“Call Centrat po atrofizojnë totalisht inteligjencën e rinisë shqiptare”

February 17, 2017 12:09

“Call Centrat po atrofizojnë totalisht inteligjencën e rinisë shqiptare”

Alban Zusi president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare paralajmëron qeverinë për rrezikun dhe pasojat që po shkakton punësimi i mijëra të rinjve në Call Centre. Në një intervistë për DITA ai thotë se ky lloj punësimi është duke cenuar rëndë cilësinë e edukimit dhe kualifikimit e të rinjve shqiptare. Shoqëria shqiptare dhe politikëbërja thekson ai, duhet të marrë vendime të dhimbshme për momentin por që do të garantojnë perspektivën e qartë të këtyre të rinjve dhe  zhvillimit të vendit.

Ka një tendencë të qeverisë në lidhje me mbështetjen dhe fuqizimin e Call Centrave, me argumentin se ulet papunësia. Sa i dobishëm është për ekonominë ky  lloj biznesi?

Ky është një lloj punësimi i të rinjve mbase atyre më të talentuar të vendit tonë, që zotërojnë gjuhë të huaja pasi presupozohet që një i ri me aftësinë e njohjes së gjuhës së huaj do të thotë se ka talentin edhe vullnetin. Punësimi vjen si pasojë e një rrogë joshëse të momentit por me kalimin e kohës, kthehet në një tavan të pakapërcyeshëm. Në këtë kontekst do të thoja, se ky lloj biznesi nuk është ndoshta forma më e mirë për të zhvilluar ekonominë apo për të punësuar të rinjtë tanë, veçanërisht atë pjesë të talentuar të rinisë shqiptare. E them këtë sepse së pari një i ri i cili edhe studion dhe pasditen e shfrytëzon për të punuar harxhon shumë kohë nga koha e tij për të patur, një periudhë studimore të shëndoshë e cila do ti shërbej në kualifikimin profesional. Së dyti, pas mbarimit të universitetit këta të rinj përgjithësisht janë të pa predispozuar në gjetjen e një vendi pune në profesionin për të cilin kanë studiuar, pasi tashmë e kanë një vend pune me një rrogë relativisht më të lartë nga çfarë ofron tregu i punës për një të sapo diplomuar dhe pa eksperiencë. Në këto kushte për 100 mijë lekë më shumë ata preferojnë të rrinë të tregun e Call Center. Por një i ri që mbaron universitetin dhe nuk ka asnjë lloj eksperience dhe vijon për disa vite të tjera të punojë në Call Centre rreth moshës 30 vjeçare, praktikisht paçka se ka një diplomë universiteti, ai mbetet pa asnjë profesion. Në këto kushte ata humbin perspektivën në tregun e punës. Shtrohet çështja nëse ia vlen investimi 5 vjeçar që këta të rinj bëjnë për tu arsimuar, me një kosto prej disa mijëra euro për familjet. Problemi më shqetësues është nëse pjesa me e talentuar e rinisë shqiptare rreth 20.000 persona që përllogariten si të punësuar në Call Centre shkon në këtë aktivitet që nuk sjell asnjë vlerë të shtuar për Shqipërinë përveç një page e cila do të jepej edhe në ndërmarrje të tjera të sipërmarrjes shqiptare. Më i mprehtë problemi do të bëhet në sipërmarrjet jashtë Tiranës pasi përgjithësisht të rinjtë e rretheve të cilët nuk preferojnë të kthehen në këto qytete për shkak të një pune në Call Centre dhe në këtë mënyrë dëmtimi qëi shkaktohet biznesit dhe sipërmarrjes është shumë i madh. Është fakt i njohur që në një ekonomi si kjo e sotmja, me tendencë në rritjen e eksporteve faktori mëi rëndësishëm është faktori i burimeve njerëzore, që duhet të drejtojnë në mënyrë profesionale, të garantojnë cilësinë, informacionin e prodhimit. Por në një kohë kur ajka e rinisë shqiptare nuk është në dispozicion të ekonomisë dhe sipërmarrjes por vihet në dispozicion të sipërmarrjeve të huaja të Call Centre të cilët nuk krijojnë asnjë vlerë të shtuar. Besoj se ky sektor duhet parë me shumë rezerva për mos të thënë se ndoshta duhet të mendojmë edhe për ta lënë në një rënie të lirë drejt atrofizimit të tij.

