Caktimi i mandateve nuk përfshihet në juridiksionin e gjykatave

Niazi Jaho* March 20, 2013 11:31

Caktimi i mandateve nuk përfshihet në juridiksionin e gjykatave

Në datën 7 mars 2013, mbledhja e Gjykatës Kushtetuese, vendosi të mos legjitimojë kërkesën e a) të një të pestës së deputetëve dhe b) të Partisë Socialiste me objekt shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit Nr. 2/2013 dt. 31.01.2013 të Kuvendit “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”.

Për shkak të moslegjitimitetit të kërkesës së mësipërme, mbledhja e gjyqtarëve vendosi që kjo çështje të mos kalojë për shqyrtim në seancë plenare.

Që lezuesi të jetë më i qartë, sipas ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,  kërkesa që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese paraprakisht shqyrtohet nga Kolegji që përbëhet nga 3 gjyqtarë, ku bën pjesë dhe relatori. Kur kërkesa nuk është paraqitur nga subjekti që legjitimohet ose çështja nuk është në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese, Kolegji vendos moskalimin në seancë plenare. Por, kur ndonjë nga gjyqtarët e Kolegjit, nuk është i një mendimi me të tjerët, kërkesa i kalon për shqyrtim paraprak Mbledhjes së Gjyqtarëve, e cila vendos me shumicë votash për kalimin ose jo të çështjes në seancë plenare.

Mbledhja e gjyqtarëve, midis të tjerave, “vëren” se në datën 21.11.2012, KQZ-ja ka zhvilluar mbledhjen për shqyrtimin e projektvendimit për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, por për arsye se ky akt mori vetëm 4 vota “pro”, nuk u arrit të miratohej (që të miratohej duhej të votonin “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së).

Në datën 23.11.2012 KQZ-ja ka marrë një vendim për moscaktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2013, i cili është votuar nga të gjithë anëtarët e KQZ-së me shënimin “kundër”. (Në fakt, në Kodin Zgjedhor nuk ka ndonjë dispozitë ligjore ku të thuhet se mbas dy ditëve të mosmiratimit të projektvendimit që përmendëm më lart, të merret vendimi i datës 23.11.2012 për të vërtetuar moscaktimin e numrit të mandateve për zgjedhjet e vitit 2013). Nuk ka gjithashtu asnjë dispozitë të Kodit Zgjedhor ku të thuhet se KQZ-ja, nëse nuk arrin të miratojë me të paktën 5 vota “pro” caktimin e mandateve (në këtë rast vendimi quhet i pamiratuar ose nul, nuk ka të drejtë që brenda afatit ligjor t’i rikthehet përsëri diskutimit të këtij problemi, mbështetur në të dhënat ose në dokumentacionin e mëparshëm të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ose në të dhënat apo materialet përkatëse të paraqitura në raportin ose raportet e 2 auditeve teknicienë të emëruar nga KQZ-ja (neni 61 i Kodit Zgjedhor).

Në pjesën “vëren” të mbledhjes së gjyqtarëve konstatohet gjithashtu se KQZ-ja me shkresën Nr. 174, datë 11.01.2013 i është drejtuar Kuvendit me qëllim informimin dhe përmbylljen prej tij të procedurave nga Kodi Zgjedhor lidhur me këtë çështje. Bashkëlidhur kësaj shkrese është dërguar dhe vendimi i KQZ-së Nr. 2, datë 12.02.2009 “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009”. (Nuk është e kuptueshme pse KQZ-ja u nxitua, ndërsa afati përfundimtar ishte 7 marsi 2013, sipas pikës 3 të nenit 76 të Kodit Zgjedhor. Kush vendosi që të mbyllej procedura për caktimin e mandateve?! Në cilën dispozitë thuhet se KQZ-ja kur nuk arrin të miratojë ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, i dërgon Kuvendit vendimin e caktimit të mandateve në zgjedhjet e 2009-s, kur dihet se wshtw Kuvendi organi që përfundimisht miraton caktimin e mandateve të zgjedhjeve të vitit 2009?! Nëse do të kishte ndonjë dispozitë të tillë, përse KQZ-ja nuk e diskutoi dhe nuk e miratoi vetë?!).

Në pjesën “vëren” të mbledhjes së gjyqtarëve konstatohet edhe diskutimi në dt. 22 dhe 23 janar 2013 i zhvilluar në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, që me shumicë votash ka arritur në përfundimin se: “Kuvendi nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin e KQZ-së, dhe rruga e vetme mbetet miratimi i vendimit duke u bazuar tërësisht në ndarjen e mandateve për zgjedhjet e vitit 2009.

