Çdo të thotë fitorja e Obamës për shqiptarët

Nga Enriko Ceko November 9, 2012 14:55

Çdo të thotë fitorja e Obamës për shqiptarët

Pas lajmit se Obama fitoi edhe shqiptarët e thjeshtë filluan të mendojnë se ç’do të thotë për ta kjo fitore. Problemet e vendit tonë janë të shumta dhe ndihma e SHBA-ve këta 20 vitet e fundit ka qenë e madhe për t’u përballur me këto probleme. Por, vitet e fundit gjendja ekonomike në Perëndim nuk ka qenë e mirë dhe, nëse Perëndimi teshtin, botën tërë e ka zënë gripi e rrufa dhe… në fakt për pjesën tjetër të botës imazhi i Perëndimit është kryesisht Amerika.

 

Një përmirësim i shpejtë i situatës ekonomike në SHBA do sillte më shumë siguri në botë dhe në Ballkan.Mesaduket, përmirësimi i shifrave të papunësisë dhe inflacionit në SHBA po bën që ekonomia amerikane të rritë kërkesën për mallra dhe shërbime vendase dhe të huaja. Ky është një sinjal shpresëdhënës, por Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA dominohet nga republikanët dhe kjo mund të çojë në ngadalësim të dhënies së zgjidhjeve për çështjet ekonomike që debatohen atje. Për shembull, debatet për politikën e kreditit. Kjo situatë ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë evropiane, sepse interesat e kredive në SHBA janë të lidhura me gjendjen e bankave në Evropë, kur në fakt vendet e Evropës Perëndimore renditen ndër partnerët më të rëndësishme të vendit tonë.

 

Në aspektin e politikës së jashtme, fitorja e Obamës duket se do të ndikojë në pakësimin e tensionin ndërkombëtar. Kjo mund dhe duhet të sjellë pakësimin e trupave në vendet ku SHBA dhe aleatët janë angazhuar, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe kjo do të bënte që, jo vetëm të reduktoheshin shpenzimet për ushtrinë, por paratë e kursyera të kanalizoheshin në fusha e sektorë të tjerë në shërbim më të mirë ndaj qytetarisë, si për shembull në bujqësi, që, edhe pse jep mbi 20% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar të Shqipërisë, merr nga buxheti i shtetit vetëm 3%, apo për shëndetsinë, që merr nga buxheti i shtetit rreth 3%, kur Evropa Perëndimore e ka rreth 14% këtë zë në buxhetet e vendeve përkatëse.

 

Fitorja vjen menjëherë pas vizitës së sekretares së Shtetit Klinton në Shqipëri. Mesazhet e saj kuptimplota duket qartë se do të mbeten aktuale edhe për vitet që vijnë, sado hidhur a thartë t’u vijë disave që i dëgjuan “live” këto mesazhe në Kuvend. Këto mesazhe janë piketat për përmirësimin e gjendjes politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Janë vizioni, misioni dhe objektivat tona strategjike dhe operacionale. Këto mesazhe janë dhe mbeten plani i veprimit për të ardhmen tonë në rajon dhe më gjerë, në një botë përherë e më globale, që, mesa duket, po shkon drejt një uniteti të mbështetur në diversitet, ku si amerikanët ashtu edhe shqiptarët dhe tërë të tjetër kanë vendin dhe rolin e tyre.

 

Edhe pse Shqipëria është larg SHBA dhe ndryshe nga ai vend në pothuajse të tëra drejtimet, fitorja e Obamës mbetet një mësim për të tërë ne, por kryesisht për klasën tonë politike që mesa duket ka zgjedhur që sejcila palë të bëjë politikë duke denigruar palën tjetër me fjalime pompoze nëpër ara e lëndina e rrugë të saposhtruara (disa herë) përballë fermerëve tanë “të famshëm e të lumtur” se kanë nga dy dynymë tokë, apo përballë turmave zhgallane që mbajnë flamurë nëpër duar pa ditur as vetë se përse, siç nuk dinë se përse e humbin kohën nëpër këto veprimtari tip gallate adoleshentësh.

 

Mësimi më i madh nga fitorja e Obamës mbetet për qytetarinë shqiptare dhe shtresën e mesme në formim të vendit tonë, shtresë e cila përgjatë rrugës së rritjes dhe forcimit i ka shanset që të kontribuojë për atë që edhe vendi ynë të ketë zgjedhje të lira dhe drejtues cilësorë, e padyshim edhe humbës dinjitozë të zgjedhjeve. Sepse në fakt nga zgjedhje të tilla si këto të fundit në SHBA nuk fiton askush përveç vendit dhe bashkë me të edhe individi.

Nga Enriko Ceko November 9, 2012 14:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*