Nga ajo që sapo deklaruar duket se Call Centre janë duke paralizuar brezin e ri nga miredukimi dhe më pas gjetja e një pune në profesionin e tyre apo jo?

Absolutisht, unë mendoj se kjo gjë është duke ndodhur. Të gjithë të rinjtë të cilët mbarojnë studimet në degët e inxhinierisë, agronomi, teknologji apo kimi shkojnë e punojnë në Call Centre dhe kjo bën që në dyert e bizneseve shqiptare gjithnjë e më pak të trokasin të rinj me këto lloj kualifikimesh. Nuk e dimë se ku, pas 10 vitesh ne do ti gjejmë profesionistë për këto fusha.

Përse kaq shumë të rinj i drejtohen Call Centre për të punuar dhe jo bizneseve për të vijuar në profesionet e tyre?

Kjo ka disa shpjegime. Call Centrat kanë një kosto investimi shumë të ulët që do të thotë se të hapës një biznes të tillë duhen shumë pak para. Në këto kushte Call Centrat janë në kushtet që të japin një pagesë relativisht më të lartëse sa mund të paguaj një ndërmarrje prodhuese. Në Call Centre e vetmja njohuri që duhet janë gjuhët e huaja. Ndërkohë që në një ndërmarrje prodhuese fillimi është më i vështirë për të rinjtë pasi ata nuk kanë përvojë dhe eksperiencë. Duhet të pranojmë edhe fatin e cilësisë së ulët të universiteteve shqiptare. Mungesën e lidhjes së tyre me biznesin me praktikën për ti bërë studentët të dobishëm që në momentin fillestar për bizneset shqiptare. Në këto kushte ata në bizneset shqiptare do të paguhet me një rrogë më të ulët por kanë një perspektivë më të mirë në të ardhmen pasi pas disa vitesh eksperiencë rroga mund të shkojë shumë herë më lart se sa në një Call Centre. Jemi përballë faktit të joshjes e të rinjve nga fitimi i shpejtë dhe ky është një lloj avantazhi i pandershëm që biznesi i Call Centre krijon ndaj sipërmarrjeve të tjera private.

Kush janë avantazhet dhe disavantazhet e një shtrirje kaq të madhe të Call Centrave këto 10 vitet e fundit?

I vetmi avantazh i këtyre Call Centrave janë disa milion euro që shpërndahen në formën e pagave tek kjo pjesë e rinisë. Ndërkohë disavantazhi është shumë më i madh  pasi këto Call Centra po atrofizojnë totalisht inteligjencën e rinisë. Call Centrat praktikisht po realizojnë eksodin e mendjes dhe talenteve shqiptare duke qëndruar në vendnumëro. Gjithashtu bëjnë edhe minimizimin e aftësisë konkurruese të bizneseve shqiptare në një botë të globalizuar.

Cili është impakti i këtij biznesi në ekonominë shqiptare?

Unë besoj se të rinjtë që kanë gjetur mënyrë punësimi në Call Centra jo studentët por ata pas universitar mbi 70 apo 80% e tyre do të gjenin punë në tregun e punësimit të biznesit privat. Ndërkohë për kategorinë tjetër e të punësuarve kur ata vijojnë studimet kam dyshimin e fortë nëse kjo praktikë duhet

Alban Zusi, President i Qendrës së Eksporteve Shqiptare

Alban Zusi, President i Qendrës së Eksporteve Shqiptare

të vazhdojë. Kjo cënon rëndë cilësinë e edukimit dhe kualifikimit të tyre. Shoqëria shqiptare dhe politik bërja duhet të marrë vendime të dhimbshme për momentin por që do të garantojnë perspektivën e qartë të zhvillimit të vendit. Vende si Suedia që në moshën 10 vjeç krijojnë programe të veçanta për kualifikimin e fëmijëve për profesione si përshembull inxhinieri pra mendojnë për të ardhmen pas 15 vitesh. Ne atë që e kemi shumë të vlefshëm studentin e deformojmë. Madje tendenca dhe premtimi politik për ta nxitur këtë sektor në emër të uljes së papunësisë mendoj se është totalisht i gabuar nga pikëpamja e vizionit të zhvillimit të vendit.