Në datën 31.01. 2013, Kuvendi ka gjetur të bazuar përfundimet e arritura nga Komisioni i mësipërm parlamentar dhe me vendim ka miratuar të njëjtin numër mandatesh për çdo zonë zgjedhore të caktuar për zgjedhjet e vitit 2009. Në cilin nen të Kodit Zgjedhor thuhet se KQZ-ja kur nuk miraton numrin e mandateve për çdo zonë (sepse nuk arrin kuorumin e nevojshëm)Kuvendi ka të drejtë të miratojë mandatet e mëparshme, dmth ato të katër vjetëve më parë?! Nuk ka asnjë nen të tillë. Përkundrazi, në pikën 3 të nenit 76 të Kodit Zgjedhor, thuhet : “Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme”.

Nga sa u tha më sipër, bëhet e qartë se Kuvendi duke caktuar sipas zonave të njëjtat mandate të vitit 2009, zgjedhjet e vitit 2013, i ka konsideruar në fakt si zgjedhje të parakohshme!

Nëse mbledhja e gjyqtarëve do të vendoste që çështja të kalonte për shqyrtim në seancë plenare, dmth nëse do të vendoste legjitimimin e kërkuesit, pavarësisht nga vendimi që do të merrte, lidhur me procesin jo tw rregullt ligjor (duke filluar nga veprimet e KQZ-së dhe deri në procedurën parlamentare që konkludoi në vendimin e Kuvendit që përmendëm më lart) vendimi do të ishte evident dhe i konkretizuar.

Mbledhja e gjyqtarëve nuk legjitimoi një të pestën e deputetëve të Kuvendit

Po pse? Sepse: “Vendimi Nr. 2/2013, datë 31.01.2013 i Kuvendit, sipas gjykatës është një kat individual që i referohet një fakti konkret dhe jo një numri faktesh të mundshme ose hipotetike, i cili i jep zgjidhje një çështjeje konkrete, me natyrë teknike dhe jo normative, siç është caktimi i numrit të mandateve…” dhe më poshtë:  “… ai është një akt individual dhe si i tillë nuk i nënshtrohet kontrollit kushtetues abstrakt”.

Akti individual i Kuvendit ka në fakt karakter administrativ. Një e pesta e deputetëve, për cenim të procesit të rregullt ligjor ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. E shikojmë të nevojshme të përmendim se vetë Kuvendi në miratimin e vendimit për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, i referohet nenit 76 pikës 2 të Kodit Zgjedhor, ku thuhet se Kuvendi me procedurë të përshpejtuar miraton me vendim ndarjen e mandateve. Nëqoftëse Kuvendi miraton caktimin e mandateve, me procedurë parlamentare por në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor, një të pestës së deputetëve nuk mund t’i mohohet e drejta për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Duke miratuar mandatet e caktuara për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve të vitit 2009, Kuvendi nuk mori parasysh kriteret e parashikuara në nenin 75 të Kodit Zgjedhor për caktimin e numrit të mandateve. Në këtë rast cenohet jo vetëm procesi i rregullt ligjor, por edhe barazia e votës (shih për këtë vendimin Nr. 1, datë 7.01.2005 dhe Nr. 32 datë 21.05.2010 të Gjykatës Kushtetuese). Mund të përmendim këtu edhe atë pjesë të kodit të mirë për çështjet zgjedhore të miratuar në vitin 2002 nga Komisioni i Venecias, ku veç të tjerave thuhet: “Parimet që duhen respektuar në të gjitha rastet janë barazia e votës numerike, barazia pwrsa i përket fuqisë elektorale dhe mundësive të barabarta” (shih botimin shqipt të Kodit, faqe 17).

Procesi jo i rregullt ligjor, në rastin konkret cenon parimin e barazisë së votës. Cenimi i këtij parimi dëmton interesat e subjekteve zgjedhore, pra edhe të kërkuesit. Por jo vetëm kaq. Barazia e votës rrit besimin e zgjedhësve që janë të interesuar direkt në fuqinë elektorale që përfaqëson çdo mandat në zona të caktuara.

