fehmiu, por kishin të përbashkët fjalën e mbajtur, qëndresën dhe guximin. Fehmiu ishte më i qetë, Ramizi është më i rrëmbyer, por tepër i saktë, nëse kërkon të jesh i qetë për një punë, atëherë askush nuk mund të jetë më i plotë sesa Ramiz Lladrovci, i cili ka një të metë, merakun më të madh sesa duhet për miqtë e tij, edhe kur ata nuk e meritojnë atë merak. Njoha Ismet Sylejmanin. Asnjëherë nuk më kishte thënë se kishte qenë i zgjedhur në Komitetin Drejtues të Organizatës, por kjo kishte qenë një e vërtetë e ditur nga të tjerët.

 

Në qytetin e Mynihut ishte një bërthamë e shkëlqyer e Lëvizjes. Sami Lushtaku ishte më i ndjeshmi prej tyre, nganjëherë më idhnaku, por i vërtetë deri në palcë. Abedin Rexha, po ashtu ishte pjesë e Lëvizjes Çlirimtare, por nuk ishte anëtar de jure i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Nuk e di pse i kishte mbetur pa u hedhur ai hap i fundit, ndoshta nga të gjithë shokët e miqtë e tij ishin aty, edhe ai e ndjente veten pjesë të saj.

 

Me Naser Idrizin dhe Sejdi Gegën ishim së bashku në Komisionin e jashtëzakonshëm të verifikimit të disa ngjarjeve dhe, veç merakut të tyre, ishte edhe kujdesi për të qenë pjesë e gjithçkaje tepër njerëzisht, pa rënduar askënd dhe pa mbuluar asgjë. Vëllezërit Buja ishin, po ashtu të ndryshëm, secili kishte të veçantën e tij. Shukriun e njoha më herët, por Agushin më gjatë dhe nëpërmjet tij kushdo mund ta shohë njeriun e devotshëm, të heshtur, mirëdashës.

 

Nuk u befasova kur takova për herë të parë Ramush Haradinajn. Kishim shkëmbyer letra më parë. Ai më ishte drejtuar disa herë për atë që i dukej më e përshtatshme, por kur u takuam ai ishte bërë mit, ndërsa i vëllai, Luani, e më pas Shkëlzeni, do të ishin dy nga heronjtë më epikë të luftës.

 

Adrian Krasniqin dhe Ilir Konushevcin, të dy pjesë të Organizatës, nuk i takova asnjëherë, i njoha nëpërmjet mikut të tyre, Qerim Kelmendit, i cili ende sot drithërohet kur tregon për jetën e tyre.

 

Në Kosovë takova Shaban Shalën, si i dalë nga legjendat, vazhdë e trimërisë kosovare, të dukej sikur kishte riardhur në kohët tona një ndër bashkëluftëtarët e Isa Boletinit apo të Shaban Polluzhës, e nëpërmjet tij dhe familjes Lladrovci, njoha shokët e Fehmiut dhe të Xhevës. Të gjithë ish të burgosur politikë, vuajtës, mrekullisht me shpirtin e rilindur.

 

Njoha të gjithë ato që duhej t’i njihja. Vetëm me njërin prej tyre nuk u takova kurrë dhe njohja ishte vetëm nga larg, Xhavit Hazirin. Ai telefononte nga Prishtina. Më thoshte se ishte “Mjeku”. Kishte marrë përsipër drejtimin e Lëvizjes në Kosovë. Ende nuk e dija emrin e tij të vërtetë. Zëri i tij vinte i avashtë, tepër i qetë, saqë nuk mund të besohej se ai ishte ende në Prishtinë. Të dukej sikur ishte në një vend të sigurt, krejt të sigurt… dhe pastaj heshti. Edhe njëherë forcat serbe e kishin rrëmbyer… kishte qenë e treta herë… nga dy burgimet e para kishte arritur të kthehej, pastaj asgjë, nuk u dëgjua më prej tij… nuk do të kthehej… do të kishte pasur të njëjtin fat si miku i tij, Ukshin Hoti.