Ka një vëmendje dhe premtim për mbështetje me lehtësira nxitëse nga qeveria. A ka vlerë për ekonominë një gjë e tillë?

Nëse ka  vend për të dhënë lehtësira fiskale nga qeveria duhen dhënë për prodhimin pra për ata të rinj që punësohen atje ku prodhohet. Shkollat profesionale dhe ato aktivitete që shërbejnë për punësim në biznese dhe jo lehtësira që dëmtojnë trurin, mendjen dhe talentin e vendit. Po dëmtohen të rinjtë të cilëve u thuhet shko e puno 5 orë pasdite në Call Centre. Kur do të mësojnë këta të rinj? Kur do të bëhen profesionistë? Dhe më pas kur mbarojnë studimet u thuhet se vijoni të punoni në Call Centre për një pagë më të mirë e cila vjen në kurriz të ekonomisë shqiptare për shkak të lehtësirave fiskale që mund të jepen. Atëherë ky është një dëm i dyfishtë që padyshim do ta vuajnë brezat që vijnë mbi të gjitha ekonomia.

A ka Qendra e Eksporteve Shqiptare propozime konkrete për këtë çështje të cilët ju e quajtët problematike dhe me pasoja në të ardhmen?

Çdo nxitje dhe mbështetje që qeveria ka në plan të japë në sektorin e IT-s duhet të shkojë në përmirësimin e kurrikulave universitare që të rinjtë të mësojnë të programojnë dhe jo të flasin si papagall përballë një kompjuteri. Njohuritë në programim do tu vlejnë nesër kur të jenë të punësuar në ndërmarrje të ndryshme. Pra ideja është të krijohet një modul ekstra për çdo lloj dege si në inxhinieri, agronomi, teknologji ushqimore për të programuar. Nuk bën më sens sot që një teknicient, një ekspert të drejtoj një linjë prodhimi dhe të limitohet në formën e mbajtjes  të dhënave vetëm një format Exel  në një kohë kur bota sot ka programe të tëra të integruara që bëjnë në çdo moment procesin dhe konkluzione  të dhënave. Qendra e Eksporteve Shqiptare mendon se qeveria duhet të gjejë politika demotivimi për të rinjtë që duan ti drejtohen Call Centrave dhe për ti orientuar ato drejt bizneseve prodhuese. Këtu duhen dhënë incentivat. Ndaj atyre që shkojnë në një biznes prodhues pra përveç pagës që jep biznesi qeveria duhet të japë një pagesë ekstra në mënyrë që të kompensohet mungesa e përvojës gjatë vitit të parë por në këtë mënyrë do të integrohen dhe do të ushtrojnë profesionin e tyre. Në të njëjtën kohë do të marrë vlerë investimi familjeve në aspektin e shkollimit për ta.

February 17, 2017 12:09
Komento

1 Koment

  1. ela February 17, 12:33

    ju drejtohen call centrave sepse njerez si ju qe sa nga privati,sa nga shteti nuk u lini hapsire te rinjeve,kush nuk ka ardhur nga fundi i shqiperise ,dhe eshte fut ne pune ne shtet sepse aderojne ne parti dhe po ta them me plot gojen jane me qindra te rinj qe kane perfunduar shkollen jasht dhe punojne ke lketo callcenter, e vodafon amc. dhe lodhen e raskapiten se sa te behen vegla te shefave dhe te partive.hallall ju qofte dhe haram ju q ejeni ne pushtet,zoti zusi,gjith kodoshet e partive rregullojne ne pune prostitutat per zyra ,dhe kalojne nga 4- 8 vjet ,rehat.prandaj zoti zusi shpejt je kujtuar,

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*