Vetë mbledhja e gjyqtarëve ka pranuar se “në respekt të rregullave të parashikuara nga nenet 131 shkronja ‘f’, 42 dhe 16 të Kushtetutës, nisma për një gjykim kushtetues, nuk kushtëzohet nga karakteri i personit juridik, publik a privat, por nga natyra e pretendimeve që parashtrohen. E drejta për një proces të rregullt ligjor, siç dihet, nuk kufizohet vetëm në procesin gjyqësor apo të organeve të hetimit, por edhe në organet e tjera të administratës publike. Parimi i procesit të rregullt ligjor duhet respektuar edhe nga Kuvendi (shih psh, vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 76, datë 25.11.2002, ku bëhet fjalë për kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese nga ish-Prokurori i Përgjithshëm dhe që Gjykata vendosi: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit Nr. 20 datë 19.03.2002 tw Kuvendit tw Shqipwrisw dhe tw Dekretit Nr. 3276, datw 25.03.2002 të Presidentit të Republikës; sepse ishte cenuar neni 42/1 i Kushtetutës: procesi i rregullt ligjor dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Kushtetuese, mendoj se duhet të shqyrtonte çështjen dhe të verifikonte nëse procedura parlamentare që çoi në marrjen e vendimit ishte ose jo në përputhje me parimet kushtetuese.

Mbledhja e gjyqtarëve nuk legjitimoi kërkuesin: Partinë Socialiste

Në favor të këtij vendimi, megjithëse rreshtohen (në mënyrë të sforcuar) 7 paragrafe, ai që mendoj se është më kryesori, por edhe më i pabazuari, është paragrafi 19, ku thuhet: “Mbledhja e gjyqtarëve vlerëson se vendimmarrja e KQZ-së dhe procedurat e ndjekura lidhur me të nuk janë pjesë e juridiksionit kushtetues. Ajo vëren se , sipas nenit 145 të Kodit Zgjedhor, subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e ligjshme të tyre si dhe në rastet e mosmarrjes së vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Përderisa kërkuesi nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë, ai nuk i ka shterruar të gjitha mjetet juridike në kuptim dhe zbatim të nenit 131 shkronja ‘f’ të Kushtetutës”.

Para se të ndalem në përmbajtjen e mësipërme, e shoh të nevojshme të shtroj pyetjen: A do të legjitimohej kërkuesi në se kërkesa fillimisht do t’i drejtohej Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe a do të konsiderohej kjo shterim i të gjitha mjeteve juridike? Nëse do t’i referohemi rigorozisht asaj që përmendet në paragrafin 19 të mbledhjes së gjyqtarëve që cituam, natyrisht që duhej të legjitimohej për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

Mbledhja e gjyqtarëve mendoj se duke u mbështetur në faktin se kërkuesi nuk i është drejtuar Gjykatës së Apelit ka arritur në përfundimin se ky ishte argumenti kryesor për të vendosur moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Kam mendimin se mbledhja e gjyqtarëve nuk ka vlerësuar ose ka anashkaluar specifikën e problemeve që trajton Kodi zgjedhor dhe në mënyrë të veçantë procedurën që ndiqet në caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore.

Përmendet neni 145 i Kodit Zgjedhor

Shtrohet pyetja: Subjekti i interesuar lidhur me caktimin ose jo të mandateve për çdo zonë zgjedhore a mund të ankohej në Kolegjin Zgjedhor?

Për të arritur në përfundime të drejta, mendoj se mbledhja e gjyqtarëve nuk duhej të kufizohej vetëm me citimin pjesërisht të këtij neni, por duhej t’i referohej edhe neneve të tjera. Neni 145 është dispozitë e përgjithshme për rregullimin e ankimeve në rrugë gjyqësore kundër vendimeve të KQZ-së. Ajo, siç theksuam edhe më lart, duhej të kishte parasysh specifikën e çështjes objekt shqyrtimi në raport edhe me dispozitat e tjera të Kodit, përfshi këtu edhe kompetencën e Kuvendit për miratimin përfundimisht të numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore.

Është e vërtetë se, sipas nenit 145 të Kodit Zgjedhor, subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshme, madje edhe në rastet (raste të caktuara) kur KQZ-ja nuk merr vendim brenda afateve ligjore.

Kjo është e përgjithshmja, ndërsa në rastin konret përse do t’i drejtohej kërkuesi (subjekti i interesuar) Kolegjit Zgjedhor? Për të detyruar KQZ-në për të marrë vendim meqë kishte kaluar afati ligjor dhe ky vendim nuk ishte marrë? Apo për ta shqyrtuar çështjen në themel, dmth të caktonte vetë Kolegji Zgjedhor numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore?!

Raporti KQZ-Kuvend mbështet në ligj: Kush propozon dhe kush miraton caktimin e mandateve

Mbledhja e gjyqtarëve, duke iu referuar nenit 145 të Kodit nuk ka parë ose ka injoruar të veçantën, atë që do të sqaroj më poshtë:

Në nenin 21 të Kodit Zgjedhor të titulluar “Kompetencat e KQZ-së”, rreshtohen 21 raste, por vetëm në pikën 5 të këtij neni, jo rastësisht thuhet: “KQZ-ja propozon ndarjen e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet e Kuvendit” (sigurisht me vendim të miratuar me votat “pro” të jo më pak se 5 anëtarëve të KQZ-së). Ndërsa në pikën 2 të nenit 76 të Kodit Zgjedhor theksohet: “Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ-ja kryen llogaritjet për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ja dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi me procedurë të shpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve”.