 

Njohja e jetës sime është me familjen Jashari. Kush i ka njohur ata nuk befasohet kurrë me atë që ka ndodhur. Është një vazhdimësi e jashtëzakonshme, ndoshta është nga rastet e vetme në botë kur qëndresa është veti e trashëgueshme. Askush nuk e di ende se nga vinte tek ato ajo shkallë qëndrese, edhe kur ishin përballë një tragjedie epike. Ndoshta tek ato është një gjen i veçantë, i jashtëzakonshëm. Kur përfundoi lufta u kthyem së bashku në Kosovë. Një rrugë e gjatë, përtej së cilës ata do të gjenin fare pak nga ata që kishin lënë, njerëzit e afërt, më të afërtit ishin vrarë, kullat ishin djegur, bijtë e bijat e mbetur ishin diku, disa prej tyre u ishin bashkuar strukturave të luftës, të tjerët prisnin ardhjen e tyre. Nuk e di se si mund të rrinte zemra brenda kraharorit, por gjithçka tek ata ishte e qetë, ashtu si janë njerëzit që kanë bërë detyrën ndaj atdheut të tyre.

 

Tani, në përmbyllje të këtij cikli, do të doja t’u thosha njerëzve, ngado që janë, nga Shqipëria londineze apo nga Shqipëria e jashtme, do të doja t’u thosha: Shkoni në Kosovë, shikoni me vëmendje përmendoret, shtatoret, lapidarët, përkujtimorët e të rënëve në luftë për liri. Shikoni shtatoren e Ademit, të Zahirit, Jusufit, Bardhit, Kadriut, Rexhepit, Nuhiut, Afrimit, Fahriut, Zahirit, Fehmiut dhe Xhevës, Luanit e Shkëlzenit, Edmondit, Adrianit, Ilirit, vëllezërve Sulejmani, Ilazit dhe Mujë Krasniqit, Abedinit dhe Rasim Kiçinës, Luljeta Shalës dhe Hahir Shalës, Ali Ajetit dhe Hasan Ramadanit… dhe mendoni se të gjithë ata kanë qenë anëtarë dhe liderë të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Nëse ju, edhe pas kësaj mendoni se këta nuk kanë qenë atdhetarë, ju qofshi!

Për mua ata janë epika e kombit dhe jam i lumtur që më kanë bërë pjesë në strukturat e tyre. Nuk kam dashur asgjë tjetër prej tyre. Kam pasur më shumë sesa e kam merituar. (FUND)

 

*Autori ishte kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës në vitet e luftës. Në foto: Shtëpia e familjes Fetaj në një fshat afër Prishtinës, e fotografuar në momentin e kthimit të tyre pas përfundimit të luftës në Kosovë. Foto e Christophe Calais, agjencia Corbis.

Nga Bedri Islami January 29, 2014 20:29
Komento

8 Komente

  1. Deli January 29, 05:50

    Ore shoku Bedri a te kujtohet vetja?!! Apo duhet ta perkujtojme kontributin e cmuar tendin ndaj Nenes Parti.Ik ore i degjeneruar ti flet per moral, ndere, atedhedashuri, per UCKne.Kane mbete edhe pak shoke tuaj lepekejca ne Kosove qe shkermocen Kosoven.

    Reply to this comment
    • andi January 30, 11:01

      Deli ! UDB paska edhe Deli ne rradhet e saje qe din kush ishte Bedri Islami! ? Epo po te tregoi une pak shume pak per Bedri Islamin. Nje Gazetare i Bashkimeve Profesionale qe punonte ne ate zanat si i punesuar per te mbajte familjen, nje qytetare i vertete Shkodrane( Te ishe qytetare Shkodrane ne ate kohe ishte ndere e vlersim shume i madh, se dihej qe ishe nje njeri me kulture e edukate te vecante.) Ishte i lindur e i rritun ne nje familje te shume nderume e rrespektume te ati qyteti, me tradita te forta atdhetare e qytetare Shqiptare, nje intelektual qe nuk i servilosej e nuk i bante elozhe Partise e Regjimit, por cfrente inatin e nuk pajtohej me trysnine e asaj kohe, me se shumti kerkonte e kritikonte kur punetoreve e shkeleshin edhe ato pak te drejta qe kishin. Une kam pase kontakte shume te aferta me te dhe di se si ai vuante per shume aresye ne ate rregjim. Me krijimin e PD e ardhjen e Sali Berishes ne krye Bedri Islami ka kene nder te paret qe ka kuptu e dite dhe demasku lidhjet e Sales me UDB. Per ate Sali Berisha iu kundervu deri ne ate pike sa permes SHIK e bandes se tije ta zhdukte pa gjurme sic zhduku Remzi Hoxhen. Prandaj Bedri Islami eshte nje Pinjoll i deje i ati trungu e asaj Familje qe u lind rrit e eduku si intelektual, e Patriot i madh Shqiptare.

