Çako pret ambasadorin japonez: Ura bashkëpunimi për sigurinë e përbashkët

August 15, 2017 16:23

Çako pret ambasadorin japonez: Ura bashkëpunimi për sigurinë e përbashkët

Haki Çako, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka pritur këtë të martë në një takim pune ambasadorin e Japonisë në Tiranë, Makato Ito. Në qendër të bisedimeve kanë qenë çështjet me interes të përbashkët policor, si dhe vendosja e bashkëpunimit mes dy policive.

Pasi e ka uruar për misionin e tij të rëndësishëm në Shqipëri, Çako është shprehur se qeveria shqiptare, si dhe institucioni që ai drejton, mirëpresin çdo bashkëpunim dhe prani të shteteve mike, siç është edhe Japonia për vendin tonë.

Edhe pse bashkëpunimi mes sektorëve të sigurisë mes dy vendeve tona ka qenë i paktë, si pasojë e pozicioneve gjeografike, Çako ka garantuar ambasadorin japonez se Policia e Shtetit i ofron sigurinë maksimale atij për të ushtruar aktivitetet diplomatike, por garanton edhe çdo biznesmen apo turist japonez, se në Shqipëri do të ndihen të sigurtë.

“Në kuadër të anëtarësimit ose të pjesëmarrjes në organizata ndërkombëtare të Sigurisë, por dhe në INTERPOL e një sërë organizatash të tjera, kemi shkëmbyer informacion për çështje të veçanta dhe specifike që mund të kenë ekzistuar. Policia e Shtetit është e vendosur për të kryer misionin e saj në luftën kundër krimit të organizuar, radikalizmit, por edhe trafiqeve të ndryshme ndërkombëtare, duke realizuar prioritetet tona për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe për të rritur bashkëpunimin me vendet e tjera”, shprehet ndër të tjera Çako.

Kryepolici është shprehur tepër i interesuar për përforcimin e bashkëpunimit dhe kontakteve me Policinë e Japonisë, gjë që mund të arrihet përmes veprimtarisë së diplomatit japonez, për të shkëmbyer eksperiencat, informacionet për sigurinë e përbashkët të vendeve tona, por edhe në nivel global.

Ndërkohë, ambasadori i Japonisë Makato Ito ka falënderuar për pritjen dhe gatishmërinë e Policisë së Shtetit për vendosjen e urave të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Për bizneset tona që operojnë, apo kanë ndërmend të operojnë në Shqipëri, aspekti i sigurisë është shumë i rëndësishëm. Para se të vija këtu kisha një imazh negativ për Shqipërinë në lidhje me krimin e organizuar, me trafikimin e qenieve njerëzore, me krimin në përgjithësi etj. Por në momentin që erdha këtu e ndryshova komplet këtë mendim. Është një vend i sigurtë, i qetë, i pastër dhe njerëzit janë miqësorë”, është shprehur Ito.

Ambasadori Ito e ka ftuar edhe për një vizitë në Japoni drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për të vendosur kontaktet e drejtpërdrejta me drejtuesit e Policisë së Japonisë.

August 15, 2017 16:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*