Nga ato që cituam më lart, është e qartë për të gjithë se propozuesi është KQZ-ja, ndërsa organi i vetëm që miraton përfundimisht caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, është Kuvendi.

A është formal miratimi nga Kuvendi? Sigurisht që jo. A është Kuvendi “vulosës” i asaj që vendos KQZ-ja? Sigorisht që jo. A ka të drejtë Kuvendi që në një rast të jashtëzakonshëm, të themi, kur KQZ-ja për shkak të ndikimit politik ose për “kokëfortësi” deri në fund të afatit ligjor, nuk arrin kuorumin ligjor, të mos e zhbllokojë këtë situatë dhe si rrjedhim, në kundërshtim me nenin 76 dhe 75 të Kodit Zgjedhor të vendosë të njëjtin numër mandatesh për çdo zonë të caktuar në zgjedhjet e mëparshme? Sigurisht që jo. Sepse ligji ngarkon Kuvendin të vendosë përfundimisht miratimin e mandateve.

Mos vallë Kuvendi duhet të heshtë nëse, të themi, KQZ-ja jo me 5 por me 7 vota (dmth me unanimitet) do të vendoste caktimin e mandateve pa patur parasysh kriteret e përcaktuara në nenin 75 të Kodit Zgjedhor, siç janë numri i shtetasve të secilës zonë, duke pasur parasysh se  “çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish, etj”. Sigurisht që jo. Nëse do të vërtetohej një rast i tillë, Kuvendi kishte të drejtë të bënte ndryshimet përkatëse të motivuara në mbështetje të të dhënave apo materialeve përkatëse.

Le të pranojmë për një çast se subjekti i interesuar do t’i drejtohej Kolegjit Zgjedhor. Më sipër sqaruam se Kolegji Zgjedhor në rastin konkret nuk m,und të vendoste detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim (sepse raste të tilla janë parashikuar shprehimisht në ligje). Nëse subjektit i interesuar do të gabonte dhe do t’i drejtohej Kolegjit për një çështje të tillë, kam bindjen se ai do të shprehej për mungesë juridiksioni.

Varianti tjetër i supozuar ose edhe i pretenduar mund të ishte kërkesa drejtuar Kolegjit për shqyrtimin e çështjes në themel “me arsyetimin se KQZ-ja nuk arrin të marrë vendim për shkak se “pro” tij nuk votuan jo më pak se 5 anëtarë të tij. Kjo do të thotë që kërkuesi t’i kërkonte Kolegjit që ai vetë të shqyrtonte dhe të vendoste numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Me siguri edhe në këtë rast Kolegji Zgjedhor do të shprehej se kjo nuk është në juridiksionin e tij.

Kjo dihet, prandaj edhe asnjë parti politike parlamentare që kishte përfaqësuesit e saj në KQZ nuk i drejtoi Kolegjit Zgjedhor ndonjë kërkesë për zgjidhjen e çështjes në themel. Prandaj edhe ajo që thuhet në vendimin e mbledhjes së gjyqtarëve nuk qëndron sepse Kodi Zgjedhor në rastin e caktimit  përfundimtar të mandateve për çdo zonë ka ngarkuar Kuvendin.

Kam mendimin se trajtimi i këtij problemi është i rëndësishëm. Njohja e legjitimitetit për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese do të krijonte mundësinë e shqyrtimit  në kompleks të provave, të njohjes më të thelluar të dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor. Shqyrtimi me objektivitet i çështjes do të bënte më të qartë edhe çështjen e juridiksionit jo vetëm të Kolegjit Zgjedhor, por edhe të vetë Gjykatës Kushtetuese.

Legjitimeti i kërkuesit, mendoj se do t’i shërbente edhe subjekteve të tjerë politikë që mbas regjistrimit në KQZ – do të emërtohen subjekte zgjedhore. Shqyrtimi i kërkesës në seancë plenare edhe pa e zgjidhur çështjen në themel do t’i shërbente mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Ai do të parandalonte ndoshta edhe ndonjë kontestim të mundshëm lidhur me caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Zbatimi i kritereve ligjore do të rriste besimin në barazinë e votës.

Problemi ka të bëjë me një çështje parimore që mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme.

*Konstitucionalist

Niazi Jaho* March 20, 2013 11:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*