      Reply to this comment
  2. Aliu nga Selenic January 29, 11:46

    Sote jetojme ne nje kohe tjeter ne Kosove. Sote te gjith kerkojne te marrin flamurin e clirimtarit. Medje edhe ata qe benin thirrje NATO ndalo bombardimet mbi serbine edhe ata sote kerkojne te marrin rolin e “clirimtarit” pavarsishte se luften e kan pere per dritere te TV-se.
    Keshtu eshte ne nderin e atyre qe rroken armet dhe dole ne male te bejne edhe vlersimet per kete situat qe e solli Kosoven sote Ketu.
    Nje dietar amerikan thoshte.”Fitorja ka shume baballare, ndersa humbjen nuk e don askushe” Sote ata qe i dhen fitoren Kosove jane ne lufte me ata qe nuk e pan me sy lufte, madje ata per dite kerkoj te rrembejet produktin e kesaje lufta pavarsishte se ata jan ngrohur ne stufen e ngrohte gjate kohes qe kerciste pushka.
    Nje nder keta trima qe i dha sinjalin rruges se lirise eshte Jusuf Gervalla. Ai me shembullin e vet heroik i tregoi Kosoves se lirin askush nuk ta fale pervecese mundit dhe sakrificave sublime.
    Pore e keqja me e madhe eshte se gjithmon ne liri, infiltrohen edhe sherbetore te pushtuesve ne rradhet e avangardes pore keta jo me vepra pore me dredhi dhe mashtrime te turpshme. Ndaje duhet edhe pak vigjilence, pasi ata qe luftuan, e dijen mire se ku dhe me ke luftuan e dijen mire se ke kishin ne krahe, pore dijen edhe me shume se kush i survejoi dje dhe kush po i survejon edhe sote drejtuesit e luftes se Kosoves per ti diskretituar dhe per te delegjetimuar luften heroike te Kosoves.
    Detyre kryesore u del ketyre te zbardhin edhe te kalueraen e tyre te zbardhin edhe ata qe kane survejuar dje dhe vazhdojne te kamuflohen sote dhe te vijne si kameleon ne radhet e fitimtarve. Jusuf e Bardhosh Gervalla dhe Kadri Zeka keta thrrasin cdo dite ata therrasin qe gjakuj i tyre te mos humbase dhe ata qe zgjaten doren kunder tyre te marrin cmimin e merituar.!

    Reply to this comment
  3. Lleshi January 29, 12:04

    Nuk eshte aq e lehte o Bedri . Serbi na ka ka[pur per fyti ! Nuk e degjon kete Deliçin me siper ?

    Reply to this comment
  4. durim Satka January 29, 12:24

    Jusuf Buxhovi moderon ne 16 shkurt 2013-Festimet per Pavaresine e Kosoves ne USA!

    Reply to this comment
  5. DRENICA E KUQE January 29, 14:35

    “Në kohën kur në SDB të Kosovës vrisnin e prisnin Mehmet Shoshi, Xhevdet Hamza, Mehmet Maliqi e Selim Brosha, këtij shërbimi sekret iu “shitën” falas edhe shumë gazetarë të “Rilindjes”, si Maksut Shehu, Fadil Bujari, Mehmet Kraja, Sabri Hamiti, Jusuf Buxhovi, ndërsa në Televizionin e Prishtinës Riza Alaj, Fahredin Gunga, Agim Zatriqi, disa të punësuar në Arkivin Historik të Kosovës etj. (fq. 128-132)

    A mjafton ky fakt nga libri i Nafi Çegranit, “Ballë për ballë me vdekjen, 1”, qe te shihet e verteta ne trojet e pushtuara shqiptare?…

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
  6. katarakti January 29, 21:36

    Une di njerin qe i quajti luftetaret e UCK-se si “dore e zgjatur e Serbise” dhe me pas si ” fshatare qe duhen qetesuar”. Ky person ka nje statutje te madhe ne qender te Kosoves dhe gjysma e popullit atje e konsideron edhe si patriot. Atehere çfare pret nga Buxhovet?! E keqja ka hyre thelle ne trojet shqiptare. A nuk e keni pare Fazlliçin ne mbledhjet e Komisionit te Sigurise ne Shqiperi?! Ne krah te ish ministrit Fatmir Mehdiu?!

    Reply to this comment
  7. Sokol February 6, 07:50

    Ku eshte pjesa e dyte qe” vijon neser”? I mbyllen gojen bedriut apo “dites”? Me pergjigjet dot njeri?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*